Lajme Shqip Tuesday, 28 January 2014 11:12

Prishtinë- Ish-kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, Oliver Ivanoviq, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji pas kërkesë së gjykatësit  ndërkombëtar që ai të mbetet në paraburgim. KTV-ja merr vesh se Ivanoviq mbrëmë vonë është transferuar në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë.

Ai po  dyshohet për vrasje të rëndë të kryer pas përfundimit të luftës, ndërsa një ditë më parë ka shkuar vetë në stacionin e policisë në veri. Pas përfundimit të intervistës, misioni i EULEX-it ka njoftuar se intervista është zhvilluar pasi Oliver Ivanoviq është i dyshimtë në një hetim për krime lufte, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit.

Mbrëmë, te Gjykata në veri të Mitrovicës, disa qytetarë kanë protestuar kundër arrestimit. Aty kanë qenë edhe përfaqësues të partisë së tij,  “Serbia, demokracia, drejtësia”. Përfaqësuesja e kësaj partie, Ksenija Bozoviq, ka thënë se ka arsye për të besuar se akti i EULEX-it ka motive politike, sepse e mërkura ishte afati i fundit për ta paraqitur kandidaturën për kryetar të Mitrovicës Veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ndryshe, dje u dha lajmi për arrestimin e Ivanoviqit nga EULEX-i.

Ndërkohë, portali LajmeShqip.com kishte raportuar dy vjet më parë me publikimin e dosjeve konfidenciale të NATO’s për dyshimet. Më poshtë, të bashkangjitur gjeni edhe lajmin: NATO, konfidenciale (II): Oliveri, kukull dhe kriminel lufte. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 16:48

Prishtinë (LajmeShqip.com) – Ashtu siç kishte raportuar dy vjet më parë portal LajmeShqip.com, sot është konfirmuar se Oliver Ivanoviq është edhe zyrtarisht i dyshuar për krime të luftës.

Të hënën ka ndodhur arrestimi nga EULEX-i i kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanoviq, kanë bërë të ditur mediat kosovare.

Figura e njohur politike e serbëve të veriut të Kosovës, bëhet e ditur të jetë arrestuar nën dyshimin për krime të luftës dhe vrasjet e lidhura në vitet 1999/2000 në Kosovë.

Ndërkohë, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, ka bërë të ditur se një aksion i përmasave të gjëra është duke u zhvilluar në veri të Mitrovicës, pa dhënë hollësi të tjera.

Portali LajmeShqip.com dy vjet më parë ka publikuar dosjen ekskluzive, me dokumentet konfidenciale të NATO-s, në të cilën Oliver Ivanoviq, bashkë me shumë të tjerë, përmendej si kriminel lufte dhe si i dyshimtë për përfshirje në krime lufte në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Oliver Ivanoviq kishte marrë shumë poste me përgjegjësi në institucionet atëherë të përkohëshme vetëqeverisëse në vend, nën administratën e UNMIK-ut. Një mandat ai ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ai është kryetar i Iniciativës Qytetare SDP (Slloboda, Demokracija, Pravda – Liria, Demokracia, Drejtësia) dhe kandidat për kryetar të Mitrovicës.

Në fund të gushtit 2011, portal LajmeShqip.com ka raportuar se në organizatën e veriut, KOS, Oliver Ivanoviq, sipas dokumentit të NATO-s, ishte vetëm një kukull, sepse, shkaku i pafuqishmërisë së tij politike, prapa i rrininin përfaqësuesit ekstremistë serbë të Zubin Potokut. Por, kjo ishte koha e pasluftës.

Në dokumentin konfidencial të NATO-s, të publikuar nga portali, citohen veprime të tjera të Oliver Ivanoviqit, të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ai, atëherë si anëtar i SPS-it të Millosheviqit, thuhet në dokument, është shquar në fushatën për largimin e shqiptarëve nga puna, në veri të Mitrovicës, dhe për diferencimin e tyre nga të gjitha organizatat sportive, në krye të cilave kishte ardhur me direktiva të pushtetit në Beograd dhe ishte mandatuar me këtë mision. Për një kohë të shkurtër, Oliver Ivanoviqi e kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi, në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90.

Linku në vijim përmban artikullin e tërësishëm të publikuar nga portali, më shumë se dy vjet më parë, si pjesë e dosjes konfidenciale të NATO-s, ku flitet për njërin nga protagonistët e saj, Oliver Ivanoviq. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 09:00

Mitrovicë -Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, boshnjakja Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Ndërim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi janë vrarë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriorë të Mitrovicës. Këta persona janë vrarë dhe masakruar nga grupi kriminale serb ‘Rojat e Urës’ 12 vite më parë të udhëhequara nga ish-shefi i atëherëshëm i këtij grupi Oliver Ivanoviç. Këtë operacion të vrasjeve, të masakrimit dhe dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës e ka udhëhequar bashkarisht MUP i Serbisë me në krye ish komandantin e Dragan Delibashiç dhe Oliver Ivanoviç.


