Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 16:30

Duket se Barcelonës nuk i ka pëlqyer shumë barazimi pa gola në “San Siro” përballë Milanit, ndonëse për pjesën tjetër të skuadrave evropiane ky do të ishe një rezultat mëse i kënaqshëm, meqë bëhet fjalë për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

Katalanasit kanë gjetur “armiqtë” kryesorë për këtë rezultat: fushën e keqe të stadiumit “San Siro” dhe gjykimin e suedezit Erikson, i cili sipas tyre nuk u ka dhënë dy penallti të pastra.

Ashtu si Arsen Venger para tij, edhe Pep Guardiola ka përmendur fushën e stadiumit gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes. “Milan duhet të marrë masa për këtë fushë. Ne luajmë kudo që të na thuhet se duhet të luajmë, po nuk besoj se Inter dhe Milan e meritojnë një terren në kushte të tilla. Ky terren është i keq për spektaklin dhe shpesh është shumë i rrezikshëm për lojtarët që rrëshqasin”, ishin fjalët e tij.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe Lionel Mesi. “Loja jonë u vështirësua nga kushtet e terrenit të lojës”, ishte komenti i tij në faqen zyrtare të klubit.

Ndërkohë, çështja e gjykimit ka qenë krejtësisht temë tjetër, ku Viktor Valdes, Ksavi e Pujol kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e drejtimit të kësaj ndeshje.

“E kam parë edhe në përsëritje, gjyqtari nuk desh ta jepte penallti”, ishte komenti i Pujol i cili pretendonte për një tërheqje nga fanella në zonën e Milanit. Edhe Viktor Valdes është i mendimit se gjyqtari ndikoi në rezultatin përfndimtar. “Mund të ndryshonin shumë gjëra, ishin shumë raste të tilla”, tha ai.

Ndërsa Ksavi mendon se rasti i Sançez, i ndalur nga Abiati, ishte ai më i pabesueshmi. “Ai i Sançez ishte një penallti e jashtëzakonshme”, tregoi mesfushori i Barcelonës.

Vetë Guardiola ka preferuar të anashkalojë këtë çështje. “Dy penallti për ne? Nëse gjyqtar nuk i ka dhënë do të thotë se nuk i ka parë si të tilla”, ishte komenti i tij.  (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 08:40

Barazimi 0-0 përballë Barcelonës ka sjellë optimizëm në radhët e Milanit, ku të gjithë te kjo skuadër mendojnë se kuqezinjtë mund të kalojë turin përballë gjigandëve katalanas.

“Kemi bërë një ndeshje të rëndësishme, duke vuajtur më shumë në pjesën e parë se në atë të dytë. Ky rezultat na lejon të shkojmë në Barcelonë me besim në vetvete pasi kemi në favor dy rezultate nga 3 të mundshme”, u shpreh trajneri Alegri pas përfundimit të takimit.

Optimizmi vjen edhe nga Zlatan Ibrahimoviç, i cili ka humbur një mundësi të artë për të shënuar ndaj ish-skuadrës së tij në minutat e para të sfidës. “Është një rezultat i mirë por tani të shohim se çfarë do të ndodhë në Barcelonë. Kemi patur disa raste në pjesën e parë po nuk arritëm t’i shfrytëzonim, do të shkojmë në “Kamp Nou” për të bërë lojën tonë. Unë jam optimist”, deklaroi sulmuesi.

Edhe Klarens Sedorf i bashkohet atyre që e mendojnë rezultatin 0-0 si pozitiv me objektiv kualifikimin. “Skuadra ka bërë një ndeshje të mirë dhe rezultatin e cilësoj pozitiv. Në “Kamp Nou” do të na mjaftojë një gol dhe atje do të kemi më shumë lojtarë në dispozicion. Nëse luajmë mirë, kemi disa mundësi për të kaluar turin. Barcelona është skuadra më e fortë në botë, por ciklet fituese përfundojnë për të gjithë dhe ne tani jemi në formë”, deklaroi mesfushori holandez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 22:07

Milan-Barcelona, sfida e parashikuar si një festival golash nga prania në fushë e Zlatan Ibrahimoviç dhe Lionel Mesi, ka zhgënjyer duke përfunduar 0-0. Pavarësisht një dueli të ndezur mes dy skuadrave, loja është zhvilluar më shumë në mesfushë, nga frika për të mos pësuar e ekipeve që janë mbrojtur më shumë se sa kanë sulmuar.

Ndeshja në fillim dukej sikur do të dhuronte shumë emocione, sidomos kur pas vetëm 2 minutash është Robinjo që shfaqet i vetëm para portës katalanase por gjuajtja e tij përfundon shumë lart mbi traversë.

