Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 13:37

Fatos Nano në një prononcim për “GSH” deklaron krejt të kundërtën. Duke u nisur nga lajmet e publikuara “on-line”, “Gazeta Shqiptare” ka arritur të kontaktojë me ish-kryetarin e PS-së, i cili e ka mohuar këtë fakt, duke përgënjeshtruar të gjitha zërat që thuhen për shëndetin e tij.

Duke marrë shkas edhe nga festa e Kurban Bajramit, ish-kryeministri ka dërguar mesazhin me këtë tekst në redaksinë e gazetës: “Gëzuar Kurban Bajramin…! Kur të mësojnë shqipen zyrtare shpellarët e blogjeve, edhe mund të ‘sëmurem’. Deri atëherë jam si kokrra e mollës! Kurban sitet!”.

“Ish-kryeministri Fatos Nano, i sëmurë”. Ky është lajmi që prej disa ditësh qarkullon në disa site online në vendin tonë, sipas të cilave, ish-kryeministri prej disa ditësh ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore. Një fakt i tillë ka marrë përmasa edhe më të mëdha në momentin që shume site online, e kanë përhapur lajmin përmes rrjetit social të “Facebook”-ut.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 08:42

TIRANE – Ish-kryeministri Fatos Nano ka marrë sot urdhrin ‘Honoris Causa’, në ceremoni në universitetin Europian Të Tiranës, UET. Nano e ka cilësuar këtë urdhër, si dhurënatën më të bukur që i është bërë për ditëlindjen e 60-të.

“E vlerësoj ceremoninë e sotme jo vetëm në planin akademik dhe njerëzor, jam shumë i impresionuar që kjo ndodh, është dhurata më e bukur për 60-vjetorin tim. Më lejoni të ndaj me ju vlerësimin që kjo është një nga mënyrat më të denja për partneritetin dhe bashkëpunimin mes politikës dhe botës akademike, sepse është e mbështetur në procedura standarte të qytetarimit të kohës, bëhet në sytë e publikut. Megjithëse nuk mund të mos jem i ndjeshëm ndaj mjaft procedurave të tjera që nuk jam kurdoherë transparente, që cojnë në lindjen e institucioneve të tilla, dua të vlerësoj se kjo po plotëson një vakum të rëndësishëm”, tha Nano.

Ai deklaroi se në këtë formë zhvillohet më tej edhe partneriteti mes politikës e botës akademike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 21:55

Tiranë -Kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit, Fatos Nano ka zhvilluar sot takime intensive në zyrën e tij me ish-deputetë, ish-drejtues qendrore dhe lokalë të PS-së, si edhe me drejtues e aktivistë të shoqërise civile dhe të rinj e të reja.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kordinator për Shoqërine Civile në Lëvizjen e Re të Fatos Nanos, Arian Galdini bën të ditur se takimet janë fokusuar në shpjegimin dhe shkëmbimin e ideve dhe vizionit të Fatos Nanos në ambicjen e tij për t’u vetëofruar për të shërbyer si President Republike. Fatos Nano ka shpjeguar se vetëofrimi i tij më së shumti ka synuar te pikëtakohet me PS-në dhe kandidimi i tij të niset dhe mbështetet nga PS edhe pse Fatos Nano ka qënë për 15 vjet Kryetar i PS-së.

Sipas njoftimit për mediat, mësohet se “në këto takime eshte folur edhe për ngurrimin e gjatë, të pakuptueshëm dhe të paarsyeshëm të Kryetarit të PS-së, Edi Rama, për t’a mbështetur politikisht dhe me firma kandidimin e Fatos Nanos për President. Ndër të tjera është diskutuar edhe për mundësine e moskandidimit të Fatos Nanos per shkak të mosmbështetjes nga Edi Rama.

