Lajme Shqip Wednesday, 04 December 2013 16:21

Shkup- Portali Almakos.com, raportoi se disa javë me radhë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi është duke e riorganizuar forumin rinor të kësaj partie në të gjitha qytetet, ndërkohë në një takim me forumin rinor të kësaj partie, Thaçi ka zbuluar se ç’farë kishte biseduar ai me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, në takimin e tyre të fundit.

Ndërkaq, gazeta “Lajm”, pas disa hulumtimeve kishte kuptuar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte quajtur “njeri i pyllit” kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, në takimin e përbashkët në Shkup të treshit Rama-Ahmeti-Thaçi.

Thaçi për takimin në fjalë nuk ka përmendur taksativisht se bëhet fjalë për takimin me kryeministrin Rama, por ka thënë se bëhet fjalë për “takimin  e fundit me një mik të përbashkët”, që në fakt ishte takimi i realizuar me ndërmjetësim të kryeministrit shqiptar. 

Sipas deklaratës së Thaçit, duket se këtë epitet Rama ja ka dhënë Ahmetit më tepër në shaka, se sa seriozisht. 

 “Në një bashkëbisedim të fundit që pata me oponentin tim politik, ai tha ne e kemi bë Marrëveshjen e Ohrit në konsultim me ekspertin amerikan Pol Vud. I thash nuk e ka emri Pol Vud, por e ka Pol Vilijams. Dhe miku i përbashkët që rrinte me ne tha leje Menduh, ka të drejtë, sepse Vud anglisht do të thotë pyll, edhe ky ka ardhur prej pyllit dhe është shumë e qartë… Ne kemi vështirësi të jashtëzakonshme të merremi me këtë politikën e pyllit, me këtë politikë që nuk është politikë”, ka thënë Thaçi. 

Edhe përkundër tentimeve, “Lajm”nuk ka arritur të kontaktojë me përfaqësues të BDI-së.

 
Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 17:40

Tiranë – Për herë të parë pas 16 vjetësh, që nga djegia e redaksisë prej pushtetit të PD-së në mars 1997, kryeministri i ri, ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”. Lexoni se çfarë mendon Edi Rama për Ilir Metën, Ben Blushin, Sali Berishën, Bujar Nishanin, Spartak Ngjelën, Nikoll Lesin, Toni Bler, Hashim Thaçin, kryeministrat e Turqisë, Greqisë dhe Italisë, liderët shqiptarë të Maqedonisë si dhe disa ministra të kabinetit të tij. 

“Koha e Jonë” e ka pyetur kryeministrin Rama se çfarë “magjie” u bëre dy liderëve shqiptarë në Maqedoni, Menduh Thaçi e Ali Ahmeti. “I bashkove për të dytën herë në mënyrë të papritur për publikun; ishte raki e fortë apo forca e një shpirti shqiptar që i bëri të qeshnin  kaq shumë aq sa opinioni publik mendoi se “mrekullia ndodhi”, ishte pyetja. 

“Dy liderët e shqiptarëve të Maqedonisë më kanë dhënë bujarisht miqësinë e besimin e tyre dhe kemi mundur të ulemi krejt natyrshëm për të diskutuar mes nesh për çështjet e interesit të përbashkët”, ka thënë Rama. 

Kryeministri është pyetur nëse vëllazëria me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi ishte “lojë me “Portën e Lartë”, raport Burrash Shteti proamerikanë apo ëndrra e fshehur për një komb të unifikuar në një shtet të vetëm shqiptar. “Jemi miq të kahershëm me kryeministrin e Kosovës dhe tani na bashkon edhe detyra e përbashkët për të çuar në një nivel të ri bashkëpunimi marrëdhëniet mes të dyja shteteve. Pres me entuziazëm mble­dhjen e parë të të dyja qeverive në Prizren”, ka thënë Rama.,

I pyetur nëse vuan nga psikoza kryeministrore se e zotëron situatën në gjithçka, Rama ka deklaruar se situatën në gjithçka mund ta zotërojë vetëm Zoti, “nëse vërtet ekziston në formën që i ka dhënë besimi i njeriut në të. “Ndërsa psikozën se të gjithë ta kanë me hile mund të kesh, them unë, vetëm nëse ua  ke të gjithëve me hile. Prandaj s’e gjej veten në asnjërin prej dy rasteve”. 

Rama thotë se as nuk tensionohet as nuk i përqesh ata që shkruajnë kundër tij në media. “Kur më ndodh t’i lexoj kundërvëniet ndër ato fare pak gazeta që shfletoj në herët e pakta që më jepet mundësia, thjesht mundohem t’i kuptoj”, ka thënë ai. 

Gazetari i “Koha Jonë” e ka pyetur kryeministrin Rama nëse te kryeministri turk  Erdogan, i pëlqen autoriteti i tij  për të shtypur kundërshtarët apo pamja sulltanore. Kryeministri shqiptar është përgjigjur se kryeministri i Turqisë është një mik i mirë i shqiptarëve dhe një kryeministër jashtëzakonisht mbresëlënës në bilancin e tij të derisotëm qeverisës.

