Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 11:17

Tiranë- Tragjedia e vdekjes në aksident e 5 maturantëve në Shkodër ndodhi për shkak se shoferi i kamionit, që kryente kontrabandë të lëndës drusore, ecte me dritë të fikura për të shmangur postblloqet policore. Të paktën ky është dyshimi kryesor i policisë për ngjarjen e rëndë që tronditi dy net më parë të gjithë Shkodrën, e madje mbarë vendin. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga veprimet e kryera në vend deri më tani, rezulton se grupi i të rinjve nuk e ka parë fare kamionin, që po futej nga rruga dytësore në atë nacionale.

Mjeti “BMW” me targë SH 1818D, që drejtohej nga 18-vjeçari Osman Meraja, ka pasur përparësi, pasi ata po vinin në drejtim të Shkodrës dhe ndodheshin në aksin nacional. Papritur në rrugë është futur kamioni me drita të fikura me targë PU 1463 A e, për rrjedhojë, tragjedia ka qenë e pashmangshme. “Në momentin e mbërritjes së grupit hetimor pranë vendit të ngjarjes është konstatuar se kamioni ishte me drita të fikura. Dyshohet se të rinjtë nuk e kanë parë fare kamionin, i cili kishte përparuar në mes të rrugës”, bënë të ditur dje burime nga grupi i hetimit, i cili po verifikon për momentin vetëm ngjarjen e aksidentit, ndërsa më vonë do hetojë dyshimet për kontrabandë.

Gjatë ditës së djeshme është marrë në pyetje edhe shoferi i kamionit, 48-vjeçari Prend Ndreca. Siç mësohet, ai kishte pësuar tronditje të fortë psikologjike pasi ka mësuar pasojat e rënda të këtij aksidenti, më i rëndi i ndodhur prej shumë vitesh në qarkun e Shkodrës. Skena e ngjarjes e ka tronditur atë, por gjithsesi, ai ka qenë në gjendje dje të japë detajet e para në lidhje me këtë ngjarje. Pyetjes së policisë se përse po udhëtonte natën, Ndreca i është përgjigjur se “po udhëtoja gjatë natës meqenëse ditën ka trafik të madh dhe është e vështirë të menaxhosh kamionin. Në mbrëmje trafiku është më i qetë”. Në fakt, një përgjigje e tillë nuk ka qenë bindëse për hetimorët, nisur edhe nga fakti që kamioni ishte i ngarkuar me lëndë drusore. Kjo ka bërë grupin hetimor që të dyshojë se në këtë rast mund të kemi të bëjmë me kontrabandë dhe, për pasojë, në raste të tilla këto mjete lëvizin me shpejtësi për të mos rënë në kontrollet e postblloqeve që policia ngre herë pas here për të zbuluar raste të tilla.

Ai po lëvizte nga Puka për në drejtim të Tiranës, por dyshohet se para se të futej në aksin nacional, ka fikur dritat e kamionit për të mos rënë në sy të policisë. Një veprim i tillë i papërgjegjshëm dyshohet se shkaktoi tragjedinë, megjithatë blutë po hetojnë për të konfirmuar plotësisht shkakun e fikjes së dritave të mjetit të rëndë. “Gjer në Kryebushat çdo gjë ka shkuar normalisht. Jam afruar si zakonisht pranë kryqëzimit të rrugës dhe kontrollova dy anët e rrugës Lezhë–Shkodër. Nga larg kam dalluar një palë drita të një automjeti. Ishte aq larg saqë mendova se me shpejtësinë e kamionit mund të kaloja në segmentin e rrugës së Lezhës për të dalë në kahun e duhur. Por “BMW”- ja erdhi aq shpejt, saqë jemi përplasur në mesin e karrexhatës. Nuk munda ta shmang aksidentin”, është shprehur më tej 48-vjeçari.

Ai nuk ka pësuar asnjë dëmtim fizik nga ngjarja, veç tronditjes psikologjike. Në aksidentin e rëndë gjetën vdekjen pesë maturantët që po ktheheshin nga një ditëlindje: Raelv Duli, 18 vjeç, Xheni Anamali, Ledio Pirani, Orlend Mreça dhe Osman Meraja, që të katërt 18- vjeçarë. /BW/