Lajme Shqip Sunday, 20 October 2013 11:20

Mustafa Nano sot te Dita rimerr temën e “Katovicës shqiptare” të ndezur së fundmi nga Servet Pëllumbi me publikimin e një faksimileje që ai e përcolli si autentike. Nano, pasi bën kronikën e kronikës së këtij materiali, për të cilin Dalip Greca, ish Kryeredaktor i “Republikës” këmbëngul që e ka parë dhe botuar 15 vite më parë, pohon që në vitin 1988 e ka mabjtur në dorë një dokument të tillë, pa  mundur të kuptojë vërtetësinë e tij. “”…bën vaki të ketë qenë i njëjti burim me Tomor Malasain. Nuk më lanë ta mbaja në duar më shumë se 2 minuta (ishin dhe duar të tjera që kërkonin ta preknin në atë rrethanë), e prandaj nuk po e përmend këtë dokument si dëshmi të autenticitetit të tij. E përmend për të thënë që ky dokument ka kohë që qarkullon…” shkruan Nano.

Ai i kërkon më tej Pëllumbit që sipas Nanos “njihet si një nga mendjet më racionale të politikës së Tiranës” që të tregojë nëse e auqn autentik prej instinktit, apo se ka “ndonjëprovë tjetër që ai e mban të fshehur”.

Pasi ka bërë një  search në internet pa mundur të gjejë asnjë burim tjetër në anglisht për një platformë “Katowice”, Nano pyet, se a mos është mbledhja e Katovicës si protokollet e pleqvë të Sionit?

 
Lajme Shqip Saturday, 12 October 2013 17:05

Tiranë- Mustafa Nano, që sapo ka publikuar librin e tij “Unë jam gegë”, thotë në një intervistë për gazetën Mapo se gegnishtja është injoruar gjatë viteve të diktaturës.

“Personalisht më duket më e arsyeshme kjo zgjidhje, por edhe tezës së Primo Shllakut i jap të drejtë sepse është injoruar gegnishtja me të cilën është bërë letërsi për 50 vjet dhe letërsi e mirë. Sigurisht edhe në toskërisht, por në këtë dikotomi ajo që është injoruar është gegnishtja. Dhe problemi nuk qëndron se përse u zgjodh toskërishtja si bazë për standardin, problemi është se u varros gegërishtja. U kall në arkiv. Pas kaq vitesh nuk është çudi që të kemi shkodranë që janë standardizuar e nuk lexojnë dot as Fishtën e tyre. Por, pavarësisht se e shoh si pretendim të drejtë atë të Shllakut, e konsideroj të rrezikshme si tezë. Krijimi i një standardi të dytë vërtet do të ishte një gjë e drejtë për gegët, por kjo do të përjetësonte përçarjen mes toskëve dhe gegëve, ndaj e shoh si të rrezikshëm,” thotë Nano, raporton tema.

I pyetur nëse libri do të provokojë ndasi, Nano thotë: “Këtë nuk e kam menduar se libri në vetvete mund të provokojë një lloj ndarjeje. Unë mendoj se po të flasim për cenet që kemi, do të dimë si të çlirohemi prej tyre. Unë thjesht i jap zë një shqetësim timit, sepse vë re se dikotomia toskë-gegë herë pas here ngre krye. Debati mbi gjuhën e evidentoi këtë. Por edhe në diskutimin politik ajo është e pranishme edhe pse elita politike dhe intelektuale mundohet ta fshehë. Veriorët e kishin identifikuar veten me pushtetin e Berishës sepse e shihnin atë si të tyrin, ashtu siç toskët e identifikuan veten me pushtetin e Fatos Nanos. Nuk e di ç’do bëhet me Ramën, sepse Rama është një personazh toskë-gegë”.

I pyetur për tezën e tij se shqiptarët e njëmendtë dhe të pastër janë gegë, Nano thotë: “Kjo është teza e antropologut Antonio Baldacci, me të cilin po, unë bie dakord. Antropologët nëse duan shqiptarin e pastër, të shkojnë në malësitë e Veriut, sepse kjo ka qenë historia e tyre. At kanë jetuar më të panakatosur me qytetërimin. Otomanët në jug u ulën këmbëkryq, gjë që nuk ndodhi në veri. Por të gjitha këto janë konstatime që i kanë nxjerrë autorë të huaj”.

