Lajme Shqip Thursday, 10 October 2013 16:39

HARDtalk është një nga emisionet politike më me ndikim në Angli, por edhe në Evropë. Ai transmetohet tash e sa vjet në BBC dhe në studiot e këtij emisioni kanë kaluar liderët më të fuqishëm botëror. Së fundi aty ishte edhe kryeministri Edi Rama që foli për Shqipërinë në vizionin e tij.

Për shumë vite asnjë lider politik nga Kosova nuk ishte aty. Por ishte një grua, ish- ministre dhe zv.kryeministre deri para disa ditësh. Mimoza Kusari-Lila ka qenë në HARDtalk në muajin prill të këtij viti.

Të intervistohesh në këtë emision konsiderohet mburrje për secilin politikan, sidomos për ata të vendeve të vogla, siç është Kosova. Këtë e bëri edhe kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila. Ajo sot në faqen e saj në Facebook, e postoi linkun e kësaj interviste, duke e shoqëruar me një mesazh ku thoshte se “Në intervistë të mirëfilltë, përgjigje të mirëfillta. Komuna e Gjakovës mundet më mirë dhe meriton më shumë”.

Por këtu mund të ngritet dyshimi, se si erdhi Kusari – Lila të bëhet mysafire e këtij emisioni të famshëm. Jo për ndonjë fakt tjetër, por duke e lidhur këtë me një kontratë të fundit që Ministria e saj ka nënshkruar me televizionin BBC.

Kusari-Lila, ndër vendimet e fundit që i ka marrë para se të braktiste Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka qenë ai për një kontratë me televizionet CNN dhe BBC, e cila buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojë hiq më pak se 700 mijë euro. CNN do t’i jepen 400 mijë euro, ndërsa BBC-së 300 mijë euro, për transmetimin e dy reklamave të cilat promovojnë Kosovën dhe ekonominë e saj, në kohëzgjatje, secila nga 30 sekonda.

Burime të reporteri.net, kishin bërë të ditur se në ditët e fundit në këtë ministri, ministrja Kusari-Lila, kishte kërkuar me ngulm nga stafi i saj që kjo kontratë të nënshkruhej sa më shpejtë, para se ajo të braktiste qeverinë e Kosovës, për t’iu përkushtuar fushatës për kryetare të Gjakovës.

Këtu tani mund të ngritet dyshimi dhe të bëhet pyetje, nëse Kusari-Lila, po këmbngulte t’i paguante BBC-së për intervistën e famshme që i kishin bërë. Dyshime për forma të tilla të “mburrjes” nëpër media të famshme botërore, duke i paguar ato në forma të projekteve me kompani lobuese dhe të tjera, janë ngritur shumë herë për liderët politik në Kosovë, e veçanërisht në Shqipëri.

Kjo është hera e tretë që Kosova ndanë shuma të mëdha parash për reklama nëpër mediume të fuqishme ndërkombëtare. E para ishte ajo me fushatën “Kosovo the Young Europeans”, e cila kushtoi hiq më pak se 6 milion euro, por që në fakt nuk solli ndonjë përfitim. Ndërsa kjo e fundit e lidhur mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe CNN’it dhe BBC’së ka kushtuar 700 mijë euro, transmeton reporteri.

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 13:27

Prishtinë – Ambientin e të bërit biznes po e pengon burokracia nga agjenci të ndryshme qeveritare. Pengesa paraqet niveli lokal, ndërsa investimet e huaja nuk i sjellin ligjet dhe rregulloret, por një përvojë e mirë e tyre, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

“ Burokraci ka në Kosovë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Kushdo që thotë se nuk ka, nuk është e vërtetë. Për shkak se ka raste që ne, edhe në agjenci të ndryshme që i raportojnë Kuvendit, duhet të intervenojmë për përshpejtim të procedurave. Ka raste kur ato bllokohen, për interesa personale apo qëllime tjera që janë të sanksionuara me ligj. Por, që pavarësisht insistimit tonë, që të përshpejtohet procedura ose të shkojë në procedurë të rregullt, ka kokëfortësi apo rezistencë nga institucione të caktuara. Megjithatë, nuk duhet të anashkalohen përpjekjet dhe suksesi në shkurtimin e numrit të madh të burokracive të procedurave. Janë bërë përmirësime në regjistrimin e biznesit, janë bërë reduktime në dokumente sa i përket importit dhe eksportit të mallrave. Ndërsa, tani në këtë javë, presim në qeveri që të kalojë ligji ombrellë për leje dhe licenca, ligj ky që do të shkurtojë mbi 40 për qind të lejeve dhe licencave aktuale në Kosovë, në mënyrë që këto burokraci që po flasim, këto procedura të jenë më të pakta dhe më të shkurta. Ky është një hap i drejtpërdrejtë dhe konkret në luftimin e korrupsionit dhe dukurive, të cilat e dëmtojnë ambientin e biznesit”, ka thënë veç tjerash, ministrja Kusari-Lila.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 19 May 2013 20:10

Gazeta Jeta në Kosovë në Prishtinë raportoi se zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës ka krijuar një Shoqëri të përbashkët që merret me telekomunikime me njerëz që kanë rënë ndesh me ligjin.

“W-Intramedia” Sh.P.K u themelua në Kosovë në vitin 2005.

Por, përveq Pacollit aksionerë në kompani është edhe Leme Xhema ish-drejtoresha e Postë-Telekomit të Kosovës e dënuar për korrupsion me tri vite burgim e cila gjendet në arrati dhe kërkohet nga “Interpol”.

Një tjetër aksionerë është edhe biznesmeni që u bë i njohur prej rastit të vdekjës së këngëtarës  Elsina Hidersha të njohur si Emmy.

Aziz Kelmendi është dënuar nga Gjykata e Faktit në Tiranë me dy vite burg me kusht për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” . Biznesmeni kosovarë do të vuaj burgun nëse gjatë dy viteve kryen vepër penale.