Përgjigja e Barcelonës vjen me Mesin, por gjuajtja e tij grushtohet nga Abiati, e më pas është Antonini që nuk lejon Dani Alvesh të tentojë portën. Një rast tjetër për t’u shënuar është ai i minutës së 19-të, kur Ibrahimoviç ka mundësi të gjuajë në portën e ish-skuadrës së tij por tentativa është shumë e lehtë dhe suedezi sheh Valdez të kontrollojë me qetësi.

Ndeshja kalon më pas krejtësisht në kontrollin e Barcelonës që qarkullon topin duke u munduar që të gjejë ndonjë të çarë në mbrojtjen kuqezi por pa sukses, për shkak të një rreshtimi të vendasve ku edhe Sedorf luan para mbrojtjes.

Edhe pjesa e dytë është njëlloj si e para, me shumë pak momente për t’u mbajtur mend. Emocionet para portës mungojnë dhe zëvendësohen nga lufta sportive, ku nuk mungojnë faullet në mesfushë për të ulur ritmin nga të dy ekipet. Shkëndijat e fundit i japin Mesi dhe Tejo ku i pari gjen përsëri gati grushtimin e Abiatit, ndërsa i dyti ndalet nga ndërhyrja vendimtare e Antoninit.

Përfundon 0-0 dhe duket se gjithçka do të vendoset në “Kamp Nou”, aty ku këtë radhë Barcelona është e detyruar të sulmojë për të fituar dhe ku të gjithë presin “festivalin e golave” të premtuar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 15:13

Kristian Abiati, portieri i Milanit, ka pranuar me sinqeritet se Mesi është një futbollist të cilit duhet t’i frikësohesh në çdo moment. Një natë para sfidës me Barcelonën për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, gardiani i kuqezinjve ka treguar se është e kotë të studiosh lojën e paparashikueshme të gjeniut argjentinas.

“Si mund ta ndal? Nuk është se më jepet mundësia t’i qëlloj… E di shumë mirë që është më i miri në botë, por Barcelona nuk është vetëm Mesi. Nuk është sfidë mes meje dhe atij. Atë mund ta studiosh vetëm në goditje dënimi dhe penallti, pjesa tjetër është e pamundur pasi një lojtar i tillë është i paparashikueshëm. Topin e Artë padyshim që e fiton ai, të tjerët janë mbrapa, përfshirë Ibrahimoviç”, ishte pohimi i portierit të Milan.

Por ai mendon se kuqezinjtë ka shanset e tyre në këtë sfidë të veçantë që ka vlerën e një finaleje të parakohshme. “Barcelona është një skuadër që krijon 20 raste në ndeshje, ndaj ne duhet të jemi të zotë të shfrytëzojmë tonat. Si mund ta fitojmë ndeshjen? Duke i sulmuar. Presim të gjithë që Ibra të bëjë diferencën në këtë ndeshje. Në takimet në grup kemi zhvilluar lojë të mirë, dhe pse vuajtëm në fushën e tyre. Por të dy skuadrat nisen me 50% mundësi kualifikimi. Mos e harroni që ne jemi Milani…”, ishte komenti i Abiatit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 09:15

Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetë vendimtar për Milanin dhe dy golat e tij kundër Romës i dhanë suksesin kryesuesve të kampionatit italian, duke i dhënë mundësinë të shkëputen me tej nga Juventus.

Suedezi ishte në dyshim deri në minutat e fundit para ndeshjes për shkak të një dëmtimi të marrë përballë Juventus në Kupën e Italisë ku luajti vetëm një pjesë loje dhe pastaj u detyrua të zëvendësohej.

“Ka disa ditë që ndjej dhimbje në shpinë por adrenalina në fushë e bën që të harrohet. Fatmirësisht shkoi gjithçka si duhej. Mendoj se ky është sezoni më i mirë në karrierën time dhe se forma që kam patur në kampionat ka qenë thuajse perfekte. Ndjehem mirë fizikisht dhe mendërisht, ndaj kam luajtur pjesën më të madhe të ndeshjeve deri tani. Ka mbetur edhe një muaj dhe lodhja është normale në këtë pikë, por un për vete ndjehem mirë”, tha ai pas takimit.

Një nga problemet kryesore të Milanit në këtë sezon kanë qenë dëmtimet, ku listës së gjatë i është shtuar edhe Tiago Silva që do të mungojë për ndeshjen e mesjavës ndaj Barcelonës.

“Pa shokët e skuadrës asgjë nuk do të ishte mundur. Më vjen keq për Tiago Silvën, të shpresojmë që situata të jetë më e mirë sesa duket. Gjithë këto dëmtime nuk janë të mira, ka mbetur vetëm një muaj dhe na duhen të gjithë në fushë”.

“Të mërkurën do të jetë një ndeshje e madhe pasi Barcelona është klubi më i mirë në botë. Ata janë favoritë, por ne nuk kemi asgjë çfarë të humbasim, ata kanë!”, përfundoi Ibrahimoviç. (LajmeShqip.com)