Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 16:55

Washington – Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, e ka cilësuar fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë si ngjarje historike.

Nëpërmjet një video-linku, të transmetuar gjatë një konference të zhvilluar një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ish presidenti amerikan tha se ka shumë shpresa se “ditë të ndritshme për Kosovën janë përpara”.

“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë është hap thelbësor dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të definuar rolin tuaj në rajon, në Evropë dhe në botë. Ndërkohë që përballeni me sfidat dhe mundësitë nga jashtë, përfshirë Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Serbinë, kurse nga brenda me sfidat e ndërtimit të një vendi me më shumë mundësi dhe përfitime të përbashkëta për të gjithë, shpresoj ta dini se keni shumë miq, të cilët urojnë të keni sukses”, ka thënë presidenti Clinton.

Duke shprehur mirënjohjen që, siç tha, pati mundësinë që si president i Shteteve të Bashkuara “ të luajë një rol të vogël në përfundimin e konfliktit dhe në bërjen e asaj çfarë jeni bërë sot”, adresimin e tij presidenti Clinton e përfundoi duke thënë: “Do të jem gjithmonë në anën tuaj”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 14:17

Prishtinë – “Po përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës, për të hapur vizionin e një shteti demokratik”, deklaroi sot, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në konferencën me temë “Kapitulli i mbyllur në Ballkan”. Sipas saj “Kosova ka kaluar në këtë rrugë jo pa vështirësi, por ka ditur që dallimet ti shndërrojmë në përparësi”.

“Shteti ynë ka rrënjë të thella në vlerat evropiane. Shtetndërtimi ynë është bazuar mbi parimet e larta të demokracisë, në respekt të lirive dhe të drejtave dhe në barazinë e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. E ardhmja e Kosovës është e sigurt, si pjesë e pandashme dhe e barabartë e Evropës”, tha Jahjaga.

Ajo theksoi se “rruga e qartë evropiane për të gjithë rajonin, do të krijojë stabilitet të plotë në këtë pjesë të Evropës dhe do të ndihmojë në ndërtimin e urave të miqësisë mes popujve”.

“Pavarësia e Kosovës, shtetit më të ri në hartën e Evropës, është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti. Vendi ynë është promovues i fqinjësisë së mirë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe një shtytës i fuqishëm i reformave demokratike në rajon. Shteti demokratik i Kosovës po ndërtohet mbi parimet e fuqishme të rendit dhe të sundimit të ligjit”, vijoi Jahjaga.

Sipas saj “diversiteti etnik, fetar e kulturor është vlerë në Kosovë”. “Prej sot po marrim përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit, duke qenë të gatshëm për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona të përbashkëta historike, kulturore e fetare. Po hapim mundësi të reja për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë, mundësi për investime të jashtme, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e secilit. Synimi ynë është krijimi i një shteti të begatë dhe një tregu të lirë, ku secili të ketë mundësinë për të kontribuar dhe ku secili ta shohë të ardhmen e vet.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 13:58

Prishtinë – Deputetët nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje” nuk morën pjesë në seancën solemne me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, të hënën, në Kuvendin e Kosovës. Këtë fakt ata e paralajmëruan përmes një konference për media, dy orë para se të fillonte ceremonia. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, vlerësoi se kjo seancë duhet të bojkotohet meqenëse është farsë dhe organizohet kundër popullit e me paratë e popullit. Sipas Kurtit, në seancën e së hënës deputetët janë ftuar që të duartrokasin dhe të buzëqeshin si spektatorë të privilegjuar duke mos pasur të drejtë të flasin, ndonëse i përfaqësojnë qytetarët. “Këto ditë e sidomos sot, filmi ‘Bac, u kry!’ po shndërrohet në seri. Dikur e kishim ‘Bac, u kry!’ dhe tash e kemi ‘Bac, u kry!’ pjesa e dytë. Prej këtij pushteti kemi gjithnjë e më shumë cirk, sepse kemi gjithnjë e më pak bukë”, ka thënë Kurti.

