Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 19:22

Mitrovicë- Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit. Ai ka thënë se në këtë komunë duhet të përsëriten zgjedhjet meqë, sipas tij, ka pasur manipulim të votave.

Kastrati ka treguar se për këto parregullsi kanë bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Në zgjedhjet e 1 dhjetorit ka pasur fletëvotime false që kanë ndikuar në rezultat, bile dukshëm kanë ndikuar në rezultat, sepse është përdorur sistemi i ‘Trenit bullgar’. Ne kemi bërë ankesë në afatin ligjor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka thënë se kur të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike, atëherë mund ta pranojnë rezultatin. “Aktualisht jo”, ka thënë për “Epokën e re” Kastrati. 

Ai ka thënë se pas këtij manipulimi të votave, Komuna e Mitrovicës duhet të shkojë në rivotim. “Duke i marrë parasysh faktet, jam shumë i sigurt se Komuna e Mitrovicës do të shkojë në rivotim. Është zbuluar fletëvotimi fals dhe kjo flet shumë”, ka thënë Kastrati.

I pyetur se, a mjafton vetëm ky fakt që Mitrovica të shkojë në rivotim, Kastrati ka thënë se kjo është vetëm njëra prej dëshmive të mjaftueshme për t’u përsëritur zgjedhjet në Mitrovicë. “Unë mendoj se po. Kjo duhet të bëhet duke e zbatuar ligjin”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka kërkuar nga PZAP-ja dhe KQZ-ja që qytetarëve të Mitrovicës t’ju mundësohet dalja e sërishme në zgjedhje. “Duhet sjell vendimin që të na mundësojnë të dalim në rivotim”, ka thënë Kastrati, duke përsëritur se manipulimet e votave kanë ndikuar në përmbysjen e thellë të rezultatit të arritur në zgjedhjet e 3 nëntorit.   

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 07 October 2013 16:19

po

Policia në Mitrovicë ka filluar hetimet përkitazi me videon shokuese e cila po bënë gjiron në internet, e ku shihet një vajzë e mitur duke rrahur një tjetër vajzë të shkollës fillore.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, i ka thënë mediave se policia ka filluar hetimet dhe ka bërë identifikimin e kryesve të këtij akti.

 

Meqë nxënësit janë të mitur, policia në këtë rast është dytësore, pasi që sipas ligjit me të duhet të merret Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit Komunal, Shkollat dhe prindërit

 

Për sjelljen e nxënëses së quajtur Duda, ka reaguar edhe drejtori i Shkollës fillore “Musa Hoti”.

 

Iset Beka, në reagimin e tij dërguar medieve thotë se, në emër të Bordit të shkollës “Musa Hoti”, në emër të Këshilli të arsimtarëve dëshiron të dënoj aktin e dhunës së shprehur në mes të nxënësve në një video të publikuar në rrjetin social Facebook.

 

“Në këtë video shihet një nxënëse duke shkaktuar dhunë ndaj një kolege – nxënëse. Ne si shkollë njoftojmë opinionin e gjerë se nga akterët e kësaj ngjarje vetëm viktima është nxënëse e shkollës sonë: D. U., nxënëse e klasës së VII, ndërsa shkaktarja e kësaj dhune është nxënëse e një klase më të lart nga një shkollë tjetër e qytetit”, thuhet në reagimin e drejtorit Beka.

 

Sipas tij, rasti ka ndodhur ditën e diel dhe ka qenë jashtë procesit mësimor afër urës së Ibrit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 16:05

Mitrovicë- Nata e mbrëmshme në veri të Mitrovicës ka kaluar me të shtëna armësh të shpeshta nga grupe të caktuara serbësh, të cilat kanë shqetësuar tej mase banorët e asaj pjese të qytetit.

Të shtëna armësh zjarri janë dëgjuar fillimisht rreth orës 20:30, në afërsi të stacionit policor në veri të Mitrovicës, por nuk ka pasur të lënduar, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it nga veriu.

Sipas këtyre burimeve, po ashtu mbrëmë, rreth orës 22:30, në rrugën ‘Mbreti Petër’, në veri të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht në afërsi të stacionit të policisë ka pasur të shtëna. Mësohet se një person ka qëlluar me armë në drejtim të një personi tjetër me inicialet M. K., por, për fat të mirë, viktima nuk është lënduar.

Ndërkaq, pas mesnatës, rreth orës 1:14, në rrugën ‘Knjaz Millosh’ në veri të Mitrovicës, janë dëgjuar breshëri të shtënash nga armë automatike që kanë zgjatur për disa minuta.

“Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka gjetur gëzhoja të kalibrit 9mm, por autorët nuk janë identifikuar”, kanë thënë burimet.

 
Lajme Shqip Friday, 31 May 2013 11:04

Mbrëmë rreth mesnatës te vendi i quajtur “Ura e gjakut” në Mitrovicë, janë sulmuar veturat e EULEX-it me tre shishe me koktej molotivi. Kështu njoftojnë burimet e agjencisë së lajmeve Kosovapress.

Kjo ngjarje është konfirmuar nga policia në Mitrovicë. Ata konfirmuan që nuk ka të lënduar në këtë ngjarje, në ndërkohë që shishet me lëndë djegëse janë hedhur në oborrin e një shtëpie private në të cilën jetojnë disa pjesëtarë të EULEX-it, nga persona të panjohur deri më tani.

Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti, ka thënë se deri tani nuk ka të arrestuar në lidhje me ngjarjen, dhe se rasti po hetohet.

 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 15:53

Kryeparlamentari i vendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk ka asnjë infromacion për ndonjë marrëveshje të arritur në mes të Serbisë dhe ndonjë kompanie amerikane për shitjen e Trepçës, përpos asaj që është thënë në media. Krasniqi këto komente i bëri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai poashtu shtoi që për këtë qështje duhet pyetur Qeveria.

“Neve nuk kemi informacione për këtë çështje, kemi informacione të marra nga mediat që për mua, për të dhënë mendimin nga pozita të cilën e kam nuk mjafton. Këto pyetje duhet t’i drejtohen qeverisë si përgjegjësja kryesore edhe me kushtetutë për ekzekutimin dhe mbrojtjen e pasurisë se qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi”, tha ai.

Sipas Krasniqit, Serbia përderisa e ka bërë këtë marrëveshje me kompaninë amerikane për shitjen e Trepçës, është thirr sipas tij, në marrëveshje e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin ai shprehet se nuk është në dijeni se çka përfshin.

Ndryshe, ditë më parë konsorciumi amerikan “New Generation Power” nga shteti Ilinois, raportohet se ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Minierave dhe Resurseve Natyrore të Serbisë për bashkëpunim biznesi dhe teknik në kombinatin e Trepçës në veri të Mitrovicës.