Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 17:29

New York – Një shkëmbim zjarri shkaktoi sot të paktën dy të vdekur dhe disa të plagosur në Nju Jork pranë Empire State Building, një nga ndërtesat më të vizituara të qytetit, bënë të ditur burime zyrtare lokale.

“Shtypi lokal njoftoi për të paktën 10 të plagosur. Një kalimtare humbi jetën si pasojë e të shtënave si dhe autori i krimit”, theksuan burimet zyrtare lokale. “Deri tani rezulton të paktën një person i vdekur dhe gjashtë civilë të plagosur”, deklaroi një polic në vendngjarje.

Një zëdhënës i FBI-së, J. Peter Donald deklaroi se mund të ishte një akt terrorist.
Sipas dëshmive paraprake bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes dy punonjësve, të cilët mund të kenë probleme. Autori i krimit mund të jetë shkarkuar nga puna e tij kohët e fundit dhe mund të ketë ardhur për hakmarrje.

Rrugët u bllokuan nga policia menjëherë pas shkëmbimit të zjarrit.  Empire State Building tërheq mijëra vizitorë çdo ditë në Nju Jork dhe është një nga ndërtesat më të njohura të qytetit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 July 2012 12:49

Uashington – Specialistë të skuadrave për çaktivizimin e bombave në shtetin Kolorado të Shteteve të Bashkuara së bashku me robotë dhe pajime të tjera për orë të tëra kanë punuar për të çaktivizuar masivin e ekplozivit, me të cilin ishte mbushur apartamenti i të riut Xhejms Holms në qytezën Aurora, në periferi të Denverit. 

Sipas raportimeve të mediave amerikane, në apartamentin e vogël ndodheshin 60 bomba gati për të shpërthyer, 30 prej të cilave ishin granata artizanale. E gjithë zona është evakuuar, të paktën 5 ndërtesa përreth shtëpisë janë braktisur nga banorët nga frika e shpërthimeve.

Në fund, sipas burimeve mediatike, agjentët kanë arritur të kthejnë sigurinë në shtëpinë e Holms, duke shkëputur me sukses të gjithë telat që mund të aktivizonin bombat. Shtëpia e Xhejms Holmsit ishte cilësuar si një labirinth me tela dhe lëndë shpërthyese dhe policia lokale nuk arriti që të hynte dot në të.

Policia në periferinë Aurora të Denverit thotë se 12 persona u vranë dhe 70 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve gjatë konfuzionit që u krijua pas të shtënave. Ngjarja ndodhi ditën e premte në mëngjes kur një 24 vjeçar  i armatosur hapi zjarr ndaj tyre. Guvernatori i Kolorados Xhon  Hikenloper thotë se ai takoi disa prej viktimave: “Në raste të tilla ka viktima që mbeten të dëmtuar për jetë. Ne si komunitet kemi nisur të mbledhim ndihmat e para dhe vetëm në tre orët e para të krijimit të faqes së internetit givingfirst.com u blodhën 125 mijë dollarë ndihma”.

Kandidati republikan Mit Romni shprehu ngushëllimet në takimin që pati me mbështesëtsit e tij në Nju Hampshir. “Ne jemi zemërthyer nga kjo tragjedi.  Anna dhe unë u bashkohemi ngushëllimeve të thella të Presidenti dhe Zonjës së Parë e të gjithë amerikanëve për ata, të cilëve jeta iu ndërpre nga një ngajrje e tillë në Kolorado”.

Holms, i cili kreu aktin, përshkruhet nga fqinjët si njeri i vetmuar. Ai ishte i armatosur rëndë  dhe u arrestua menjëherë mbas ngjarjes. Së fundmi ai kishte ndërprerë studimet në shkollën mjekësore të Kolorados. Shefi i policisë së qytezës Aurora thotë se apartamenti i Xhejms Holmsit ishte një labirinth telash dhe lëndësh shpërthyese: “Të hyje në shtëpinë e tij ishte shumë e ndërlikuar. Personalisht nuk kam parë deri më sot një pamje të tillë si ajo që na u shfaq atje. Atje ka pajime nga më të ndryshmet, tela, kavanozë të mbushura me municione, kavanozë me lëndë të lëngshme shpërthyese, disa pajime që duken si mortaja”.

Kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut, Majkëll Blumberg, në një intervistë për CBS është shprehur kundër lirisë së blerjes së armëve. “Të armatosësh të gjithë dhe të kesh një Far Uest është një nga gjërat më të pakuptimta që mund të thuhet”, ka deklaruar Blumberg.

Deklaratat e kryebashkiakut erdhën pas atyre të bëra nga senatori republikan i Teksasit, Lui Gohmert, i cili shtroi pyetjen nëse, vrasësi i kinemasë mund të ishte ndalur më shpejt nëse në sallë do të kishte qenë dikush i armatosur. Masakra e kinemasë në Denver të Kolorados ka shqetësuar edhe Evropën. Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Secilia Malmstrom është shprehur e “rrënqethur” nga ngjarja, duke dhënë edhe një fakt tronditës. “Në Krishtlindjet e kaluara armët ishin një nga dhuratat më popullore, në mos më populloret në absolut në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar e alarmuar komisionerja.

Siç dihet, autori i masakrës e kishte blerë armën dhe municionet në rrugë ligjore dhe për rrjedhojë nuk pati asnjë vështirësi të ekzekutonte 12 vetë dhe të plagoste 59 të tjerë. Ndërkohë, katër nga 58 të plagosurit në masakër mbeten në terapi intensive. Dy prej tyre janë në gjendje “kritike por të qëndrueshme”. Lajmin e ka bërë të ditur kirurgu i spitalit të Aurorës, Bob Snajders, i cili ka nënvizuar se për disa nga të plagosurit dëmet mund të jenë të përhershëme.

Ndërsa policia lokale ka identifikuar dy viktima të tjera të tragjedisë, mes të cilave, sipas burimeve të shtypit amerikan, është edhe një vajzë 6-vjeçare. Sulmi në sallë e kinemasë në Aurora renditet si më i rëndi në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2009, kur një ushtarak me probleme mendore vrau 13 ushtarë dhe civilë në një bazë ushtarake në Teksas. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Saturday, 21 July 2012 15:22

Denver –Sulmi i studentit 24-vjeçar në kinemanë e mbushur plot të Denverit, ku shfaqej premiera e filmit të ri të Batmanit, ishte pika kulmore e një planifikimi të kujdesshëm 2-mujor, i cili përfshintë edhe një kurth vdekjeprurës për hetuesit, kur të mbërrinin në shtëpinë e të dyshuarit.  12 vetë humbën jetën nga episodi i dhunshëm i së premtes. 58 ishin të plagosurit, shumë nga të cilët rëndë.

30 vetë janë të shtruar në spital dhe 11 prej tyre mbetën në gjendje kritike për jetën.  James Eagan Holmes i kishte blere armët dhe municionet në fillim të majit, në mënyre krejtësisht të ligjshme. Zyrtare federale e policore thonë se në momentin e agresionit, 24-vjeçari kishte vendosur një kundragaz në fytyrë, helmetë në koke, mbante jelek antiplumb, mbrojtëse për fytin, doreza. Çdo element i veshjes ishte në ngjyre të zeze. I riu kishte me vetë dy pistoleta, një shotgan, një automatik e plot municione.

Edhe vendi ku do të kryhej sulmi ishte zgjedhur me kujdes për të shkaktuar sa më shumë viktima: kinemaja ku do të jepej premiera e filmit me të pritur të vitit, “The Dark Knight Rises,” e treta e serisë se filmave Batman të regjisorit Christopher Nolan. Ky i fundit shprehu përmes një deklarate dhimbjen e thellë për këtë tragjedi të pakuptimtë, siç tha, që e gjunjëzoi të gjithë komunitetin e Aurores.

Pas arrestimit, Holmes i ka thënë policëve se ishtë Jokeri, duke iu referuar kështu njërit prej karaktereve me të liga të sagës se Batmanit. 24-vjeçari kishte përfunduar studimet në San Diego e po tërhiqej nga një program neurologjie në shkollën mjekësore të universitetit të Colorados.

