12
 
Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 21:43

Shkëlqimi në fytyrën e drejtuesve të skuadrës Jamaha në përfundim të Çmimit të Madh të Asen në MotoGP ishte i kuptueshëm: sapo kishin çuar në finish në vendin e parë një legjendë dhe në vendin e 5-të një hero të mirëfilltë. Gara e Holandës do të mbahet mend gjatë për kthimin te suksesi pas më shumë se 900 ditësh të Valentino Rosit si dhe për vendin e pestë të Horge Lorencos, vetëm dy ditë pas një operacioni për të vënë një pllakë titaniumi në klavikulën e majtë, të thyer të enjten në prova.

Që në fillim u kuptua se do të ishte një garë spektakolare, pasi në mëngjes Rosi kishte treguar se ishte në gjendje të mbante hapin e motorëve Honda. Ndërsa papritur, përkrah tij ishte rreshtuar edhe Lorenco, të cilin të gjithë e mendonin në ndonjë spital duke pushuar pas aksidentit të së enjtes dhe operacionit në vijim.

Që në xhirot e para shkëputet Pedroza, me Bradl, Markez e Rosi që i vihen nga pas. Ndërkohë, Kraçlou mban me vete Lorenco e Smith. Janë Rosi e Lorenco që bëjnë spektakël në xhirot e para me “doktorin” që kalon pengesat që kishte para dhe mbërthen vendin e dytë, ndërsa kampioni i botës në fuqi arrin të ngjitet deri në vendin e katërt.

Në xhiron e pestë është Rosi që merr kryesimin e garës, ndërsa pret që grupi i kreut të bashkohet përsëri, për të shfrytëzuar duelin mes dy Hondave dhe për t’u shkëputur, i vetëm drejt finishit deri në fundin e garës. Ndërkohë, Markez i tregon Pedrozës së nuk ka asnjë lloj miqësie mes të dyve kur zbresin në pistë, duke e parakaluar në mënyrë spektakolare kryesuesin e botërorit, i cili pak xhiro më vonë kalohet edhe nga Kraçlou, që siguron vendin e tretë në podium.

Pedroza e mbyll i katërti, por ndoshta kjo ishte gara më e vështirë për kryesuesin e kampionatit pasi pas tij renditet Horge Lorenco, i cili reziston deri në fund të garës mes dhimbjeve për të marrë një pozicion që ngjan si një fitore, sepse nuk i lejoi Pedrozës të shkëputej më shumë në kryesimin e kampionatit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 June 2013 22:18

Horge Lorenco do t’i nënshtrohet të dielën operacionit në klavikulën e majtë, të cilën e ka thyer për të pestën herë, pas një fluturimi në provat e lira të Çmimit të Madh të Asen në MotoGP. Spanjolli ka fluturuar nga motori në një pistë të lagur, pikërisht në një nga zonat më të shpejta, ku mendohet se ai ka qenë me 238 kilometra në orë në momentin e “fluturimit”. 

Sipas asaj që është bërë e ditur nga vetë skuadra e Jamahas, pritet që Lorenco t’i nënshtrohet një operacioni korrigjues dhe normalisht nuk do të marrë pjesë në garën e fundjavës. Por shpresohet që ai të kthehet në radhët e ekipit për garën e radhës, atë të Saksenring në Gjermani që zhvillohet pas dy javësh.

Dëmtimi vjen në një moment mjaft të vështirë, pasi Lorenco në dy garat e fundit kishte siguruar dy fitore duke ngushtuar diferencën me Dani Pedrozën që aktualisht kryeson kampionatin. Ndaj Jamaha për momentin ka varur shpresat te Valentino Rosi, duke e parë atë si forcën e vetme që mund të ndalë dyshen spanjolle të Hondas nga një tjetër sukses në këtë fundjavë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 16 June 2013 22:56

Horge Lorenco ka marrë një fitore të rëndësishme në Çmimin e Madh të Barcelonës në MotoGP, duke iu afruar në vetëm 7 pikë bashkëkombësit të tij, Dani Pedroza, që aktualisht kryeson renditjen e Botërorit.

Lorenco bëri një nisje perfekte, duke harruar menjëherë problemet e shfaqura një ditë më parë në kualifikuese dhe duke arritur të mbajë lehtësisht prapa si Pedrozën, ashtu edhe Markez, të cili po e ndiqnin furishëm. Ndonëse nuk krijoi diferencë ndaj tyre, Lorenco thjesht ishte një vëzhgues i duelit mes pilotëve të të njëjtës skuadër, pasi gjatë gjithë garës, Markez u mundua të merrte vendin e dytë por pa sukses.

