Lajme Shqip Friday, 31 May 2013 11:04

Mbrëmë rreth mesnatës te vendi i quajtur “Ura e gjakut” në Mitrovicë, janë sulmuar veturat e EULEX-it me tre shishe me koktej molotivi. Kështu njoftojnë burimet e agjencisë së lajmeve Kosovapress.

Kjo ngjarje është konfirmuar nga policia në Mitrovicë. Ata konfirmuan që nuk ka të lënduar në këtë ngjarje, në ndërkohë që shishet me lëndë djegëse janë hedhur në oborrin e një shtëpie private në të cilën jetojnë disa pjesëtarë të EULEX-it, nga persona të panjohur deri më tani.

Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti, ka thënë se deri tani nuk ka të arrestuar në lidhje me ngjarjen, dhe se rasti po hetohet.

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 12:51

Prishtinë – Pavarësisht marrëveshjes së arritur mes dy kryeministrave, KFOR-i do të vazhdojë ta ruajë paanshmërinë dhe mbetet një ndër forcat e sigurisë të pranueshme në mbarë territorin e Kosovës. Komandanti i KFOR-it Walker Halbauer, ëndërron që brenda mandatit të tij, deri në shtator të këtij viti, të gjitha palët e përfshira ta largojnë me paqe barrikadën mbi urën kryesore në Mitrovicë.

Halbauer në një intervistë për “Tribunën”, theksoi se ajo barrikadë është çështje politike dhe nuk do të ndërhyjë me forcë

Sipas komandantit të KFOR-it, ekziston vetëm një barrikadë në urën mbi lumin Ibër. Të gjitha të tjerat nuk janë bllokada rrugësh.

“Kjo është e vetmja bllokadë rruge në terren dhe nga perspektiva e tij, kjo është një shenjë politike që do të thotë se bllokada e rrugës është vendosur nga persona të caktuar në veri, kushdo qofshin ata, për të demonstruar dhe portretizuar opinionin e tyre për situatën, që është se ata nuk e duan këtë situatë”, ka thënë ai.

“Kjo është për arsye politike dhe nuk ka ndikim në lirinë e lëvizjes dhe në garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt”, ta thënë Halbauer.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 15:47

Prishtinë – Plani që e ka bërë Qeveria e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së arritur me Serbinë, nesër do t’i paraqitet në Bruksel baroneshës Catherinë Ashton, dhe ai përbëhet nga akte ligjore, afate kohore dhe akterët e implementimit. Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar angazhim shtesë nga kabineti qeveritar për zbatimin e planit, që shihet sfidë e madhe dhe se fati i marrëveshjes varet nga kjo.

“Ky plan nuk është i drejtuar kundër askujt, nuk duhet të frikësohet askush, as qytetarët e veriut, sepse ky është plan i jetës së përbashkët për të ardhmen, plan i jetës së re”, ka thënë kryeministri në mbledhjen e Qeverisë. Ai ka shtuar se ashtu siç parashihet me marrëveshje, ky plan do të jetë gati deri më 26 prill, pastaj do të nënshkruhet nga dy kryeministrat, e në fund do të sillet në Kuvend për ratifikim. Ai ka folur edhe për protestën e Vetëvendosjes, duke thënë se i kupton zërat ndryshe, por duhet të respektohet rendi demokratik dhe shumica. Siç e citon KTV, ai tha se duhet të vihen interesat shtetërore mbi ato partiake.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se ky plan parasheh veprime konkrete brenda 90 ditëve, ndërsa rezultate të prekshme para fundit të qershorit. Duke folur për “Kohën Ditore”, ai ka deklaruar se brenda muajit qershor parashihet shpërbërja e të gjitha strukturave ilegale serbe të sigurisë, të cilat kanë vepruar prej vitesh në komunat me shumicë serbe, e veçanërisht në veri. Kuçi ka theksuar se pjesëtarët e këtyre mekanizmave, nuk do ta kenë me tapi vendin në strukturat shtetërore të Kosovës.

