Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 10:59

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi përmendi tre emra të zyrtarëve të partisë së tij të cilët mund ta zëvendësojnë atë në postin e kryeministrit.

Kryeministra të ardhshem sipas tij mund të jenë figura politike si Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Hajredin Kuçi.

” Nëse unë nuk do të rikandidoj atëherë njëri nga kandidatët e mundshëm për kryeministër janë: z.Kadri Veseli,  z.Fatmir Limaj dhe z.Hajredin Kuqi”, ka deklaruar Thaçi.

Kryeministri ka folur edhe për rastin Limaj ku është si dëshmitar.

Ai ka thënë se i ka raportet e mira me ish-ministrin e Transportit.

“Limaj padrejtësisht po akuzohet nga misioni për sundimin e rendit dhe ligjit EULEX. Limaj shpejt do të jetë i lirë pranë familjes së tij dhe do të rikthehet fuqishëm në skenën politike”, ka thënë Thaçi.

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 18:54

Prishtine – Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka reaguar ndaj shpërthimit të mbrëmshëm në hyrje të shtëpisë së kryeredaktorit te RTK-së, Mufail Limani dhe familjes se tij.

“Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës i bën thirrje Policisë së Kosovës që të vazhdojë me hetime intensive rreth rastit dhe kryerësit të nxirren para drejtësisë. Ndërsa, kryeredaktorit Limani i bëjmë thirrje që veprimet e tilla të ulëta mos ta dekurajojnë për ta vazhduar punën e tij në RTK”, thuhet në reagimin e AGPK-së.

Sulmin në shtëpinë e kryeredaktorit të RTK-së e ka dënuar edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), dënon ashpër sulmin në shtëpinë e kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mufail Limani.

“Sulmi ndaj Limanit dhe familjes së tij me bombolë gazi është një akt qyqar e barbar dhe si i tillë dëmton rëndë lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të gazetarëve”, thuhet në reagim.

Në njoftimin thuhet se UGK është e shqetësuar me pengesat në punë dhe me sulmet që vazhdimisht po rriten ndaj punonjësve të medieve, dhe nuk po bëhet shumë për ndëshkimin e tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 19:00

Prishtinë – Në raportin më të ri të Reporterëve pa Kufij, për Indeksin e Lirisë së Shtypit 2013, Kosova radhitet e 85, që paraqet përparim për një vend nga raporti i fundit, ku gjendej në vendin e 86-të.

Por, rënie të madhe ka shënuar Maqedonia, e cila plasohet në vendin e 116-të, që paraqet rënie për 22 vende. Në arsyetim për Maqedponinë thuhet se “janë tërhequr në mënyrë arbitrare licencat për media dhe është përkeqësuar ambienti për gazetarë”.

Shqipëria është klasifikuar e 102-ta, ndërsa në raportin e kaluar ishte e 96-ta.

Serbia është e 63-ta, Koracia e 64, Bosnjë Hercegovina e 68-ta, ndërsa Mali i Zi radhitet në pozitën e 113, prej gjithsej 179 vendeve.

Në tri vendet e para, sikur edhe në raportin e kaluar, janë Finlanda, Holanda dhe Norvegjia, ndërsa Shtetet e Bashkara u plasuan në vendin e 32, duke shënuar ngritje për 15 vende, në krahasim me raportin e fundit të organizatës Reporterët pa Kufij, për Indeksin e Lirisë së Shtypit 2012.

Megjithqë janë analizuar shumë kritere, prej legjislacionit e deri te dhuna kundër gazetarëve, vendet demokratike përsëri janë në krye të listës për liri të shtypit.

Nga ana tjetër, edhe tri vendet e fundit i zënë vendet diktatoriale, që edhe në raportin e kaluar ishin po aty: Turkmenia, Koreja Veriore dhe Eritrea.

Rusia është plasuar në vendin e 148 për shkak të “represionit që është shtuar në përgjigjje të valës së paprecedente të protestave opozitare”.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 18:37

Vjenë – Organizata e Mediave e Evropës Juglindore, SEEMO, me seli në Vjenë, që është bashkëpunëtore e Institutit Ndërkombëtar për Shtyp (IPI), është e shqetësuar për raportet se gazetarët e Kohës Ditore dhe televizionit Kohavision në Prishtinë, ishin parandaluar nga mbulimi i ngjarjes madhore kulturore, festivali i filmit PriFest në Prishtinë.

