Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 13:14

Prishtinë – Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy arrin nesër për vizitë një ditëshe në Prishtinë. Sipas njoftimeve të bëra nga zyra e BE-së në Prishtionë, presidenti Rompuy do të pritet nga presidentja, kryekuvendari dhe kryeministri i Kosovës. Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, do ta vizitojë Prishtinën nesër pasdite. Sipas agjendës, Van Rompuy do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, dhe presindenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Menjëhëre pas një takimi me kryeministrin Thaçi, Rompuy do të ketë konferencë për media. Gjatë kësaj vizite, sipas agjendës zyrtare nuk është parashikuar asnjë takim me krerët e partive opozitare në vend, raporton RTK. 
Vizita e presidentit të Këshillit të Evropës pason menjëhërë pas mbledhjes së fundit të mbajtur më 28 qershor, ku në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian, formalisht është miratuar autorizimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit me Kosovën, si dhe vendimi për hapjen e bisedimeve me Serbinë për pranim në Bashkimin Evropian. 
Këshilli i BE-së është institucioni i tretë me radhë nga shtatë institucionet e BE-së, sipas listimit të bërë me Traktatin e BE-së. Këshilli i Evropës me seli në Strasburg është një organizatë ndërkombëtare që promovon të drejtat e njeriut, zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin kulturor, dhe është i ndarë plotësisht nga Bashkimi Evropian.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 14:11

Prishtinë – Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë se Marrëveshja për Stabilizim Asociim është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE.

Ajo i ka bërë këto komente një ditë pasi BE-ja ka miratuar nisjen e negociatave me Kosovën për këtë marrëveshje.

“Përmes marrëveshjes, të dyja palët do të bëjnë zotim të ndërsjellë: nga njëra anë, vendi jonë për të ndërmarrë reforma edhe më të thella dhe, nga ana tjetër, BE-ja do të ofrojë mundësi reale për anëtarësim”, ka thënë Çitaku.

Po sipas saj, kjo marrëveshje paraqet kornizë ligjore që ofron stabilitet dhe siguri për investitorët dhe si e tillë krijon bazë të shëndoshë për investime të huaja direkte dhe gjenerimin e vendeve të punës.

“Nisja e negociatave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian përfundimisht ankoron procesin integrues të Kosovës dhe po ashtu konsolidon edhe më tutje pozitën juridike ndërkombëtare të shtetit tonë”, ka thënë Çitaku në një konferencë për gazetarë.

Edhe Rasmussen përshëndetë vendimin e BE-së 

Ndërkohë edhe Seketrari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur bisedimet e pranimit me Serbinë dhe ato të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Koosvën.

“Këto vendime tregojnë se sa shumë mund të arrihet përmes reformave dhe dialogut. Pres që palët të jenë të qëndrueshme në zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij, duke ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, ka thënë Rasmussen.

Ai po ashtu ka uruar Kroacinë për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian të hënën, më 1 korrik.