Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 23:17

Migjen Basha është përfundimisht një futbollist i Torinos, pasi është zgjidhur në favor të kësaj skuadre bashkëpronësia e lojtarit me Atalantën. Fillimisht mendohej se dy skuadrat do të gjenin akordin për transferimin e gjysmës së kartonit të lojtarit kundrejt pagesës prej 500 mijë eurosh.

Por diskutimet nuk kanë shkuar ashtu siç pritej dhe është vendosur që gjithçka të zgjidhej nga “zarfi”. Kjo është mënyra se si zgjidhen bashkëpronësitë në Itali kur nuk ka marrëveshje, me palët që vendosin në një zarf të mbyllur ofertat e tyre dhe lojtarin e mban ai që ka ofruar më shumë.

Torino ka vendosur 350 mijë euro në zarf për Bashën, kundrejt 250 mijë eurove të vendosura nga Atalanta, duke siguruar përfundimisht kartonin e lojtarit të kombëtares kuqezi.

Gjatë ditës së sotme është mësuar gjithashtu se Ledian Memushaj do të vazhdojë të jetë pjesë e Leçes, pasi kjo skuadër tani zotëron plotësisht kartonin e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 13:45

Dëshira e Migjen Bashës do të plotësohet. Duke filluar nga muaji i ardhshëm, kartoni i tij do t’i përkasë vetëm skuadrës së Torinos, ashtu siç shpresonte futbollisti i përfaqësues shqiptare të futbollit.

Lojtari është në bashkëpronësi mes Atalantës dhe Torinos, por shpesh ka shprehur dëshirën që të qëndrojë në radhët e këtyre të fundit, pasi te torinezët ka gjetur më shumë hapësira për t’u aktivizuar dhe për të treguar vlerat e tij. Mendohej se Torino dhe Atalanta do të nisnin diskutime të gjata për të ardhmen e futbollistit dhe se ndoshta bashkëpronësia e kartonit të tij do të rinovohej.

Por gazeta “La Stampa” ka njoftuar se tashmë është arritur një akord mes palëve, pasi Atalanta ka bërë të qartë se do të lërë të lirë futbollistin e kombëtares shqiptare. Kuptohet që drejtuesit e ekipit të Bergamos nuk duan të dalin duarbosh nga kjo marrëveshje dhe për këtë arsye, kërkojnë 700 mijë euro nga Torino.

Meqenëse drejtuesit torinezë e vlerësojnë shumë Bashën dhe kontributin që ka dhënë në dy sezonet e fundit, ata janë të gatshëm të paguajnë këtë shumë, për të mbajtur përsëri futbollistin në radhët e tyre.

Në momentin kur kartoni i Bashës të kalojë plotësisht në pronësi të Torinos, pritet që lojtari dhe klubi të ulen në tavolinën e bisedimeve për të rinovuar kontratën mes tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 30 March 2013 14:34

Migjen Basha dëshiron që të konfirmohet te Tornio dhe të plotësojë transferimin përfundimtar në radhët e kësaj skuadre. Mesfushori 26 vjeçar, i cili një javë më parë debutoi me kombëtaren shqiptare të futbollit, ka bërë të qartë për mediat italiane se nuk dëshiron të kthehet te Atalanata, skuadër e cila e dha në huazim te torinezët, ndërsa të dy klubet e kanë në bashkëpronësi kartonin e tij.

“Nuk dua të mendoj se çfarë mund të ndodhë, pasi në këtë mënyrë mund të kushtëzohem nga merkato. Nëse do të ishte në dorën time për të zgjedhur, do të shkoja te Barcelona”, ishte batuta e tij për “Tuttosport”.

