Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 14:39

Mesfushori Mërgim Brahimi mund të vendosë të zgjedhë Zvicrën para Shqipërisë, ndonëse me fanellën kuqezi ai është kthyer në një lider të kombëtares U-21 dhe ka fituar edhe një aktivizim me kombëtaren e madhe në miqësoren kundër Iranit.

Futbollisti me origjinë kosovare është ftuar njëkohësisht si nga përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë, ashtu edhe nga ajo e Zvicrës për takimet miqësore që këto kombëtare zhvillojnë me 6 shkurt dhe nuk dihet ende se cilën nga kombëtare do të zgjedhë. Këtë fakt e kanë pranuar edhe në FSHF, ku dyshohet se lojtari 20 vjeçar i Grasshopers, i cili ka deklaruar me kohë se klubi i bën presion të zgjedhë Zvicrën, tashmë do të luajë për helvetët.

Meqenëse para se të luante me U-21 të Shqipërisë ai ka pasur pasaportën zvicerane, ekziston mundësia që të luajë për Zvicrën në të ardhmen, edhe pse në fakt kjo do të ishte një sjellje aspak korrekte e tij, pasi në këtë mënyrë shfrytëzoi fanellën kuqezi për të bërë shantazh që të mbërrinte te përfaqësuesja zvicerane.

Një fakt të tillë e ka pranuar edhe trajneri i kombëtares shqiptare U-21, Skënder Gega, i cili ka bërë të qartë se e priste këtë lëvizje të futbollistit që nuk ka qenë shumë i sinqertë edhe më parë, ndërsa ka deklaruar se FSHF do ta çojë çështjen në FIFA për të bllokuar lojtarin dhe për ta “djegur”.

“E prisja deri diku. Nëse largohet, atëherë tregon se është djalë pa karakter. Por kjo nuk më shqetëson aspak dhe ua them me bindje të plotë. Askush nuk do të dëshironte në skuadër një lojtar që mendjen e ka tjetërkund. Unë jam i sigurt se ai nuk ka për t’u larguar aq lehtë nga ne, pasi federata do ta çojë çështjen në FIFA nëse ai luan për Zvicrën. Ka qenë pjesë e jona në ndeshje zyrtare dhe ashtu, sikundër Zvicra nuk na jep ne Bashën, pikërisht se ai kishte bërë një ndeshje me U-21 të tyre, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne me Brahimin”, ishte prononcimi i Gegës për gazetën “Panorama Sport” pasi u morr vesh se futbollisti mund të zgjedhë Zvicrën. (LajmeShqip.com)