Ndërkohë, ekipi i Serbisë për hartimin planit për implementim të marrëveshjes ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë presion. Para mbajtjes së mbledhjes së parë të këtij ekipi me kreun shtetëror, është arritur pajtimi i plotë se Serbia nuk do të pranojë më asnjë kusht ose presion për zbatimin e marrëveshjes. Qeveria e Serbisë dje kishte marrë vendimin për formimin e ekipit për hartimin e Planit për implementim të  Marrëveshjes së Parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve Beograd – Prishtinë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 11:41

Strukturat paralele kanë vendosur barrikadë nga zhavori mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq, përkatësisht tek kthesa për në fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit, duke bllokuar kështu banorët e këtyre fshatrave, por edhe qarkullimin e automjeteve në drejtim të pikës kufitare Jarinjë, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, barrikada është vendosur në shenjë reagimi kundër marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit të arritur në Bruksel, ndërsa parashihen edhe barrikada tjera nëpër lokacione të ndryshme sipas nevojës.

Burimet më tej kanë shtuar se krerët ilegalë janë konsultuar rreth këtyre veprimeve mbrëmë në Zveçan deri në orët e vona të natës, ndërkohë që është marrë vendim për organizimin e një proteste masovike në veri të Mitrovicës për të hënën.

Vendosjen e barrikadës në magjistralen e Ibrit e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti. (G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 February 2013 16:15

Beograd – Ish-kryenegociatori serb në dialogun teknik me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq pranon në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se mund të ketë struktura të MUP-it të dikurshëm në territorin e Kosovës, por se ato nuk kanë formacion të veprimit, e as zinxhir komandues.

BORISLLAV STEFANOVIQ
Para së gjithash, që të caktohet simetria e ardhshme e autonomisë së serbëve në Kosovë, që do të thotë organizimi i tyre, dhe përgjegjësitë që do të kenë atje. Pra, në çfarë mënyrë dhe si do të trajtojnë të dyja palët, praninë e institucioneve serbe në Kosovë, se a do të jenë ato pjesë e të ashquajturit shtet i pavarur i Kosovës, apo si pjesë e Kosovës që është një vend autonom i padefinuar në kuadër të Serbisë.

Prandaj, kjo tani ka ende shumë të panjohura për secilin që po përcjellë këto procese, dhe vlerësoj se as opinioni në Prishtinë, e as në Beograd, nuk e dinë mjaftueshëm se për çka ka pajtim dhe cilat janë rezultatet e mundshme.

BORISLLAV STEFANOVIQ
Mendoj se në këtë aspekt, qeveria jonë e ka thënë të vërtetën. Pra, ne nuk kemi kurrfarë struktura të sigurisë në Kosovë, të cilat funksionojnë në atë mënyrë si e paraqet Prishtina. Ka njerëz të cilët, ose ishin të punësuar në MUP dhe tani faktikisht janë të papunë, por ata nuk kanë asnjë lloj formacioni të veprimit, dhe as që ekziston ndonjë zinxhir komandues.

Unë e di se në Prishtinë mendojnë ndryshe. Por, fatkeqësisht, ngjarjet fatkeqe në Kosovë e vërtetojnë se struktura të tilla nuk ekzistojnë. Sepse po të ekzistonin ato, supozoj se nuk do të kishte incidente të tilla dhe dhunë. Por sidoqoftë, mendoj se edhe kjo gjë, do të jetë pjesë e zgjidhjes në Bruksel.

Natyrisht se ne [Partia Demokratike], mbështesim të gjitha ato lëvizje që çojnë kah zhvillimi pozitiv i ngjarjeve, stabilizimit të mundësive, dhe rregullimit të raporteve me Prishtinën, të cilat qëndrojnë për një kohë të gjatë të ngrira.

