Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 14:10

Horge Lorenco me Jamaha ka arritur të marrë pole-position të tretë radhazi pas një beteje të shkëlqyer për vendin e parë në nisjen e garës së nesërme të Çmimit të Madh të Malajzisë në Sepang.

Deri në minutat e fundit, dukej sikur kryesuesi i renditjes botërore jo vetëm do të nisej pas rivalit të tij kryesor Dani Pedrosa, por edhe pas Kejsi Stoner e Andrea Doviciozo.

Pedrosa dhe Doviciozo ishin ata që ndërruan shpesh pozicionet me xhiro të shpejta të njëpasnjëshme, duke treguar se janë mjaft të shpejtë në pistën malejziane dhe do të kërkojnë ngjitjen në shkallën më të lartë të podiumit.

Por në xhirot e fundit, Lorenco hoqi të gjitha dyshimet mbi atë që do të ishte favoriti kryesor i garës, duke regjistruar dy xhiro të shpejta radhazi për të “blinduar” vendin e parë në vijën e nisjes.

Pedrosa mori vendin e dytë, ndërsa Doviciozo ishte i treti, duke lënë pas Kejsi Stoner, me të cilin duelon edhe për vendin e tretë në renditjen e botërorit për pilotë. Kal Kraçlou dhe Ben Spis plotësojnë 6 pilotët e parë në vijën e nisjes, ata që pritet të luftojnë për pozicionet e rëndësishme në garë.

Përsëri një paraqitje e dobët për motorët Dukati, ku Niki Hejden mori vendin e 9-të, ndërsa Valetino Rosi bëri edhe më keq, duke dalë i 11-ti. (LajmeShqip.com)