Plani i Ahtisaarit, sipas Kurtit, jo vetëm që nuk e ka normuar dhe nuk e përmban pavarësinë e plotë, por ai edhe e ka vonuar pavarësimin e vërtetë. Ai ka konsideruar se ky plan nuk ka arritur t’i zgjidhë ato çështje për të cilat u hartua. “Tani po prezantohet përmbyllja e një dështimi të dykahshëm: kurorëzimi i dështimit të Planit të Ahtisaarit në veri me negociata për veriun dhe kurorëzimi i dështimit të instalimit të drejtësisë shoqërore e politike me prezencën e EULEX-it”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në këtë seancë mund të jenë të kënaqur vetëm ata të cilët e përfytyrojnë ende Kosovën “si të paaftë” për të përbrendësuar vlera të vërteta të lirisë, shtetndërtimit, demokracisë, dhe vetëvendosjes.

Kurti ka thënë se është mbyllur vetëm një zyrë dhe se nuk ka asnjë ndryshim në Kosovë. Ai ka vlerësuar se po hiqet mbikëqyrja e “dukshme e jashtme”, për t’u bërë mbikëqyrje e brendshme “që fshihet” brenda vetë ligjeve. “KFOR-i, EULEX-i e bile edhe UNMIK-u janë këtu pa na njohur, pa në dhënë llogari neve, me fuqi ekzekutive mbi neve dhe me imunitet mbi ligjin. Meqë duan ta fillojnë dialogun politik me Serbinë për veriun, e hoqën këtë pengesë juridike të quajtur Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Tash do të mund të shkojnë te Ahtisaari plus”, ka shtuar lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti.

Festën e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës Kurti e ka cilësuar si  festë të injektuar, duke thënë se gjilpëra janë mediet e regjimit, kurse shiringa është Ahtisaari.

Ndërsa Visar Ymeri, deputet nga radhët e kësaj lëvizjeje, ka potencuar se amendamentimi i Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator nuk i ka përmirësuar problemet e mëparshme mirëpo, sipas tij, i ka përforcuar ato apo i ka lënë ashtu siç kanë qenë. “Kushtetuta aktuale e Kosovës, e cila u amendamentua tash ka pasur disa probleme thelbësore. Më të veçuarat kanë qenë mohimi i sovranitetit institucional, përmes pranisë së institucioneve ndërkombëtare me pushtet ekzekutiv në njërën anë, dhe në anën tjetër mohimi i barazisë shoqërore e politike mes qytetarëve, përmes krijimit të një sistemi politik e juridik me asimetri kompetencash përbrenda territorit të Kosovës siç kanë qenë komunat me shumicë serbe, siç kanë qenë disa nga monumentet të ritit ortodoks e kështu me radhë”, ka thënë Ymeri.

Kushtetuta,sipas Ymerit, në preambulën e saj ka mbetur ashtu siç ka qenë dhe askund nuk i përmend përpjekjet e popullit shqiptar e as luftën e UÇK-së për ta çliruar Kosovën nga Serbia.

Në rastin e Kushtetutës së Kosovës, Ymeri potencon se Kosova nuk ka të drejtë që t’i bashkohet ndonjë shteti tjetër, duke shtuar se Kushtetuta e mohon edhe demokracinë e pushtetin ekzekutiv. “Ka qenë e tillë për shkak të pranisë së EULEX-it dhe ICO-s, tash mbetet e tillë për shkak të pranisë së EULEX-it”, ka thënë Ymeri.

Ai ka bërë të ditur se me amendamentimin e Kushtetutës është përforcuar e drejta e vetos që e kanë pakicat kombëtare, që janë 20 sosh.

“Amendamenti i dytë që ka të bëjë me nenin 81, ku flitet për shumicën e dyfishtë të të votuarit për çështje të caktuara në Kuvend, dhe aty më parë ka qenë që për ligjet e interesit vital dhe për amendamentimin e Kushtetutës të kërkohen dy të tretat e deputetëve të pranishëm për votim. Ndërkohë që me amendamentimin e këtij neni janë hequr vendet e rezervuara, kanë mbetur vetëm vendet e garantuara, mirëpo është hequr ‘që janë të pranishëm dhe që votojnë’”, ka sqaruar Ymeri duke thënë se edhe zonat e veçanta të mbrojtura janë ngritur në kategori kushtetuese pas këtij amendamentimi.

Si dy çështje shumë të rëndësishme sa i përket amendamentimit të Kushtetutës, Ymeri i ka cilësuar dy nene, nenin 159, që merret me pronat dhe ndërmarrjet me pronësi shoqërore, si dhe neni 160, që flet për ndërmarrjet me pronësi publike.