“Në një rast të tillë, nëse Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në kandidimin për President, atëherë në keto takime u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një levizje të re politike përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithe ata qe duan ti dalin për zot fateve të Shqiperise dhe që e duan Shqipërine Europiane. U caktua edhe një grup pune që do të koordinojë përgatitjet e kësaj lëvizjeje që mund të fillojë përgatitjet që javën e ardhshme”, përfundon njoftimi për mediat i zyrës së kordinimit për Shoqërine Civile në Lëvizjen e Re të Fatos Nanos. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 17:42

Ndryshe nga mazhoranca që e zgjodhi vetë Bamir Topin dhe sot e konsideron një partiçkë në krye të presidencës , kreu i opozitës Edi Rama në një intervistë ka shprehur respekt ndaj Kreut të Shtetit, që sipas tij ka arritur të qëndrojë mbi palët, si garant për Kushtetutën. Duke e vlerësuar si fisnikëri deklaratën e Presidentit se nuk do të rikandidojë për të njëjtin post vitin e ardhshëm, Rama nuk komenton drejtpërdrejtë opsionin e një partie të re nga Bamir Topi.

“Në mënyrë fisnike u deklarua i palidhur me asnjë interes për kandidimin e tij si president. Kjo mënyrë është shumë e respektueshme, që palët të zgjedhin kandidaturën pa pengesën e tij. I shpreh respekt Topit. Askush nuk e mohon dot se ai ishte mbi palët. Funksioni i tij është real, pavarësisht se u votua nga PD ai funksionoi si garant i Kushtetutës”, theksoi ai.

Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit si proces i cili i vuri vulën refuzimit të kandidatit të PD, Rama tha se për Tiranën Komisioni i Venecias i dha të drejtë socialistëve për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, duke u shprehur se vlerësimi i tyre duhet të sanksionohet me ligj.

“Problemet e zgjedhjeve nisin nga lista e zgjedhësve tek deformimi i vullnetit të tyre deri tek numërimi. Në Tiranë u ligjërua shkelja e ligjit nga një Gjykatë e nënshtruar. Derisa Komisioni i Venecias thotë sanksiononi ligjin, do të thotë se nuk ka qenë i sanksionuar. Parimi i numërimit të çdo vote nuk është i gabuar, por ndryshimi i rregullit të lojës pas mbarimit të saj është shkelje Kushtetute dhe ligjore. Mënyra se si i jemi qasur këtij parimi nuk ka qenë korrekte”, tha Rama.

Në një analizë të vitit politik që lamë pas, Rama tha se faji për hapat e ngadaltë të Shqipërisë drejt integrimit bie vetëm mbi qeverinë. Ai iu rikthye dhe njëherë ngjarjes së 21 janarit, duke deklaruar se prokuroria po pengohet të zbulojë krimin e shtetit.

“Për 21 janarin jemi larg drejtësisë, është rikonfirmuar mungesa e saj. Prokuroria është penguar nga dita e parë pasi nuk u dorëzua komanda. Prokuroria është lejuar vetëm të ndëshkojë qytetarët që qëlluan me gurë, ata që janë përgjegjës drejtpërdrejt për krimin enden të lirë”, shtoi lidershipi i PS-së.

Kreu i opozitës foli dhe për reformën zgjedhore, duke deklaruar se PS nuk mund të bëjë asgjë nëse PD vendos veton për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, ndërsa u ndal dhe tek program i ri politik i PS-së, që sipas tij i flet Shqipërisë reale.

“Ne jemi të gatshëm të gjejmë dakortësi me partitë e vogla për përfaqësim të drejtë. Dy partitë e mëdha kanë të drejtën e vetos, nëse PD e vendos veton nuk ndryshon sistemi, por ne do hapim kanalet e komunikimit me partitë e vogla sepse ne jemi gati të rishikojmë sistemin në funksionin e rritjes së proporcionalitetit”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i PS-së përjashtoi çdo mundësi për rikthimin në grupin parlamentar të deputetit Kastriot Islami pasi sipas tij ai sfidoi PS-në.

“Partia Socialiste nuk mund të sfidohet nga askush. S`ka kthim pas. Përjashtimi i tij është çështje e mbyllur, çështje e vjetër”.

Rama tha se ishte Kastrioti që shkoi tek ky vendim dhe jo vendimi tek Kastrioti. “Nuk ishte vendimi që vajti tek Kastrioti, ishte Kastrioti që u përplas tek vendimi. Statuti është i qartë dhe grupi vendosi të zbatohet rigorozisht,” tha Rama.

Kreu i PS komentoi edhe qëndrimet e ish- presidentit Rexhep Meidani.