 
Lajme Shqip Thursday, 10 October 2013 12:14

“Universiteti Europian i Tiranws” boton librin eseistik të gazetarit e analistit Mustafa Nano.

 

“Unë jam gegë”, një vepër mbi binomin që shqiptarët druhen ta përmendin.

Kur njeriu vjen në jetë, nuk ka mundësi të zgjedhë të lindë në një familje shqiptare apo perëndimore, të pasur apo të varfër, të krishterë a myslimane (a ndonjë fe tjetër), të jetë toskë apo të jetë gegë… Sot, në këtë fazë të jetës së tij, Mustafa Nano vë një qeleshe në kokë, merr edhe një çifteli dhe deklaron: “Unë jam gegë”. Kështu titullohet libri i tij më i fundit, botuar nga “UET Press”, pjesë e kolanës eseistike, e që sot do të ketë promovimin në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Në veprën e tij, gazetari dhe analisti Nano risjell në vëmendje të të gjithëve një temë që zien prej kohësh, kur më me zjarr e ku më heshtur. Është ajo e “ndarjes” së Shqipërisë në gegë e toskë. Me një stil të zhdërvjelltë, të drejtpërdrejtë, herë-herë ironik, Nano e kap çështjen qysh në krye të herës, qysh në shfaqjen e këtyre termave. Nëse përdorimit të tyre akademikët e periudhës së komunizmit i ruheshin si “djalli nga temjani”, albanologë të huaj, udhëtarë e studiues nuk tremben fare që t’i përdorin në veprat e tyre, madje të bëjnë edhe përshkrime të detajuara të toskëve dhe gegëve, jugorëve dhe veriorëve. Ai i ndjek nëpër histori raportet e ndërsjella, mes njëri-tjetrit, me Perandorinë Osmane, me kulturën, me traditën… Dhe kur flet për toskë e gegë nuk mund të mos përmendësh çështjen e gjuhës, e cila në mënyrë të vazhdueshme rizgjohet, duke na sjellë në vëmendje mënyrën se si u vendos shqipja standarde në vitin 1972 dhe domosdoshmërinë e hapjes ndaj gegërishtes. Temat e mëdha që ai trajton në librin e tij ndërpriten vazhdimisht nga paranteza, ku herë pas here u kthehet përvojave personale, si kontakti me letërsinë e autorëve gegë, si Migjeni, Fishta… flet për Poradecin, Asllanin. Na bën pak etimologjinë e fjalës “malok”, që e dëgjon rëndom në jetën e përditshme etj. Libri paraprihet nga një parathënie e Primo Shllakut, një “partizani” në çështjen e gegnishtes, i cili jo gjithmonë bie dakord me autorin e librit… Sipas Shllakut, të flasësh për binomin toskë e gegë, është si të flasësh për një tabu… “Jam i sigurt se ka njerz sot në Tiranë që titulli i ktij libri ‘Unë jam gegë’ ka për t’i çuditë e tronditë ma fort se sikur ky libër i M. Nanos ta kishte titullin ‘Unë jam gay’. Për nji pjesë të madhe të autoriteteve “misterioze”, binomi ‘gegëtoskë’, ose edhe kufizat e tij të marra veç e veç, janë fjalë pa ndonji kuptim, janë ‘historizëm’, fjalë të kohës së Nuhit, gjithsesi pa landësi e përmbajtje. Kto fjalë si dhe derivatet e tyne që përskajojnë sektorët e mdhej përkatës të shqipes, janë fjalët tabu që askush ma nuk duhet me i përmendë. Dhe deterrentin e tabusë, fuqinë e tij shkatrruese e përmban pohimi se ai që i përmend, automatikisht mund dyshohet për “përçarës i kombit”. Fjalë e madhe kjo… Pra tabuja ka edhe sfinksin rojtës që e mban të gjallë tmerrin para tundimit. Jemi në terren tansisht mitologjik. Kultura shqiptare e tranzicionit e mbërthyeme në çatallat e mitit!?! Mozotmakeq!”