Në nenin 159 thuhej, sipas Ymerit, që e tërë prona e ndërmarrjeve shoqërore që gjendet brenda territorit të Kosovës do t’i takojë Kosovës. Ndërsa tash me Kushtetutën e Kosovës, sipas tij, ndërmarrjet që janë ose kanë qenë në pronësi shoqërore brenda territorit të Kosovës nuk janë domosdo të Kosovës.

Ndërsa për nenin 160,  Ymeri ka thënë se flet për ndërmarrjet me pronësi publike dhe me amendamentimin e Kushtetutës ky ligj është hequr. “ Kjo nënkupton se tash Kosova me Kushtetutën e amendamentuar nuk ka ndërmarrje publike. Madje-madje, meqë nuk është më kategori kushtetuese, kjo nënkupton që as nuk ka të drejtë të ketë ndërmarrje publike. E kjo ia hap derën një privatizimi të përshpejtuar të egër, të cilin po e do Qeveria e Kosovës”, ka shtuar Ymeri.

Këto dy amendamente Ymeri ka konsideruar se do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në fushën ekonomike dhe të ndërmarrjeve shoqërore publike të Kosovës që, sipas tij, deri tash kanë qenë me Kushtetutë të rregulluara më mirë, e tash nuk do të përmenden fare.  (K.N)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 11:00

Tiranë – Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ka uruar qytetarët e Kosovës si dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurt plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet”, thuhet në mesazhin e presidentit Nishani.

Ai më tej tha se përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë, duke u përulur me mirënjohje para veprës së tyre.

Republika e Kosovës, sipas tij, sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë.

“Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar. Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe”, theksoi Nishani.

Nishani tha se qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile. (LajmeShqip.com)

“Ne jemi të gjithë bashkë për të përballuar sfidat dhe gëzuar sukseset e së ardhmes, sepse kemi të njëjtin destinacion dhe të njëjtën aspiratë, të bashkohemi në familjen evropiane, ku liria ka dimensionet më të mëdha dhe e ardhmja është më e begatë. Por, gjithçka me punë dhe përkushtim. Ne do t’ia dalim, sepse kemi dëshmuar se dimë të luftojmë, të punojmë dhe të fitojmë”, thuhet në mesazhin e presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ndërkohë, edhe Princi Leka, në emër të familjes Mbretërore të Shqipërisë, Familja Mbretërore, ka thënë se avancimi i pavarësisë dhe i shtetit të Kosovës, pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, është një dhuratë e shumë e pritur ndër breza të tërë, në kuadër të festimit të 100 vjetorit pavarësisë së Shqipërisë.

“Sot në këtë ditë historike me rastin e largimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, fillon një epoke e re për Kosovën. Me aktin e heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, kombi shqiptar po e tregon, dhe dëshmon një përkushtimin, pjekuri politike, një përparim të madh që ka bërë në shtet-ndërtimin, dhe plotësimin e standardeve të larta ndërkombëtare. Heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare, do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e integrimit gjithë shqiptar apo integrimin e interesave gjithë kombëtare, dhe Evropiane. Këtë ditë duhet ta kujtojmë me krenari për heronjtë kombëtar të rënë ndër breza për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar”, thuhet në mesazhin e Familjes Mbretërore Shqiptare.

Mesazh urimi ka dërguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, e cila ka përshëndetur Deklaratën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, të 10 shtatorit 2012, përmes së cilës iu dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës si dhe shënoi përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

“Ministria e Punëve të Jashtme përgëzon Qeverinë dhe tërë popullin e Kosovës për këtë arritje historike në konsolidimin e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të institucioneve të saj demokratike multietnike gjithëpërfshirëse, plotësisht funksionale në të gjithë territorin e vendit”, thuhet mes tjerash në mesazhin e MPJ të Shqipërisë.

MPJ e Shqipërisë shpreh bindjen se udhëheqja politike dhe i tërë populli i Kosovës, të ndërgjegjshëm për sfidat që kanë përpara, do të vazhdojnë të respektojnë dhe zbatojnë me energji parimet e shtetit ligjor, duke u bërë një faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon.

Ky vendim, sipas MPJ-së shqiptare, shënon një hap të rëndësishëm domethënës për të gjithë Ballkanin, për tu ndarë përfundimisht nga e kaluara dhe hapur kapitullin e mundësive të reja të prosperitetit, bashkëpunimit, paqes dhe integrimit.