Ndërkohë, në vendin e katërt përfundoi Valentino Rosi, disi më i shkëputur nga grupi i kreut por që gjithsesi arriti të dhuronte kohë të përafërta me kryesuesit e garës. Italiani shpëtoi mirë nga një përplasje e mundshme me Bautista në xhirot e para.

Vendi i pestë i shkoi Bradl me Honda, i ndjekur nga Smith me Jamaha dhe Doviciozo me Dukati. Më pas ishin vetëm motorët CRT, pasi Bautista, Kraçlou, Ianone e Heiden u rrëzuan me radhë, duke mos mbyllur dot garën. (LajmeShqip.com)

Renditja e Botërorit për pilotë:

123      Dani Pedroza (Honda)

116      Horge Lorenco (Jamaha)

93        Mark Markez (Honda)

71        Kal Kraçlou (Jamaha Tek 3)

60        Valentino Rosi (Jamaha)

59        Andrea Doviciozo (Dukati)

45        Niki Hejden (Dukati)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 18:26

Dani Pedroza ka arritur të sigurojë pole-position në Çmimin e Madh të Spanjës në MotoGP, duke vendosur rekordin e ri të pistës së Barcelonës me një xhiro të jashtëzakonshme prej 1 minutë e 40.893 sekonda. Për pilotin spanjoll të Honda, kjo arritje është edhe më e jashtëzakonshme duke parë se gjatë kualifikueseve ai u detyrua të ndalej dhe të hiqte komplet tutën e tij, pasi ishte pickuar dy herë nga një bletë.

Pedroza, që thuajse nuk kishte dalë në skenë asnjëherë gjatë provave të lira, shkëlqeu që në fillim, duke dhuruar kohë të paarritshme për ndjekësit e tij. Rivali më i madh mbeti Horge Lorenco, i cili pavarësisht problemeve në motorin e parë, hipi në atë rezervë dhe regjistroi kohën e dytë më mirë. Por spanjolli i Jamahas u desh të kënaqej me vendin e tretë në vijën e nisjes, pasi pikërisht në xhiron e fundit të provave zyrtare ishte Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3 që siguroi vendin e dytë në vijën e nisjes me një xhiro mjaft të mirë.

Radha e dytë do të nisë me Alvaro Bautista, i cili la pas Niki Hejden me Dukati dhe Mark Markez me Honda. Vetëm vendi i shtatë për Valentino Rosin, i cili nuk po arrin të shfaqet dot mirë në kualifikuese ndonëse ka një motor të njëjtë me Horge Lorencon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 May 2013 18:37

Dani Pedrosa me Honda ka fituar Çmimin e Madh të Francës në pistën e Le Mansh, duke marrë njëkohësisht edhe kreun  klasifikimit të Botërorit për pilotë.

Spanjolli ka dominuar në këtë garë duke prerë finishin i vetëm, i shkëputur nga Kal Kraçlou që mori vendin e dytë pas një paraqitje që mund të cilësohet heroike, pasi ai ka arritur të garojë me një frakturë në shpatull të marrë gjatë ditës së djeshme, duke ia dalë me sukses të ngjitet në shkallën e dytë të podiumit.

Mark Markez me Hondën tjetër zyrtare u rendit i treti, ndonëse bëri një nisje shumë të dobët dhe u desh të rikuperonte xhiro pas xhiro nëpërmjet parakalimeve spektakolare që u bëri të gjithë pilotëve që gjente para.

Ndërkohë, një nga surprizat më të këndshme të kësaj gare, që u zhvillua në një pistë të lagur, ishte paraqitja e Dukatit, sidomos e Andrea Doviciozo, i cili për shumë xhiro luftoi për vendin e parë, por më pas përfundoi i katërti, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Niki Hejden.