“Nga ana e Mejdanit janë dhënë mendime konstante të ndryshme dhe janë respektuar maksimalisht gjatë gjithë kohës. Ata skandalizohen nga një opinion i ndryshëm prej opinioneve të tyre. Kjo duhet kapërcyer si mendësi. Diktatura e shumicës vërtet është një risk që është mirë të shmanget për një forcë të shëndetshme politike, por nuk do ketë assesi një diktaturë të pakicës. Kemi nevojë të harmonizojmë mendimet dhe ky diversitet mund të jetë forcë dhe jo dobësi,” tha Rama.

Ai e ka mbyllur intervistën duke folur për nevojën e një presidenti konsensual. “Ky është një proces në funksion të interesit kombëtar, që është njësuar me procesin e integrimit në Europë. Ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e presidentit që i duhet vendit, pa paragjykuar asnjë emër. Presidenti të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice shumë të kufizuar emrash, edhe pse Kushtetuta e parasheh diçka të tillë. Kjo nuk do të thotë që ne të harrojmë se fryma e Kushtetutës kërkon një president të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim të pavarësisë. Po të shohim edhe eksperiencat e vendeve të tjera, pavarësisht se shkojnë drejt 50 përqindëshit, përsëri në frymë partitë dakordësohen për një figurë që si rregull është mbi palët dhe është jashtë palëve. Ajo çka në intereson në këtë rast është interesi kombëtar, është interesi i Shqipërisë,” tha Rama.

 
Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 17:36

Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka thënë se nuk do e votojë Fatos Nanon për president. 

Ajo tha se Nano nuk do ketë së paku votën e saj. Duke folur me nota të forta kritike edhe ndaj presidentit aktual, në një intervistë në televizionin ABC News, zonja Topalli u ndal tek z.Nano dhe tha prerë se “nuk e votoj Fatos Nanon për President”.

Në lidhje me këtë argument, Topalli tha se “Nanon nuk gjykoj dhe as paragjykoj asgjë pasi çdo njeri ka të drejtën të kandidojë” por shtoi se ish-kryeministrin nuk e sheh si presidentin e ardhshëm të paktën me votë prej saj.

Topalli gjithashtu ka përsëritur faktin se presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës, që për demokratët nënkupton zgjedhjen me shumicë të thjeshtë të një emri nga ata. Vetë kryeministri tha se do jetë një propozim i PD. Kurse kreu i LSI, Ilir Meta, ka deklaruar se presidenti nuk zgjidhet pa votën e tyre.

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 13:31

Pas pohimit të Fatos Nanos se kërkon që të bëhet presidenti i ardhshëm i shqiptarëve, kanë ardhur edhe reagimet e para.

Deputeti socialist, Andis Harasani, shprehet në një prononcim për gazetën Shqip, se ish-kryeministri socialist është kandidatura më e mirë për postin e presidentit të vendit dhe se përvoja e tij në qeverisje sugjeron tanimë një votë pro nga ana e PS-së në këtë drejtim.

“Fatos Nano është jo vetëm kandidat i pranueshëm, por edhe kandidati më i mirë për postin e Presidentit të Republikës. Besoj se mënyra se si ai ka drejtuar qeverinë dhe Partinë Socialiste sa më shumë që kalon koha, aq më shumë kuptohet se sa e drejtë ka qenë”, shprehet Harasani.

Madje ai shkon edhe më tej në këtë qëndrim të vetin, teksa e analizon lënien jashtë të Nanos nga Këshilli i të Urtëve si një shenjë se edhe ekipi drejtues i PS-së po e sheh lojën presidenciale si një zhvillim, ku karta “Nano” mund të riaktivizohet.

“Nga ana tjetër, megjithëse nuk ka ende një qëndrim zyrtar nga ana e PS-së, dhe kjo është gjëja e duhur pasi është ende herët, fakti që z. Nano nuk u propozua në Këshillin e të Urtëve në PS tregon që u ruajt si kandidaturë për pozicionin e Presidentit, të paktën sipas mënyrës sesi e lexoj unë”, deklaroi Harasani.

 
Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 17:20

Tiranë – Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, është shprehur sot se nëse ish-lideri i opozitës, Fatos Nano, kërkon të kandidojë për President duhet të bindë palët politike.