> Dokumenti sekret i NATO’s që inkriminon Oliver Ivanoviçit

Për këta dy udhëheqës të këtij operacioni, si dhe shumë kriminelë tjerë, rezultojnë të anagazhaur me fakte edhe një dokument i policisë së UNMIK-ut, i njohur me emrin “Pandora”, të cilin e ka publikuar ekskluzivisht Portali LajmeShqip.com dhe të cilin mund ta lexoni këtu. Portali ka publikuar edhe dosjet, tashmë të njohura të NATO-s, dosje për të cilën pas publikimit nga shumica e mediave shqiptare kanë reaguar edhe politikanët serbë të përfshirë në këtë dosje, siç mund ta lexoni këtu.

Deri më tani për këto 10 vrasje të shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe dëbimit të mbi 12 mijë të tjerë nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe askush nga këto grupe ende nuk është përballuar me drejtësinë. Shaip Canhasi, në varrezat e qytetit të Vushtrrisë ka varrin e bashkëshortes së tij, Remzijës, që u vra 12 vjet më parë, në veri të Mitrovicës nga grupet kriminale serbe. Botërisht dihet se ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës.

Dëshmitë bëjnë me dije se në atë kohë, grupet kriminale serbe, brenda nje nate i’u vërsulën familjeve jo-serbe që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës, duke vrarë 6 persona brenda një nate, ndërsa 4 të persona të tjerë humbën jetën më pas nga plagët e marra nga armët zjarri dhe granatat e përdoruara gjatë sulmit. Dhjetra qytetarë kryesisht shqiptarë të tjerë u plagosën, ndërsa edhe qindra familje janë detyruar të kalojnë në bregun jugor të lumit Ibër, duke lënë prapa disa shtëpi në flakë. Shaipi, ka pohuar se nuk do ta harrojë kurrë atë natë, kur 6 plumba nga një armë me silenciator, e lanë të vrarë bashkëshorten e tij Remzijen. “Isha në korridor së bashku me gruan dhe një polic ndërkombëtar kur një turmë njerëzish qëlluan 6 herë nga një armë me silenciator dhe gruaja ime ra përtoke e vdekur ndërsa plumbat e kishin marrë në qafë. Vrasësit thyen dyert dhe u futën brenda në ndërtesë, ndërsa polici i UNMIK-ut vetëm bërtiste: UNMIK-UNMIK” – thotë Shaipi ndërsa shton se “tani jetoj i vetmuar në një dhomë në pjesën jugore të Mitrovicës dhe i mllefosuar nga fakti se vrasësit ende janë të lirë”.

“Nuk ka drejtësi nga të huajt, të vrarët e asaj nate shkuan dëm dhe kërkujt kurgja. Institucionet e Kosovës nuk interesohen për këtë çështje, sepse tuten mos këta të huajt po u thonë se janë ekstremistë”- vijon më tej ai. Ish-kryeprokurori i qarkut të Mitrovicës, Jusuf Mejzini, në lidhje me vrasjet e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës ka deklaruar se të gjitha këto raste janë hetuar nga policë dhe prokurorë ndërkombëtar. “Ne vendorët nuk kemi pasur qasje në këto hetime, gjyqëtarët kanë përfunduar misionin e tyre në Kosovë dhe ne nuk na është dorëzuar asnjë lëndë për këto raste”- ka thënë Mejzini. Ç’farë ndodhi më vonë dhe në ç’farë faze të hetimeve janë ne nuk e dimë”- ka thënë kryeprokurori i Mitrovicës.

Ndërsa, burime të besueshme në kushte anonimiteti kanë theksuar se Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë, ka disponuar vetëm një lënde, atë të çiftit, Nezir e Shqipe Voca, të vrarë gjatë kësaj nate. Lëndë kjo që ka një fletëparaqitje kundër personit N.N dhe këtë lënde ia kemi kthyer policisë që të gjejnë vrasësit”- ka thënë burimi. Prokuroria, shumë herë ka kërkuar të dihet se deri ku ka arritur policia me hetime, përgjigjje nuk është marrë”.

Sipas burimit, rastet në të cilat të dyshuarit janë dituar me emër e mbiemër janë marrë nga prokurorët ndërkombëtarë, dhe prokurorët vendorë nuk dinë se ç’farë ka ndodhur me to. Kurse ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës Kapllan Baruti në lidhje me këto vrasje në veri të vendit ka theksuar se “në gjykatë nuk ka asnjë lëndë të inicuara e as të proceduar për këtë çështje”.

Për Muharrem Sokolin, ka pasuar një procedurë gjyqësore, janë arrestuar tre veta dhe më pas janë liruar nga gjykatësi ndërkombëtar, është marrë aktgjykim lirues me numër vendimi P-45-02 dt: 04.09 2002. “Të gjitha dokumentacionet për këto raste, kanë mbetuar në gjykatë në veri dhe kam frikë se mos janë demtuar”- ka thënë Baruti.

