Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 13:48

Komuna e Mitrovicës ka mobilizuar të gjitha potencialet për t’u përballur me kushtet e rënda klimatike dhe borën e madhe që ka krijuar vështirësi për qarkullimin e qytetarëve, sidomos në zonën e Shalës. Në këtë kuadër të këtij problemi janë ndërmarrë një sërë vendimesh dhe masash konkrete, në mënyrë që situata të menaxhohet me sukses.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha të hënën në takimin e Komitetit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësi të Tjera, se duhet të aktivizohet i gjithë potenciali komunal, duke përfshirë ndërmarrjet publike, ato private dhe vetë qytetarët për tejkalimin e kësaj situate. U vendos që të krijohen edhe gjashtë grupe të përbashkëta  me zyrtarë komunalë dhe pronarë të kompanive që janë angazhuar për pastrimin e borës me qëllim përcjelljen nga afër të punës në terren.

Kryetari Kastrati tha se këto grupe do të raportojnë përditë për gjendjen në rrugë dhe për ecurinë  e pastrimit të tyre nga bora. “Kjo është një mënyrë e mirë për të rritur përgjegjësinë dhe për të ndikuar në rritjen e efikasitetit”. Në këtë takim u morën edhe një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me mobilizimin për t’u përballur me problemet e krijuara nga bora dhe kushtet e rënda klimatike.  Përveç kapaciteteve komunale, ndërmarrjeve publike, policinë, KEK-un, “Ujësjellësin rajonal” etj, përballë sfidës që ka krijuar moti do të organizohen edhe kompanitë private, pronarët e dyqaneve dhe vetë qytetarët. Në anën tjetër, duke pasur parasysh se shumë fshatra të thella malore, sidomos në zonën e Shalës kanë mbetur të bllokuar nga bora, Komuna e Mitrovicës do të marrë në shfrytëzim një motoski nga qendra e skijimit në Bajgorë, e cila do të mundësoj që të mbahet kontakti me zonat e bllokuara. Gjithashtu me anën e kësaj pajisje do të dërgohen edhe ndihma ushqimore në familjet që kanë nevojë.

Drejtoria e Inspektimit, mori përsipër që të punoj për largimin e automjeteve të parkuara në anën e djathtë të rrugëve të qytetit, të cilat janë duke penguar pastrimin e  rrugëve. Drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Zeqiri, njoftoi se prej të martës e deri në normalizimin e situatës, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në rrugët kryesore të qytetit, prej orës 18:00 të mbrëmjes deri në orën 07:00 të mëngjesit. Ai kërkon nga qytetarët që të respektojnë këtë vendim në mënyrë që të lehtësohet pastrimi i rrugëve. Drejtori i Inspektimit, po ashtu tha se pronarët e subjekteve dhe pronarët e shtëpive pranë rrugëve janë të obliguar që të pastrojnë trotuaret para dyqaneve dhe shtëpive. “I kemi njoftuar dhe jemi duke punuar në terren që bashkërisht të kontribuojmë për lehtësimin e qarkullimit për automjete dhe këmbësorë”. Në këtë takim të Komitetit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësi të Tjera, i cili është aktivizuar para një jave në kuadër të masave  të gatishmërisë për t’u përballur me problemet si pasojë e kushteve klimatike, u vendos që resorët përgjegjës të komunës të përgatisin një plan për parandalimin e vërshimeve të mundshme pasi të fillojë shkrirja e borës. U tha se do të intervenohet për pastrimin e shtretërve të lumenjve që kalojnë përmes qytetit, si shtrati i lumit Lushtë dhe ai i lumit Trepça. 

Kryetari Kastrati, kërkoi nga KEK-u mos të ketë reduktime të energjisë në këtë kohë, meqë është duke sjell probleme të mëdha për qytetarët, por edhe për ndërmarrjet si “Ujësjellësi rajonal” etj. Gjithashtu, nga Ministria e Infrastrukturës u kërkua që të marrë masa për mirëmbajtjen e magjistrales Mitrovicë-Podujevë. 

