Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 15:11

Horge Lorenco ka marrë kryesimin e kampionatit botëror për pilotë duke fituar i shkëputur garën e Le Mansh në Francë, ndërsa Valentino Rosi mundi Stoner në një duel fantastik për të siguruar vendin e dytë, arritja e tij më e mirë me motorin Dukati.

Lorenco mori kryesimin e garës që në kthesat e para të saj, duke u shkëputur nga ndjekësit. Por ylli i vërtetë në pistën e lagur të Le Mansh ishte Valentino Rosi, i cili pas shumë xhirosh duke dueluar me Doviciozon e Kraçlou, arriti të kalonte të dy pilotët e Tek 3 Jamaha, për t’u vënë në ndjekje të Stoner.

Pesë xhirot e fundit kanë qenë një spektakël i jashtëzakonshëm, me Rosin që kaloi dy herë australianin, ndërsa ky i fundit rimerrte pas pak kthesash pozicionin e tij. Por “Doktori” ka bërë lëvizjen e duhur në xhiron e fundit, duke kalua Stoner para kthesës së parë S dhe duke u shkëputur pastaj për t’u renditur i dyti në këtë garë.

Rrëzimi i Doviciozio dhe Kraçlou, të cilët përfunduan garën në vendin e 7 dhe 8, ngjiti në vendin e katërt Dani Pedrozën, i cili u ndoq nga Bradl dhe Heiden. (LajmeShqip.com)

RENDITJA E KAMPIONATIT PËR PILOTË

90        Horge Lorenco

82        Kejsi Stoner

65        Dani Pedroza

45        Kal Kraçlou

44        Andrea Doviciozo

42        Valentino Rosi

35        Stefan Bradl

35        Alvaro Bautista

33        Niki Heiden

26        Hektor Barbera

18        Ben Spis

12        Aleiks Espargaro

6          Matia Pasini

6          Rendi de Punie

5          Xhejms Ellison

4          Kolin Eduards

4          Danilo Petruçi

4          Mikele Pirro

3          Joni Hernandez

1          Ivan Silva

 
Lajme Shqip Saturday, 19 May 2012 15:48

Dani Pedrosa me Honda ma marrë pole-position në pistën franceze të Le Mansh dhe do të nisë garën e nesërme nga vendi i parë, përkrah shokut të tij të skuadrës, Kejsi Stoner, duke synuar fitoren e parë sezonale në MotoGP.

Spanjolli ka qenë piloti më i aftë të përshtatej me pistën e lagur, e cila u tha me kalimin e kohës, ndërsa ka dhuruar kohën 1:33.638. Ndjekësit e tij më të afërt, Stoner dhe Doviciozo (Jamaha), ishin të paktën 0.3 të sekondës larg kohës së tij.

Rreshti i dytë, përbëhet krejtësisht nga Jamaha, me Lorenco, Kraçlou dhe Spis që mbeten pretendentë për fitore në garë. Në vendin e 7-të gjendet Valentino Rosi, i cili shpreson që të bjerë shi, në mënyrë që të arrijë të ngjitë pozicione gjatë garës, duke shfrytëzuar aftësitë e tij në një pistë të lagur.

Pikërisht kushtet atmosferike janë ata që shqetësojnë më shumë pilotët, pasi ka mundësi që në 24 orët e ardhshme të ketë reshje shiu që mund të lagë përsëri pistën dhe të bëjë garën edhe më të paparashikueshme sesa mendohet. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 19:10

Kejsi Stoner ka bërë publik vendimin e tij për të braktisur përfundimisht garat me motor në fund të këtij edicioni. Në një konferencë për shtyp të mbajtur para Çmimit të Madh të Francës në MotoGP, piloti australian ka konfirmuar atë që përflitej prej disa ditësh në ambientin e garave me motor.

“Ka dy vite me radhë që po mendoj për këtë gjë. E kam diskutuar shumë gjatë me familjen time dhe në fund kam vendosur që të tërhiqem nga garat në fundin e vitit 2012. Ka shumë gjëra të kësaj jete dhe të këtij ambienti që nuk janë të përshtatshëm me mua, nuk më pëlqejnë. Kam kaluar disa momente shumë të bukura dhe të paharrueshme, por ky është vendimi im”, ishin fjalët e pilotit australian që është shfaqur shumë i emocionuar në këtë konferencë për shtyp.

Reagimet ndaj këtij lajmi kanë ardhur menjëherë, duke filluar nga rivalët e tij më të mëdhenj, Valentino Rosi dhe Horge Lorenco. Italiani ka bërë të qartë se një lajm i tillë nuk ishte aspak i kënaqshëm.

“Nuk është aspak një lajm i mirë. Humbim një pilot dhe një rival të madh. Por është një vendim i tij personal ndaj duhet ta respektojmë”, tha italiani. “Tërheqja e Kejsit nuk do t’i bëjë mirë garave të MotoGP”, ishte komenti i Horge Lorencos.

Australiani 26 vjeçar i Hondës, aktualisht kryeson kampionatin e MotoGP pasi ka fituar 2 nga 3 garat e para të sezonit. Ai ka arritur të shpallet kampion bote në vitin 2007 me Dukati, ndërsa e përsëriti këtë sukses në vitin 2011, kur firmosi për skuadrën Honda. (LajmeShqip.com)