Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 11:05

Lojtarëve të Bolton do t’u lejohet të mos marrin pjesë në ndeshjen e të shtunës kundër Bllekbërn nëse ata nuk e ndjejnë veten të përgatitur psikologjikisht një javë pas kolapsit në fushë të Fabris Muamba. 

 

Trajneri Ouen Kojl, ka bërë të qartë për të gjithë lojtarët se asnjë prej tyre nuk duhet të ndjehet i detyruar kundrejt skuadrës, nëse mendon se nuk mund ta përballojë stresin psikologjik.

Ndonëse 23 vjeçari Muamba ka bërë një riaftësim të habitshëm që prej arrestit kardiak një javë më parë, ai vazhdon të jetë i shtruar në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit të Londrës.

“Nëse ndonjë lojtar nuk është gati, ai nuk do të luajë. Është e thjeshtë, nuk do t’i kërkoja kurrë një prej lojtarëve të mi të luante nëse nuk e ndjen veten të gatshëm”, tha trajneri Kojl. Ky i fundit ka një detyrë shumë të vështirë, pasi Bolton është i përfshirë në luftën për mbijetesë në elitën e futbolli anglez dhe tashmë përballet me një situatë shumë të veçantë.

“E dimë që nuk do të jetë e lehtë të kthehemi në fushë e që të përqendrohemi te mbijetesa. Ne luajmë lojën më të bukur në botë, por kur ndodh diçka si kjo, të gjitha përfundojnë jashtë dritares. Ne do të përzgjedhim ekipin më të mirë të mundshëm, por jam i sigurt se kushdo që do të zbresë në fushë do ta ketë mendjen te Fabris”, tha tekniku i cili ka kaluar pjesën më të madhe të javës në spitalin e Londrës, duke mos pranuar të largohet nga futbollisti i tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 10:04

Legjenda e Arsenalit, Tierri Henri, ka kaluar gjithë ditën e djeshme në avion, vetëm për të takuar ish-shokun e tij të skuadrës, Fabris Muamba, i cili gjendet në spital pas kolapsit që pësoi në fushë gjatë ndeshjes Totenhem-Bolton në fundjavë.

Futbollisti francez, që tashmë aktivizohet me Nju Jork Red Bulls, ka udhëtuar 5000 milje vajtje-ardhje brenda ditës në mënyrë që të takonte për një orë ish-shokun e tij të ekipit.

Ai ka treguar gjithashtu se lojtari tashmë është në gjendej të flasë në mënyrë perfekte dhe se riaftësimi po ecën mirë.

Henri i ka dhënë detajet e para të vizitës nëpërmjet profilit të tij në Twitter. “Duke u kthyer përsëri në SHBA – Fabris po bëhet shumë më mirë, një gjë fantastike. Do ju tregoj më shumë kur të kthehem përsëri në SHBA. Fabris është në gjendje të qëndrueshme dhe mund të flasë në mënyrë perfekte”, ishte komenti i publikuar në rrjetin social nga futbollisti francez.

Një nga doktorët e Muambas kishte treguar më parë për mediat se lojtari ka qenë i vdekur klinikisht për 78 minuta, ndërsa doktorëve u është dashur të përdorin 15 herë elektroshokun për të rikthyer rrahjet e tij të zemrës. Kjo është arsyeja pse të gjithë e cilësojnë një mrekulli fillimisht “ringjalljen” e pastaj riaftësimin që duket se po kalon pa pasoja. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 10:20

Gazeta britanike “The Sun” ka publikuar momentet e para pas zgjimit të Fabris Muamba në shtratin e spitalit të Londrës ku është në vëzhgim intensiv për shkak të kolapsit që e la pa frymë për 7 minuta gjatë ndeshjes Totenhem-Bolton.

Sipas shokëve të tij që kanë qenë të pranishëm në atë moment, ai nuk ia kishte idenë ku ndodhej. Babai i tij Marcel e pyeti nëse e dinte se kush ishte. Miku i familjes, Aime Esalo, tregon se çfarë ndodhi në vazhdim.

