Lajme Shqip Saturday, 10 November 2012 16:08

Dani Pedrosa ka arritur të mundë kampionin e ri të MotoGP, Horge Lorenco dhe shokun e skuadrës Kejsi Stoner duke i rrëmbyer atyre pole-position në Çmimin e Madh të Valencias në Spanjë me një xhiro rekord.

Ishte Stoner, në garën e tij të fundit si pilot profesionist që i dha rrugë 10 minutave të fundit të ndezur në kualifikuese, gjatë të cilave edhe Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3 ishte një faktor.

Për një periudhë kohë dukej se koha prej 1 minutë e 31.568 sekonda e australianit do të ishte ajo që do të siguronte vendin e parë, falë një pjesë të fundit të interpretuar në mënyrë perfekte me motorin Honda.

I pari që arriti të kalonte Stoner ishte Lorenco, kur kishin mbetur vetëm 7 minuta nga fundi i kualifikueseve, por piloti i Honda rimorri vendin e parë në dy minutat e fundit të provave zyrtare. Megjithatë,ai nuk mundi t’i gëzohej këtij pozicioni, pasi Pedrosa dhuroi kohën e shkëlqyer 1 minutë e 30.844 sekonda, duke vendosur rekordin e ri të pistës, për të thyer atë të vendosur në vitin 2006 nga Valentino Rosi.

Një xhiro e fundit e shpejtë i dha mundësinë Lorencos që të paktën të merrte vendin e dytë para Kejsi Stoner dhe të mbetet një pretendent serioz për garën e nesërme.

Rreshti i dytë do të përbëhet nga Kal Kraçlou, Stefan Bradl dhe Andrea Doviciozo. Niki Hejden me Dukati u rendit i shtati, ndërsa kualifikueset e fundit të Valentino Rosit si pilot i kësaj skuadre përfunduan si mos më keq, me italianin që i mbylli provat zyrtare në vendin e 11-të. (LajmeShqip.com)