Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:16

Bruksel – Kosova dhe Serbia kanë arritur mbrëmë në Bruksel marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin, ka njoftuar Zyra e Baroneshës Katherine Ashton. Marrëveshja u arrit pas një takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Ashton. Arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe kryeministri Thaçi, i cili tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të dyja vendet. Njoftimi të cilin e ka dhënë Zyra e Përfaqësuese së Lartë, nuk ka dhënë detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje.

Por kryeministri i Serbisë, Daçiq, ka thënë se Serbia ka arritur maksimumin e asaj që ka kërkuar. Ai ka thënë se Kosova do të mund të marrë një kod treshifror telefonik porse thirrjet nga Kosova në, siç u shpreh ai, “Serbinë qendrore“ do të konsiderohen si thirrje lokale.

Kryeministri i Serbisë tha se sa i përket telekomit Kosova do të mund të kërkojë në përdorim të përkohshëm një kod telefonik ndërkombëtar treshifror, por shtoi se “për jetësimin e kësaj do të kalojnë disa vjet”. Daçiqi po ashtu tha se “operatorët mobilë të Serbisë do të mund të vazhdojnë të operojnë në territorin e Kosovës sikur edhe deri më tash derisa të mos shpallet një tender për operator mobil në Kosovë, që nuk do të ndodhë para vitit 2015“.

Ndërkaq zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se nga takimi i mbrëmshëm në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është rishikuar progresi i arritur dhe janë ndërmarrë vendime të rëndësishme për ”të siguruar zgjedhje të drejta me pjesëmarrje sa më të madhe në këtë proces zgjedhor”.

Në njoftim thuhet më tej se gjatë takimit është arritur pajtimi që Grupet Punuese për zgjedhjet, të udhëhequra nga OSBE-ja, të takohen gjatë ditëve në vijim, që vendimet e marra të implementohen me kohë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:28

Bruksel – Kanë vazhduar takimet me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton në përpjekje për të arritur marrëveshje për temat e mbetura të dialogut siç janë telekomunikacioni energjia dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Maja Kocijancic sapo ka njoftuar se takimi Ashton – Thaçi -Dacic sapo ka vazhduar.
Por nga Brukseli bëhet e ditur se Thaçi dhe Dacic për herë të parë në kryeqytetin europian kanë realizuar edhe një takim bilateral, ku nuk ka qenë e pranishme Përfaqësuesja e Lartë.

Fillon takimi Thaçi-Dacic

Ka filluar raundi i ri i bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel mes dy kryeministrave Thaçi-Dacic me ndërmjetësinë e baroneshës Catherine Ashton, ka njoftuar në një komunikatë për shtyp zëdhënësja e Ashton, Maya Kocijancic.
Sipas medieve temë e diskutimit do të jetë pamja e fletëvotimeve dhe çështja që ka të bëj me Energjinë dhe Telekomin.
Ashton, ashtu si herëve të tjera ka mbajtur takime të ndara me dy kryeministrat.
“Zgjedhjet do të jenë historike, meqë do të zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në pjesën veriore të vendit ku serbët përbëjnë shumicën”, u ka thënë Thaçi gazetarëve në Bruksel./express/

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 12:24

Bruksel – Dje në Bruksel është mbajtur takimi i radhës i Grupit Implementues të Marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Temë kryesore e këtij takimi ishte çështja e ndërtimit të objekteve të përhershme të IBM-së në të gjitha gjashtë pikëkalimet kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të vendosen saktësisht në vijën kufitare mes dy shteteve. Ndërtimi i këtyre pikëkalimeve kufitare është i paraparë me Protokollin Teknik të Marrëveshjes së IBM-së, që është nënshkruar dhe miratuar si nga Qeveria e Kosovës po ashtu nga ajo e Serbisë. Ndërtimi i pikëkalimeve të përhershme kufitare do të bëhet me financimin e Komisionit Evropian, të cilët në këtë takim kanë prezantuar projeksionet me ndryshimet e kërkuara nga palët nga takimi i kaluar. Komision Evropian njoftoi se planifikon që deri nga fundit i këtij viti ta përfundojë procedurën e tenderimit dhe kontraktimeve dhe se në fillimin të vitit 2014 të fillojë ndërtimi i këtyre pikëkalimeve kufitare të IBM-së, raporton Koha.

Ndërtesat e përhershme të IBM-it do të jenë sipas standardeve të larta të BE-së, të cilat do të mundësojnë një kontroll më të avancuar kufitar, që do të kontribuojë në lehtësira të mëtejme të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. e po ashtu do të rrisë sigurinë dhe bashkëpunimin ndër-fqinjësor.