Ministria e jashtme e Shqipërisë, me këtë rast, vlerëson angazhimin serioz të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe vullnetin e saj për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, si elementë thelbësorë dhe faktorë të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë.

“Duke uruar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, Ministria e Punëve të Jashtme siguron për mbështetjen e saj të pakursyer në rrugën e nisur drejt familjes së madhe evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në mesazhin e MPJ-së së Shqipërisë me rastin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Edhe kryeministri Sali Berisha, ka dërguar një mesazh urimi për këtë ditë. Ai, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Tha se sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët pasi që këto dy ditë komuniteti ndërkombëtar në Kosovë po heq mbikëqyrjen mbi pavarësinë e vendit.

“Një arritje historike kjo e qytetarëve të Kosovës në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe institucioneve të tyre. Në ndërtimin dhe konsolidimin e plotë të saj demokracie që po ndërtojnë në përkushtim, vendosmëri të një Kosove të qytetarëve të lirë para ligjit. Kjo përben një ngjarje madhore jo vetëm për qytetarët e Kosovës dhe Kosovën, por edhe për shqiptarë kudo që janë dhe për popujt e tjerë të rajonit”, tha kryeministri Berisha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 17:55

Prishtinë – Ministri i jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, i cili po qëndron në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve për mbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, tha se çdo gjë është e qartë sa i përketë statusit të Kosovës.

“Nga perspektive ime, është krejtësisht e qartë: çështja e statusit është mbyllur dhe mbetet e mbyllur”, i tha Shpindeleger agjencisë DPA.

Ai mëtutje theksoi se “gjatë më tepër se katër viteve Kosova ka arritur demokraci stabile dhe multi-etnike, që mund të kontribuoj në stabilitetin rajonal” dhe shtoi se “sot kaptina e rrugës historike të Kosovës kah pavarësia, me të drejtë mbyllet dhe askush nuk duhet të frikësohet për këtë”.

I pyetur për synimet e Serbisë për ta mbajtur kontrollin ndaj pjesës veriore të Kosovës, të banuar me popullatë shumice serbe, ministri i jashtëm i Austrisë, tha se “çdokush që mendon për zgjidhjen e problemeve duke i këmbyer territoret është në rrugë të gabueshme dhe të rrezikshme, pasi kjo do të provokojë reagim zinxhiror në Ballkan, që mund të shkoj larg përtej çështjes së Kosovës” dhe shtoi se “kufijtë në Ballkan janë vendosur”.

Mëtutje, i pyetur nga DPA-ja se përse KFOR-i nuk ishte në gjendje t’i largoj bllokadat serbe në pjesën veriore, ministri Mihael Shpindeleger, theksoi se “normalizimi i qëndrueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe në Kosovën Veriore nuk është i arritshëm vetëm me mjete ushtarake” dhe konstatoi se përfundimisht “duhet të ketë zgjidhje politike të mbështetur nga të dy palët dhe popullata”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 16:29

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në një konferencë për media se arsyeja e mos pjesëmarrjes në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, është sepse siç tha është një seancë farse që organizohet me paratë e popullit. Ai tha se asnjë nga deputetët nuk do të kenë mundësi të marrin fjalën në emër të qytetarëve, por janë ftuar për të qenë në këtë seancë vetëm si spektator të privilegjuar. Kurti tha se Plani i Ahtisarit e ka vonuar pavarësinë e vërtetë, duke shtuar se nuk janë zgjidhur çështjet për të cilat është hartuar.

 “Plani i Ahtisarit jo vetëm që nuk e përmban pavarësinë e plotë, por në të njëjtën kohë ai e ka vonuar pavarësinë e vërtetë, sepse nuk e parasheh të drejtën për vetëvendosje e as sovranitetin për shtetin. Tani po prezantohet përmbyllja e një dështimi të dykahshëm: kurorëzimi i dështimit të planit të Ahtisarit në veri me negociata për veriun dhe tjetra kurorëzimi i dështimit të instalimit të drejtësisë shoqërore e politike me prezencën e EULEX-it.”

Kurti tha se po hiqet vetëm mbikëqyrja e dukshme e jashtme për tu shndërruar në një mbikëqyrje të brendshme që fshihet brenda ligjeve. Ai tha se më këtë lloj përmbylljeje të mbikëqyrjes së pavarësisë nuk po synohet sovraniteti i Kosovës, por po legjitimohet mungesa e sovranitetit.