Më tutje, në njoftimin për media të SEEMO-s, theksohet se më 26 shtator 2012, Vjosa Berisha, drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës, e ka parandaluar gazetarin e Kohës Ditore nga pjesëmarrja në festival dhe mbulimin e premierës së filmit Tri Botët.

Dy ditë më vonë, thotë SEEMO, është parandaluar edhe ekipi i Kohavisionit nga filmimi i një shfaqjeje tjetër.

Sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s , Oliver Vujoviq, thotë se “PriFest është ngjarje publike. Drejtoresha nuk duhet të bëjë vendime personale lidhur me atë se cilët gazetarë lejohen të marrin pjesë. I ftoj autoritetet kulturore të Kosovës që të garantojnë qasje të lirë të mediave në të gjitha ngjarjet publike”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 15:55

Prishtinë – Në vendinë tonë po shënohet dita Ndërkombëtare të së drejtës për të ditur apo qasjes në informacion zyrtar.

Mexhide Demolli- Nimani, tha se Lëvizja FOL tradicionalisht e ka shënuar këtë datë në forma të ndryshme. Ndërkaq këtë vit FOL për të analizuar nivelin e zbatimit të ligjit për qasje në dokumente publike, gjatë muajit shtator ka filluar fushatën “Testi i Përgjegjshmërisë, tha Mexhide Demolli-Nimani.

Pjesë e kësaj fushate ka qenë edhe një anketë e pa-standardizuar, qëllimi i të cilës ka qenë mbledhja e informacioneve mbi përvojën e qytetarëve në lidhje me shfrytëzimin e shërbimeve publike, përkatësisht qasjen në dokumente publike në institucionet e nivelit qendror dhe lokal.

Jetmira Bajrami koordinatore në Lëvizjen FOL tha se anketa e pa-standardizuar, ka përfshirë 274 qytetarë. “Edhe pse shumica e të anketuarve janë përgjigjur se dinë për ekzistimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, niveli i njohurisë për përmbajtjen e ligjit është jashtëzakonisht i mangët”, tha Bajrami.

Përveç realizimit të anketës,  gjatë kësaj fushatë janë bërë gjithsej 123 kërkesa për qasje në informacion publik në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 06 July 2012 08:15

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës mbylli punimet e seancës së plenare pas shqyrtimit të projektligjit për shfuqizimin e tri neneve (37, 38, 39) të Kodit Penal të Kosovës, për të cilin përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare u deklaruan në favor të heqjes së këtyre neneve.

Tre nenet problematike të Kodit Penal të Kosovës, që u vlerësuan se shkelin lirinë e shprehjes, u rikthyen në Kuvend pasi për rishqyrtimin e tyre votuan 74 deputetë.

Në seancën e 22 qershorit, Kuvendi i Kosovës, pas shqyrtimit të vendimit të Presidentes së Republikës për rishikimin e këtij Kodi, la në fuqi këto nene të Kodit Penal.

Menjëherë pas atij votimi në Kuvend, zv/kryeministri  dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi,  pat ofruar dorëheqjen, por ende nuk është njoftuar zyrtarisht nëse ajo është pranuar nga kryeministri.

Po në 22 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i cili sapo ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të miratuar nga Qeveria, ishin hequr nenet 37, 38 dhe 39 të këtij Kodi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 29 June 2012 20:30

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje thotë se sot e ka dorëzuar Kodin Penal  në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nga e cila kërkon interpretim lidhur me disa nene kontestuese.

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një kumtese, thotë se nenet 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal, bien ndesh me nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Kosovës dhe me nenin 10 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

Kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese e ka dorzëuar deputetja Alma Lama. Kodi Penal i ri i Kosovës është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22 qershor, ndërsa për shkak të mosndryshimit të neneve kundërthënëse, ka dhënë dorëheqje ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi.

Nenet e përmendura janë kundërshtuar ashpër edhe nga organizatat gazetareske vendëse dhe ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 14:15

Prishtinë – “Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të adresuar kërcënimin që nenet po ia bëjnë lirisë së mediave, që pavarësisht kundërshtimit në masë të gjerë, mbijetuan në Kodin e ri Penal,”- kanë vlerësuar zyrtarë të Human Rights Watch.