Ai nuk ka bere rezistencë në momentin e ndalimit nga policia. Zyrtarët e policise janë të bindur se ka vepruar i vetëm. Një prej viktimave të tragjedisë, ishte Jessica Ghawi, gazetare sportive që  arriti t’i mbijetonte episodit të dhunës më 2 qershor në një qender tregtare të Torontos, ku u vranë dy persona e u plagosën 7 të tjerë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 July 2012 09:12

SHBA – Personi që qëlloi sot në një kinema në Denver, SHBA, është një student i vetmuar, që kishte pak kohë që kishte hequr dorë nga doktoratura në neuroshkencë.

James Holmes, 24 vjeç, po studionte në Universitetin e Kolorados për mjekësi deri në qershor të këtij viti. Ai qëlloi në kinema ndërkohë që po shfaqej filmi më i ri i Batman, duke lënë 12 të vdekur, mes tyre edhe një fëmijë 12 vjeç.

Fqinjët e tij në universitet thanë se ai ishte një person i vetmuar. Një student tha se askush nuk e njihte. Nëna e tij e shokuar konfirmoi se ai është personi që ka kryer masakrën.

Holmes hodhi një granatë tymuese përpara se të hapte zjarr, duke lënë të paktën 12 të vdekur e dhjetëra të plagosur. Mendohet se një e plagosur është vetëm tre muajsh. Autori mbante veshur jelek antiplumb.

Holmes u arrestua në parkingun e kinemasë, pa bërë rezistencë. Disa dëshmitarë thonë se ai nisi të qëllonte kur edhe në film nisën krismat. Pyetja që lind është nëse vrasësi është frymëzuar nga seritë e heroit Batman? Mendohet se në një nga edicionet e Batman, një vrasës shfaqet në kinema, duke hapur zjarr mbi të pranishmit.

Përpara se të kryente vrasjen, ai kishte dëgjuar të njëjtën këngë vazhdimisht, madje e kishte lënë të luhej edhe në makinë. Pikëpyetje kanë lindur se përse në orët e vona në kinema kishte fëmijë dhe bebe.

Në apartamentin e tij janë gjetur materiale shpërthyese. Ai po merret në pyetje. Dëshmitarët thonë se gjatë masakrës ai ishte shumë i qetë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 July 2012 13:30

Washington (PLOTESUAR 20 korrik, 15:30)- Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se “është i shokuar dhe i pikëlluar” pas një sulmi masiv me armë zjarri në një kinema në Kolorado nga i cili u vranë 14 njerëz, ndërsa u plagosën 50 të tjerë.

Poll Otermat, i cili ishte brenda kinemasë kur ndodhi sulmi foli për televizionin britanik Sky News për incidentin. Ai (sulmuesi) hyri në kinema në mënyrë mjaft normale dhe gjuajti gaz lotsjellës…  pastaj papritmas nisi të gjuaj me armë”, tha ai.

Dhjetë njerëz vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa katër të tjerë pësuan nga plagët e rënda në spital. Viktima më e re ishte një fëmijë i moshës 6 vjeçare. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Denver – Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të vdekur dhe shumë të tjetër të plagosur në Denver të Kolorados, nga të shtënat e armëve që ndodhën brenda në kinema ku pritej të jepej filmi “The Dark Knight Rises’, episodi i fundit i serisë dedikuar Batmanit.

Tragjedia ndodhi rreth mesnatës me orën lokale të Denverit.
Sipas disa dëshmive, autori i tragjedisë mbante të veshur një maskë antigas të ngjashme me personazhin negativ në film dhe përpara se të ndodhte masakra kishte lëshuar disa bomba tymëse.

“Fillimisht njerëzit mendonin se të shtënat ishin pjesë e filmit” tregon një i mbijetuar. Sipas medias lokale, që citon burime nga spitali i Swedish Medical Center bëhet fjalë për 20 persona që kanë nevojë për ndihmë të shpejtë.

Shumë të plagosur po ngarkohen në makinat e policisë pa pritur autoambulancat. Një person është arrestuar ndërsa forcat e siugurisë vazhdojnë të jenë në kërkim të autorit. Në vendin e ngjarjes ndodhet dhe një skuadër e antieksploviz pasi mendohet se vrarësi mund të ketë vendosur edhe një granatë.(LajmeShqip.com)