Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 10:23

Ylli i Bajern Mynih, Frank Riberi, ka treguar entuziazëm për suksesin 2-0 ndaj ish-skuadrës së tij, Olimpikut të Marsejës në përballjen e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.

Ekipi gjerman thuajse e ka siguruar gjysmëfinalen falë këtij triumfi të ndërtuar nga golat e Mario Gomez dhe Arjen Roben, ndonëse vendësit meritonin diçka më shumë nga kjo sfidë pasi krijuan po aq raste të rrezikshme para portës kundërshtare.

“Kjo është një situatë e mirë për ne. Rezultati është perfekt, më mirë se një barazim pa gola apo fitore 1-0. Ne luajtëm me disiplinë taktike dhe e merituam të fitonim këtë sfidë”, tha Riberi.

Për francezin, kjo ka qenë një sfidë shumë e vështirë pasi 28 vjeçari luante për herë të parë si kundërshtar ndaj ish-skuadrës së tij, Olimpikut të Marsejës, ndërsa ish-tifozët e tij e kanë vërshëllyer gjatë lojtarin pas largimit nga fusha e lojës.

“Është gjithmonë shumë e vështirë për mua kur luaj në Francë. Por unë tashmë luaj për Bajernin, që është një familje madhe. Jam këtu prej 5 vitesh dhe ndjehem mirë, gjithçka është perfekte për mua”, deklaroi Riberi për mediat gjermane pas përfundimi të ndeshjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 22:48

Bajern Mynih thuajse ka siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve falë fitores 2-0 ndaj Olimpik Marsejë në fushën e kësaj të fundit. Dy gola të Gomez dhe Roben i kanë mjaftuar ekipit gjerman për të marrë një sukses të rëndësishëm që i kthen ata automatikisht në një prej skuadrave pretendente për fitoren e trofeut. 

Pjesa e parë ka folur më shumë për ekipin vendas që ka rrezikuar disa herë me Diarra, Ajeu e Remi, ndërsa ky i fundit goditi edhe shtyllën e jashtme të portës së mbrojtur nga Nojer. Kundërpërgjigjet e Bajern janë me Gomez e Myler, por pa sukses përballë portierit Andrade, zëvendësuesi i Mandanda të skualifikuar.

Francezët duket se kontrollojnë lojën dhe nuk i lënë mundësi kundërsulmeve të rrezikshme bavareze. Por me gabimin e parë, një aksion i shpejtë me 3 pasime nxjerr para porte Gomez, i cili nuk gabon për të shënuar golin e tij të 12-të në këtë edicion, po aq sa Mesi, po me ndryshimin se një e ka shënuar që në fazën paraeliminatore. Francezët protestojnë dhe me të drejtë, pasi në aksionin e golit është Lahm që kontrollon topin me dorë.

Ndeshja është mjaft e bukur dhe pjesa e dytë shfaq dy skuadra që sulmojnë duke u munduar në të gjitha mënyrat të shënojnë, ndërsa Nojer dhe Andrade duhet të bëjnë ndërhyrje pas ndërhyrje për të shpëtuar portat e tyre nga gola të sigurt.

Megjithatë, në minutën e 70-të është Roben që gjen mënyrën si të dërgojë përsëri topin në rrjetë, pas një kombinimi të shkëlqyer me Myler. 2-0 dhe ndeshja përfundon, pasi dy skuadrat ulin ritmin në minutat e mbetura.

Me këtë rezultat, Bajern ka thuajse të sigurt një përballje me Real Madrid në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve dhe bëhet kandidat serioz për të fituar trofeun, finalja e të cilit zhvillohet pikërisht në stadiumin e tyre. (LajmeShqip.com)