Burime të portalit LajmeShqip.com, brenda policisë dhe prokurorisë, që flasin në kushte të anonimitetit, thonë se kohë më parë është dashur që të arrestoheshin tre persona dhe ata t’i dorëzohen prokurorisë, por deri më tani për shkaqe politike një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Sipas këtyre burimeve disa raste janë dorëzuar prokurorisë dhe gjyqësise, por nuk ka ndonjë të dhënë se ç’farë ka ndodhur me to. Po sipas këtyre burimeve, në këto sulme ishin të përfshirë shumë persona, por qytetarët ende ngurojnë të flasin për atë që kanë parë atë natë për arsye të situatës që mbretëron në veri të Mitrovicës.

S. Z., S. Zh. dhe B.J shtetas serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës, janë shpalluar të pafajshëm nga gjykatësi ndërkombetar Timothy Clayson, në procesin e mbajtuar në vitin 2002, lidhur me akuzen se kishin marrë pjesë në vrasjen e Muharrem Sokolit (51). Këta persona ishin liruar nga paraburgimi pasi prokurori ndërkombëtar Michael Hartmann, ka vlerësuar se nuk ka mjaft dëshmi për gjykimin e tyre.  Muharrem Sokoli ishte rrahuar nga një grup serbësh deri në humbjen e vetëdijes, ndërsa më pas i ishtë hedhur edhe një bombë që ia kishte marrë jetën. Ndërsa për rastet e Nderim Ajetit (13) dhe të Nerimane Xhakës, sipas këtyre burimeve, kanë ekzistuar fletëparqitje penale kundër të dyshuarve: Ish- kryepolici serb Dragan Delibashiç, ish-shefit të Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës dhe udhëheqësin e rojeve të urës Oliver Ivanoviç dhe qytetarëve I.V, N. V, S.M dhe S.L. dhe në këto dy raste prokurori Hartmann kishte vlerësuar se nuk ka fakte dhe se duhet hequr dorë nga ndjekja tyre. Në rastin e Remzije Canhasit, të vrarë para syve të burrit të saj, burimet pohojnë se janë zhvilluar hetimet ndaj B.A., M.A, R.A, dhe V.M. Prokuroria në këtë rast ja kishte kthyer dosjen policisë ndërkombëtare për grumbullimin e më shumë fakteve dhe dëshmive, por sipas burimeve nuk është mësuar kurrë për fatin e këtij rasti.

Halit Barani, shefi i KDMLNJ (Këshillit të së Drejtave dhe Mbrojtjes së Lirisë së Njeriut) në Mitrovicë, thotë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje”-thotë Barani, i cili pohon se ka dëshmitarë që pohojnë se në mesin e sulmuesve atë natë ka pasuar edhe njerëz që paraqiten publikisht si liderë politikë të serbëve të Kosovës siç është Oliver Ivanioviç.

Në vazhdim Portali LajmeShqip.com sjell edhe njëherë dokumentin e dosjes Pandora në të cilin dokument, UNMIK-u, e ka të dokumentuar me saktësinë më të madhe të gjitha ngjarjet dhe personat e përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e planit dhe vrasjeve të Shkurtit 2000.

Përmbledhje e publikimeve ekskluzive të Portalit LajmeShqip.com për temën e Mitrovicës:

Ish-komandanti i NATO’s, Erhard Bürhler: Po, dosja është dokument i rëndësishëm i NATO-s

Ekskluzive: Dosja Pandora, MUP-i serb në Kosovë pa maska

Ekskluzive: Ja gjashtë kriminelët e kërkuar të veriut

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 20:24

Tiranë – Portali LajmeShqip.com ka siguruar një dosje tjetër ekskluzive dhe ka filluar me përpunimin dhe verifikimin e menjëhershëm të saj, pjesën e parë të së cilës pritet ta botojë nesër.

Ndërkohë që për këtë arsye, portali përkohësisht do ta ndërpresë publikimin e dosjeve konfidenciale të NATO-s për krimin e organizuar në veri të Kosovës.

Dosja që e ka siguruar Portali, zbardhë të vërtetën për strukturën e organizimit dhe të veprimit të MUP-it të Serbisë në Kosovë, veçanërisht në veri.

Dosja zbardhë, gjithashtu, shumë pikëpyetje dhe mistere tjera të veprimit ilegal dhe kriminel të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë:

– Si është organizuar BIA dhe veprimtaria e saj në Kosovë?

– Si kanë funksionuar grupet luftarake në Kosovë në kuadër të MUP-it të Serbisë?

– Kush i ka udhëhequr ato grupe?

– Cilat janë figurat e hierarkisë së shtetit serb, që dhanë urdhrat për vrasje, ekzekutime dhe eliminime kundër shqiptarëve?

– Këto dhe shumë pikëpyetje e mistere të tjera pritet t’i zbardhë dosja ekskluzive, e cila publikohet për herë të parë.