Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 12:55

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka deklaruar sot se, nuk do të ketë më pasaporta 10-vjeçare, por vetëm 5-vjeçare.

Sipas tij, këto pasaporta të dhëna gjatë vitit 2009-2010 janë në kundërshtim të plotë me ligjin.

“Në periudhën 2009-2010, janë dhënë pasaporta me afat 10-vjeçar për fëmijët dhe kjo është në kundërshtim me ligjin, pasi pasaportat për fëmijët duhet të jenë 5-vjeçare. Janë mbi 156 mijë fëmijë që kanë pasaporta me afat 10-vjeçar”, – është shprehur Tahiri.

Gjithashtu, ministri ka folur edhe për propozimin për ndryshimet në ligjin për kontrollin e mjeteve lundruese.

Ministri i Brendshëm, Tahiri është shprehur se nuk është rinovuar moratoriumi i mjeteve lundruese. “Moratoriumi i mjeteve lundruese nuk jep zgjidhje”.

Sipas tij, mjetet lundruese duhet të regjistrohen të gjitha. “Dispozitat e pr/ligjit japin zgjidhje për sigurinë në det”, – tha ministri. 

Ndërsa kreu i komisionit të ligjeve Braho është shprehur se, ka ardhur koha që ligji për moratoriumin të ndryshojë.

“Moratoriumi ka qenë antiligjor. Për emergjencë duhen miratuar ndryshimet por shumë shpejt ligji duhet sjellë më i plotë sepse është i vjetër”- është shprehur Braho.

Ndërkohë, opozita është larguar nga komision me arsyetimin se do të jetë në një aktivitet tjetër dhe në mbledhje ka qëndruar vetëm Fatmir Mediu./shekulli/

 
Lajme Shqip Monday, 20 January 2014 15:28

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë prezantimit të analizës vjetore së Policisë së Shtetit, ka thënë se e ka gjetur këtë institucion në gjendje të mjerueshme. Tahiri u shpreh se policia ishte kthyer në militantë  dhe nga sekserë, të cilët bënë pazar me krimin. Ai tha se militantë që edhe publikisht guxonin ta quanin kryetarin e opozitës së djeshme Hitler( për Sali Berishën). 

“Kemi gjetur policinë e shtetit në gjendje më të keqe në historinë e vet. E gjetëm policisë e shtetit që drejtohej nga militantë që edhe publikisht guxonin ta quanin kryetarin e opozitës së djeshme Hitler dhe po publikisht të quanin për baba shpirtëror, suprem liderin e opozitës së sotme. Kuptohet se e drejtonin policinë me një sy nga vetja dhe një sy nga partia. Korrupsion gjerësisht i përhapur  nga ryshfeti në rrugë, te pazari me krimin për trafiqe droge dhe të tjerë deri aty sa partneritet me agjencitë ligjzbatuese për kapjen e të kërkuarve, që duhet të vuajnë dënimet në vendet e tjera u kishin vënë çmimin e pazarit, që duhet të paguhej ndërmjet sekserit dhe kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit dhe të kërkuarit vetë. Për të mos folur për paaftësinë e militantizmit që qeveria ka luajtur dhe që kishte ngjitur në drejtim të policisë, pa pyetur për asnjë standardi dhe merite apo rezultati në detyrë”, tha Tahiri.

Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Artan Didi është shprehur se zbulueshmëria e krimeve të rënda mbetet e ulët. “Specialistët e krimit janë mbyllur në zyra dhe e kanë harruar terrenin, duke lënë pas dore veprimtarinë operative, informative dhe gjurmuese duke e justifikuar me ngarkesë për dokumentacionin procedural të deleguar nga  Prokurori. Burime të pamjaftueshme informacioni që vjen si rezultat i mungesës së profesionalizmit, mungesës së besimit si dhe pune formale të specialistëve të njësisë kriminale në terren”, tha Didi.

Sipas Didit një nga problemet është implementimi i ligjit antimafia, sidomos në çështjen e konfiskimit të aseteve të sekuestruara. “Duhet të rritet numri i hetimeve pro aktive ndaj pasurive që rrjedhin nga aktivitetet kriminale jashtë Shqipërisë por që riinvestohen brenda vendit. Pasuritë e luajtshme të konfiskuara shkojnë afërsisht në vlerën e 571 mijë e 355 euro, përfshirë edhe rastet e konfiskuara të pasurive të paluajtshme të pavlerësuara. Pra siç duket edhe nga shifrat  numri i revokimeve nga gjykata është i lartë dhe ka dhënë një impakt negative në rënien e treguesve të konfiskimeve”, tha Didi, shkruan Shekulli.

Sipas Didit, vrasjet me dashje kanë shënuar një rënie gjatë këtij viti, por shtoi se duhet të rihetohen edhe rastet e vjetra. “Vrasjet me dashje kanë ruajtur një tendencë me pak luhatje dhe pak a shumë të njëjtë gjatë viteve të fundit duke pasqyruar një rënie prej 18 vrasje më pak se viti 2012. Gjithashtu janë evidentuar 107 raste të zbuluara. Një nga faktorët që ndikon drejtpërsëdrejti në uljen e kriminalitetit është rihetimi i krimeve të vjetra, të pazbuluara ku gjatë një viti është bërë zbulimi i 12 raste të vjetra. Në Shqipëri lidhur me motivet e krimit vazhdojnë të evidentohen motivet e gjakmarrjes, hakmarrje, motivet e pronësisë dhe motive të dobëta  si dhe janë shënuar 24 raste të krimit në familje”, tha Didi.

 
Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 19:10

Familjarët e 2 vëllezërve Melsi dhe Elvis Çollaku, të cilët u vranë pak ditë më parë në kufirin shqiptaro-grek, kundërshtojnë konkluzionet e ekspertëve se në trupat e pajetë të dy djemve nuk janë konstatuar shenja dhune. Me fotot e dy viktimave dhe me pankarta ne duar, ata protestuan sot, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës. Ata kërkojnë ekspertizë të thelluar mjeko-ligjore. Duke i konsideruar shpifje deklaratat e policisë greke, ata bëjnë bashkëfajtorë me ta edhe policinë shqiptare, që sipas tyre pranoi në heshtje versionin e vrasjes së dy vëllezërve. “Policia jonë s’kundërshtoi shpifjet e policisë greke. Tahiri është kriminel, ai hodhi baltë mbi të vdekurit”- shprehen familjarët, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, shkruan shekulli.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 8 dhjetor, ku dy vëllezërit Çollaku mbetën të vrarë në afërsi të liqenit të Prespës së vogël, pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke. Nga ngjarja mbeti i vrarë dhe një polic grek. Pak ditë më parë, dy nga familjarët e viktimave iu drejtuan Italisë për një ekspertizë më të specializuar mjeko-ligjore., me pretendimin se Policia e Korçës ka manipuluar dhe fshehur të vërtetën.  “Do marrim ekspertë të huaj për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia e Korçës e manipuloi dhe e fshehu të vërtetën e ngjarjes”, -kanë deklaruar familjarët e dy vëllezërve Çollaku, pak ditë më parë. Ata shprehen të bindur se Melsi dhe Elvis Çollaku janë torturuar nga policia greke, përpara se të qëlloheshin për vdekje. Familjarët e viktimave deklaruan gjithashtu se janë të gatshëm të bëjnë zhvarrosjen e trupave, me qëllim zbardhjen e së vërtetës. Gjithashtu, ata paralajmërojnë se nëse ngjarja nuk zbardhet, atëherë çështjen do ta çojnë deri në Gjykatën e Hagës.