“Jo, të flasim seriozisht, e ardhmja ime është te Torino dhe jo te Atalanta. Atje gjërat nuk është se shkuan edhe aq mirë për mua”, deklaroi mesfushori shqiptar, i cili në këtë sezon ka luajtur 13 ndeshje me Torinon, skuadër të cilën e ndihmoi në sezonin e kaluar që të ngjitej nga Seria B në Serinë A, duke qenë një nga lojtarët kryesorë në repartin  mesfushës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 March 2013 14:15

Migjen Basha ka marrë përgjigjen pozitive nga FIFA dhe do të mund të luajë që në ndeshjen kundër Norvegjisë, duke debutuar kësisoj me fanellën kuqezi në një takim zyrtar. Shkresa e ardhur një ditë më parë në FSHF nga institucioni që drejton futbollin botëror i ka hapur rrugë përfundimisht aktivizimit të mesfushorit kosovar me fanellën kuqezi në ndeshjet zyrtare, duke i dhënë mundësinë trajnerit De Biasi që të fillojë planifikimin e ndeshjes kundër skandinavëve me lojtarin e Torinos në përbërjen e ekipit.

Me sa duket, De Biasi do t’i besojë një formacioni tërësisht mbrojtës për këtë ndeshje, duke shpresuar që të ruajë të paprekur portën dhe mundësisht të godasë në kundërsulm.

Berisha është i konfirmuar në portë, ashtu si katërshja titullare e mbrojtjes, me Agollin e Lilën nga krahët dhe Canën e Mavrajn në qendër. Bulku dhe Basha do të përbëjnë dyshen e mesfushorëve që do të rreshtohen para mbrojtjes, me qëllimin për të shkatërruar lojën e kundërshtarëve, ndërsa pak më të avancuar në krahë do të jenë Vila nga e majta dhe Roshi nga e djathta.

Në repartin e sulmit, duke menduar më shumë për kundërsulmin, De Biasi ka zgjedhur Çanin dhe Salihin, duke lënë jashtë formacionit “peshat e rënda”, Çani dhe Bogdani.

Shqetësimi i vetëm për trajnerin italian në këto ditë përgatitjesh janë shqetësimet fizike të Canës, Currit e Bulkut, që nuk janë në 100% të formës së tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 14:05

Migjen Basha është shfaqur mjaft i emocionuar në ditën e tij të parë si futbollist i kombëtares shqiptare të futbollit, pasi ka marrë pjesë në stërvitje bashkë me pjesën tjetër të lojtarëve të grumbulluar nga trajneri De Biazi për ndeshjet kundër Norvegjisë dhe Lituanisë.

Lojtari luajti në ndeshjen brenda grupit duke marrë pozicionin e zakonshëm para mbrojtjes, ndërsa pas stërvitjes nuk ka ngurruar të tregojë për mediat shqiptare edhe emocionet e tij të para, duke i shoqëruar me gjestin simbolik të puthjes së fanellës kuqezi.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Gjeta një ambient mjaft të ngrohtë, pasi me disa lojtarë njihem edhe më përpara. Kjo ishte seanca ime e parë stërvitore me Kombëtaren, për të cilën do të jap gjithnjë maksimumin, sa herë që të më kërkohet. U ndjeva mirë. Në fillim pata disi emocione, por më pas gjithçka u normalizua. Pashë se kisha të njëjtin potencial edhe me lojtarët e tjerë, ndaj shpresoj që shumë shpejt të zbres në fushë. Kam shumë dëshirë të udhëtoj drejt Oslos, por kjo varet nga përgjigjja që presim. Ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Unë jam gati dhe po pres me padurim të vesh fanellën e kombëtares, pasi është nder për mua”, ka shpjeguar futbollisti kosovar i Torinos.

Ai ka treguar më pas se pse zgjedhja e tij ka qenë Shqipëria dhe jo Zvicra, pavarësisht faktit se kjo e fundit po e mban peng duke mos lejuar aktivizimin e tij te kuqezinjtë.

“Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Zvicra nuk është interesuar asnjëherë për mua dhe as unë nuk jam interesuar për të. Zgjodha të përfaqësoja vendin tim dhe jam krenar për këtë vendim. Dua t’i shërbej vendit tim dhe do jem gati sa herë që do të jetë nevoja. Jam gati të jap kontributin tim për ekipin kombëtar. Edhe sikur të isha thirrur nga Zvicra, nuk do pranoja. Unë dua që të luaj dhe me kombëtaren e Zvicrës do ta kisha shumë të vështirë, sepse në rolin tim ka disa lojtarë si: Behrami, Inler etj, të cilët është shumë e vështirë për t’ua zënë vendin”, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 18:27

Migjen Basha duket se shumë shpejt do të realizojë ëndrrën e tij për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare të futbolli. Këtë fakt e ka pranuar vetë lojtari në një prononcim për mediat shqiptare, ku e ka cilësuar si një gabim atë që ka bërë disa vite më parë kur luajti një ndeshje me U-21 të Zvicrës.

“Është e vërtetë që janë shtuar mundësitë që të luaj për kombëtaren shqiptare. Lajmin e kam marr nga trajneri De Biazi, i cili më konfirmoi se do të bëhet dokumenti i Ministrisë së Brendshme dhe tani çështjen do ta paraqesim para FIFA-s. Nuk di ta them me siguri të plotë (nëse do të luaj ndaj Norvegjisë), sepse FIFA do marrë dokumentin, do ta shqyrtojë dhe më pas nuk e di saktë se kur do marr një përgjigje”, ka shpjeguar lojtari se cili është ndryshimi që e bën atë optimist se shumë shpejt mund të luajë për kombëtaren kuqezi.

Mesfushori që po aktivizohet me sukses me Torinon në Serinë A ka shpjeguar se i ka mbetur peng se ka luajtur atë ndeshje me kombëtaren U-21 të Zvicrës, e cila kthye në pengesë prej shumë vitesh që ai të përfaqësonte Shqipërinë. Ndërkohë, ka nxitur FSHF që të vihet më shpejt në lëvizje për talentet shqiptare që në moshë të re, në mënyrë që të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen.

“Jam bërë shumë pishman që kam luajtur me Zvicrën. Ajo ka qenë vetëm një ndeshje dhe për faj të asaj sot unë kam ngelur peng. Çfarë i rekomandoj të rinjve shqiptarë që kanë dy oferta në duar? Nuk besoj se duhet shumë logjikë këtu. Kjo, pasi ai që ndihet shqiptar një zgjidhje e ka, Shqipërinë dhe s’ka nevojë që të mendojë për skuadër tjetër. Megjithëse duhet thënë se edhe Federata Shqiptare e Futbollit duhet të tregohet disi më syçelë, pasi në shumë raste nuk ka treguar interes dhe ka humbur lojtarë shumë të mirë. Nëse kjo do të bëhet sa më shpejt, atëherë edhe kualiteti në radhët e Kombëtares do të rritet edhe më shumë”, deklaroi Basha.

Me afrimin e mesfushorit në radhët e përfaqësueses kuqezi, trajneri De Biasi do të ketë një armë më shumë në dispozicion për pjesën e dytë të edicionit të eliminatoreve të Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 16:17

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, i ka kërkuar mesfushorit kosovar Migjen Basha që të tregohet i duruar dhe të mos pranojë ftesën e përfaqësueses së Zvicrës, me shpresën që çështja e aktivizimit të tij me Shqipërinë të zgjidhet së shpejti.

Tekniku italian ka deklaruar për mediat shqiptare se futbollisti duhet të presë edhe pak kohë, pasi kjo ishte në të mirën e tij. Ai i ka premtuar lojtarit një rol prej protagonisti me kombëtaren kuqezi, ndërsa dyshon se e njëjta gjë e pret te Zvicra, ku mund të luajë një rol dytësor.

“Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, të mbështetur edhe nga FSHF-ja, kemi muaj që po punojmë për të bërë të mundur që Migjen Basha të luajë për Shqipërinë. Për mua si trajner ai është një lojtar shumë i rëndësishëm që do të na bënte punë në mesfushë. Tani të jemi të ndërgjegjshëm, ekzistojnë disa probleme për të cilat Basha nuk luan ende për kombëtaren shqiptare, por unë i them se nëse dëshiron të mbrojë ngjyrat e kombit të tij, atëherë duhet të ketë edhe pak durim, derisa çështja të zgjidhet plotësisht. I them se durimi i tij do të shpërblehet, pasi unë e shikoj si një lojtar kyç në mesfushë, si një pikë referimi dhe nuk besoj, pa dashur të paragjykoj, se te Zvicra do shihet me këtë sy ose do ketë hapësirat e nevojshme si te Shqipëria”, ka deklaruar trajneri italian i kombëtares shqiptare.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar se për momentin nuk mund të bëjë më shumë për lojtarin, pasi është në pritje të një vendimi të FIFA-s.

“Ne si federatë kemi bërë të gjitha përpjekjet që lojtari të mund të luante për Shqipërinë. I bëmë dokumentacionin gati dhe në kohë rekord ai u pajis me pasaportë shqiptare. I vumë në dispozicion asistencë juridike, madje edhe vetë trajneri De Biazi, pat angazhuar avokatin e tij për zgjidhjen e problematikës. Ishte një periudhë kohe kur ne mbanim kontakte të përditshme me Ministrinë e Brendshme, pasi kërkonim që të gjenim një lidhje sadopak të vogël të tij ose familjes së tij me Shqipërinë pasi, siç e dini, ai është kosovar. I kërkuam FIFA-s ndihmë për rastin në fjalë, por përderisa nuk ka kthyer përgjigje, do të thotë që për momentin është e pamundur”, deklaroi zëdhënësi për shtyp i FSHF-së. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 14:47

Migjen Basha po bëhet gati që të luajë për Zvicrën. Mesfushori kosovar i Torinos, në pritje prej shumë kohësh të lejes nga FIFA për t’u aktivizuar me kombëtaren shqiptare, duket se nuk do të presë më dhe do të kthehet te kombëtarja zvicerane.

Basha po shkëlqen në këtë sezon në Serinë A dhe nuk është rastësi që në derbin e Torinos kundër Juventusit, në tribunë ka qenë i pranishëm edhe Mikael Bont, asistenti i trajnerit të përfaqësueses zvicerane, Otmar Hitzfeld.

Mesfushori kosovar ka edhe pasaportën zvicerane, edhe atë shqiptare, ndërsa prej dy vitesh ka qenë i gatshëm të veshë fanellën kuqezi. Por problemet e lindura për shkak të aktivizimit të tij me U-21 të Zvicrës disa vite më parë, kanë bërë që debutimi i tij të shtyhej pambarimisht, me Zvicrën që bëri të qartë se nuk do t’i jepte leje atij të kalonte te Shqipëria, pasi për një gjë të tillë duhej marrëveshje dypalëshe.

Në këtë situatë, duket se Basha ka vendosur të mos presë më dhe të kthehet te Zvicra. “Pas ndeshjes Juventus–Torino kam takuar asistentin e trajnerit të Zvicrës, Mikael Bont, i cili kishte qenë në ndeshje për të më vëzhguar. Gjatë bisedës ai më tha se janë të interesuar për mua, por më porositi që të vazhdoj të luaj me këtë ritëm për të marrë ftesë nga Otmar Hitzfeld”, deklaroi futbollisti për mediat kosovare, duke konfirmuar në këtë mënyrë se tashmë mund të luajë për Zvicrën.

“Jam lodhur duke pritur një përgjigje nga FIFA nëse do të ma lejojë të luaj me Shqipërinë apo jo. Nëse ftohem nga Hitzfeld, duhet ta pranoj ftesën, edhe pse dëshira ime është që ta vesh fanellën kuqezi”, tregoi Basha.

Çështja Basha ka përfunduar prej disa muajsh në zyrat e FIFA-s dhe pret një zgjidhje, po vonesa në marrjen e vendimit po bën që përfaqësuesja shqiptare të humbasë një tjetër futbollist të cilësisë së lartë. (LajmeShqip.com)