Më 22 qershor, për herë të dytë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të heqë nga Kodi i ri Penal, nenet që kriminalizojnë shpifjen dhe i detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre, pavarësisht thirrjeve nga vetë qeveria, presidenca dhe gazetarët që ato të hiqen. Kodi aktual Penal përmban nene të njëjta.

“Dështimi i Kuvendit për të adresuar nenet problematike nënkupton se gazetarët që raportojnë mbi figurat publike ose korrupsionin rrezikojnë të trajtohen si kriminelë. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për të mbrojtur lirinë e mediave dhe gazetarinë e pavarur në Kosovë”,- ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore e Human Rights Watch, njoftojnë mediat.

Gall më tej thotë se varet nga Qeveria nëse e shfaq përkushtimin e saj të sinqertë për të garantuar lirinë e medieve duke shfrytëzuar procedurat e Gjykatës Kushtetuese për t’iu adresuar neneve 37 dhe 38. “Derisa kjo të mos ndodhë, masat restriktive do të vazhdojnë të kenë efekt në gazetarinë në Kosovë”, – u shpreh Gall. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 18:21

Prishtinë – Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka iniciuar procedurat e ndryshimit të Kodit Penal duke i hequr nga ky Kod nenet 37, 38 dhe atë 39.

Nisma më e re e qeverisë pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e kërkesës së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për heqjen e neneve tashmë të cilësuara si problematike që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të mediave dhe gazetarëve.

Ishte vet kryeministri Thaçi ai i cili ishte deklaruar se po ndihej i turpëruar me vendimin e Kuvendit, përderisa zëvendësi i tij dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi kishte dhënë dorëheqje duke mos u pajtuar me këto nene.

Tani, ndryshimi dhe plotësimi i Kodit penal hyn në procedura të rregullta, thotë deputeti Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Rregullorja nuk parasheh ndonjë mocion të përshpejtuar të miratimit të Kodit Penal, kështu që tani mbetet që Kryesia e Kuvendit ta vendosë në agjendën e mbledhjeve të rregullta. Një rol kryesor përsëri do të ketë Komisioni Legjislativ i cili do të jetë komision funksional dhe i cili ndërmjet dy leximeve do të ketë mundësi të amandamentimit dhe dërgimit të kodit final për miratim në seancë plenare”, sqaron Bajrami.

Një çështje që kërkon interpretime shtesë juridike, mbetet ajo e procedimit të ndryshimeve në Kuvend, marrë parasysh se Kodi i ri Penal hyn në fuqi në janar të vitit 2013.

Deputeti Arsim Bajrami thotë se i takon Komisionit për Legjislacion që të bëjë një interpretim, nëse Kodi mund të ndryshohet para janarit, përderisa nuk ka hyrë në fuqi, apo duhet të pritet hyrja e tij në fuqi e më pas të ndryshohet.

“Ka disa ligje të cilat hyjnë në fuqi jo në periudhën standarde, pra 15 ditë pas miratimit, por shtyhen ndoshta edhe për një vit. Rast tipik është Kodi Penal i cili ka qenë i paraparë të hyjë në fuqi nga 1 janari dhe tash është çështje e interpretimit juridik, sidomos e konkluzioneve që do të merr Komisioni Legjislativ se a mundet të plotësohet dhe ndryshohet një ligj, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi”, shprehet Bajrami.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka iniciuar tashmë që përmes Avokatit të Popullit ta dërgojë Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se nenet 37, 38 por edhe ai 39 janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti thotë se kërkesat e vetme të gazetarëve janë që nenet të hiqen nga Kodi.

“Qëllimi i kërkesave të gazetarëve, në këtë rast i AGPK-së, nuk ka qenë dorëheqja e askujt dhe as shkaktimi i kurrfarë krize politike në Kosovë. AGPK nuk është kompetente që të flas për procedura. Ne vetëm kërkojmë që të hiqen këto nene dhe në këtë kuptim edhe kemi nisur iniciativën që ta dërgojmë Kodin në Gjykatën Kushtetuese”, thekson Ahmeti.

Kërkesa e presidentes për heqjen e neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal u rrëzua vetëm për dy vota të premten, pasi që nga 61 votat e nevojshme mori mbështetjen e 59 deputetëve. Ata që votuan kundër ishin katër deputet të PDK-së.

