Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 17:15

Prishtinë- Tash e pesë muaj mbetet në paraburgim, dhe pret që t’i ngrihet aktakuza.

Naser Kelmendi, një afarist me origjinë nga Peja, por me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës, priti të mësojë të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë se do t’i ndërpritet paraburgimi.

Mirëpo, gjyqësori i ka vazhduar paraburgimin edhe për 90 ditë të tjera, sipas një zëdhënëse të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Një gjykatës i procedurës paraprake i EULEX-it, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka urdhëruar 3 muaj paraburgim, gjegjësisht vazhdim të paraburgimit për Naser Kelmendin deri më 7 janar 2014”, tha për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi.

Kelmendi është arrestuar më 5 maj në Prishtinë, në afërsi të banesës ku jeton edhe ministri i brendshëm Bajram Rexhepi.

Aty besohet se jetoi për një kohë, derisa u zu nga forcat e rendit.

Policia e Kosovës e kishte prangosur, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Interpoli, pasi Kelmendi llogaritet si i arratisur nga drejtësia e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Atë e kërkojnë edhe për trafikim ndërkombëtar me Amerikën Jugore, Turqinë, Kroacinë, Serbinë, siç shpjegohet në një komunikatë të EULEX-it.

Por pasi kaloi 48 orë në paraburgim, Kelmendi lirohet për t’u arrestuar menjëherë nga policia e misionit evropian në Kosovë më 7 maj.

Një prokuror ndërkombëtar dyshon se Naser Kelmendi është i përfshirë në krim të organizuar “përveç tjerash”.

Misioni Evropian ka sqaruar se Kelmendi po akuzohet për të njëjta veprat që e ngarkojnë autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Besnik Berisha, që mbron interesat e Naser Kelmendit në këtë proces gjyqësor, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi për vazhdimin e paraburgimit të klientit të tij ende nuk është marrë, ose të paktën ai nuk është informuar për këtë gjë.

“Është ajo kërkesa 90 ditëshe. Nëse është ashtu e kanë aprovuar atë 90 ditësh, s’ka më shumë”, tha ai.

Këtë gjë e konfirmon edhe Blerim Krasniqi nga EULEX-i.

“Kërkesa e një prokurori të EULEX-it ka qenë që të vazhdohet paraburgimi edhe për 3 muaj, gjë të cilën e ka aprovuar gjykatësi”, thotë Krasniqi.

Avokati i Naser Kelmendit dyshon që prokurori i rastit Eric Larson të ketë përgatitur dosje solide kundër klientit të tij për kaq kohë, dhe që domosdoshmërish organi hetues do të kërkojë shtyrjen e paraburgimit, e cila do t’i aprovohet nga gjyqtari.

“S’ka asgjë të re, këtu është problemi. Ne po presim që ai të ngrit aktakuzën, por s’po e ngrit. Nuk ka prova thjesht. S’ka prova konkrete. Ka më shumë fjalë, eventualisht ndonjë dëshmitar në të cilin s’mundet me u bazua”, thotë avokati Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Por sipas EULEX-it, rasti është nën hetime, dhe se ende nuk mund të flitet për aktakuzë.

“Kelmendi hetohet për një numër të veprave penale, duke përfshirë krim të organizuar, vrasje, edhe trafikim të substancave narkotike,” shpjegon Blerim Krasniqi.

Elvis Kelmendi, pak ditë pas arrestimit të babait të tij Naserit, kishte pranuar fajin për tentim-vrasje në vitin 2010 të Elvis Hoxhiqit në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe ai ishte arrestuar me urdhër të Interpolit, dhe gjykuar nga drejtësia kosovare.

Për të dy të pandehurit kishte kërkesë nga organet boshnjake për ekstradim, por i njëjti nuk u krye për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe njohjes reciproke të dy shteteve./Radio Evropa e Lirë/

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 14:11

Prishtinë – Një kërkesë e Sarajevës për ekstradimin e Naser Kelmendit ende nuk ka mbërri në organet e drejtësisë kosovare.

Mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha thotë se nuk është në dijeni për një kërkesë të tillë.

“Deri tash Gjykata kompetente në Kosovë e cila do të duhej të vendoste për ekstradimin apo mos ekstradimin nuk ka pranuar kërkesë të tillë në këtë stad. Vetëm sa i përket pjesës politike të EULEX’it, por nuk ka kaluar në departamentin gjyqësor respektivisht në anën e Prokurorisë”, tha ai, shkruan Express.

I pa informuar rreth kërkesës është edhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Nuk kam informata për këtë, jam në pushime”, ishte përgjigja e ministrit për Express.

Në fakt, Ministria e Drejtësisë asnjëherë nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga Bosnja, meqë kjo nuk e njeh Republikën e Kosovës.

Si pasojë, avokati Berisha thotë se nuk ka kurrfarë bazë ligjore për ekstradimin e klientit të tij.

“Deshi apo s’deshi Bosnja për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk është kompetent EULEX’i me vendos nëse ekstradohet apo nuk ekstradohet dikush.Është një Ligj, një Kushtetutë dhe një kompetencë e fundit e Ministrit të Drejtësisë, i cili vendos mbi parimin e reciprocitetit”, tha Berisha.

“E kam thënë edhe më herët se çështja e ekstradimit të zotit Kelmendi nuk është çështje që mund të diskutohet, tashmë në Kosovë ka një hetim i cili po vazhdon për zotin Kelmendi dhe Bosnja duhet që gjithçka çka ka kundër tij t’a dërgojë tek EULEX’i, kështu që EULEX’i do ta kryejë edhe një punë ma të mirë se sa Bosnja nëse veç ka prova kundër tij”, shtoi avokati.

Ndërkohë sipas Berishës, Ministri Kuçi nuk do të duhej të japë asnjë nënshkrim pasi për rastin, nuk ka vendim gjyqësor.

“Vetëm kur ai në tavolinën e tij e ka vendimin fuqiplotë të gjykatës me të cilin lejohet ekstradimi dhe një kërkesë nga shteti kërkues i cili i drejtohet Republikës së Kosovës, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës për ministrin e drejtësisë. E në qoftë se Kosova arrin ta ketë atë trajtim nga Bosnja, pra që të trajtohet si shtet atëherë po mund të ndodh ekstradimi”, tha Berisha.

Derisa shtoi se, Kuçi e ka ditur mirë së nuk ka bazë ligjore për të nënshkruar ekstradimin e Kelmendit, kur ka thënë se do të veprojë sipas ligjit.

Kërkesën e Bosnjës ndërkaq Berisha e arsyeton me faktin se ajo duhet të kërkojë diçka të tillë në emër të qytetarëve të saj.

Sipas tij, shembulli i Elvis Kemendit, i cili u gjykua nga EULEX dhe po mban dënimin brenda Kosovës është më i mirë që shpjegon se e njëjta procedurë mund të ndiqet edhe për babain e tij, Naser Kelmendi.

“Ta kemi të qartë zoti Naser Kelmendi nuk është në paraburgim si rezultat i pritjes së ekstradimit të tij pro si pasojë e një hetimit të nisur në Kosovë ndaj tij për një vepër penale, pjesëmarrje në organizmin enjë vrasje që dyshohet se e ka kryer në Bosnjë”.

Kelmendi dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e boshnjakut Ramiz Dalalci në 2007’ën, në Bosnjë.

Emri i Naser Kelmendit qe rishfaqur në mediet e Ballkanit në shtator te vitit të kaluar kur autoritetet boshnjake ndërmorën një operacion në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar, që përfshinte bastisje në mbarë vendin në kërkim të personave të dyshuar për vrasje trafikim droge dhe plaçkitje.

Mediat në disa vende Ballkanike e cilësojnë Kelmendin si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon. Ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Guatemala, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Arrestimi i tij ndodhi me 5 maj të këtij viti nga policia e Kosovës në vendlindjen e tij në Pejë

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 16:09

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka zgjatur Naser Kelmendit paraburgimin në katër muaj.