BORISLLAV STEFANOVIQ
Kjo do të varet nga vullneti i bashkësisë ndërkombëtare, dhe deri diku nga vullneti i Prishtinës, që të arrihet një marrëveshje e cila do të ishte e qëndrueshme, para se gjithash, [një marrëveshje] e pranueshme për qytetarët në terren, serbët e Kosovës, e që do të sillte paqe dhe prosperitet në këtë rajon ku jetojmë.

Mendoj se Prishtina, edhe mëtutje, është ende kushtimisht e ngurtë në qëndrimin e saj. Deklaratat që japin zyrtarët në Prishtinë, nuk janë shpresëdhënëse në asnjë mënyrë, dhe do të shohim se si do t’i demantojë ata koha. 

BORISLLAV STEFANOVIQ
Unë mendoj se kjo qeveri është e gatshme që të bëjë shumë më shumë sesa ishte e gatshme ajo e Mirko Cvetkoviqit dhe Boris Tadiqit! Në këtë drejtim, tashmë veç po shihet qartë se shumë gjëra që kërkohen nga qeveria e Serbisë, ato pranohen qysh në start.

Unë supozoj se edhe në qarqet intelektuale në Prishtinë, shohin nga i njëjti kënd,  vlerësojnë edhe qeverinë e Hashim Thaçit. Mendoj se kemi dy kryeministra, që gjenden në probleme të mëdha politike, me kredibilitetit të njollosur, që bëjnë shumë më shumë se sa që dikush kërkon prej tyre.

BORISLLAV STEFANOVIQ
Mendoj se jo. Mendoj se para se gjithash, ato duhet të jenë institucione që serbët e Kosovës i konsiderojnë si të tyre, e që ato në asnjë mënyrë të mos prejudikojnë mënyrën se qysh i sheh Prishtina e qysh Beogradi. Mendoj se këtu, paqartësia konstruktive mund të luajë rol shumë të mirë.

Kjo është një prej atyre situatave, ku të dyja palët mund të lexojnë ndryshe statusin e tyre. Problemi qëndron në atë se ka shumë ngatërresa, moskuptime, dhe lexim të ndryshëm të gjithë asaj që dakordohet. Problem tjetër është se as opinioni nuk e di se për çka është marrë vesh.

BORISLLAV STEFANOVIQ
Po. Opozita jonë atëherë, sulmonte fuqishëm marrëveshjet tona! Kurse tani, po më duket se gjëja e parë për të cilën janë pajtuar, është pikërisht modeli ynë i zgjidhjes së problemeve. E të mos flasim për atë, se ne as 50% nuk kemi shkuar aq larg me kompromise, sa këta [qeveria] të së sotmes.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 15:46

Mitrovicë – Shqiptarëve të veriut të Mitrovicës nuk u ka mbetur vullnet që të festojnë pesë -vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Të paktën kështu thonë disa qytetarë shqiptarë të kësaj pjese të vendit.

Sadije Rama, thotë për Radio Evropa e Lirë  se është e zhgënjyer dhe e dëshpëruar me gjithçka që ka ndodhur në 14 vjetët e fundit, por edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Ajo më parë kishte jetuar në pjesën veriore të Mitrovicës, qytet ky, i cili që nga vitit 1999 është ndarë në pjesën veriore, ku popullatën shumicë e përbëjnë serbët dhe në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare.

Menjëherë, pas luftës, Sadije Rama, thotë se ka qenë e detyruar ta lëshojë shtëpinë e saj, në anën veriore të qytetit, për shkaqe të sigurisë dhe të kaloj në anën jugore. Sipas saj, këtë situatë e kanë përjetuar edhe shumë familje shqiptare.

Ajo jeton tash rreth 40 kilometra larg Mitrovicës, por e mban një dyqan të veshjeve, në lagjen shumetnike në veri të Mitrovicës, të quajtur “Lagja e Boshnjakëve”.