Visar Ymeri paraqiti qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për amendamentet kushtetuese që u votuan të premten në Kuvend. Ai tha se me këto amendamente është ngritur më shumë statusi i EULEX-it duke u votuar nga 2/3 e Kuvendit. Edhe pas amandamentimit, Kushtetuta e Kosovës vazhdon të mohojë një pjesë të së drejtës sovrane të institucioneve të Kosovës për ta ushtruar sovranitetin, për shkak se e mban EULEX-in brenda, tha Ymeri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 15:50

Prishtinë (PLOTESUAR 10 SHTATOR 19:15)- Presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh. “Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh, duke qenë subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe duke dhënë kontributin tonë e duke fuqizuar si faktor, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, ka theksuar Jahjaga.

Duke folur për dialogun, Jahjaga ka thënë se institucionet e Kosovës do të dialogojnë me qytetarët serbë që jetojnë në veri të Mitrovicës, duke arritur kështu mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve jep rezultate më të mira.“Në demokracinë tonë qytetare dialogu i brendshëm me mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë është parim i veprimit të institucioneve. Ne do të dialogojmë me qytetarët tanë në tri komunat e territorit tonë të Kosovës, duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve, qeverisja në nivel komunal, ashtu si dha rezultat në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, do të jenë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke u mundësuar qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legalë dhe legjitimë dhe të përfaqësojnë interesat e tyre”, ka deklaruar presidentja e vendit.

Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë në këtë rast se kur është në pyetje interesi i shtetit, faktori politik në vend gjithmonë e ka dëshmuar se është bashkë. Shefi i Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë mundësuar që Kosova të arrij deri këtu. “Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, pozita dhe opozita në Kosovë gjithmonë janë bërë një kur kanë qenë interesat e Kosovës në pyetje. Procesi i Vjenës do të kulmonte me planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, i cili propozonte pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovës. Përkundër kompromiseve ne pranuan planin dhe pikërisht bazuar në këtë plan, me 17 shkurt të vitit 2008, nga kjo foltore, nga kjo sallë, duke dëgjuar të rrahurat e zemrës të stërgjyshërve tanë, do të shpallnim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka thënë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se ai ka ardhur për të festuar të arriturat e Republikës së Kosovës.“Qëndroj sot këtu para jush për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Janë gjithashtu duke shënuar kështu fillimin e një rrugëtimi të tjetër. Pesë vite me parë, unë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ua kam dhënë materialin tim, propozimin për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për Kosovën. Ne sot festojmë miratimin e plotë të të gjitha parimeve dhe instruksioneve të inkorporuara në institucione, në procese dhe në kornizën ligjore të një shteti funksional të pavarur”, ka thënë ndër të tjera projektuesi i pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari.

“Suksesi në Kosovë dhe suksesi në Serbi nuk do të gjenden në duartrokitje apo nga kureshtja, por duhet të gjenden në përkushtimin dhe zbatimin e planit që ka prodhuar rezultate konkrete. Ky plan në fillim u pa si fantazmë, por tashmë është fakt. Kjo është e arritur e përbashkët e jona”, ka deklaruar ai. Ahtisaari ka theksuar se tash u mbetet vendësve të punojnë për të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, duke kujtuar ata që ranë për të arritur në këtë ditë.

Nga një fjalim rasti e kanë mbajtur edhe dy kontribuesit e pavarësisë Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger. Ata përkrahën përmbylljen e mbikqyrjes së pavarsisë dhe përgëzuan institucionet e vendit për marrjen e përgjegjësive të reja.(LajmeShqip.com)

*****************************************

Washington (PLOTESUAR 10 SHTATOR 17:45)- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka përshëndetur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si arritje historike, ndërkohë që vendi merr përsipër kontrollin e plotë të sovranitetit të tij.

“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama në një komunikatë të lëshuar për shtyp.(LajmeShqip.com)

*********************************************

Berlin (PLOTESUAR 10 SHTATOR 17:00)-  Gjermania mirëpret mbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo ka zbatuar refomat për hapin që çon ka sovraniteti.

“Fakti që sot merr fund mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe një sukses i përpjekjeve ndërkombëtare. Kosova ka përmbushur kërkesa rrënjësore demokratike dhe ka arritur progres në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave”, ka theksuar Ministri Federal për Punë të Jashtme, Guido Westerwelle.