Do të bësh komb?
Ke gegët.
Do të bësh shtet?
Ke toskët

Antonio Baldaçi, një antropolog autodidakt italian, njohës i mirë i Shqipërisë, mbron tezën se shqiptarët e njëmendtë e të pastër duhen kërkuar mes gegëve. Dhe nuk është as i pari, as i vetmi që i mbahet kësaj ideje. Gazetari Indro Montanelli, po italian, pasi kthehet nga udhëtimi në Shqipërinë e Veriut (para Luftës së Dytë Botërore, në të ritë e vet), shkruajti se kish vizituar “Shqipërinë e Vjetër”. “Kështu e quajnë të gjithë”, thotë, dhe me “e vjetër” ka në mendje “e vërtetë”. Duket sikur i vjen keq që i duhet të shpjegojë se ç’është Shqipëria e Vjetër. “Do ta quaja më fort një Shqipëri jashtë kohe, … një Shqipëri që këtu e dhjetë shekuj më parë … i tha ndal diellit dhe historisë, e qysh atëherë nuk është rritur më”. Dhe aty për aty e kap një dell rousseau-ian. Filozofi i Iluminizmit hyjnizon gjendjen primitive të njerëzimit në një moment të veprës së tij Ligjëratë mbi origjinën e pabarazisë midis njerëzve, dhe shkruan: “Nuk ka gjë më të paqtë e më të butë sesa njeriu në gjendjen e vet primitive, teksa natyra e ka vendosur në një largësi të barabartë si prej budallallëkut të njeriut të egër, ashtu dhe prej iluminizmit fatal të njeriut civil”. Ndërsa gazetari i famshëm italian, me të thënë se “Shqipëria ka mbetur më shumë se dhjetë shekuj mbrapa; ka mbetur në rininë e vet”, ia bën (përkthimi është i Aurel Plasarit): “[Shqipëria] jeton qysh atëherë në patëkeqësinë e rinisë së saj të lume duke shpërfillur gjithçka, përplot me virtutet e me të metat e përbashkëta për çdo rini, në të cilën edhe të metat janë virtyte”.
Edith Durham-i vëren se në Toskëri “ka shumë grekë e vllehë, me të cilët shqiptarët kanë bërë martesa”, ndërsa sipër Shkumbinit, “me përjashtim të pak tregtarëve të huaj dhe oficerëve e zyrtarëve turq, popullsia është e tëra shqiptare”. Ndërsa historiani gjerman, Georg Stadtmuller, i cituar nga Oliver Jens Schmitt-i, e konsideron trevën e Matit, “një luginë rreth lumit Mat në Shqipërinë e Mesme”, si gurrën e parë, nga kanë buruar shqiptarët. Dhe vetë Oliver Jens Schmitt-i thotë se “…protoshqiptarët kanë banuar në një hapësirë të Ballkanit, që shtrihet nga Shqipëria e sotme e veriut e deri në Maqedoninë Qendrore”, dhe këta banorë “…janë tërhequr prej shekullit VI në vise më të larta, ku janë marrë, për arsye klimaterike, me blegtori”. Atributit të pastërtisë së racës, që te gegët pra është ruajtur në sajë të tërheqjes nëpër malësi, ku janë lënë të qetë për shekuj me radhë të vetëqeverisen mbi bazën e kanuneve të tyre, shqiptarët e veriut i kanë paguar një taksë të rëndë. Për ta janë harxhuar me breshëri epitetet “të paqytetëruar, të egër, barbarë” (duhet thënë, se një pjesë autorësh këto epitete ua rezervojnë të gjithë shqiptarëve).
* * *
“Kryetarët e malësive të veriut nuk kanë pasur asnjë farë lidhje me perëndimin dhe nuk e njohin fare atë”, shkruan studiuesi Gabriel Louis Jaray në librin e tij Shqipëria e panjohur. Dhe për të krijuar një kontrast, hidhet te bejlerët e Vlorës, të cilët flasin italisht, gjermanisht ose frëngjisht, e të cilët “kanë një vernik kulture”. “Nuk mbajnë me vete pushkë; janë myslimanë, por aspak fanatikë”, thotë ai për parinë e Vlorës, tek e cila shquan megjithatë një lloj “limontie lindore”, që ai e lidh (nuk kuptohet mirë pse) me klimën e butë. Louis Jaray, kur ka folur për bejlerët e Vlorës, duhet të ketë pasur në mendje njerëz si Eqrem Vlora, por bën vaki që ky i fundit të mos binte dakord me këtë përfundim lidhur me sojin e tij. Ndërsa lidhur me krerët e Malësive së Veriut, po.