Kampioni i botë, Horge Lorenco, u rendit vetëm i shtati, pas një paraqitje shumë të dobët, ku dukej qartësisht se Jamaha kishte vështirësi në kushtet e kësaj piste. Edhe më keq shkoi gara e shokut të tij të skuadrës, Valentino Rosi, i cili u rrëzua në gjysmën e saj dhe përfundoi në vendin e 12-të. (LajmeShqip.com)

Renditja e Botërorit për pilotë:

83        Dani Pedrosa (Honda)

77        Mark Markez (Honda)
66        Horge Lorenco (Jamaha)

55        Kal Kraçlou (Jamaha Tek 3)

47        Valentino Rosi (Jamaha)

39        Andrea Doviciozo (Dukati)

38        Alvaro Bautista (Gresini Honda)

35        Niki Hejden (Dukati)

20        Aleks Espargaro (Aspar Aprilia)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 May 2013 17:05

Mark Markez ka arritur të sigurojë pole position të dytë në katër gara të këtij sezoni, pasi arriti të jepte kohën më të shpejtë sot në provat zyrtare në pistën e Le Mansh në Francë. Spanjolli i Hondas, i cili është protagonisti absolut i këtij fillimi sezoni, arriti të jepte kohën 1 minutë e 33.187 sekonda gjatë pjesës së dytë të kualifikueseve me motorin e tij rezervë, pasi atë të parin e kishte shkatërruar në provat e paradites gjatë një rrëzimi.

Horge Lorenco i Jamahas arriti të merrte vendin e dytë përkrah bashkëkombësit të tij dhe iu afrua shumë afër kohës së pilotit debutues, duke e ndjekur me vetëm 30 të mijtat e sekondës diferencë.

Shoku i skuadrës i Markez, Dani Pedroza, ishte mes pilotëve që po luftonin për vendin e parë në vijën e nisjes deri pas një rrëzimi në pjesën e dytë të kualifikueseve. Më pas, me motorin rezervë, ai nuk arriti të shfaqej po aq i shpejtë dhe siguroi vetëm kohën e 6-të më të mirë.

Edhe më e keqe ishte paraqitja e Valentino Rosit, i cili nuk di të japë kohë të mira në kualifikuese. Këtë radhë, piloti italian i Jamahas regjistroi kohën e 8-të më të mirë, që do të thotë se do të niset përsëri nga vija e tretë, duke garantuar një tjetër garë në sulm për “Doktorin”.

Problemet e Pedroza dhe Rosi bënë që vendi i tretë t’i shkonte Andrea Doviciozo, që siguroi pozicionimin më të mirë me Dukati në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 10 May 2013 19:40

Piloti i MotoGP, Hektor Barbera, ka përfunduar në telashe, pasi të enjten është arrestuar nga policia në Herez. Sipas konfirmim që vjen pikërisht nga forcat e rendit të këtij qyteti, Barbera është ndalur aty pas garës së fundjavës me të dashurën e tij, por mes tyre ka shpërthyer një sherr banal.

Dhuna e ushtruar nga piloti spanjoll ndaj të dashurës së tij ka qenë aq e rëndë, sa ajo është detyruar të kalojë një natë në spital për të marrë veten nga shembjet dhe të ënjturat në pjesë të ndryshme të trupit.

Ka qenë vetë spitali që ka lajmëruar policinë për të komunikuar ngjarjen në fjalë, ndërsa vajza 23 vjeçare, që banon pikërisht në Herez, ka lënë sot spitalin pasi ka bërë kallëzim ndaj pilotit spanjoll të skuadrës Avintia.

Kjo ngjarje ka rrezikuar rëndë karrierën e Barbera, i cili për dhunën e ushtruar ndaj të dashurës mund të dënohet me 7-8 muaj burg. Ndërkohë, nuk është bërë e ditur nëse ai do të ketë leje të largohet nga Spanja qoftë edhe për të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Francës që zhvillohet pas 15 ditësh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 May 2013 17:26

Dani Pedroza dhe Mark Markez kanë qenë protagonistët absolutë të Çmimit të Madh të Spanjës në MotoGP në pistën e Herez, duke treguar se Honda është kthyer përsëri e madhe dhe se të dy do të luftojnë për titullin kampion përballë Horge Lorencos e Valentino Rosit që në garat e para kishin lënë të kuptohej se do të ishin pretendentë.

Pedroza ka arritur të fitojë duelin me Lorencon në xhirot e para dhe më pas është shkëputur duke regjistruar xhiro të shpejta të njëpasnjëshme. Por spektakli i vërtetë është zhvilluar pas krahëve të tij, me protagonist kryesor shokun e skuadrës, Mark Markez.

Debutuesi fillimisht ka treguar karakter të jashtëzakonshëm duke dubluar dhe parakaluar Velentino Rosin, që mbylli garën i katërti. Ndërsa më vonë, pas një beteje të ndezur me Horge Lorencon, i ka vjedhur atij vendin e dytë pikërisht në kthesën e fundit të garës, duke u përplasur me kampionin e botës në fuqi për t’i marrë pozicionin.

