12
 
Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 10:40

Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, ka pranuar se Barcelona ishte superiore ndaj skuadrës së tij, por gjithashtu se fati nuk kishte qenë me kuqezinjtë që u larguan kokulur nga “Kamp Nou” pas disfatës 4-0.

“Jemi eliminuar për çështje centimetrash. Kualifikimin e humbëm në shtyllën e goditur në Niang, na mjaftonte shumë pak për të kaluar”, ishte komenti i tij i parë rreth kësaj ndeshje.

“Barcelona ka shumë merita në këtë sukses ashtu siç kemi bërë shumë gabime vetë ne. I kemi dhuruar shumë herë topin pranë zonës, në situata të tilla kanë lindur 3 nga 4 golat e tyre dhe këto janë gabimet e vërteta që na ndëshkuan. Pastaj dihet që Mesi është djallëzor rreth zonës së rreptësisë dhe një gjë të tillë e provoi përsëri në këtë ndeshje”, shpjegoi ai.

“Barcelona ishte stratosferike, zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, unë për vete nuk mund t’u them asgjë lojtarëve të mi. Edhe kur ishte rezultati 3-0 dhe kishim rënë shpirtërisht, arritëm të vinim kundërshtarin ë vështirësi. Të vjen keq të humbësh 4-0 por ju kujtoj që në këtë skuadër ishin 5 debutues dhe asnjë prej nesh nuk kishte krijuar iluzione të mëdha pas fitores 2-0 në sfidën e parë”, deklaroi trajneri i Milanit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 23:06

Barcelona ka mbajtur premtimin që u kishte bërë tifozëve për një përmbysje historike, duke mundur 4-0 Milanin dhe duke kaluar në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Katalanasit kanë dominuar ndaj skuadrës italiane që ka menduar më shumë të mbrojë rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë, por është ndëshkuar në mënyrë të pamëshirshme për çdo gabim të vogël që ka bërë.  

Pa filluar mirë ndeshja, që në minutën e 5-të është Mesi që ndez entuziazmin e vendasve me golin e tij pas kombinimit me Iniestan. Milani kthehet në mbrojtje dhe thuajse nuk arrin të dalë nga zona e vet falë një presingu të jashtëzakonshëm të katalanasve. Italianët humbin mundësinë e artë për të siguruar kualifikimin në minutën e 39-të dhe ndëshkohen përsëri nga Mesi. Niang përfiton nga një gabim i Maskerano dhe shfaqet para Valdes, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla. Topi kalon në anën tjetër të fushës, kur përsëri një kombinim Iniesta-Mesi sjell golin e radhës të argjentinasit, i 58-ti në Ligën e Kampioneve, duke u bërë golashënuesi më i mirë i këtij aktiviteti.

Tani kualifikimi është plotësisht i hapur për të dy skuadrat, por Barcelona ka avantazhin e euforisë dhe përfiton më së miri nga gabimi i radhës i prapavijës kuqezi në minutën e 9-të të pjesës së dytë kur Vija dërgon topin në rrjetë për të çuar në tre numrin e golave.

Reagimi i kuqezinjve është shumë i dobët dhe katalanasit arrijnë të administrojnë këtë rezultat falë lojës së tyre tipike me mbajtjen e gjatë të topit, ndërsa mbyllin gjithçka në minutat shtesë, kur Zhordi Alba firmos golin e 4-0 që çon Barcelonën përfundimisht në çerekfinale.

Katalanasit duket se kanë rifituar gjendjen e duhur shpirtërore për të mbyllur përsëri mirë sezonin, ndërsa Milani largohet kokulur nga “Kamp Nou”, duke dhënë thuajse asgjë nga ajo që kishte shfaqur në ndeshjen e parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 March 2013 21:13

Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, nuk fsheh faktin se kuqezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht të shënojnë një gol në takimin e nesërm në “Kamp Nou” për të siguruar më mirë kualifikimin ndaj Barcelonës. Tekniku i kuqezinjve, në intervistën e fundit para ndeshjes, ka bërë të qartë se është e kotë të flitet për të administruar rezultatin 2-0 të sfidës së parë, pasi kundërshtari është i një niveli të tillë që mund të mos e ketë problem të shënojë 2 gola.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe mendoj se do të duhet një paraqitje më e mirë se ajo e takimit të parë. Do të jetë e rëndësishme të luajmë kualifikimin në çerekfinale, por po aq e rëndësishme për ne është të kualifikohemi drejtpërdrejt në turneun e vitit të ardhshëm. Por do t’i mendojmë ndeshjet me radhë. Nesër do të jetë një ndeshje e bukur, do të na duhet edhe pak fat për të kaluar, do të duhet edhe një ndeshje  madhe nga lojtarët tanë, për të cilët jam i bindur se mund të realizojnë një ndeshje më të mirë se ajo e para”.

