Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 21:29

Lionel Mesi ka shkruar emrin në librin e artë të futbollit botëror duke thyer një rekord që rezistonte prej thuajse 40 vitesh. Sulmuesi argjentinas është kthyer në golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në një sezon në kampionatet elitare, duke arritur kuotën e 68 golave të shënuar. 

Rekordi i përkiste gjermanit Gerd Myler, i cili kishte shënuar 67 gola në sezonin 1972-1973 me fanellën e Bajern Mynih. Për shumë vite me radhë, disa prej golashënuesve më të njohur janë munduar që të arrijnë këtë shifër të frikshme, por pa ia dalë mbanë.

Por Lionel Mesi, vetëm 24 vjeçar, ndonëse i kanë mbetur edhe tre ndeshje të tjera deri në fundin e sezonit, ka arritur të kalojë këtë kuotë, falë 3 golave të shënuar në portën e Malagas, në fitoren 4-1 të Barcelonës.

Argjentinasi merr në këtë mënyrë edhe kryesimin në garën për “Këpucën e Artë” në kampionatin spanjoll, pasi është ngjitur në kuotën e pabesueshme të 46 golave në këtë sezon.

Ky mund të jetë ngushëllimi i vetë i lojtarit që në këtë sezon nuk ka arritur të fitojë as kampionatin dhe as Ligën e Kampioneve, ndonëse ku padyshim që mund të cilësohet sezoni më i mirë i karrierës së tij. Deri tani, Mesi ka shënuar 248 gola në 326 ndeshje me fanellën e katalanasve. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

A. Madrid-Real Sociedad   1-1

54′ Gabi / 91′ Vela

Barcelona-Malaga               4-1

14′ Pujol, 35′ (p), 59′ (p), 64′ Mesi / 25′ Rondon

Majorka-Rajo Vajekano     1-0

62′ Gonzalo Kastro

Real Saragoza-Levante      1-0

11′ Edu Oriol

Sevilja-Betis                         1-2

5′ Negredo / 43′, 90′ Ekstebarria

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 08:40

Lionel Mesi është shumë pranë arritjes së rekordit të Gerd Myler, pasi është vetëm dy gola larg shifrës 67 që është vendosur nga futbollisti gjerman me fanellën e Bajern Mynih në sezonin 1972-73. Por vetë Myler është i lumtur nëse ky rekord do të thyhet nga argjentinasi, një prej lojtarëve që ai admiron më shumë në skenën e futbollit botëror.

“Nuk mund t’i fshihesh kohës. Rekordet janë bërë për t’u thyer, jo për të qenë të përjetshëm. Mua nuk më duket absolutisht gjë e keqe që Mesi të thyejë rekordin tim, në të kundërt, është një nder”, ka treguar 66 vjeçari Myler.

“Mesi është një lojtar i madh që unë admiroj. Nëse ai arrin të shënojë 68 gola, unë do të jem mes të parëve që do ta përgëzoj, pasi do ta ketë merituar këtë arritje. Ai është teknikisht perfekt dhe absolut me topin në këmbë. Megjithëse është një futbollist gjenial, nuk është egoist dhe shënon gola të cilët janë shumë të bukur”, vijon golashënuesi që meritoi nofkën “Torpedo”.

“Në historinë e futbollit ka patur apo ka pak lojtarë të cilët janë në lartësinë e Mesit. A do të isha në gjendje të shënoja kaq gola tani? Preferoj të mos spekuloj. Por për mua do të thotë shumë që prej 40 vitesh ku ka patur shumë sulmues të mëdhenj, rekordi im ka mbijetuar”.

Keqardhja e vetme e Gerd Myler është se nuk do të arrijë të përshëndetet me Lionel Mesin në finalen e Ligës së Kampioneve të 19 majit në Mynih. “Do të më kishte entuziazmuar një ndeshje Bajern-Barcelona”, ishte pohimi i sulmuesit legjendar gjerman. (LajmeShqip.com)