“Ne të Mitrovicës jemi shumë të zhgënjyer, brenda pjesës veriore. As nuk na kanë dhënë ndihmë, as nuk janë interesuar për ne dhe asgjë… Në fytyrat e njerëzve mund të vëresh se çfarë brengash dhe çfarë kushte të jetës kanë… Nuk ka vullnet për jetë. Pa e pyetur fare mund ta vëresh. Unë jam shumë, shumë e zhgënjyer prej Qeverisë sonë, prej shtetit tonë… Për Zotin nuk më jetohet, sepse nuk po e di për çka po jetoj, a po jetoj për një shtet demokrat, një shtet të mirë apo për një shtet të hajnisë”, shprehet Sadija.

I zhgënjyer ndihet edhe Hysni Peci, nga fshati Zhazh në veri të Mitrovicës. Edhe ai e ka braktisur shtëpinë e tij për shkaqe të sigurisë dhe tashmë jeton në jug të qytetit:

“Mitrovicasit nuk kanë arsye të festojnë, sepse në pjesën veriore… e shihni edhe vetë, është katastrofë. Nuk di si mund ta festojnë ata. Do të thotë, pjesa veriore është e mbyllur, njëjtë sikur në luftë që ka qenë. Po të hysh në ‘Lagjen e Boshnjakëve’, ata nuk dinë asgjë as për lirinë”.

Ndryshe, qyteti i Mitrovicës më herët ka qenë i njohur për ngjarje kulturore të shumta, me Minierën e Trepçës, e cila ka punësuar më shumë se 20 mijë njerëz.

Por, Mitrovica sot reflekton depresivitet. Të rinjtë e shohin perspektivën e tyre eventuale në kryeqytetin e Kosovës, ndërkaq, atyre që u jepet mundësia për të dalë jashtë vendit, e bëjnë këtë pa u hamendur.

Një numër i madh i shqiptarëve, boshnjakëve dhe turqve, të cilët kanë jetuar në anën veriore të Mitrovicës, janë detyruar që të kalojnë në anën jugore, por edhe në qytetet tjera të Kosovës.

Ndërkaq, një numër i madh i serbëve  nga vende të ndryshme të Kosovës, pas luftës janë vendosur në veriun e Mitrovicës.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë, sipas qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës, gjendja nuk ka ndryshuar me asgjë.

Një qytetar, me emrin Ibrahim, për çdo ditë shet fara në anën jugore të Mitrovicës. Ai thotë se pritjet e tij, pas shpalljes së pavarësisë kanë qenë të mëdha, por gjendja nuk ka ndryshuar fare, në aspektin e sigurisë e as në aspektin ekonomik dhe social.

“Unë i kam 44 vjet. Jo një ditë, por as një sekondë nuk kam qenë i punësuar, që ta kem ndonjë rrogë. I kam katër fëmijë, përmbi 20 vjeç dhe çfarë të presim? Në fakultet janë, por perspektivë nuk ka. Do të thotë të gjithë e mendojnë rrugën e migrimit. Ajo që është më e keqja”, thotë Ibrahimi.

Se jeta është e vështirë në Mitrovicë, këtë e pohojnë edh qytetarët serbë që jetojnë në veri të qytetit. Tanja Jakshiq thotë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumica e serbëve në veri, jetojnë në pasiguri:

“Ekziston ankthi për atë se çfarë do të ndodhë me ne dhe jetojmë çdo ditë me këtë ankth, sepse ne në veri nuk dëshirojmë që të jetojmë në Kosovën e pavarur. Në aspektin personal, ne nuk kemi probleme me fqinjët, por pjesa politike nuk na pëlqen. Pastaj, ka mjaft probleme edhe me papunësinë”.

Nexhat Ugljanin, me përkatësi boshnjake jeton në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës. Ai thotë se  nuk mund të festohet pavarësia e Kosovës aty ku nuk mbretëron rendi dhe ligji.