Kuptohet që një lëvizje e tillë do të shkaktojë shumë polemika dhe pritet të bëhet temë diskutimi në javët në vazhdim, edhe për faktin që manovra ishte identike me atë që Rosi i bëri Xhibernau disa vite më partë, ndërsa tani situata është edhe paksa më e komplikuar, pasi kthesa në fjalë mban pikërisht emrin e Lorencos.

Gjithsesi, debutuesi i Hondas mban tashmë vendin e parë në renditjen e kampionatit dhe duket se do të jetë protagonist absolut i këtij sezoni, duke i mbyllur gojën të gjithë atyre që e cilësonin të parakohshëm debutimin e tij në MotoGP. (LajmeShqip.com)

Klasifikimi i pilotëve në MotoGP:

61        Mark Markez (Honda)

58        Dani Pedroza (Honda)

57        Horge Lorenco (Jamaha)

43        Valentino Rosi (Jamaha)

35        Kal Kraçlou (Tek 3 Jamaha)

28        Alvaro Bautista (Gresini Honda)

26        Andrea Doviciozo (Dukati)

24        Niki Hejden (Dukati)

17        Aleks Espargaro (Aspar Aprilia)

 
Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 17:34

Horge Lorenco ka arritur të marrë pole-position në MotoGP në pistën e Herez, ndërsa shumë prej rivalëve të tij u rrëzuan gjatë provave zyrtare. Vijën e parë të nisjes do ta plotësojnë Dani Pedrosa dhe Mark Markez. I pasi u rrëzua në minutat e fundit të provave zyrtare, ndërsa piloti tjetër i Honda niset e i treti, por ai pa nga afër asfaltin e pistës së shtëpisë në provat e paradites, jo gjatë kualifikueseve.

Kal Kraçlou dhe Valentino Rosi ishin dy pilotë të tjerë pretendentë që u rrëzuan në minuat e fundit, ndërsa kishin siguruar më parë pozicionet 4 dhe 5, pas treshes së spanjollëve që luftojnë për fitore në pistën e shtëpisë.

Lorenco vendosi kohën 1 minutë e 38.673 sekonda për të siguruar vendin e parë, ndërsa pak më vonë, Pedrosa dhe Rosi shkatërruan motorët e tyre me rëniet e njëpasnjëshme, kur po mundoheshin të arrinin kampionin e botës.

Viktima të tjera të seancës së provave zyrtare ishin Hektor Barbera, Andrea Ianone, Lukas Pesek dhe Kolin Eduards.

Të gjithë pilotët janë ankuar se gomat e zgjedhura nga “Brixhston” nuk janë shumë të përshtatshme për pistën spanjolle, pasi shkaktojnë rrëshqitje të mëdha në pjesët e drejta, duke bërë që gara e nesërme të jetë shumë e paparashikueshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 21 April 2013 22:35

Mark Markez ka vënë vulën e fundjavës së tij të rekordeve duke u bërë fituesi më i ri në moshë i një gare në historinë e MotoGP, falë suksesit në pistën e Austin. Piloti i talentuar, kampion në vitet e kaluara si në Moto3, ashtu edhe në Moto2, ka shuar të gjitha dyshimet që binin mbi të se nuk do të ishte në lartësinë e duhur për të nisur një motor Honda, pasi që në garën e dytë është ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit.

Në pistën amerikane, ai është ndjekur hap pas hapi nga shoku i tij i skuadrës, Dani Pedrosa, por arriti t’i shkëputej në xhirot e fundit për të shkuar i vetëm drejt finishit. Përveç shënimit të emrit të tij në kreun e listës së fituesve më të rinj të një gare në MotoGP, Markez është tashmë edhe në kreun e renditjes së Botërorit pas dy garave të para, pasi ka pikë të barabarta me kampionin në fuqi, Horge Lorenco.

Ky i fundit arriti të mbante ritmin e dy motorëve Honda vetëm në 5 xhirot e para, për të humbur pastaj terren, por duke ruajtur pozicionin e tretë në renditje deri në fundin e garës.

Pas tij u rendit Kal Kraçlou me Jamaha Tek3, i ndjekur nga Honda LCR e Stefan Bradl, me të dy pilotët që arritën këtë radhë të renditeshin para pilotit tjetër të Jamaha, Valentino Rosi, i cili nuk ishte në një ditë të mirë dhe nuk arriti asnjëherë t’i afrohej kohëve që dhuronin kryesuesit e garës. (LajmeShqip.com)

12