Ka një shpjegim e gjitha kjo. Në fund të shekullit XIX, nga të katër vilajetet e Perandorisë ku banonin shqiptarë, atë të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës (ndonjë rilindës i yni flet edhe për një vilajet të pestë, atë të Selanikut), ai i Kosovës që ish më i madhi në terma të popullsisë, dhe një pjesë e atij të Shkodrës, kanë qenë më pak të integruarit në Perandori. Nathalie Clayer, që ka gërmuar në arkivat osmanë, në regjistrat e serisë ‘Sicill-i Ahval’, ka ndërtuar disa tabela në librin e saj Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, të cilat na japin një ide mbi dinamikën e emancipimit e të arsimimit të shqiptarëve në fund të shekullit XIX. Dhe nga këto tabela rezulton që në dhjetë mijë myslimanë të vilajetit të Janinës kishte nëntë funksionarë të Perandorisë, ndërsa në vilajetin e Kosovës, për të njëjtin kampion popullsie, kishte vetëm një funksionar dhe në atë të Shkodrës tre. E kjo dinamikë evidentohet edhe nga të dhëna të tjera. Myslimanët e vilajetit të Janinës njihnin më shumë gjuhët e huaja, greqishten për shkak të shkollave në gjuhën greke, por edhe frëngjishten, frekuentonin më shumë shkolla të krishtera e të huaja (pothuajse të gjithë shqiptarët që kanë studiuar në gjimnazin Zosimea kanë qenë të vilajetit të Janinës), ishin më të suksesshëm si zyrtarë të Perandorisë, etj. Ndërsa myslimanët e vilajeteve të Shkodrës e të Kosovës binin në sy, ngaqë ndiqnin më shumë shkollat Ruzhdije në gjuhën turke, por dhe Medresetë; karriera e tyre si zyrtarë të Perandorisë realizohej më së shumti në vendin e lindjes. Kjo situatë lidhet me një “zgjedhje” të hershme. Qysh në krye të herës, ishin toskët që e pranuan më lehtë sundimin otoman, e që u bënë njësh me këtë sundim. Gegët më pak. Secilit grup iu desh të paguante një taksë për këtë “zgjedhje”. Të parët mbetën më të prapambetur; të dytët humbën disi nga tharmi i tyre identitar.
* * *
“Shqipëria është gjysma e qytetëruar (juga), e gjysma primitive (veriu), gjysma popull e gjysma fise. Ligjet e përparimit njerëzor na thonë se populli duhet t’i qeverisë fiset, e jo anasjelltas”, mendojnë, pa e thënë asnjëherë në publik, kundërshtarët e Zogut, përfshirë dhe kundërshtarë brenda të njëjtit grupim, siç ishte Eshref Frashëri. Sipas këtij të fundit – këtë e thotë Mustafa Merlika-Kruja në letrën dërguar Stavro Skëndit – “pa [Ahmet Zogun] nuk mund t’i mbajmë nën fre gegët e marrë”. Dhe është po Merlika- Kruja që i shkruan Skëndit, se “…nuk llogaritet dot dëmi që na kanë bërë [këta njerëz, domethënë Eshref Frashëri e Co.] për afrimin e besimin, me një fjalë për bashkimin, e këtyre dy pjesëve të mëdha të kombit”. Sejfi Vllamasi bën fjalë në kujtimet e veta edhe për një bisedë me ministrin Ahmet Zogu, pas Kongresit të Lushnjës. Zogu kërkon ta takojë, dhe i bën një propozim. Ngjan e pabesueshme ajo që i thotë Zogu (n’daçi besojeni, n’daçi jo; burim tjetër, të dytë, përveç Vllamasit, nuk ka): “Të ftojmë gjithë parinë e Shqipërisë në një Kongres, gjoja për të biseduar lidhur me forcimin e shtetit. Në të njëjtën kohë, njerëzit e mi do kenë vendosur do bomba në vendin, ku do mbahet Kongresi. Në çastin e fundit, ne me njerëzit tanë gjejmë një pretekst e dalim jashtë para se gjithçka të hidhet në erë. Anëtarët e parisë shkojnë në botën tjetër, e Shqipëria vetvetiu stabilizohet.” Sejfiu