Ndërsa, për kryeministrin grek Antonis Samaras ka thënë se i ka lënë përshtypjen e një lideri të vendosur për të nxjerrë vendin e vet nga kriza e madhe ekonomike. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 November 2013 01:18

Shkup- Kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama ka bërë bashkë krerët shqiptarë në Maqedoni, kreun e Bashkimit Demokratik për Integrime, Ali Ahmetin dhe atë të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi,
Kryeministri ka shrkuar në faqen e tij zyrtare në Facebook: “Darke vellazerore ne Shkup me Ali Ahmetin dhe Menduh Thacin”.
Ndërkaq shefi i kabinetit të kreut të BDI-së Artan Grubi, ka postuar një fotografi në faqen e tij në Facebook, ku shihen Rama, Ahmeti dhe Thaçi duke darkuar./LajmeShqip/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 17:17

Tetovë  – Në kujtim të politikanit, shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur Arbën Xhaferri, kryesiaqendrore e Partisë Demokratike Shqiptare bëri homazhe në qytetin e Tetovës.

Ata kujtuan veprën e Xhaferit duke folur fjalë miradie. Akademia qendrore përkujtimore do mbahet në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku do të jenë të pranishëm familjarë, miq, kolegë.

 

Gjendja e shqiptarëve nuk është përmirësuar

 

Gjendja e shqiptarëve jo që nuk është përmirësuar në këtë 10 vjeçar të fundit në Maqedoni, por ajo vazhdon të përkeqësohet.

Kjo u deklarua sot nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pas një takimi që zhvilloi sot në Tetovë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili do të jetë pjesë e ceremonisë së përkujtimit të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Arbën Xhaferrit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe këshilltari i liderit të AAK-së, gjenerali Stiven Schook. 

 “Sot, kisha nderin që të pres Ramush Haradinaj, kryetarin e AAK-së.  Personalitet i shquari i kombit tonë, Haradinaj shprehu dëshirë që të mer pjesë në përvjetorin e kujtimit të kryetarit tonë Arbën Xhaferi. Padyshim se biseduam edhe çështje tjera politike. Haradinaj shprehu interesim për gjendjen në Maqedoni, për pozicionin e shqiptarëve, unë i dhash vlerësimet tona dhe gadishmërinë tonë të jemi kontribues e njoftova që gjendja e shqiptarëve jo që nuk është përmirësuar në këtë 10 vjeçar të fundit, por vazhdon të keqësohet ende më shumë, në aspektin e realizimit të drejtave të tyre fundamentale, si në aspektin e vërshtirësive ekonomike, ashtu edhe në aspektin e vështirësive sociale”, theksoi Menduh Thaçi, raporton INA.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj theksoi se ndjehet i emocionuar dhe nderuar që merrë pjesë në këtë përvjetor dhe për të takuar kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.

“Është një moment me ndjenja të përziera për mua, para një viti kur u nda nga jeta zoti Arbën Xhaferi nuk munda me marr pjesë në varrim, por pata rastin me vendos lule mëpastaj, jam i nderuar që mund të mar pjesë në përvjetorin e parë, por poashtu për të takuar edhe mikun tim, kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi me bashkëpunëtorët, një forcë politike serioze që ka artikuluar që nga fillimi i saj interesin e shqiptarëve në Maqedoni, kemi biseduar për zhvillimet e fundit këtu dhe në Kosovë, poashtu edhe për një partneritet të vazhdueshëm që e kemi si dy parti të djathta, shqiptare, të konfirmuar me një memorandum bashkëpunimi. Pra është në vazhdën e një bashkëpunimi që kemi pas për të mirën e qytetarëve të dy vendeve”, theksoi Haradinaj.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 04 August 2013 18:40

Shkup – Përderisa liderët politik shqiptar vazhdojnë kohë pas kohe të takohen me liderët maqedonas siç ishte rasti i fundit mes Ali Ahmetit të BDI-së dhe Zoran Zaevit të LSDM-së, takimet mes liderëve shqiptarë assesi të ndodhin.

Për këtë, në BDI, thonë se për momentin janë përqendruar ekskluzivisht në çështjen e emrit, ndërsa nuk e shohin të arsyeshme ndonjë takim eventual me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.

“Kohëve të fundit aktivitetet tona kanë të bëjnë ekskluzivisht me zgjidhjen e çështjes së emrit me qëllim debllokimit të integrimit në NATO dhe BE.

Fatkeqësisht PDSH-ja përmes kryetarit të saj është shprehur se kjo është çështje ekskluzive e popullit maqedonas. Ne e kemi dënuar këtë qëndrim të PDSH-se, sepse vlerësojmë se kjo është në dëm të interesit shqiptar.

Ashtu që përderisa ata nuk e ndërrojnë qasjen nuk e shohim të arsyeshme që ata të involvohen apo të thirren për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe me atë integrimin e vendit në NATO dhe BE”, deklaroi për “Zhurnal plus”, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.