Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 10:49

Zlatan Ibrahimoviç nuk mëson kurrë! Vetëm 3 ditë pas Milan-Napoli dhe pezullimit që erdhi për shpullën ndaj Aronikas, sulmues suedez përsërit të njëjtën skenë. Këtë radhë, viktima ishte portieri i Juventusit, Storari, ndërsa gjesti ka ndodhur pas përfundimit të takimit mes dy skuadrave, të vlefshëm për Kupën e Italisë. 

Ibra këtë radhë ka goditur në mjekër Storarin, duke bërë që të nxehen gjakrat në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjeve, pasi shpërtheu një zënkë që përfshiu thuajse të dy ekipet. Më i nervozuar nga të tërë ka qenë Xhorxho Kielini, i cili është zënë me Bonerën dhe me zv. trajnerin e Milanit, Mauro Tasoti.

“Nuk ka vrarë asnjeri dhe nuk ka lënë sy të nxirë, por gjesti i Ibrahimoviç është as më shumë e as më pak i njëjtë si ai i të dielës ndaj mendoj se duhet dokumentuar si i tillë. Në tunel nuk ndodhi asgjë, thjesht po protestoja për këtë ngjarje dhe secili mundohet të mbrojë skuadrën e vet”, ishin fjalët e Kielinit para largimit nga stadiumi.

Tani pritet të mësohet nëse Federata Italiane do të marrë përsëri masa ndaj sulmuesit suedez i cili është i pezulluar me tre ndeshje në kampionatin italian dhe pak ditë më parë kishte pranuar se kishte gabuar. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 23:25

Juventus ka hedhur një hap të sigurt drejt finales së Kupës së Italisë duke fituar 2-1 në shtëpinë e Milanit, rivalit të tij kryesor edhe në garën për titullin kampion. Në një ndeshje të ekuilibruar, juventinët janë shfaqur në fushë me shumë ndryshime në formacion ku binte në sy aktivizimi si titullarë të tre blerjeve të janarit: Borrielo, Padoin dhe Kaceres. Pikërisht ky i fundit është “njeriu i ndeshjes” për bardhezinjtë pasi arrin që të bëhet vendimtar që në takimin e parë. Në minutën e 52-të, pas një aksioni që kalon në këmbët e treshes “debutuese” te Juventus, Kaceres gjen golin e avantazhit. Ndonëse Ibrahimoviç është në fushë si titullar, goli i barazimit të përkohshëm të Milanit vjen nga këmbët e El Sharauit, i cili shfrytëzon më së miri një pasim të Ambrozinit. Por shpresat e Milanit nuk zgjasin shumë, pasi në minutën e 82-të, është përsëri Kaceres që bëhet protagonist me një gjuajtje të zgjuar nga jashtë zonës duke gjetur të papërgatitur Amelian për të shënuar golin e fitores për Juventus. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 19:32

Përballja Milan-Juventus për Kupën e Italisë do të jetë më e ndezur se zakonisht edhe për shkak të ngjarjeve të fundit dhe të rivalitetit në kampionat mes dy skuadrave. Për këtë arsye, trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, u është kthyer polemikave rreth pezullimit të Ibrahimoviç.

“Episode të tilla ndodhin po nuk dënohen gjithmonë. Të dielën Zlatan ka paguar për të gjithë, por tani do të presim apelin. Me këtë ndalesë do të me detyrojë të praktikoj rotacionin” u shpreh ai me ironi.

Më pas, kishte kohë edhe për akuzat që Juventusi i bëri gjyqtarëve pas penalltisë së mohuar ndaj Sienës. “Flitet shumë që duhen ndihmuar gjyqtarët por me rastin e parë që shfaqet, ngrihet menjëherë një re polemikash. Unë dhe Milani kemi një stil tjetër veprimi”.

Por tekniku i kuqezinjve ka folur edhe për ndeshjen në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Duhet të bëjmë maksimumin për të siguruar finalen. Psikologjikisht mund të jetë shumë e rëndësishme edhe në luftën për titull. Nuk jemi në krizë dhe duam të luftojmë për të fituar Kupën e Italisë”, deklaroi tekniku i kampionëve në fuqi. (LajmeShqip.com)