“Fabris tha ‘Po’ dhe gjëja tjetër që pyeti menjëherë ishte ‘A u mundëm?’”.

“Atij iu tregua se ndeshja ishte ndërprerë ndërsa dy skuadrat ishin në barazim 1-1. Fabris pyeti i çuditur së pse ishte ndaluar dhe babai i tij i tha ‘Për ty’”.

Përmirësimi i jashtëzakonshëm i ditës së djeshme ka ringjallur optimizmin për të ardhmen e 23 vjeçarit dhe sipas trajnerit të skuadrës së Bolton, Ouen Kojl, diskutohet edhe hipoteza e riaftësimit të plotë të tij, sepse duket që nuk ka pësuar as dëmtime neurologjike.

Ky optimizëm ka bërë që tashmë Bolton të mendojë seriozisht të vazhdojë ndeshjen e lënë përgjysmë ndaj Totenhem pas duket se makthi i kolapsit të Muamba ka kaluar.

Doktorët thonë se ai ka qenë “shumë me fat” që ka shpëtuar pasi përqindja e mbijetesës në viktimat e arrestit kardiak është më e vogël se 1 në 5 dhe pjesa më e madhe e tyre pësojnë dëmtime cerebrale. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 20:03

Mbrojtësi i majtë i Barcelonës, Erik Abidal, i ka dërguar një mesazh solidariteti mesfushorit të Bolton, Fabris Muamba, i cili pësoi infarkt në fushë gjatë ndeshjes së fundjavës kundër Totenhem.

Edhe Abidal po kalon një situatë të vështirë shëndetësore, pasi së shpejti pritet të bëjë transplantim të mëlçisë për shkak të tumorit që e goditi një vit më parë.

Të dy lojtarët kanë marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët dhe kolegët e tyre gjatë ditëve të fundit, ndërsa Abidal ka menduar se është e drejtë që edhe ai të tregojë solidaritet për një koleg që gjendet në vështirësi.

“Fabris Muamba, e gjithë zemra ime është me ty dhe me të dashurit e tu! Ne jemi me ty dhe me familjen tënde!”, ishte mesazhi që është shfaqur sot në faqen zyrtare të Facebook të mbrojtësit të ekipit katalanas.

Sipas raporteve të fundit që vijnë nga spitali i Londrës ku është shtruar Muamba, 23 vjeçari ka filluar të dialogojë normalisht me personat përreth, ndonëse mbetet ende nën vëzhgim 24 orë dhe situata e tij cilësohet kritike nga mjekët.

Ndërkohë, Abidal vazhdon të stërvitet rregullisht me skuadrën e Barcelonës, pasi nuk ka një njoftim zyrtar se kur do të jetë data e operacionit të tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 22:23

Fabris Muamba, lojtari i Bolton që të shtunën në darkë pësoi infarkt në ndeshjen kundër Totenhem dhe për 7 minuta mbeti pa marrë frymë, ka dhënë sinjalet e para të riaftësimit. Sipas mikut të tij, Kërtis Kodrington, që e ka vizituar gjate pasdites në spital, ai ka arritur të murmurijë fjalët e para, version i cili më pas është konfirmuar edhe nga burimet zyrtare.

“Fabris Muamba mbetet në pavijonin e reanimacionit në spital ndërsa sot ka dhënë shenja të vogla përmirësimi. Zemra e tij rreh pa nevojën e mjekimeve dhe ai gjithashtu lëviz krahët dhe këmbët. Megjithatë, prognoza e tij afatgjatë mbetet e paqartë. Ai është në gjendje kritike dhe vazhdon të monitorohet nga afër nga stafi i spitalit”, shkruhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga autoritetet spitalore dhe klubi i Bolton.

Për t’u veçuar është fakti se lojtari ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga skuadra e tij, ku thuajse të gjithë lojtarë e ekipit kanë qëndruar me radhë në ambientet e spitalit londinez.

