Lajme Shqip Sunday, 25 August 2013 10:12

Prishtinë -Duket se Nazim Bllaca e ka ngreh këmbën zhag. Dënimi minimal për krimet e bëra që i është shqiptuar atij për hir të bashkëpunimit me EULEX’in, sipas ekspertëve dhe psikologëve po ngrit precedent për raste të tjera. Kjo sipas tyre ka ndikuar edhe tash, kur tre dëshmitarë të rinj kanë pranuar të bashkëpunojnë me misionin ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë.

Megjithëse, sipas tyre nuk është Bllaca ai që po ia jep këtë mundësi këtyre dëshmitarëve, por është vet drejtësia që po i stimulon ata për të rrëfyer të gjitha vrasjet e kryera pas luftës në Kosovë.

Psikologu Agim Selimi thotë se është e qartë që dënimet e vogla ndikojnë në psikikën e njeriut, që të vendos e të bëhet dëshmitar i cili bashkëpunon me drejtësinë. “Kjo gjë është stimuluese dhe ndikon drejtpërdrejt në atë person”, thotë Selimi për Express.

Madje sipas tij ndodh që drejtësia vet i shqipton këto dënime, në mënyrë që të arrijë më shumë rezultate në mbledhjen e dëshmitarëve dhe provave. “Pasi e sheh që dënimi i vogël menjëherë ndikon që një person të pranojë të rrëfehet”, pohon ai.

Njëjtë mendon edhe avokati Artan Qerkini. Sipas tij, EULEX në këtë rast shqipton dënime të ulëta për dëshmitarët bashkëpunues vetëm e vetëm që të arrijë t’i bind personat e caktuar të bashkëpunojnë me ta.

“Sepse secili nga këta dëshmitarë mundohet që të përfitojë benefite nga ky status, pasi ata do të marrin automatikisht dënime më të vogla për aktet e kryera sesa në rastin kur ata nuk janë dëshmitar bashkëpunues”, thotë Qerkini për Express.

Pavarësisht këtij fakti, Qerkini mendon se EULEX duhet të ketë shumë kujdes kur të vendos t’ia japë një personi statusin e dëshmitarit bashkëpunues. “Duhet të kenë shumë kujdes në plotësimin e kushteve ligjore. Dëshmitari duhet ta ketë të besueshme dëshminë dhe dëshmia e tij duhet të qojë në zbardhjen e tërësishme të rastit”, thotë ai.

E jo sipas tij të veprohet sikurse deri më tash. Kjo pasi mendon se vlerësimet e gjykatës deri tani ka qenë pak të ngutshme, sidomos në rastin “Kleçka”.

“Në atë rast konsideroj që gjykata është ngutur kur i ka dhënë dëshmitarit X, statusin e dëshmitarit bashkëpunues pasi dëshmia e tij nuk ka qenë aq e qartë dhe për këtë kemi shumë shembuj, duke u nis nga deklaratë që kanë qenë shumë kundërthënëse e deri tek ekspertiza grafologjike që i është bërë ditarit të tij”, thotë avokati.

Pas dënimit të Nazim Bllacës me 4 vite e 5 muaj burg për krejt krimet e kryera, së fundmi statusin e dëshmitarëve bashkëpunues e kanë marrë edhe tre persona të tjerë, të cilët siç thuhet do të rrëfejnë për të gjitha krimet e bëra pas luftës, të cilësuara si vrasje “politike”.

Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Shkumbin Mehmeti kanë fituar statusin e dëshmitarit. Të tre janë të dënuar me burgim mbi 30 vjet. Hasani dhe Qerimi kanë qenë policë, ndërsa Mehmeti i dënuar për vrasjen e një polici të UNMIK-ut.

Ata kanë filluar të japin dëshmi për krime të kryera në rajonin e Prishtinës dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Dëshmitarët thuhet sejanë ofruar vetë në dispozicion për të dëshmuar për krimet me anë të së cilave mund të zbardhen vrasja e Xhemajl Mustafës, Tahir Zemajt, Rexhep Lucit e të tjera./Express/ 

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 15:50

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktvendimin ndaj të pandehurit Nazim Bllaca, i akuzuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Ai është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg, raporton gazetarja e Gazetës Express.