Sipas tij, Qeveria Federale do të mbështes fuqimisht Kosovën edhe në të ardhmen në procesin ekonsolidimit të shtetit. “Prioritet mbetet procesi i mëtejmë i afrimit të Kosovës me BE-në dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe stabilitetin qëndrueshëm të gjendjes në veri të Kosovës“, ka theksuar ai.

Propozimi i bërë me mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, i Presidentit finlandez Martti Ahtisaari ka ndërlidhur të drejtat e autonomisë së gjerë të komunave serbe në Kosovë me mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Përkufizimet e Planit të Ahtisaar-it rregullojnë posaçërisht çështjen e mbrojtjes së të drejtave të pakicave jo-shqiptare, forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe mbrojtjen e monumenteve ortodokse serbe. (LajmeShqip.com)

********************************************

Prishtinë -Mbledhja e gjashtëmbëdhjetë dhe e fundit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012, thuhet në komunikatë.
Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit. 10 shtator 2012, Prishtinë (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 15:15

Berlin – Gazeta gjermane Bild e cila ka tirazhin më të madh të shitjes në Gjermani, mbi 6 milionë ekzemplarë ka uruar sot në ballinën e saj ambasadorin e Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu dhe me këtë popullin e Kosovës për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në rubrikën e përditshme fituesi(Gewinner) dhe humbësi (Verlierer), në faqen e parë, gazeta shpall fituesin e ditës (Gewinner) Kosovën dhe uron në gjuhën shqipe me fjalën “Urime” ambasadorin e Kosovës në Berlin, zotin Xhaklaiu për fundin e mbikëqyrjes së Pavarësisë, raporton RTK.

Në tekstin e gazetës Bild thuhet: “Një ditë e lumtur për ambasadorin kosovar në Berlin Skënder Xhakaliu(44). Pas pesë vitesh mbikëqyrje ndërkombëtare, Republika e Kosovës fiton sot sovranitetin e plotë. Me këtë sot Xhakaliu bëhet përfaqësues i një shtetit plotësisht të pavarur. Me këtë rast Bild thotë: URIME!” (fjala urime është shkruar në shqip).(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 14:49

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot me rastin e heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, se Serbia nuk pranon asnjë pavarësi, as atë të mbikëqyrur, e as atë pa mbikëqyrje.

“Për ne çështja e Kosovës nuk është zgjidhur derisa me të nuk pajtohet Serbia. Po të mos ishte kështu, nuk do të na bënin aq shumë trysni ta njohim Kosovën”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.

Ai gjithashtu ka thënë se rrëfimet për njohjen e pavarësisë së Kosovës për të arritur anëtarësimin e Serbisë në BE janë “budallallëk” dhe se kusht i vetëm është relaksimi i raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Si mund të jetë kusht pranimi i pavarësisë së Kosovës kur ekzistojnë edhe vende brenda BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të këtillë. Një relaksim sa më i gjerë i raporteve dhe zgjidhja e problemeve që pamundësojnë jetën normale të qytetarëve në Kosovë, është kusht”, ka thënë Daçiq. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 13:56

Prishtinë  – Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, ka deklaruar se me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, nuk i jepet fund interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, por përkundrazi, me të shtohet përqendrimi ndaj Kosovës. Pas takimit me kryeministrin, Hashim Thaçi ai ka theksuar se për Kosovën po nis një kapitull i ri me mundësi të rëndësishme, raporton KTV-ja.

Reeker ka theksuar se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian, por theksoi se dialogu ndërmjet të dyja vendeve është esencial. “Mezi po pres që të raportoj, ngase nga këtu do të udhëtoj në Bruksel dhe do të vazhdojë të angazhohem për dialogun që na pret atje” ka thënë Reeker.

Ndërsa kryeministri Thaçi deklaroi se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një ngjarje e madhe për popullin e Kosovës. Thaçi foli për sfidat e ardhshme të shtetit të Kosovës, duke i quajtur ato jo të lehta, ndonëse u zotua për angazhimin institucional në përballjen me këto sfida. “Ne diskutuam me ambasadorin Reeker për progresin e arritur në Kosovë, për ngjarjen madhore për qytetarët e vendit, për këtë rrugëtimin të përbashkët për implementimin e plotë të pakos së Marti Atisarit, për përkushtimin tonë për shtirjen e autoritetit në çdo pjesë të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi. (LajmeShqip.com)