“Nuk mund të mendojmë se mund të administrojmë rezultatin 2-0, nuk ka sens një gjë e tillë, duhet të hyjmë në fushë dhe të mundohemi të bëjmë mirë si mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Kemi në dispozicion 2 rezultate në 3 të mundshme, ndaj e rëndësishme është edhe të mos humbim”, shpjegoi trajneri i Milanit.

“Mesi? Ai mund të na shënojë dy gola por nëse shënojmë ne, kualifikohemi ne. Por Barcelona nuk është vetëm Mesi. Penalltitë? I provojmë gjithmonë para ndeshjeve të tilla”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 March 2013 10:00

Zherard Pike, mbrojtësi i Barcelonës, në një intervistë të dhënë për një revistë kineze, “Titan Sports” ka konfirmuar se katalanasit besojnë plotësisht te një përmbysje historike ndaj Milanit në Ligën e Kampioneve.

“Milani është një skuadër konkurruese dhe me një histori të madhe, e dimë që do të jetë një përballje e vështirë. Do të shkojmë në “Kamp Nou” me dy gola disavantazh ndaj duhet të përmbysim gjithçka. Do të sulmojmë deri në fund të ndeshjes, duke mbajtur gjithmonë stilin tonë të lojës, pasi shpresojmë që të fitojmë 3-0”, shpjegoi ai.

Sipas Pike, e gjitha skuadra dëshiron me çdo kush ta fitojë këtë sfidë dhe të bëjë një dedikim mjaft të veçantë të një suksesi të mundshëm.

“Ia ndjejmë mungesën trajnerit Vilanova. Por kemi besim te ai dhe e presim. Jemi në një moment të vështirë pa një trajner, është si të xhirosh një film pa regjisor. Por do ta kalojmë këtë periudhë pasi edhe Tito po na ndihmon që nga Nju Jorku. Gjëja kryesore është shëndeti, nuk duam që ta vendosim atë nën trysni, do e presim derisa të riaftësohet plotësisht”, ishin fjalët e mbrojtësit katalanas. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 10:27

Sandro Rosell, presidenti i Barcelonës ka kritikuar ashpër “ndjenjën e disfatës” që përjetohet sa herë që katalanasit humbin një ndeshje. Në një konferencë për shtyp të organizuar dje, ai ka dashur të sigurojë tifozët se disfatat e fundit nuk ndryshojnë mendimin dhe mënyrën e lojës të kësaj skuadre.

“Ekziston një ndjenjë disfate në këtë klub kur humbet. Do të mundohemi të mposhtim Milanin, por nëse nuk ia arrijmë, nuk do të jetë fundi i botës”, deklaroi presidenti i katalanasve.

“Nuk e ndjej në fjalët e lojtarëve, por historikisht ka qenë gjithmonë kështu. Por shpresoj që të bëhemi më të pjekur me kalimin e viteve. Lojtarët tanë kanë 4 vite që paraqiten në një nivel shumë të lartë dhe po vuajnë për gjëra të cilat ndikojnë te njerëzit. Prioriteti ynë absolut në këtë kampionat, më shumë se titujt, është rikuperimi i Tito Vilanovas. Kjo është gjëja më e rëndësishme, pjesa tjetër kalon në plan të dytë, edhe nëse na kushton trofe”, ishte deklaratat e presidentit katalanas, i cili me sa duket është përgatitur për eventualitetin se skuadra nuk do të luftojë për gjë tjetër përveç titullit kampion në muajt e mbetur nga ky sezon.

“Dua t’u transmetoj njerëzve qetësinë. Nuk ka ardhur fundi i botës, edhe pse duket kështu. Mua më është dukur pak e ekzagjeruar mënyra se si është reaguar pas këtyre humbjeve. Duhet ta keni të qartë të gjithë se nëse një ditë do të mundesh, do të ndodhë kundër skuadrave si Real Madrid apo Milani”, deklaroi ai në këtë konferencë për shtyp të organizuar pas kthimit nga Nju Jork ku është takuar me Tito Vilanovën për të diskutuar për planet e sezonit të ardhshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 17:46

Andres Iniesta u ka premtuar tifozëve të Barcelonës një kthesë të menjëhershme në situatën e vështirë që po kalojnë katalanasit, një ditë pas humbjes së rëndë në Kupën e Mbretit ndaj Real Madrid. Por të bërë sa më bindës premtimin e tij, Iniesta nuk ka ngurruar të shprehë sigurinë se Barcelona do të kualifikohet në turin tjetër të Ligës së Kampioneve, edhe pse është mundur 2-0 nga Milani në ndeshjen e parë.