Ruli vlerëson kontributin e Fatos Nanos në politikën shqiptare, por ai ngre pyetjen nëse Nano do të jetë figura konsensuale për postin e kreut të shteti.

“Krahasuar me ambientin politik shqiptar, me njerëzit që mund të kenë staturën për t’u prezantuar dhe për të kandiduar për një rol kaq të rëndësishëm, z. Nano ka një CV të përputhshme”, thekson Ruli, por vijon ai,  “natyrisht z.Nano duhet të ketë një aksion politik me të cilin duhet të bindi në radhë të parë rreshtimin e tij politik të PS-së, ku do ta ketë të vështirë për shkak të Ramës, i cili ka uzurpuar vullnetin e PS-së”.

Por, vijon  Ruli, “njëkohësisht Nano duhet të bindi dhe Partinë Demokratike dhe partitë e tjerat të koalicionit ose jo, të cilat duhet të pranojnë nëse do të jetë vërtet figura e z. Nano figura më konsensuale”.

Ish-lideri i opozitës Fatos Nano u shpreh në një intervistë nga Londra se është i gatshëm të angazhohet për më shumë iniciativë e hapësirë bipartizane ose jo partizane në politikën shqiptare, e për të kontribuar për integrimin e vendit tonë në BE.

“Jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”, ka theksuar z. Nano.

Në verën e vitit 2007 Fatos Nano parashtroi kandidaturën e tij për President të Republikës, të shoqëruar me një platformë politike, që sipas tij, do të forconte karakterin mbi partiak në Shqipëri, proceset e dialogut dhe reformat bipartizane, por, kryetari socialiste, Edi Rama, hoqi çdo mundësi bashkëpunimi, duke bërë absolutisht të sigurt rrëzimin e kandidaturës së Nanos.

 
Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 09:30

Tiranë – Ish kryetari i PS-së, Fatos Nano deklaron dëshirën e tij për t’u zgjedhur President i ardhshëm i Shqipërisë duke theksuar se po kërkon partnerë nga të dyja krahët politikë.

Në një intervistë për Top Channel nga Londra, ku ndodhet me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës për të folur për Shqipërinë, Nano e cilëson të domosdoshme që “të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet, të njihet, të bëhet tërheqëse dhe të gjejë sa më shumë partnerë në një moment kyc të rrugës së saj drejt Evropës së Bashkuar, kur edhe Evropa ka problemet e saj”.

I pyetur se nëse tërheqja e tij kohë e fundit nga politika aktive është thjesht një parapërgatitje për ndoshta një hap tjetër më të madh, ish lideri historik i së majtës e argumenton me faktin që “është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare.

Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt, që të qetësohen, të gjejnë dhe rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics, LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet dhe  të bëhet tërheqëse”.

Pyetjes së drejtpërdrejtë nëse është i vendosur të kandidojë për postin e Presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Fatos Nano shprehet se “unë dhe oferta që ju e shprehet, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen evropiane, për të bërë të kundërtën  e asaj që ka ndodhur për fat të keq, dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Evropian, nisen të mbrojnë lojtarët respektivë, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë, për t’u futur në rrugën e anëtarësimit të plotë”.

Nano deklaroi se “jam shumë i vëmendshëm, për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”.

Ndërsa i pyetur se kush ka më shumë faje për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, ish kreu i PS-së thotë se “jemi shumë vonë për të gjetur fajin. Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj, dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët, nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit”.

Sipas tij, ky nuk mund të jetë një terren konkurrimi negativ.”Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysmë, dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as për shkak apo për faj të gjysmës së saj në Evropë. Duhet të gjithë të vendosin duart, në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë, në mjedisin e ngarkuar më shumë probleme që edhe ka edhe Bashkimi Evropian sot”, nënvizon Nano.

I pyetur për marrëdhëniet e tij me PS-në e veçanërisht me Edi Ramën, Nano thotë se “nuk bëhet fjalë për një reagim personal, ndaj një investimi  shumëvjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisjen me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkurruese, që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare”.

Ai shpreh besimin se “është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur, jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, që do të përshpejtonin procesin e integrimit”.