Pikë tjetër në agjendën e këtij takimi ishte edhe raportimi mbi gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare në mes të dyja vendeve. U konkludua se Marrëveshja është duke u zbatuar kënaqshëm, e sidomos u vlerësua funksionimi i kanaleve të komunikimit në mes të agjencive kufitare të Kosovës me ato të Serbisë të cilat kanë bërë që edhe përkundër trafikut të shtuar të mos paraqiten radhë të gjata nëpër pikëkalime kufitare. Pala jonë përgjatë këtij raportimi prezantoi disa nga pakënaqësitë e qytetarëve tanë që janë raportuar përgjatë hyrjes në territorin e Serbisë nga vendet e BE-së dhe pala serbe mori obligim që ti verifikoj këto informacione dhe të provon ti jap zgjidhje.

Në përbërje të delegacionit të Kosovës në këtë takim ishin: Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Dren Zeka këshilltar i lartë politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Qemajl Marmullkaj nga Zyra për Planifikim Strategjik, Naim Huruglica, Drejtor i Doganave të Kosovës, Shaban Guda, ndihmës drejtor për çështje të kufirit në Policinë e Kosovës dhe Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit.

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 13:55

Beograd – Shteti serb dhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë takuar mbrëmë vonë në Beograd për të tejkaluar të gjitha pengesat e pjesëmarrjës së serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të Kosovës.

Takimi i mbajtur në presidencën serbe, ndërsa në të zyrtarët më të lartë serbë si dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë informuar me detajet e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Pas takimit nuk është thënë se është arritur ndonjë marrëveshje, por sipas Marko Gjuriq, këshilltari i presidentit serb, Tomislav Nikoliq, ka thënë se të gjitha palët janë pajtuar se duhet pasur unitet për hir të “interest shtetëror serb”.
“Është shumë e rëndësishme që çdo marrëveshje që ne e arrijmë, në çfarëdo drejtimi, të jetë një marrëveshje që rezulton në unitet. Ka ardhur koha që konfliktet partiake të lihen anash dhe se interesi kyq i shtetit serb në lidhje me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje është që ky vendim të merret së bashku dhe se serbët të marrin pjesë si një parti e vetme”, ka thënë, Gjuriq.

 
Lajme Shqip Sunday, 14 July 2013 14:20

Beograd – Ambasadori i Francës në Beograd, François Xavier Deniau ka thënë se normalizimii raporteve të Serbisë me Kosovës, nuk nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën beogradase Politika, Deniau ka thënë se termi “normalizimi i plotë i marrëdhënieve” me Kosovën, të cilën evropjanët e përdorin do të thotë “zbatim konkret, të qëndrueshëm, të marrëveshjes Beograd-Prishtinë që është arritur në mars dhe maj të këtij viti”, transmeton REL.

Sipsa tij, Bashkimi Evropian ka marr tashmë vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë, dhe se “negociatat mund të fillojnë ndërmjet të takimit të Këshillit Evropian, ndërmjet të 20 dhjetorit dhe 31 janarit”.

 
Lajme Shqip Sunday, 14 July 2013 13:18

Beograd – Bisedimet për anëtarësim në BE të Serbisë përfshijnë edhe normalizimin e raporteve me Prishtinën.
Këtë e thonë për Beta zyrtarët e Komisionit Evropian, të cilët cekin se komisari Stefan Fule do të shkojë në Beograd për të diskutuar me zyrtarët serbë për reformat evropiane të Serbisë.
Vëmendje e veçantë do t’i përkushtohet normalizimit të raporteve me Kosovën, e mbi të gjitha implementimit të Marrëveshjes së Brukselit, e pastaj rregullimit afatgjatë të raporteve në mënyrë që të dyja palët të kenë mundësi të anëtarësimit në BE – kur plotësohen kushtet për këtë.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 10:55

Bruksel – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi refuzon të pranojë të drejtën e dyshtetësisë, shkruan sot gazeta serbe ”Blic”. Sipas kësaj gazete, Thaçi insiston që në Kosovës së pari të merret shtetësia e saj e më pas të shikohet mundësia e shtetësisë tjetër, pra të asaj serbe. Edhe pse bisedimet në Bruksel po përparojnë, kanë mbetur të zgjidhen disa qëndrime thelbësore rreth të cilave grupet e punës po sillen e mbështillen tash e disa javë. “Blic” thekson se pala e Kosovës insiston që Liqeni i Gazivodës dhe trafo e Valaçit të integrohen në sistemin e Kosovës.

Gazivoda është e domosdoshme për Kosovën për punën e termocentralit në Obiliqi dhe Prishtina nuk do assesi që ai të varet nga serbët e veriut. Por Beogradi për serbët e veriut kërkon një provajder tjetër për rrymën dhe mu trafo e Valaçit është e lidhur me Gazivodën.

Edhe kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, nuk është arritur ndonjë pajtim pasi problem nuk është vetëm kërkesa e Kosovës që të ketë numrin thirrës të vetin, por ekziston edhe problemi ekonomik, sepse Kosova nuk lejon që pos dy kompanive që kanë licenca, edhe hyrjen e Telekomit në treg.

Beogradi pret që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin për amnisti dhe, siç shkruan “Blic”, kërkon zbatim të njëjtë të Marrëveshjes edhe nga Prishtina.

