Lajme Shqip Wednesday, 19 February 2014 13:58

Një tjetër minator është plagosur rëndë ditën e sotme, teksa punonte për të nxjerrë krom në minierën e Martaneshit. Mësohet se Mentor Kola ka qenë duke punuar brenda në minierë, teksa ka rrëshkitur një masiv shkëmbor, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë. Mjekët e spitalit të Burrelit thonë se minatori ka dëmtime të shkallës së rëndë në kokë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve, ku minatorët plagosen brenda në miniera. 

Edhe dje, në minierën e Bulqizës u plagos minatori Ismet Hoxha, i cili u transportua me helikopter drejt Tiranës, pasi gjendja e tij ishte kritike. Hoxha po punonte në galerinë 6-2 në zonën D, në kohën kur masivi i dheut e zuri poshtë, por fatmirësisht i shkaktoi vetëm plagë në kokë, dhe shpëtoi. Aktualisht edhe ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku bëhet me dije se minatori vazhdon të kurohet dhe është jashtë rrezikut për jetën./shekulli/