Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 18:15

Bazuar në kërkesën e Qeverisë së Kosovës pushteti lokal i Prizrenit ka iniciuar procedurën për ngritjen e një memoriali për dy pilotët amerikanë, David Gibbs, dhe Kevin Reichert, të cilët kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit “Apache” gjatë një fluturimi rutinë në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë – shkruan sot Koha Ditore.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të kësaj çështjeje në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve i është drejtuar me një shkresë Komunës së Prizrenit përmes së cilës ka kërkuar ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e obeliskut.

Sipas historikut të ngjarjeve në Ushtrinë amerikane, pilotët David Gibbs 38-vjeçar nga Ohio dhe Kevin Reichert 28-vjeçar nga Wisconsin kanë humbur jetën më 5 maj 1999, kur helikopteri i tyre “Apache” u rrëzua për arsye të panjohura gjatë një trajnimi në terrenin malor në Shqipëri.

 
Lajme Shqip Monday, 24 March 2014 14:48

Në ditën e sotme mbushen 15 vjet që nga ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veriatlantike, NATO, kundër caqeve ushatarake e policore të Serbisë. 

Sulmet kishin pasuar dështimin e konferencave ndërkombëtare në Rambouillet dhe Paris. 

Pas 78 ditë sulmesh, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke vendosur kështu administratën e përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe duke fuqizuar praninë ushtarake të NATO-s në Kosovë, që do të njihet me emrin KFOR.

Miratimi i rezolutës pasoi nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe ushtarake e policore serbe nga Kosova dhe zbarkimin e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Fundi i luftës, Kosovën e gjen me më shumë se 11,000 të vrarë dhe 5,000 të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihej gjë. 

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it u vendosën rreth 50, 000 ushtarë nga 36 vende të ndryshme botërore, nga të cilët 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Për udhëheqësit e Kosovës dhe qytetarët e saj, data 24 mars e vitit 1999 shënon një fillim të ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj. 

Sot ndërkaq, 15 vjet më vonë, me një numër shumë të vogël, forcat paqeruajtëse të NATO-s, vazhdojnë operimin e tyre nëpër Kosovë./REL/

 
Lajme Shqip Sunday, 23 March 2014 15:41

Nesër, në 24 mars, mbushen 15 vjet që nga dita kur NATO e udhëhequr nga SHBA filloi fushatën e bombardimeve kundër ish-Jugosllavisë për të detyruar presidentin serb Sllobodan Millosheviç të pushonte dhunën në Kosovë dhe për të shmangur katastrofën humanitare që kërcënonte rajonin. E njohur si Lufta e Kosovës, fushata ajrore zgjati 78 ditë dhe solli më në fund çlirimin e Kosovës dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave. Ndërhyrja e NATO-s do të jetë temë e debateve në shkencat politike dhe në të drejtën ndërkombëtare për shumë vjet me radhë. Pavarësisht se për shqiptarët ajo shënoi shpëtimin nga agresioni fashist serb, për historinë e njerëzimit ajo shënon një hap të rëndësishëm drejt dobësimit të sovranitetit të shtetit në favor të stabilitetit ndërkombëtar dhe të drejtave universale njerëzore. Me ndërhyrjen në Kosovë, NATO nënvizoi parimin e ri në skenën ndërkombëtare sipas të cilit sovraniteti shtetëror nuk është më justifikim për diktatorët që të masakrojnë nënshtetasit e tyre. Kritikët janë vënë në dukje se ky ndryshim mund të shkërmoqë sistemin ndërkombëtar që prej gati dy shekujsh bazohet mbi sovranitetin shtetëror. Megjithatë, në një botë që bëhet gjithnjë e më shumë e vogël, ku globalizimi, zhvillimi i teknologjisë dhe ndryshimet e mjedisit kërcënojnë ose favorizojnë mbarë njerëzimin, prirja është që vendimet e mëdha të mos pengohen nga interesat e ngushta të një shteti. Lufta pati një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për vetë NATO-n e cila ishte në prag të festimit të 50 vjetorit të saj dhe ekzistenca e aleancës po vihej në dyshim. E krijuar për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik, NATO ndodhej prej vitesh pa ndonjë arsye konkrete për të justifikuar ekzistencën e saj, tani që Lufta e Ftohtë kishte mbaruar. Kriza e Kosovës tregoi se problemet e sigurisë dhe të stabilitetit në Europë mbeteshin reale, ndonëse nuk ishin më të karakterit ideologjik. Lufta e vitit 1999 i dha lirinë shqiptarëve por edhe të drejtën për të jetuar më tej vetë NATO-s, e cila qysh atëhere ka shtuar numrin e anëtarëve, një nga të cilat tani është pikërisht Shqipëria. Për Kosovën, ndërhyrja e NATO-s ndryshoi përgjithmonë historinë e saj dhe të shqiptarëve në tërësi. Për herë të parë që nga vitet që i prinë Luftës së Parë Botërore, Kosova doli nga zgjedha e Serbisë për t’u vënë fillimisht nën mbikëqyrjen e një misioni të OKB-së. Në 2008, ajo shpalli pavarësinë duke kurorëzuar në mënyrë spektakolare atë proces që filloi me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhjetë vjet më parë. Masakra e Reçakut dhe refuzimi i Jugosllavisë për t’iu bashkuar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në firmosjen e një marrëveshjeje paqeje në Rambuje i hapën rrugë ndërhyrjes ushtarake, por ky zhvillim nuk do të kuptohej pa vlerësuar proceset që e sollën atë: rezistenca paqësore e LDK-së me në krye Presidentin Rugova që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës si dhe luftës së vendosur të UÇK-së me aktin e madh heroik të Adem Jasharit, i cili ra në luftë kundër pushtuesit serb e pas tij u masakrua e gjithë familja e madhe që ndodhej me të në Prekaz. Ndonëse, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është rezultat i shumë faktorëve, një rol të pamohueshëm ka luajtur edhe puna e jashtëzakonshme e komunitetit shqiptaro-amerikan sidomos gjatë viteve 90-të për të edukuar politikën amerikane lidhur me çështjen e Kosovës. Për shqiptarët këtu në SHBA, në Kosovë e kudo, Presidenti Bill Clinton dhe Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright nuk do të harrohen kurrë për vendimet e guximshme e të principta që morën në atë pranverë të madhe të vitit 1999. Ato vendime ndryshuan si rrallë ndonjëherë historinë e kombit tonë dhe siç do të dalë më vonë edhe të gjithë botës. /Illyria/

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 09:55

Prishtinë – Bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje ushtarëve të KFOR-it. Me lot gëzimi në sy, me brohoritma “NATO, NATO”… I konsideronin shpëtimtarë të tyre.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Që atëherë, kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb.
Fillimisht numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.
Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Si pasojë e saj, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sot, katërmbëdhjetë vjet pas zbarkimit, janë rreth 5,600 trupa të NATO-s që vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.
Gati nëntë vjet pas zbarkimit të NATO-s, përkatësisht më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit.
Shteti i ri është njohur nga rreth 100 vende dhe është i angazhuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Për këtë qëllim, së fundmi, ka nënshkruar edhe marrëveshje me Serbinë për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve.
Dita e Lirisë së Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesë në histori. Sipas shumë vlerësimeve, 12 qershori është dita e rreshtimit të botës demokratike përkrah popullit të shtypur të Kosovës.
Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe./rel/