“Sa i përket festimit, boshnjakët nuk do të marrin pjesë aty, sepse nuk ka bazë për festimin e një pavarësie të tillë, jo të plotë. Këtu nuk e kemi ndjenjën e pavarësisë. Këtu ekziston ndjenja e frikës dhe e destabilizimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ekzistojnë vënie të mjeteve shpërthyese, të shtëna. Në një ambient të tillë jetojnë të gjitha bashkësitë në Mitrovicë, e sidomos në veriun e saj“, thekson Ugljanin.

Megjithatë, situata në Mitrovicë është shumë e rëndë sidomos për të rinjtë, të cilët të shumtën e kohës e kalojnë në kafene.

Azra, jeton në anën veriore të Mitrovicës, por punon në Prishtinë. Ajo çdo ditë e kalon urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila është e bllokuar me barrikada. Ajo thotë se i nënshtrohet rrezikut të mundshëm për çdo ditë që del nga shtëpia.

“Gjatë ditës, mund të thuhet se jetohet në mënyrë normale, por sapo të bjerë nata, sulmet janë më të shpeshta dhe frika është rritur te të gjithë qytetarët.  Në Mitrovicë nuk ka perspektivë, nuk ka kinema dhe nuk ka kurrë farë argëtimi për të rinjtë. Nuk ekziston diçka, që të rinjve do t’u ofronte ndonjë pamje të mirë për të ardhmen, përveç se ka frikë, me të cilën jetojmë vazhdimisht. Perspektivë tjetër nuk ka. Nuk k asgjë, në mënyrë absolute“, thekson Azra.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 18:45

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, gjatë fjalimit të tij vjetor ka konstatuar se situata në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka pasur përmirësime.

Megjithatë, ai ka shtuar se, ende ka probleme të shumta, sidomos në veri, i cili sipas tij, “është çelësi i zgjidhjes për të gjitha mospajtimet” gjatë dialogut Prishtinë-Beograd.

“Pas një 2011-te të vështirë gjatë së cilës ka pasur shumë incidente serioze, situata në vitin 2012 është përmirësuar duke i’u falënderuar përpjekjeve të vazhdueshme të KFOR-it në bashkëpunim me misionin evropian për sundim të ligjit, EULEX”, shkruan në deklaratën për aktivitetet e NATO-së, të cilët Rasmusen e ka prezantuar para gazetarëve në Bruksel, raporton REL.

Sekretari gjeneral, megjithatë, ka paralajmëruar se “korrupcioni, krimi i organizuar dhe mungesa e zhvillimit ekonomik, vazhdojnë të ndikojnë në situatën e sigurisë, posaqërisht në veri të Kosovës”.

Rasmusen gjatë deklaratës së tij ka thënë se NATO nuk planifikon të zvogëlojë numrin e pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë, që aktualisht është 6000.

Ndër të tjera, Rasmusen, ka konstatuar se është arritur përparim në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE dhe ka shtuar se “kjo është kruciale në zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovë”.

 
Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 12:49

Mitrovice – Forcat paqeruajtëse të NATO-s larguan sot një barrikadë në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Barrikada ishte ngritur nga banorët lokal serbë për të penguar vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për opinion, forcat paqeruajtëse thanë se “qëllimi i operacionit ishte të largojë pengesat ne rrugë për të përmirësuar lirinë e lëvizjes jo vetëm për KFOR-in por gjithashtu edhe për organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Operacioni i forcave të NATO-s për largimin e barrikadës kaloi pa incidente.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë se operacioni i sotëm ishte “demonstrim i hapur i forcës”. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin u tha mjeteve serbe të informimit se edhe KFOR-i edhe serbët në veriun e Kosovës duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, meqë dhuna sipas tij, u shkon për shtati vetëm atyre që nuk duan zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Forcat paqeruajtëse thanë se “misioni i tyre është të kontribuojë për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë këtë mision në mënyrë të vendosur, kujdesshëm dhe në mënyrë të paanshme në përputhshmëri të plotë me mandatin e tij”.

Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan të mërkurën në veriun e Mitrovicës kundër marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe fillimit të funksionalizimit të doganave në vendkalimet kufitare ndërmjet dy vendeve në veri.