Lidhur me gjendjen në terren, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se megjithë angazhimin e gjashtë kompanive shumë fshatra në zonën e Shalës janë të bllokuara, e megjithatë ata janë duke punuar vazhdimisht që rrugët të jenë të kalueshme sa më parë. Si problem të madh ai përmendi mospastrimin e rrugës magjistrale Mitrovicë-Podujevë, që është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila është e kalueshme vetëm deri në Bajgorë. “Në mungesë të intervenimit nga kompania e kontaktuar nga Ministria, ne po detyrohemi me kapacitetet tona që të punojmë edhe në atë rrugë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 11:15

Berlin- Sipas meteorologëve vala e ftohtë në Evropë do të vazhdojë deri në fund të muajit shkurt, për shkak se vazhdojnë rekordet e veçanta në lidhje me të ftohtin i cili në ditët e fundit ishte arsye për mbi 480 viktima në Evropë.

Në Francë është regjistruar rekord në historinë e shpenzimit të energjisë elektrike. Në orën 19 dje sipas kohës lokale, shpenzimi ishte 101.700 megavatë, me çka është “rrëzuar rekordi” nga nata paraprake – 100.500 megavatë. Nevojat për gaz natyral gjithashtu ishin në nivel rekord – 3.395 gigavatë në orë.

Gjermania, e cila vendosi që të heq dorë nga energjia bërthamore deri në vitin 2022, duhej për herë të parë të përvetësojë reaktorë të cilët janë të shkyçur nga rrjeti, por të ruajtura si rezervë në rast të situatës së jashtëzakonshme, publikoi gazeta “Handelsbat”.

Pesë prej tetë reaktorëve të Gjermanisë të shkyçura gjatë verës, janë në pjesën jugperëndimore të shtetit ku situata është veçanërisht e vështirë.

Në Francë është regjistruar shitje e madhe e palltove si dhe e shalleve dhe kapelave. Ministrja për të rinj në Francë, Nora Bera dërgoi përmes bllogut të saj këshilla për përballjen me të ftohtin të cilat tërhoqën tallje te një pjesë e qytetarëve. Ajo në fundjavë rekomandoi që foshnjat, të rriturit dhe të pastrehët të mos dalin nga shtëpitë për shkak të ftohtit. Rekomandimi deri te kategoria e fundit e njerëzve shkaktoi kritikë dhe tallje dhe ajo e korrigjoi rekomandimin.

Një burrë në moshë rreh 34 vjeçare tentoi që të vetëvritet me kërcim nga një urë në Elzas, por u përplas në një pjesë të madhe të akullit dhe mbijetoi. E shpëtuan zjarrfikësit nga lumi i ngrirë.

Në Itali viktimat e të ftohtit janë më së shumti në tërë Evropën Perëndimore – 40. Bëhet fjalë për viktima nga të ftohti, por edhe të fatkeqësive për shkak të kushteve të këqija, bëri të ditur “Koriere dela sera”.

Dje është ndërprerë lëvizja e metrosë në Torino për shkak të vërshimeve. Akulli i mbuloi edhe një pjesë të kanaleve të Venecias.

Në Holandë, sërish, shpresojnë në mot edhe më të ftohtë që të mund të mbahet gara përmes kanaleve të akullta 200 km. në provincën Frislant. Në këtë ngjarje të quajtur Gara midis 11 qyteteve, priten rreth dy milionë pjesëmarrës, por edhe kushte – 15 centimetra shtresë të akullit. (LajmeShqip.com)

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 13:52

Mitrovicë- Për shkak të bllokimit nga bora të disa fshatrave dhe vendbanimeve, kryesisht në zonat malore, Komuna e Mitrovicës, ka rritur nivelin e gatishmërisë së të gjitha institucioneve lokale.

Në këtë kuadër është aktivizuar edhe Komiteti për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, që funksionon në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.  

 

 Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha të martën në takimin e parë të   Komiteti për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, se gjendja e krijuar si pasojë e borës së madhe dhe temperaturave të ulëta kërkon gatishmëri të të gjitha institucioneve.

“Duke parë gjendjen e krijuar, kur vetëm gjatë natës së fundit nga bora janë bllokuar shumë fshatra, kryesisht në zonat e thella, kemi marrë vendim që të aktivizojmë  Komitetin për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, me qëllim të koordinimit të të gjitha aktiviteteve ndërmjet institucioneve me qëllim të tejkalimit sa më të shpejtë të kësaj situate”.

 Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, sqaroi se përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme që përfaqësohen në këtë Komitet, si Policia, FSK-ja, “Ujësjellësi”, KEK-u, mandej kompania “Uniteti” etj, duke përfshirë edhe drejtoritë komunale, do të përcjellin situatën për të koordinuar aktivitetet në terren. “Bashkërisht do të vendosim për aktivitet, në mënyrë që sa më mirë të menaxhojmë gjendjen e krijuar”.

 Për gjendjen aktuale në terren, foli, Eset Shaqiri, ushtrues i detyrës së drejtorit të kompanisë “Uniteti”, që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve. Ai tha se “Uniteti”, ka kontraktuar edhe tri kompani shtesë për pastrimin e rrugëve nga bora. “Janë katër kompani gjithsej që janë duke punuar në terren vazhdimisht, mirëpo bora që ka rënë pa ndërprerë dhe e shoqëruar me erë gjatë natës së fundit ka rënduar gjendjen”.

Shaqiri, theksoi se deri tash janë pastruar lagjet e veriut, si Kroi i Vitakut, Lagja e Doktorëve, Suhadolli etj, përderisa është duke u punuar në fshatrat e asaj ane. “Problemi më i madh është në fshatrat e thella malore të Shalës, kur trashësia e borës është e madhe, ndërsa era që fryn vazhdimisht bllokon rrugët shpejt edhe pasi që të pastrohen”.

Zyrtarët e KEK-ut dhe  “Ujësjellësit”, që ishin të pranishëm në takim, treguan se edhe në këto kompani punëtorët janë në gjendje mobile. Ramiz Osmani, përgjegjës i mirëmbajtjes së rrjetit në KEK për Komunën e Mitrovicës, tha se duke pasur parasysh kushtet klimatike furnizimi me energji është i mirë.

Ai apeloi tek qytetarët që të kursejnë energjinë, meqë për shkak të ngarkesës së madhe ka edhe shumë defekte. “Defektet e shpeshta po ndodhin si pasojë e ngarkesës së madhe. Ndërsa megjithë gatishmërinë e vazhdueshme të ekipeve, shumë herë ndërhyrja për të evituar problemet bëhet me vështirësi të mëdha në zonat malore për shkak të borës së madhe dhe pamundësisë  për të pasur qasje fizike”.

Kadri Istrefi, drejtor teknik i “Ujësjellësit rajonal”, tha se furnizimi me ujë është duke u bërë pa problem në të tri komunat, në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri. Ai kërkoi nga zyrtarët e KEK-ut që t’i kursejnë nga reduktimet e rrymës, meqë në të kundërtën  mund të ngrihen gypat brenda fabrikës dhe si pasojë të krijohet në gjendje e rëndë.

Drejtori i Inspektimit, Lulzim Zeqiri, u kujtoi pronarëve të subjekteve të biznesit dhe pronarëve të shtëpive pranë rrugës, që janë të detyruar për pastrimin e rrugëve para lokaleve apo shtëpive të tyre. Ndërsa drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, tha se janë të gatshëm që t’i ndihmojmë me ushqime familjet që janë kanë mbetur pa furnizime.          

Në anën tjetër, përfaqësuesit e FSK-së dhe Policisë së Kosovës, janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim dhe ndihmë me të gjitha mjetet e tyre.

Shala e Bajgora bllokohen sërish

Shala e Bajgorës bllokohen përsëri nga bora, për shkak të erës së madhe që ka fryrë në këtë rajon duke krijuar orteqe nëpër rrugë deri në 5 metra lartësi.

Rruga kryesorë për në Shalë që të shpie edhe për në komunën e Podujevës është disi e kalueshme por me zinxhir dhe ato vetëm për automjete të vogla.

Ndërsa  fshatrat si në pjesën lindorë dhe atë veriore të Shalën janë tërsishtë të bllokuar edhe pse 5 kompanitë për pastrimin e borës janë duke punuar 24 orë në ditë. Të bllokuar gjithashtu janë edhe 3 fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviçit. Komuna është duke shikuar mundësinë që të krijojë edhe nëj fond emergjent në ndihma për fshatarët e ngujuar prej disa ditësh.

Në anën tjetër banorët shqiptarë të Lagjës ‘Kodra e Minatorëve’ e cila gjendet në veri të Mitrovicës të martën kanë kërkuar nga komuan e Mitrovicë që t’iu ardhur në ndihmë me dru zjarri sepse këta banorë përballen me vështirësi sa i përket furnizimit me lëndë djegëse për ngrohje.