tronditet, dhe afërmendsh nuk bie dakord. Por Zogu nuk është se tërhiqet. Përkundrazi, zë dhe e përligj planin e vet me mendimin që ai ka për krerët e veriut, të cilët, për t’i nxjerrë në një dritë sa më të keqe, i vë përballë … përmetarëve: “More Sejfi, Shqipëria nuk është Përmeti. Të gjithë krerët e Shqipërisë, sidomos ata të veriut, duan të bëhen ministra, kryeministra, kryetarë shteti. [Prandaj, nëse ne biem në një mendje për t’i shkuar deri në fund planit tim], të huajt do bëjnë ca propagandë kundër nesh, por një javë do zgjasë zhurma. Ama shpëton një popull”. Mund të thoshte që “Shqipëria nuk është Zvicra”. Por jo. Tha: “Shqipëria nuk është Përmeti”. Sipas Sejfi Vllamasit.
* * *
Albanologu kroat, Milan Shuflaj dallon te gegët hijeshinë fizike. “Janë soji më i bukur i njerëzve në Ballkan”, thotë ai, dhe po aty vijon me një tipar tjetër të tyre, që e jep në mënyrë metaforike: “Janë me vitalitet të jashtëzakonshëm e të qëndrueshëm ndaj të gjitha stuhive”. Këtë e shpjegon me jetën spartane që kanë bërë, duke mbajtur “për dyshek tokën e për jastëk gurin”. Francezi Jacques Bourcart, gjeolog e zyrtar francez, ka vënë re të njëjtën gjë. Për të, gegët janë njerëzit më të bukur të Europës. “Kudo në Shqipëri, sidomos në Malësi, të bie menjëherë në sy bukuria e veçantë fizike e burrave”, thotë ai në librin e tij Shqipëria e shqiptarët. Duhet të ketë qenë vëzhgues i mirë detajesh në pamjen e njerëzve, pasi nuk i ka shpëtuar as fakti që “…malësorët shqiptarë e kanë për zakon që, dimër verë, ta lënë këmishën fare të hapur në gjoks”. Cilësia tjetër që etnologë të ndryshëm dallojnë te gegët është organizimi i fortë fisnor i tyre. Mustafa Merlika-Kruja, gegë, me një vetëqesëndisje të dukshme, teksa flet për Ahmet Zogun në letërkëmbimin që ka me Stavro Skëndin, rrëfen se u ka thënë toskëve Bahri Omari, Qazim Koculi e Avni Rustemi, se puna është ta pranoni beun e Matit për mbret ju të Jugës së Shqipërisë, ngaqë “ne ‘fiset’ (Veriu) e kemi më të lehtë ta pranojmë, e si ta kemi pranuar njëherë, dijeni që s’e lëshojmë më”. Vetëqesëndisja intelektuale e Merlika-Krujës merr te gega Isa Boletini trajtën e një kompleksi inferioriteti në raport me toskët. Diplomati britanik, Aubrey Herbert, emrin e të cili Arben Puto, për pasionin me të cilin ai “mbronte të drejtat e shqiptarëve si popull e si komb”, e vendos krahas atij të Edith Durham-it, ka pasur pas shpalljes së pavarësisë një bisedë me Isa Boletinin. Këtë bisedë e riprodhon në librin e tij A record of Eastern Travel. Pyetjes së parë të diplomatit britanik, që ishte dhe agjent i MI6-s, se “a e deshën shqiptarët autonominë?”, luftëtari kosovar i përgjigjet me logjikën e një shqiptari otoman: “Jo, nuk e deshën; donin thjesht të mos u ndërhynin në punët e brendshme”. Pas kësaj, vjen pyetja tjetër: “A e doni ju bashkimin ndërmjet veriut e jugut [të Shqipërisë]?” Në këtë pikë Boletini sillet si një diplomat gegë: “Tani, ne jemi një popull i vetëm, por bashkimi nuk do të ish i leverdishëm për veriun, sepse toskët janë më të mençur e më të arsimuar sesa veriorët”.
* * *