Atij do t’i llogaritet arresti shtëpiak prej 30 nëntor 2009 deri më 30 nëntor 2010, që i bie që ai ta vuaj dënimin vetëm 3 vjet e gjysmë, raporton Express. 

Gjykata e ka arsyetuar këtë dënim minimal duke marrë për bazë rrethanat lehtësuese të cilat i ka fituar Nazim Bllaca, duke bashkëpunuar me EULEX’in dhe duke pranuar fajësinë për vrasjen e Kllokoqit.

Prokurori ka paraqitur parashtresë me të cilën kërkon arrest shtëpiak për Bllacën. Kjo kërkesë pritet të sqarohet në pjesën e dytë të seancës që pritet të fillojë pas pak.

 
Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 12:26

Prishtinë – (E plotësuar) Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj Nazim Bllacës.
Verdikti pritet të jepet më 19 korrik.
Prokurori i rastit, Marucio Salustro ka kërkuar dënim minimal për Bllacën. Arysja për këtë, sipas tij, është fakti se Bllaca ka qenë dëshmitar bashkëpunues në rastin Bllaca 1 dhe Bllaca 2.
Para medieve ka folur avokati i Bllacës, Osman Havolli, i cili tha se edhe mbrojtja është e pajtimit me kërkesën e Prokurorit, raporton Express. 
“Gjatë seancës së sotshme kemi diskutuar se cili ligj të aplikohet në rastin Bllaca dhe kemi ardh në përfundim që të aplikohet Ligji Penal i Kosovës i vitit 1999, meqë në atë kohë është kryer vepra penale”, tha avokati.
Sipas tij, për raste të tilla, dënimi minimal është 10 vite burg, mirëpo shtoi ai, gjykata mund t’i bëj favore Bllacës dhe ky dënim të zbutet.

 

 

Pritet vendimi për Bllacën 

 

 

Nazim Bllaca pritet të paraqitet sot para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila sot ka gjasë që t’ia kumtoi edhe vendimin për të, si të akuzuarin e vetëm për vrasjen e Ibush Kllokoqit, për çka Bllaca tashmë e ka pranuar fajësinë.
Seanca pritet t mbahet në ora 13:00, shkruan Express. 
Vendimi vjen pas katër viteve sa ka bashkëpunuar Bllaca me drejtësinë, si dëshmitarë kyç për disa vrasje të pasluftës.
Nazim Bllac, në 2009’ën doli publikisht dhe tha se ka vrarë Ibush Kllokoqin në cilësinë e pjesëtarët të SHIK’ut.
Derisa kishte thënë se urdhër për të gjitha krime të kryer në emër të SHIK’ut i kishte marrë nga Azem Syla.
Si pasojë e dëshmive që Bllaca ia ka ofruar EULEX’it, kanë përfunduar dy procese gjyqësore që rezultuan me 45 vite burg për të pandehurit.
Ky është procesi i tretë, i njohur si “Bllaca3”. Derisa pritet që të nis edhe procesi i katërt që ka të bëjë direkt deklaratat e që Bllaca i dha për Azem Sylën, të cilin e quan kokën e krimit në Kosovë.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 July 2013 19:31

Pishtinë – Nazim Bllaca ka pranuar gjatë seancës së tij gjyqësore se ka vrarë Ibush Kllokoqin, edhe pse nuk e ka ditur se kush është ai.

Avokati Osman Havolli bëri të ditur për media pas seancës se klienti i tij ka pranuar në tërësi fajin për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Si pasojë e kësaj gjykata nuk do t’i dëgjojë dëshmitë e dy dëshmitarëve të rastit.

“Nazim Bllaca ka pranuar në tërësi vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe i ka kërkuar falje familjarëve të tij. Ai është i vetëdijshëm për pasojat e kësaj vepre por qëndron prapa asaj se kur e ka kryer vrasjen nuk e ka ditur se kush është Ibush Kllokoqi”, tha Havolli, raportojnë mediat.

Ai ka bërë të ditur po ashtu që në seancën e radhës që do të mbahet me 15 korrik të këtij viti ka gjasë që gjykata të shpallë edhe vendimin për Bllacën, meqë ai e ka pranuar fajin.