“Jam gati të vë dorën në zjarr, me Milanin kalojmë ne”, ishte batuta e lojtarit katalanas. “Ky është një moment në të cilin gjërat nuk funksionojnë as në mbrojtje e as në sulm. E dimë të gjithë se ndeshja e kthimit me Milanin do të jetë një pikë kyç e sezonit por, me 12 mars do të jemi gati”, u shpreh ai.

“Në Kupën e Mbretit, ekipi shkoi deri aty ku meritonte të shkonte, pasi Reali është finalist me meritë. Të parëve që na dhemb ta pranojmë një gjë të tillë jemi ne. Të shtunën ka një ndeshje tjetër, por mendja mbetet te takimi me Milanin”, pranoi ai, duke theksuar gjithashtu se situata e veçantë që po kalonte Barcelona mund të ishte edhe rrjedhojë e rrethanave të krijuara.

“Kur humben dy ndeshje të rëndësishme, është normale që të lindin dyshime. Por të mos harrojmë që jemi gjerësisht në avantazh në kampionat dhe Liga e Kampioneve mbetet e hapur. Nuk e fsheh që ndoshta na ka penalizuar fakti që po stërvitemi në distancë nga Vilanova. Por shëndeti ka rëndësi mbi të gjitha”, deklaroi mesfushori spanjoll. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 11:30

Mario Baloteli dhe Robinjo kanë qenë protagonistë në fitoren e Milanit kundër Barcelonës, edhe pse kanë ndjekur takimin nga tribuna e “San Siros”. Sulmuesi italian nuk mund të aktivizohej në Ligën e Kampioneve pasi kishte luajtur me Mançester Sitin, ndërsa Robinjo ishte i dëmtuar dhe nuk mund të luante në këtë sfidë. 

Por kjo nuk i ka penguar ata të veprojnë si ultras të vërtetë në tribunën VIP të stadiumit italian, duke festuar si të çmendur suksesin e skuadrës së tyre ndaj Barcelonës.

Kamerat televizive kanë fiksuar momentin pas golit të dytë të shënuar nga Muntari, kur Baloteli, Robinjo dhe miqtë e tyre po festonin si të çmendur këtë sukses, ndërsa e dashura e sulmuesit italian, Fani Nguesha, bënte sikur nuk i njihte “të çmendurit” që po kërcenin pas krahëve të saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 10:20

Humbja 2-0 ndaj Milanit ka lënë shenjë në radhët e Barcelonës, me futbollistët e kësaj skuadre që kanë pranuar se kjo ishte një nga ndeshjet më të dobëta që kanë zhvilluar në vitet e fundit. Mesfushori Andres Iniesta konfirmoi mendimin e përgjithshëm se kjo Barcelonë e shfaqur në “San Siro”, kishte shumë pak lidhje me atë skuadër që cilësohet si një nga më të fortat në historinë e futbollit botëror.

“Ky ishte një rezultat negativ. Gjëra të tilla mund të ndodhin kur nuk paraqitesh në ndeshje”, ishte komenti i mesfushorit, që la të kuptohet se skuadra kishte luajtur shumë poshtë pritshmërisë.

Edhe qendërmbrojtësi Zherard Pikë ka bërë autokritikë para kamerave, duke theksuar se ndoshta kjo humbje ishte pasojë e një mendjemadhësie të katalanasve.

“Prekja me dorë të goli i parë? Gjyqtarët mund të gabojnë por shpesh nuk ka justifikime. Ky është një rezultat shumë i keq. Duhet të përmirësohemi në “Kamp Nou” nëse duam të kalojmë turin. Dihej që “San Siro” është një fushë mjaft e komplikuar, pasi e dinim që Milani është një klub i madh. Për ne nuk ka justifikime”, tha ai duke hedhur poshtë pretendimet se katalanasit kishin pasur kundër gjyqtarin.

