Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 18:15

Bazuar në kërkesën e Qeverisë së Kosovës pushteti lokal i Prizrenit ka iniciuar procedurën për ngritjen e një memoriali për dy pilotët amerikanë, David Gibbs, dhe Kevin Reichert, të cilët kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit “Apache” gjatë një fluturimi rutinë në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë – shkruan sot Koha Ditore.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të kësaj çështjeje në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve i është drejtuar me një shkresë Komunës së Prizrenit përmes së cilës ka kërkuar ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e obeliskut.

Sipas historikut të ngjarjeve në Ushtrinë amerikane, pilotët David Gibbs 38-vjeçar nga Ohio dhe Kevin Reichert 28-vjeçar nga Wisconsin kanë humbur jetën më 5 maj 1999, kur helikopteri i tyre “Apache” u rrëzua për arsye të panjohura gjatë një trajnimi në terrenin malor në Shqipëri.

 
Lajme Shqip Monday, 31 March 2014 14:51

5 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka konfirmuar edhe një herë “ftohjen” e marrëdhënieve mes qeverisë dhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në ceremoninë e 5-vjetorit të anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të zhvilluar në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes, u vu re mungesa e kreut të shtetit, ndonëse zyrtarisht burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë për televizionin A1REPORT se Presidenti, njëherësh komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka marrë ftesë për të qenë i pranishëm. Presidenca nuk ka dhënë asnjë sqarim për bojkotin e Nishanit në këtë ceremoni, ndërsa po sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, asnjë përfaqëesues i Presidencës nuk ka marrë në 5 vjetorin e anetaresimit te Shqiperise ne Aleancen e Atlantikut të Veriut.

 
Më 1 prill 2009 Shqipëria, së bashku me Kroacinë, u bënë vendet e 27-të dhe 28-të të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë. Anëtarësimi i Shqipërisë u konsiderua shumë i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkan, ndërsa shënoi dhe një arritje historike në përpjekjet e vendit për liri dhe siguri. Nga burime të A1 Report mësohet se Presidenti Bujar Nishani për 5 vjetorin e e antarsimit në Nato do të zhvillojë ditën e martë një aktivitet ne pallatin e Brigadave.

RAMA: TE GATSHEM TE PAGUAJME CMIMIN E LIRISE
Gjatë ceremonisë kryeministri Edi Rama ndau bindjen e përbashkët, sikurse presidenti amerikan Barack Obama me shprehjen “Freedom is not free”, se liria nuk mund të sigurohet falas duke sjellë si shembull rastin e dëshmorit Feti Vogli.

“Lirinë askush, asnjë individ, asnjë komunitet dhe pa dyshim edhe një aleancë e madhe si kjo nuk mund ta ketë falas. Ky 5 vjetori anëtarësimit në NATO na kujton se e kemi bashkuar të ardhmen me popuj të lirë e të mëdhenj, që çmimin e lirisë e kanë paguar dhe e paguajnë si çmimin e mirëqënies sot dhe për gjenerata që vijnë. Pjesëmarrja jonë në këtë organizatë e bën çmimin më të lehtë. Megjithatë liria nuk mund të jetë falas. Dhe në këtë përvjetor, gjaku i dëshmorit Kapiten Feti Voglit, dhe shumë djem e vajza, në gjirin e forcave aleate, janë dëshmia më kuptimplotë e çmimit të lirisë por janë dhe prova e forcës së besëlidhjes sonë euroatlantike” – u shpreh Rama.