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 15:17

Prishtinë – Nazim Bllaca, i vetëshpallur si agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës, u ka thënë lamtumirë medieve dhe i ka falënderuar për siç ka thënë ai “raportimin e drejtë për rastin “Bllaca”.

Ndaj Nazim Bllacës, të mërkuren fillon një proces gjyqësor për vrasjen e Ibush Kllokoqit, ku kësaj radhe ai është i pandehur.

 

Letra e plotë e Bllacës:

 

Lamtumirë media!

Nga: Nazim Bllaca me 2 korrik 2013

Kam obligim të gjej kohë dhe tu drejtohem mediave, të shkruar dhe elektronike, me te cilat isha shumë i hapur për gati katër vite.

I falënderoj të gjitha ato media që kanë raportuar drejt për rastin “Bllaca”.

Kemi kaluar bashkë një kohë, e cila, pa dyshim, që do të jetë në historinë e këtij shteti që po mundohemi ta ndërtojmë, si një kapitull i ri, i veçantë dhe shumë i rëndësishëm. Edhe i tillë është.

Besoj që mediat, që nga dalja ime publike e deri më sot, kanë qenë ne vijën e parë të frontit tonë të përbashkët kundër së keqes.

Ato media që nuk iu nënshtruan presionit të Qeverisë së Kosovës në raport me rastin “Bllaca” kanë pasur gjithë mirëkuptimin tim që të jem i kontaktueshëm nga to.

Kësaj pjese të medias jam munduar ti ndihmoj që të jenë në këtë pozitë me të vetmen mundësi që kam pasur gjithë këtë kohë unë: të ofroj prova për deklaratat e mia.

Unë i falënderoj të gjitha ato media që e kanë përcjell dhe kanë raportuar drejt rastet gjyqësore ku jam përfshirë unë. Ato media që kanë raportuar vetëm atë që është thënë dhe siç është thënë nëpër seanca të rastit “Bllaca I” dhe “Bllaca II”.

Tash ka ardhur koha që për një kohë ne të ndahemi. Që të mos mund të komunikoi me juve.
Siç dihet tash më nga data 3 korrik 2013 unë jam i pandehur për një vrasje që e kam kryer me urdhër të eprorëve të mijë nga Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), duke qenë pjesë e njërës nga skuadrat e vrasjeve të këtij shërbimi.
Por, siq duket edhe pse nuk mund të komunikojmë për një kohë, juve mediave do të ju “nxjerr punë” përsëri. 
Unë i falënderoj shumë sidomos ata gazetarë që në lidhje me rastin “Bllaca” morën kërcënime dhe nuk u gjunjëzuan në asnjë moment. Mos të harrojmë rastin e Sebehate Shalës, e cila për një pyetje zv.Shefit të EULEX, Endry Sparks u largua nga puna.

Unë e kam kuptuar shumë mirë presionin e Qeverisë, në forma direket dhe indirekte, ndaj rastit “Bllaca”, mirëpo ne do jemi më të fortë sidomos pas rastit “Bllaca III”.

Ju e dini që, që ditën kur kam dal publikisht për të denoncuar krimet SHIK-ut, Qeveria kishte thirrur edhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të munduar ti japin drejtim tjetër rastit “Bllaca”

Që nga data 3 korrik 2013 ne dalim jashtë funksionit në raport me mediat.

Shpresoj që do të shihemi nëpër seanca gjyqësore, me ju, të nderuara media.

 
Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 10:53

Prishtinë – Mbrëmë rreth orës 23 është sulmuar me granatahedhës shtëpia e Nazim Bllacës në Ribar. Askush nuk është lënduar.

Dëshmitari bashkëpunues ka njoftuar se sulmi është kryer nga oborri i shkollës që është përballë shtëpisë. Burime nga vendi i ngjarjes kanë njoftuar se arma është gjetur, njoftojne mediat.

Nuk dihet se kush e ka kryer sulmin, por dihet që gjashtë persona janë dënuar për shkak të dëshmive të tij. Shpresim Uka, Sadik Abazi, Shaba Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari janë dënuar me 54 vjet burg. Bekim Syla, Shpresim Uka dhe Driton Hajdari janë në arrati. Fahredin Gashi ndërkaq është dënuar më 17 burg. Me 3 korrik nis gjykimi i Nazim Bllacës për vrasjen e Ibush Kllokoqit.