Tani, kur janë iniciuar procedura të reja, opozita është deklaruar se do t’i mbështesë ndryshimet në Kodin Penal, vetëm nëse PDK pajtohet që nenet 37, 38 dhe ai 39 të hiqen tërësisht dhe jo të riformulohen, siç kishin insistuar disa nga deputetet ë PDK-së.

Ndryshimet në Kodin Penal në favor të shtypit dhe shprehjes së lirë i ka mbështetur edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. (R.E.L)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 June 2012 19:35

Prishtinë  – Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) në konsultim me mediat vendase, ka vendosur që t’i drejtohet Avokatit të Popullit me kërkesën që vendimin e Kuvendit të Kosovës për mos-heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38, t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Njëherësh, AGPK-ja përmes kryetarit Arben Ahmeti, ka paralajmëruar edhe vazhdimin e protestave të gazetarëve deri në ndryshimin e këtyre dy neneve, të cilat nga mediat vendase konsiderohen se cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë punën e tyre.

“AGPK-ja në konsultim me të gjitha mediat, do t’i drejtohet Ombudspersonit me kërkesën që ai të shfrytëzojë kompetencën e tij që ta dërgojë Kodin Penal me këto dy nene në Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një interpretim nëse këto dy nene bien ndesh me Kushtetutën”.

 “Ne jemi të bindur që këto dy nene, përveç tjerash, janë edhe anti-kushtetuese. Gjithsesi që ne do ta vazhdojmë edhe protestën tonë, të cilën e kemi bërë në vazhdimësi”, ka thënë Ahmeti.

Të premten, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38, që kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Një vendim i tillë i Kuvendit çoi deri te dorëheqja e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe nxiti reagime të ashpra nga presidentja, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të cilët e konsideruan vendimin e Kuvendit si kthim parapa që cenon lirinë e shtypit dhe medias së lirë.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se vendimi i Kuvendit ishte zhgënjyes dhe kthim prapa. Kurse tash ka bërë të ditur se po shikohen mundësitë ligjore se si të veprohet tutje.

“Ne jemi duke shqyrtuar me kujdes gjithë atë që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dhe po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe ato kushtetuese për të parë se si të dalim më tutje për ta gjetur një rrugëzgjidhje në këtë situatë të krijuar. Me sa e di unë, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e bërë po të njëjtën gjë”, ka thënë Vllahiu.

Vendimi i Kuvendit ishte cilësuar si turpërues nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai është zotuar se nuk do të pajtohet me ligje e kode që cenojnë lirinë e shprehjes dhe medias. Andaj, ka proceduar në Kuvend për rishqyrtim Kodin Penal pa nenet 37 dhe 38.

Reagimi i Thaçit, duket se e kishte alarmuar edhe partinë e tij, Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që katër deputetë të kësaj partie me votat e tyre kundër dhe 3 të tjerë me abstenime, përcaktuan rezultatin e votimit për mos-heqjen e neneve 37 dhe 38.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka paralajmëruar mocionin e kësaj partie për ta rikthyer Kodin në rivotim. “Kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së ka qenë që të kemi një riformulim (të neneve 37 dhe 38). Votimi pas veprimeve që janë bërë aty, ishte një votim spontan  dhe ka dalë ky rezultat që është, e që ne nuk pajtohemi me këtë rezultat dhe kemi kërkuar afat shtesë. Qëllimi ka qenë për t’u konsultuar dhe kemi ardhur në përfundim që ka nevojë për një afat shtesë”, ka deklaruar Grabovci.

Kjo nuk është hera e parë që PDK-ja voton për një vendim të Kuvendit dhe më pas kërkon rivotimin, kështu që mbetet të shihet të hënën, nëse do ta bëjë një kërkesë të tillë në Kuvend dhe si do të pritet ajo nga pjesa tjetër e Parlamentit.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky Kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.

Më pas, ishte presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e neneve duke thënë se “Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”.

Si të tillë, ajo e kishte kthyer këtë Kod në Kuvend për rishqyrtim, por deputetët nuk i dhanë mbështetjen e nevojshme kërkesës së presidentes, e cila nga 61 votat e nevojshme, mori 59 vota. Deputetët që votuan kundër apo abstenuan ishin 7 nga PDK-ja dhe 2 nga LDK-ja. (G.E)