Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 08:37

Tragjedia e Piermario Morosinit ka tronditur rëndë futbollin italian por ka treguar se si komuniteti i këtij sporti është bashkuar për një solidaritet të rrallë.

Ish-mesfushori i Livornos kishte humbur gjithë familjen me përjashtim të motrës me aftësi të kufizuara dhe në tezeje, ku të dyja jetonin falë të ardhurave financiare që siguronte futbollisti në Serinë B.

Pas vdekjes së tij, është vënë në lëvizje thuajse i gjithë futbolli italian, në mënyrë që këto dy gra të mos vuajnë vetminë dhe të kenë të garantuar të ardhmen, të paktën ekonomikisht.

Federata Italiane e Futbollit do të caktojë një pension vjetor për ta, ndërsa të njëjtin shembull kanë ndjekur edhe klubet. Fillimisht ishte presidenti i Livornos, Aldo Spineli, ai që bëri të qartë se një gjë e tillë do të bëhej nga klubi që ai drejtonte në bashkëpunim me Udinezen e cila ka një marrëveshje bamirësie me një fonadacoin që trajton persona me aftësi të kufizuara. Kapiteni i Udinezës, Antonio Di Natale, ka bërë të ditur se u ka kërkuar zyrtarisht të gjithë kapitenëve të Serisë A dhe B të bëjnë donacione për këtë fondacion në mënyrë që të sigurohen të ardhurat për familjen Morosini.

Më pas, ishte edhe Atalanta që nëpërmjet një komunikate zyrtare deklaroi se merrte përsipër të siguronte çdo shpenzim të nevojshëm për motrën e futbollistit, që ishte me origjinë nga Bergamo. “E cilësoj si një detyrë timen personale dhe atë të Atalantës që të kujdesemi përgjithmonë për Maria Karla Morosini, ashtu siç do të kishte bërë i ndjeri Piermario nëse jeta e tij nuk do të ishte ndërprerë në mënyrë kaq tragjike”, ishin fjalët e presidentit të kësaj skuadre, Antonio Perkasi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 18:19

Tragjedi e rëndë në futbollin italian. Mesfushori 25 vjeçar i Livornos, Piermario Morosini është ndarë nga jeta pas një infarkti të pësuar në fushë gjatë ndeshjes së Serisë B kundër Peskaras. Lojtarit iu bë menjëherë frymëmarrje artificiale dhe u dërgua në spitalin e qytetit, por ai nuk ia ka dalë mbanë, ndoshta edhe për shkak të vonesës së hyrjes së ambulancës në stadium, pasi një makinë e policisë rrugore kishte bllokuar hyrjen. 

Gjithçka ka ndodhur në minutën e 31-të të ndeshjes ku në lojë pa top, lojtari është përplasur në tokë mes konvulsioneve, ndërsa menjëherë gjyqtari ka ndërprerë takimin për të bërë të mundur ndërhyrjen e mjekëve, sepse situata dukej alarmante

Këta të fundit kanë ndërhyrë duke bërë frymëmarrje artificiale dhe duke përdorur një defribrilator ndërsa pritnin ambulancën që duhej ta dërgonte në spitalin e qytetit të Peskaras. Por kjo e fundit është vonuar pasi një makinë e policisë rrugore kishte bllokuar derën e hyrjes në fushë dhe është dashur që të thyhej xhami i saj që të bëhej i mundur lëvizja e këtij automjeti, duke hapur polemika të mëdha për këtë çështje.

Sipas deklaratës të një drejtuesi të Peskarës, lojtari ka qenë i ndërgjegjshëm në momentin që ka hyrë në ambulancë, po rrugës drejt spitalit, zemra e tij ka pushuar dhe “mrekullia Muamba” nuk është përsëritur, ajo nuk ka rrahur më.

Pas dhënies së lajmit të vdekjes së Morosinit nga drejtuesit e spitalit, Federata Italiane e Futbollit ka lajmëruar për ndërprerjen e të gjitha kampionateve të të gjitha niveleve në këtë fundjavë në shenjë respekti ndaj kësaj lamtumire tragjike. Prokuroria e qytetit të Peskaras ka urdhëruar kryerjen e një autopsie për të përcaktuar shkaqet reale të vdekjes së tij dhe nëse ajo mund të ishte evituar.(LajmeShqip.com)