“Vinim në këtë ndeshje si favoritë dhe u duk qartë që ndoshta nuk jemi aq të mirë sa mendohet dhe nëse nuk japim maksimumin, nuk kualifikohemi”, ishte autokritika e Pike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 09:10

Fitorja 2-0 e Milanit ndaj Barcelonës ka lumturuar Masimiliano Alegrin, trajnerin e kuqezinjve, i cili mendon se ky sukses është mëse i merituar.

“Fitorja është e merituar dhe është e të gjithëve. Kemi bërë një ndeshje të mirë në aspektin mbrojtës, duke fituar shumë herë topin, ishim të aftë të ngushtonim rrezen e veprimit të Mesit dhe të mos humbnim durimin përballë lojës së tyre me mbajtjen e gjatë të topit. Duhej të kishim shënuar golin e tretë dhe ky rezultat nuk është i mjaftueshëm për të kaluar turin, ndaj në Barcelonë duhet të shkojmë me të njëjtin përqendrim”.

“Në pjesën e parë kishim në favor situata të ndryshme, por gabuam pasimin e fundit, ishim shumë më mirë në pjesën e dytë. Jam i lumtur, ishte një mbrëmje e shkëlqyer sepse Barcelona nuk gjuajti asnjëherë në portë. Tani kemi tre ditë pushim për të karikuar bateritë për derbin, një tjetër ndeshje e vështirë”, tha Alegri pas ndeshjes.

Vlerësimet për trajnerin kanë ardhur edhe nga administratori i klubit, Adriano Galiani.

“U paraqitëm shumë mirë dhe dua të them se trajneri ynë ishte shumë i aftë. Ishim në gjendje që t’i ndalonim Barcelonës mundësinë që të hynte në zonë. Këtë herë kemi bërë ndeshjen perfekte”, tha Galiani. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 February 2013 22:56

Milani ka zhvilluar ndeshjen perfekte kundër Barcelonës, duke marrë një fitore 2-0 ndaj skuadrës që nga të gjithë cilësohet si favorite për të fituar trofeun. Ekipi italian është treguar mjaft cinik, duke shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara, ndërsa ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt një kualifikimi të bujshëm. 

Ashtu siç pritej, gjatë gjithë ndeshjes ka qenë Barcelona që ka kontrolluar topin, por pa u shfaqur asnjëherë e rrezikshme në zonën e Abiatit, pasi Alegri kishte ndërtuar një gardh të mirëfilltë para zonës së rreptësisë për të mos lejuar depërtimet e katalanasve. “Kafazi” i kërkuar nga Berluskoni funksionon aq mirë sa Barcelona nuk bën asnjë gjuajtje në kuadrat në pjesën e parë, ndërsa Milani i afrohet dy herë golit me El Sharauin e Boateng, gjithmonë të rrezikshëm sa herë nisej një kundërsulm.

Në pjesën e dytë pritet një sulm i vrullshëm i Barcelonës, por katalanasit vazhdojnë me të njëjtin ritëm, ndoshta edhe të kënaqur me mënyrën se si po shkonte ndeshja. Por minuta e 57-të rezulton vendimtare për fatin e këtij takimi. Pas zhvillimit të një goditje dënimi, gjuajtja e Montolivo devijohet nga Zapata me dorë dhe përfundon te Boateng, i cili gjuan fluturimthi dhe mposht Valdes. Pavarësisht protestave të katalanasve, gjyqtari bën shenjë se goli është i rregullt, duke ndezur entuziazmin në “San Siro”.

Avantazhi ndihmon edhe më shumë Milanin, që tashmë është më i qetë dhe fillon të tregojë një presing mbytës ndaj lojës së Barcelonës. Katalanasit mundohen në të gjitha mënyrat të rrezikojnë, por gjuajtja e tyre e parë drejt kuadratit vjen vetëm në minutën e 76-të të ndeshjes.

Për më tepër, vetëm 5 minuta më vonë, ata pësojnë edhe golin e dytë. Këtë radhë është një kundërsulm i shpejtë i Milanit ku Niang kombinon me El Sharauin dhe ky kalon topin të Muntari që gjuan fluturimthi dhe mposht përsëri Valdez, duke shënuar golin e dytë që vulos rezultatin e kësaj ndeshje.

Kjo fitore vë Milanin në pozita shumë komode në ndeshjen e kthimit në “Kamp Nou”, sidomos nëse katalanasit do të vazhdojnë me të njëjtin stil loje, i cili në mbrëmjen e sotme ishte zbërthyer plotësisht nga ekipi italian. (LajmeShqip.com)

12