Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 18:24

Administratori i Milanit, Adriano Galiani, ka treguar se si do të jetë muaji janar për kuqezinjtë përsa i përket merkatos së futbollistëve. Ai ka saktësuar se kampionët e Italisë do të mendojnë vetëm për blerjen e Karlos Tevez dhe kanë braktisur çdo pistë për sulmues të tjerë.

“Po presim vetëm Tevez, kemi braktisur çdo pistë tjetër për sulmuesit, përfshirë Maksi Lopez. Meqë jemi vënë në ndjekje të lojtarit të Mançester Sitit, nuk do të ishte e drejtë ndaj Katanias dhe lojtarit që t’i linim në pritje deri në fundin e janarit pa sigurinë se marrëveshja do të kryhet. E theksoj se vetë Tevez shprehet se dëshiron vetëm Milanin”, tregoi Galiani për “Milan Channel”.

Ai më pas ka sqaruar se të gjitha zërat për largimin e Patos janë të pavërteta dhe se kuqezinjtë nuk po diskutojnë largimin e tij drejt PSZH.

“Nuk kam folur as me Leonardon e as me Paton. Nuk ka asnjë bisedim rreth shitjes së sulmuesit. Nuk e hedh poshtë mundësinë që Pato t’i pëlqejë Ançelotit, por ai është dhe do të jetë një sulmues i Milanit”, deklaroi Galiani. (LajmeShqip.com)