Sipas Edith Durham-it, instinktet fisnore te gegët janë shumë të fuqishme. Ndonëse “bëhen rreth 15 shekuj që malësorët kanë nisur të ushtrojnë krishtërimin, zakonet fisnore vazhdojnë të mbeten më të forta se ligjet e Kishës”, shkruan ajo. Dhe këtë e ilustron edhe me refuzimin që malësorët i bëjnë martesës me një grua “brenda fisit”; dhe “brenda fisit” fusin edhe ato që janë kushërira të brezit të dymbëdhjetë. Kisha e lejon një martesë të tillë, kujton ajo t’i ketë thënë një prift i Malësisë, por vetë malësorëve u ngjan e tmerrshme ideja për t’u martuar me kushërirën e dymbëdhjetë. “Ne jemi motër e vëlla, e nuk mund të martohemi”, ia bënin ata. Jacques Bourcart bën të njëjtin vëzhgim. Ai e sheh fisin në Shqipërinë e Veriut si një institucion “të krijuar në lashtësinë më të thellë, dhe është shumë më i vjetër nga të tërë burimet historike që kemi”, ndërsa “në jug të Shqipërisë e në trevat më lindore të saj [vërehet që] klanit feudal ia ka zënë vendin … komuna”. Edith Durham-i përdor një term tjetër për të përkufizuar organizimin social në jug. Në Postenan të Kolonjës, në mënyrën e organizimit të jetës atje, ajo ka pikasur një “esprit de corps”, dhe … pastërti. “Shtëpitë mbaheshin shumë të pastra; dyshemetë i mbanin të mbuluara me qilima të dizenjuara bukur; muret ishin të veshura me dërrasa; dërrasat kruheshin derisa bëheshin të bardha; enët e gjellës shkëlqenin”, thotë ajo. Por këtë tabiat ajo ka mundur ta vërë re edhe në veri: “[Në Jubanin kristian] burrat qenë në ara për të punuar tokën, por gratë që qenë në shtëpi duke qepur e endur, na mikpritën në ato shtëpitë e tyre të vogla, të lyera me gëlqere të bardhë e me tjegulla të kuqe; brenda tyre s’kish asnjë lloj mobilimi, por qenë, megjithatë, mjaft të pastra, e fëmijët eshtakë dukej që sapo qenë larë”. Autorët e huaj, por edhe tanët, që në fakt janë marrë më rrallë me argumentin gegë/toskë, janë përpjekur të bëjnë një fotografi të plotë të këtyre dy pjesëve konstituive të kombit.
* * *
Në vitin 2009, në një shkrim të publikuar te Korrieri, u përpoqa të bëja, bazuar në shënimet e librat e të huajve, por duke shtuar ca dhe nga vetja, një përmbledhje të tipareve të gegëve e të toskëve. Dhe shkruaja: “Gegët janë qejflinj të armëve, ndërsa toskët janë qejflinj të parave; gegët dinë të bëjnë luftë, toskët dinë të bëjnë propagandë; gegët janë trima, toskët janë mendjehapur; gegët janë të dhënë pas fisit, toskët janë të dhënë pas vetes; gegët janë poetikë, toskët janë prozaikë; gegët janë të zgjuar, domethënë finokë e dinakë, toskët janë të mençur, domethënë pragmatistë e të korruptueshëm; gegët pëlqejnë jetën rapsodike brenda fisit, toskët pëlqejnë jetën sociale jashtë shtëpisë; gegët duan ta këqyrin bukurinë, toskët duan ta shijojnë atë; gegët pëlqejnë burrninë, toskët pëlqejnë njerëzillëkun; gegët i duan gratë për t’i nderuar e për t’u nderuar prej tyre, toskët i duan gratë për t’i kënaqur e për t’u kënaqur prej tyre; gegët jetojnë për një nder, toskët jetojnë për një çikë qejf; gegët janë fanatikë, toskët janë të shthurur; gegët te çdo njeri shohin një mik/armik, toskët te çdo njeri shohin një ortak; gegët bartin virtyte kombëtare, toskët bartin virtyte civike; gegët janë të dhënë pas normave etike, toskët janë të dhënë pas normave civile; gegët parapëlqejnë vetëgjyqësinë e ngritur mbi kode morale, toskët parapëlqejnë të jenë nën hyqmin e një organi suprem amoral, siç është shteti; gegët shohin me dyshim modernitetin, toskët shohin me dyshim traditën; gegët janë tradicionalistë, konservatorë, deri edhe reaksionarë, toskët janë progresistë, liberalë, deri dhe revolucionarë; gegët janë zogollianë, toskët janë fannolianë; me gegët mund të ndërtosh një komb, me toskët mund të ndërtosh demokracinë e shtetin e së drejtës; gegët janë të djathtë, toskët janë të majtë.” (panorama)