Përfaqësuesit e tyre, thanë se nuk do të pranojnë asnjëherë të jetojnë në Kosovën e pavarur, ndërsa i cilësuan marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian si përpjekje për t’i detyruar me dhunë serbët e veriut të Kosovës që të integrohen në institucionet e Prishtinës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 15:06

Mitrovice – Vendosja e barrikadave nga ana e serbëve të enjten në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, në afërsi të Rudares, ka vështirësuar qarkullimin e banorëve të tri fshatrave shqiptare të Leposaviqit.

Për shkak të pengesave në rrugë ata të premten janë detyruar që të lëvizin përmes Zveqanit, dhe nëpër Lagjen e Boshnjakëve për të arritur në Mitrovicë.

Transportin e kanë falas, mirëpo rrugën nuk e kanë të sigurt. Kështu jetojnë banorët e fshatrave Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë të komunës së Leposaviqit prej përfundimit të luftës.

Qarkullimi i tyre është vështirësuar së tepërmi për shkak të vendosjes së barrikadave nëpër rrugë nga grupet serbe.

Përfaqësuesi i banorëve të Cerajës, Lulzim Hetemi, thotë se njëjtë ka ndodhur edhe sot pas vendosjes së barrikadës në Rudare.

“Deri para tre ditësh kemi udhëtuar nëpër magjistralen e Ibrit, ndërsa utobusi qarkullon tre herë në ditë. Dje në mëngjes i kemi parë barrikadat në udhëkryqin Zveqan-Rudare. Pas vënies së barrikadave në Rudare, jemi duke udhëtuar nëpër ‘Lagjen e boshnjakëve’, ka thënë Hetemi.

Sipas tij, banorët që udhëtojnë me këtë autobus janë të frikësuar, meqë duhet të lëvizin nëpërmjet rrugicave në vendbanimet serbe.

Ndryshe, banorët e këtyre fshatrave në thellësi të veriut të Kosovës ankohen edhe për mos mbështetje sa duhet nga institucionet kosovare.

Në radhë të parë përmendin nevojën për rregullimin e një rruge malore që i lidh me Mitrovicën e cila tashmë është bërë e pakalueshme. (K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 22 November 2012 15:35

Prishtinë – Derisa Beogradi dhe Prishtina janë duke bërë përgatitje të përshpejtuara për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve në tri vendkalime kufitare, Jarinje, Merdar dhe në Konçul, serbët e veriut të Kosovës janë shprehur të vendosur se do ta pengojnë zbatimin e marrëveshjes.

Për liderët serbë të veriut, zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për IBM-në, të cilën e kanë arritur kryeministrat Thaçi e Daçiq me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, nuk do të lejohet dhe do të pengohet me të gjitha mjetet.

Madje, ata nuk kanë përjashtuar as mundësinë e bllokimit të vendkalimeve kufitare dhe të barrikadimit të rrugëve, para 10 dhjetorit, kur pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes.

Kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë mbajtur një takim urgjent dhe janë pajtuar me një zë, që mos ta lejojnë zbatimin e marrëveshjes.

Atyre u është bashkangjitur edhe kryetari i të ashtuquajtur qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, i cili ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që të ketë kujdes me serbët e veriut të Kosovës.

“E kam përsëritur shumë herë dhe tani them, se Beogradi duhet ta dijë deri ku mund të shkojë me këto marrëveshje. Gjithashtu, qeveria serbe duhet t’i dijë vijat e kuqe, të cilat nuk mund t’i kalojë. Në plan është menaxhimi administrativ i kufirit, jo i vendkalimeve. Serbët e Kosovës nuk do të ndihmojnë krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, e pastaj edhe të Shqipërisë së madhe. Populli nuk ta pranoi dhe të lejojë zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese dhe jam i sigurt se populli do t’i kundërshtojë marrëveshjet”, ka thënë Nedelkoviq.(LajmeShqip.com)