Trajneri Ouen Kojl, ka refuzuar të largohet që ty dhe prej të shtunës i është bashkuar familjarëve në spital duke qëndruar pranë “djalit” të tij. Ai ka marrë rolin e “zëdhënësit për shtyp”, ndërsa jep herë pas here për gazetarët e shumtë intervista rreth situatës së lojtarit.

Futbollisti ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga thuajse e gjithë bota nëpërmjet rrjeteve sociale, apo dhe intervistave që futbollistët kanë dhënë në kampionatin anglez, spanjoll, italian apo gjerman. Mesazhi më i fundit ka ardhur nga SHBA, ku ish-kapiteni i përfaqësueses angleze, Devid Bekam i ka dedikuar atij fitoren e LA Galaksi në kampionat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 10:39

Mediat britanike kanë zbuluar se është një tifoz i Totenhemit që duhet falënderuar se i ka shpëtuar jetën futbollistit të Bolton, Fabris Muamba.

Andriu Dinër, një konsulent kardiolog në spitalin “London Chest”, ishte mes tifozëve londinezë kur ka parë se si futbollisti është rrëzuar menjëherë në fushën e lojës pa patur asnjë kontakt me kundërshtarët.

Duke patur familjaritet me raste të tilla, ai është ulur me vrap nga tribuna ku gjendej bashkë me miqtë e tij dhe ka hyrë në fushë, ku ka drejtuar të gjithë procesin e “ringjalljes” së lojtarit, i cili kishte mbetur pa frymë.

Aktualisht lojtari mbahet në jetë nga aparaturat e spitalit “London Chest” ku është dërguar menjëherë nga fusha e lojës falë insistimit të Dinër, i cili është bërë pjesë e grupit të mjekëve që e monitorojnë atë papushim qe prej natës të së shtunës.

Sipas mediave angleze, ngjarja tronditëse ka bërë që klubi i Bolton të marrë në konsideratë idenë e braktisjes së çerekfinaleve të Kupës FA, pasi mendon se lojtarët do ta kenë të vështirë të përballojnë situatën stresuese të rikthimit në stadiumin e Totenhem.

Ndërkohë, lojtarët e Totenhem i kanë kërkuar klubit të tyre që të bëjnë kontrolle periodike të zemrës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 23:58

Futbolli ka kaluar në plan të dytë në ndeshjen mes Totenhemit dhe Boltonit, të vlefshme për çerekfinalet e Kupës FA. Mesfushori i Bolton, Fabris Muamba, ka pësuar kolaps në fushën e lojës dhe ka ndalur së marri frymë. Në një skenë tragjike, 35 mijë tifozët kanë parë se si mjekët e të dy skuadrave bashkë me ndërhyrjen e shpejtë janë munduar t’i shpëtojnë jetën ish-lojtarit të kombëtares U-21 të Anglisë, ndërsa takimi është pezulluar përfundimisht që në minutën e 41-të. 

Mjekët janë detyruar të bëjnë frymëmarrje artificiale, ndërsa i kanë vendosur edhe defibrilator në fushën e lojës në pritje të ambulancës. Për disa minuta, të gjithë kanë parë se si ata kanë tentuar ta ringjallin futbollistin edhe nëpërmjet elektroshokut për t’i vënë përsëri në punë zemrën që kishte pushuar së rrahuri.

Kjo situatë ka shokuar futbollistë e pranishëm dhe shumë prej tyre janë përlotur, ndërsa pjesa tjetër kanë filluar të lutën në barin e gjelbër të stadiumit.

Pas mbërritjes së ambulancës, lojtari është transportuar me urgjencë drejt spitalit të qytetit të Londrës, ndërsa më vonë është mësuar se mjekët e ndërhyrjes së shpejtë kanë arritur që t’i kthejnë frymëmarrjen vetëm gjatë rrugës për në spital, pasi ai është larguar pa frymë nga fusha.

Situata e tij paraqitet kritike dhe ai është ënde në reanimacion duke luftuar mes jetës dhe vdekjes. Futbollisti 23 vjeçar me origjinë nga R.D. Kongo, ka luajtur edhe me Arsenalin e Birmingemin gjatë karrierës ë tij. (LajmeShqip.com)