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 July 2013 16:22

Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka rikonfirmuar mbështetjen e Aleancës Veriatlantike për Marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Gjatë një vizite që Rasmussen i bëri Komandës së KFOR-it në Prishtinë dhe takimeve që zhvilloi me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ata vendor, ai ka thënë se trupat e KFOR-it janë të gatshëm të ndihmojnë në zbatimin e marrëveshjes, për çështjet në të cilat marrëveshja kërkon implikimin e forcave paqeruajtëse.

Gjatë kësaj vizite, Rasmussen po shoqërohet nga përfaqësues të Këshillit Veri-Atlantik, që është organi më i lartë qeverisës politik i NATO-s.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 July 2013 09:57

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje pritet që brenda kësaj jave ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen Kosovë-Serbi, të ratifikuar të enjten e kaluar nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo lëvizje konsideron se kjo marrëveshje është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, andaj do të kërkojnë nga Kushtetuesja që ta interpretojë miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Deputetja e kësaj lëvizjeje, Albulena Haxhiu, i ka thënë gazetës ‘Tribuna’ se ‘Vetëvendosje’ do ta përdorë çdo mjet ligjor dhe institucional duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese për ta kundërshtuar marrëveshjen dhe dëmet që rrjedhin prej saj.

Sipas saj, kjo lëvizje do ta dërgojë marrëveshjen në Kushtetuese brenda afatit të paraparë me ligj.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 16:30

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se efektet e dëmshme të Marrëveshjes me Serbinë, kanë prodhuar menjëherë efektin saj, duke thënë se emërimi i Gjuriqit si komandant i policisë në veri, është efekti i parë, pastaj shpallja e zgjedhjeve locale që sipas VV-së u bë nga Daçiqi dhe efekti i tretë amnistia për kriminelët. Madje ata kanë hedhur akuza edhe në drejtim të partive opozitare LDK dhe AAK, duke thënë se po ndihmojnë projektin politik të kryeministrit Hashim Thaçi.
“Efekti i parë paraprak ishte emërimi i komandantit rajonal Nenad Gjuriç, një polici që i kishte shërbyer me zell edhe Millosheviçit dhe klikës së tij të dhunshme e aparatit të tij të dhunshëm shtetëror, e po ashtu edhe Veselinoviçit, pra një kontrabandisti tash shumë të njohur që e ka dëmtuar rëndë edhe ekonominë edhe shtetin e Kosovës. Efekti i dytë paraprak ishte shpallja e zgjedhjeve lokale që u bë nga ana e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, e që ende nuk u bë nga asnjë post zyrtar shtetëror në Kosovë.Efekti i parë i menjëhershëm i kësaj marrëveshjeje shumë të dëmshme është Ligji për Amnistinë që është sjellë tashmë në Kuvend dhe do të trajtohet të hënën në Komisionin për Legjislacion. Ky ligj është problematik në tri rrafshe kryesore, që e bëjnë këtë jo ligj normal për amnisti dhe që e bënë tërë sistemin juridik të Kosovës një sistem anormal”, ka thënë Visar Ymeri nga Vetëvendosje. 
Ndërkaq Dardan Molliqaj ka kritikuar dy partitë LDK-në dhe AAK-në, duke thënë se po mbështesin projektin politik të Hashim Thaçit. 
“LDK dhe AAK janë dy subjekte që janë duke e mundësuar një pushtet që tashmë edhe nga organizatat ndërkombëtare është quajtur pushtet gjysme-autoritar. Kur pushtet janë autoritare, gjithë pjesa tjetër që është opozitë nuk ka kuptim të jetë pak, herë shumë e herë hiç, me këtë pushtet. Pra, duhet të ketë pozicionim të qartë e të prerë karshi pushtetit autoritar siç është rasti i Kosovës”, ka thënë ai.
Molliqaj madje ka hedhur akuza ndaj AAK-së, duke thënë se krerët e saj janë të lidhur drejtpërdrejt me krimin.

“Deklarimet e fundit të AAK-së që veprimet e Vetëvendosjes ia kanë qitë vendit hijen e zezë, janë të shpërfillshme, duke pas parasysh që AAK është një subjekt politik, krerët e të cilit janë të lidhur drejtpërdrejt me figura të krimit të organizuar jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Është subjekti politik i cili të paktën në komunat që qeverisë në Dukagjin, i qet çdo ditë çdo qytetari dhe çdo biznesi haraç. Është subjekti politik i cili është i lidhur direkt me fajdet që i jepen qytetarëve dhe e rrezikojnë jetën e tyre në Dukagjin. Është subjekti, drejtuesit e të cilit që nga kryetari e te poshtë janë milionerë dhe asnjë herë nuk kanë pas guximi ta deklarojnë prejardhjen e asaj pasurie. Një subjekt i tillë, i haraçit e i fajdeve, me na treguar se cila është demokracia, çka është hije e keqe e çka e mirë për Kosovën, për Vetëvendosjen është e papranueshme dhe rrjedhimisht e kundërshtueshme fuqishëm nga ne”, ka thënë veç tjerash Molliqaj.