Lajme Shqip Saturday, 05 May 2012 16:00

Honda ka zaptuar dy vendet e para në vijën e nisjes të Çmimit të Madh të Estoril të MotoGP, duke treguar progresin e dukshëm të këtij sezoni. 

Në vendin e parë është vënë Kejsi Stoner, me një tjetër xhiro perfekte të australianit që provon disa herë derisa fiton duelin me shokun e tij të skuadrës, Dani Pedroza, për vetëm 13 të mijtat e sekondës. Dy pilotët e Hondas zyrtare pritet të dhurojnë spektakël edhe gjatë garës, pasi janë pretendentë kryesorë për fitoren në garën e tretë të sezonit.

Surpriza e provave zyrtare është Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3 që ka zënë vendin e tretë në vjen e parë të nisjes, duke kaluar Horge Lorencon me Jamahan zyrtare. Spanjolli është shfaqur në vështirësi dhe në disa raste ka gabuar duke humbur mundësinë për të dhënë xhiro të shpejta. Ben Spis me Jamahan tjetër zyrtare regjistroi kohën e 5-të më ë shpejtë në këto prova.

Ndërkohë, pritet të jetë një luftë e ndezur në garën e nesërme por pozicionet pranë podiumit, pasi Bautista, Doviciozo, Barbera dhe Rosi janë ndarë nga njëri-tjetri për vetëm pak të mijtat e sekondës.

Provat zyrtare janë ndërprerë rreth 10 minuta për shkak të në incidenti që ka ndodhur në pistë kur janë përplasur Kolin Eduards dhe Rendi De Punie. Më keq e ka pësuar amerikani i cili mendohet se ka pësuar një frakturë në klavikulë dhe do të jetë i detyruar të qëndrojë larg pistës për të paktën një muaj. (LajmeShqip.com)