Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 09:05

Horge Lorenco, Jamaha

“Ka qenë një fitore e rëndësishme. Stoner uli ritmin në finalen e garës dhe arrita ta kaloj. Jam shumë i lodhur pasi kam dhënë gjithçka, por ia ka vlejtur”.

Dani Pedroza, Honda

“Ka qenë një fundjavë e çuditshme pasi ka ndodhur gjithçka me motorin. Gara shkoi mirë por Horge ishte më i vëmendshëm për të bërë parakalimet në momentet e duhura. Unë humba momentin”.

Kejsi Stoner, Honda

“Pas 3-4 xhirove kisha probleme me forcën në krah dhe dorën e djathtë. Nuk arrija të frenoja më dhe e mora me qetësi, por nga fundi i garës nuk arrija më të mbaja motorin. Më ka ndodhur edhe më parë në të kaluarën dhe do të mundohemi të sistemojmë problemin për garën e ardhshme. Kemi ecur mirë por shohim se mjafton shumë pak që të tjerët të na kalojnë dhe të fitojnë”.

Valentino Rosi, Dukati

“Nuk arrijmë të jemi konkurrues. Nuk arrij ta nis mirë këtë motor dhe as të bëj atë pak diferencë në krahasim me shokun e skuadrës Hejden që po garon shumë mirë. Jemi larg dhe po ecim më keq se në vitin 2011. Shpresat tona kanë mbaruar që në sezonin e kaluar. Edhe nëse dal në vend të 6-të është përsëri një rezultat zhgënjyes. Problemi ynë është që jemi shumë të ngadaltë. U kam dhënë informacione mbi ato që mendoj se janë gjërat që duhen ndrequr në motor, por nuk jam inxhinier që t’i bëj vetë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 21:22

Horge Lorenco me Jamaha ka arritur të triumfojë përballë dy motorëve Honda duke marrë suksesin në garën e parë të sezonit të MotoGP, Çmimin e Madh të Katarit.

Kampioni i botës në fuqi, Kejsi Stoner, dukej sikur po shkonte drejt një suksesi të lehtë për pjesën më të madhe të garës, duke krijuar diferencën nga ndjekësit. Por në xhirot e fundit, Lorenco fillimisht triumfoi në duelin me Dani Pedrozën, e më pas arriti të kapë e të kalojë edhe australianin që shfaqi probleme me gomat.

Lorenco krijoi menjëherë një distancë të ndjeshme kur kishin mbetur edhe tre xhiro nga fundi, duke lënë dy Hondat të luftonin me njëra-tjetrën, në një duel të fituar nga Pedroza i cili kaloi Stoner dhe mori vendin e dytë në podium.

Vendi i katërt në garë i shkoi Kal Kratçlou, i cili fitoi një duel të gjatë me shokun e tij të skuadrës te Tek 3 Jamaha, Andrea Doviciozo. Ndërkohë, kampioni i botës në Moto2, Stefan Bradl me Honda LCR, arriti të merrte vetëm vendin e 8-të, i kaluar në xhirot e fundit nga Hejden me Dukati dhe Bautista me Gresini Honda.

Valentino Rosi me Dukati dhe Ben Spis me Jamaha patën një garë shumë të keqe, duke përfunduar respektivisht në vendet 10 dhe 11, pa u shfaqur asnjëherë të rrezikshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 11:02

Valentino Rosi ka pranuar se ai dhe Dukati kanë bërë hapa prapa gjatë provave zyrtare të Çmimit të Madh të Katarit ku italiani ishte piloti më  ngadaltë mes atyre që drejtonin motor prototip.

Ndonëse para provave ai u shfaq optimist, Rosi do të fillojë garën e sotme nga vendi i 12-të, ndërsa xhiroja e tij më e mirë ishte rreth 1.2 sekonda më e ngadaltë se ajo e shokut të skuadrës, Niki Hejden.

“Nuk është se dita e mëparshme ishte e shkëlqyer, sidomos me gomën e përdorur, por qëllimi im ishte të kualifikohesha në rreshtin e dytë. Por tani jam shumë larg atij objektivi dhe problemet që kishim, duket se janë përkeqësuar”.

“Është shumë e çuditshme pasi bëmë një ndryshim minimal në krahasim me një ditë më parë, por ndjesia e motorit ishte krejtësisht ndryshe. Atëherë iu kthyem përsëri gjërave siç kishin qenë të premten, por as kjo nuk e përmirësoi situatën”.

“Nuk di çfarë të pres nga gara por sigurisht që dua të shfaqem sa më mirë. Niki e përgatiti ndryshe motorin e tij ndaj ne do të shohim tani të dhënat që ka mbledhur ai dhe të mundohemi të përmirësohemi”, tregoi piloti italian i cili që prej kalimit të Dukati nuk ka arritur të jetë më konkurrues dhe nuk shihet më si pretendent për titullin kampin në MotoGP. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 19:16

Kampioni i botës në fuqi i MotoGP, Kejsi Stoner, ishte më i shpejti në provat e lira të Çmimit të Madh të Katarit që do të hapë këtë sezon.

Centauri i Hondës arriti të tregohej më i shpejti pas një beteje të ashpër me pilotët e Jamahas, të cilët kanë treguar një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar, ashtu si edhe Dukati që ka dhënë sinjalet e para të përmirësimit.

Horge Lorenco me Jamaha u rendit i dyti, ndërsa Niki Hejden me Dukati u rendit i treti në këto prova, ku distancat mes pilotëve të kreut ishin shumë të ngushta.

Ben Spis me Jamaha, Dani Pedroza me Honda dhe Kal Kratçlou me Jamaha Tek 3 ishin pilotët që ndoqën më nga afër kryesuesit e këtyre provave të lira.

I pakënaqur ka mbetur përsëri Valentino Rosi, i cili duket se nuk mbërrin të mbajë hapin e kreut ku gjendet edhe shoku i tij i skuadrës. Piloti italian i mbylli provat e lira në vendin e 10-të, ndërsa koha e tij më e mirë ishte rreth 1.5 sekonda më e ngadaltë se ajo e Kejsi Stoner.

Australiani shihet nga të gjithë si pretendenti kryesor për të rifituar titullin kampion në këtë sezon, ndërsa rivali i tij do të jetë Horge Lorenco. (LajmeShqip.com)