Deri te zgjatja ka ardhur me vendim të prokurorit të EULEX-it, nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili ka nisur hetimin e rastit, ka deklaruar për REL zëdhënësi i misionit evropian për sundimin e ligjit, Blerim Krasniqi.

Ai ka thënë se Kelmendi është nën hetime për një numër veprash penale që përfshijnë krimin e organizuar – për çfarë edhe është akuzuar në Bosnjë.

Krasniqi ka thënë se për ekstradimin e tij nuk vendos misioni i EULEX-it, por Ministria e Drejtësisë.

Naser Kelmendi është arrestuar muajin e kaluar në Kosovë.

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 23:33

Autoritetet në Bosnjë e Herzegoivë bllokuan të premtën shtatë prona të patundshme të Naset Kelmendit që përfshijnë katër shtëpi, dy banesa që gjendën në rrethinën e Sarajëvës si dhë hotelin Casa Grand në Iligjë.

Kelmendi gjendet në paraburgim në Kosovë dhe është arrestuar në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Bosnja.

EULEX-i po mban procesin gjyqësor kundër tij pasi që Kosova e Bosnja nuk kanë marrëveshje ektradimi mes vete.

Kelmendi, 55-vjeçar, nga Peja është në listën e zezë të SHBA-së.

Departamentit i Thesarit në SHBA dyshon se Kelmendi ka udhëhequr një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan.

Ai përmendet si një drejtues i një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 15:36

“The Economist”, shkruan se Kelmendi kishte lidhje politike në të dy vendet. Ai hetohej me vite për krim të organizuar por që deri më tash nuk është dënuar asnjëherë. Sipas gazetës emri i tij po përmendet si i lidhur me politikën dhe i lidhur me trafikun e drogës.

Kelmendi ka mohuar akuzën se ai është marrë me drogë, ndërkaq ai është i vetmi individ nga Ballkani në të ashtuquajturën “Lista e Zezë amerikane” e trafikantëve të caktuar dhe posaçërisht dilerëve të drogës”.

“Arrestimi i Kelmendit, në qoftë se pasohet me një gjykim të drejtë, mund të jetë një pikë e rëndësishme kthese në luftën kundër krimit të organizuar në rajon”, shkruan gazeta britanike.

Kelmendi u arrestua në Prishtinë më 5 maj mbi bazën e një urdhër-arresti të Interpolit. Ai është kërkuar për “vrasje në tentative dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve në Amerikën e Jugut, Turqi, Serbi, Kroaci dhe vende tjera të Evropës Perëndimore”.

 
Lajme Shqip Monday, 13 May 2013 16:04

Autoritetet e Bosnje e Herzegovinës kanë dorëzuar tek  EULEX-i kërkesën për ekstradimin e narkobosit ballkanik Naser Kelmendit nga Peja.“Ka mbërri kërkesa. Menjëherë ia kemi përcjellë Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës që e ka kompetencë ekstradimin e personave të kërkuar nga Interpoli”, ka pohuar Irina Gudelevich zëdhënësja e këtij misioni.

Ajo ka shtuar se EULEX-i është i gatshëm t’u asistojë institucioneve të Kosovës për ekstradimin e  Kelmendit, nëse ministri Kuçi e kërkon këtë.

 Policisa e Kosovës  ka arrestuar Naser Kelmendin më 5 maj në Prishtinë.

Policia e EULEX-it më 9 maj ia ka caktuar Naser Kelmendit 30 ditë paraburgim.

Kelmendi ngarkohet për vepra penale për krim të organizuar e trafikim droge.

Kelmendi u akuzua fillimisht nga prokuroria për tentim vrasje të rëndë, të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiq.

Në ndërkohë djali i Naser Kelmendit, Elvisi, është dënuar të hënën në Prishtinë më 4 vjet burgim për vrasje në tentativë.

Ai akuzohej për tentim vrasje të rëndë, të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiq. Elvisi pranoi fajesinë gjatë gjykimit të tij.