Lajme Shqip Friday, 27 June 2014 23:40

Kancelarja, Angela Merkel, ka thënë se hapja e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë varet vetëm nga progresi i reformave të vendit. “Do ketë një proces hapa pas hapi. Vendi duhet të kryejë një numër hapash para se të mund të flasim për hapje të negociatave të anëtarësimit. Është një proces i gjatë. Vendi hodhi një hap përpara me statusin e kandidatit. Hapja e negociatave varet vetëm nga progresi i vendit në reforma”.

Angela Merkel bëhet inisiatore e një konference të përvitshme me krerët e qeverive dhe të shteteve të Ballkanit. Ajo ka shpjeguar për “ABC News” arsyet e konferencës që do organizohet për Ballkanin më 28 gusht.

 “Ne po mendonim, se ç’mund të bënim në 100-vjetorin e Luftës së Pare Botërore. Pas një reflektimi, menduam që ka një rajon në Evropë, që vetëm para disa vitesh është përballur me luftëra dhe konflikte  të ashpra dhe ky është Ballkani. Ne e mendojmë që paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit  mund të arrihet vetëm me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por, ne nuk donim të shihnim prapa në histori. Ne donim të bënim diçka konkrete për rajonin. Kjo është arsyeja për të cilën ne ftuam të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive dhe përfaqësues të biznesit në një konferencë për Ballkanin Perëndimor. Dhe ky nuk është një eveniment i izoluar. Vitin e ardhshëm, do të jetë Austria që do të organizojë një konferencë të tillë. Dhe mendojmë që një konferencë të tillë ta organizojmë çdo vit, sepse ne duam të jemi partnerë të vendeve të Ballkanit. Njëherë në vit do të jetë e dobishme që të flasim për problemet dhe progresin në rajon dhe do të jetë gjithashtu e dobishme që t’i flasim njëri-tjetrit përballë dhe jo thjesht të flasim për njëri-tjetrin”.

Samiti i 27 qershorit nuk është vetëm samiti i kokave të Europës së re, por njëkohësisht edhe samiti historik për zyrtarizimin e statusit të vendit.