Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 16:52

Beograd – Dhoma e veçantë për krime luftë pranë Gjykatës Supreme të Serbisë e ka dënuar sot me dy vjet burgim, Mark Kashnjetin (59) nga Prizrenin, për të cilin Prokuroria serbe për krime luftë thotë se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Ai është dënua për shkak të “përndjekjes së civilëve serbë nga Prizreni në korrik të vitit 1999”.

Kashnjetit në këtë vendim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim ku qëndron që nga prilli i këtij viti.

“Gjykata ka vërtetuar se i akuzuari si pjesëtar i UÇK-së ka kryer vepër penale – krime lufte, ndaj popullatës civile më 14 korrik të vitit 1999 më qellim që civilët të përkatësisë etnike serbe t’i detyroj që të largohen nga Komuna e Prizrenit”, kështu thuhet në verdiktin e Gjykatës serbe.

Kashnjeti dhe Prokuroria kanë të drejt të ankohen në këtë vendim në Gjykatën e Apelit në Beograd.

“I akuzuari atë ditë rreth orës 11 e ka ndaluar një veturë ‘jugo 55’, në të cilën ndodheshin viktimat dhe i ka detyruar ata të dalin jashtë, ua ka marrë dokumentet, paratë dhe gjerat tjera me vlerë, e ka goditur njërin me kondak të pushkës në kokë dhe ua ka lidhur duart”, kështu thuhej në aktakuzë.

“Se bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, duke i kërcënuar me armë se do t’i vrasë, i ka dërguar deri në fund të rrugës, duke i goditur me kondak në kokë dhe trup, deri tek kopshti i një shtëpie, ku i ka mbajtur të mbyllur për disa orë. Me pjesëtarë tjerë të panjohur të UÇK-së, viktimat i kanë dërguar deri te lagjja Ortakoll, e ka ndaluar veturën, i ka hedhur nga ajo dhe i ka urdhëruar që të ‘ikin në Serbi nëse dëshirojnë të jetojnë’. Më pas ua ka marrë veturën dhe gjërat tjera që kishin me vete”.

Familjarët e Kashnjetit kanë thënë se ai nuk ka qenë në atë kohë në Kosovë, duke i hedhur poshtë të gjitha pohimet e Prokurorisë serbe për krime luftë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 18:51

Beograd (PLOTESUAR 16 prill, 10:00) Mark Koshnjeti, i arrestuar të shtunën në Merdare nga policia serbe, del sot para gjykatës për krime lufte në Gjykatën e Lartë në Beograd. Siç raportojnë mediat në Beograd, Prokuroria e Serbisë ka vendosur që të nisë hetimet kundër Koshnjetit. Familjarët kanë bërë të ditur se Koshnjeti po udhëtonte me autobus drejt Beograd, për të vizituar motrën e tij.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Qendra në Prizren, ka reaguar ndaj arrestimit, duke kërkuar nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të ushtrojnë ndikimin e tyre për lirimin e Koshnjetit.

KMDLNJ ka hedhur poshtë deklaratat e autoriteteve serbe se Koshnjeti “ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

****************************

Beograd (PLOTESUAR 15:05) Shqiptari i Kosovës i arrestuar dje po shkonte për vizitë tek motra e vet në Beograd, ka bërë të ditur familja dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prizren.

Mark Koshnjeti i arrestuar në vendkalimin kufitar në Merdar, në një autobus, sipas autoriteteve serbe të cituara nga media, ishte i kërkuar nën dyshimet për “krime lufte, si pjesëtar i UÇK-së”.

Por, sipas burimeve nga Prizreni, ai asnjëherë nuk ka qenë pjesëtar i UÇK dhe është arrestuar pa të asnjë të drejtë lidhur me këtë dyshim.

I arrestuari i djeshëm është i pesti qytetar i Kosovës i arrestuar nga autoritetet serbe brenda pak më shum se dy javësh, përshirë dy policët që u liruan pas 48 orësh. Bëhet e ditur se mbajtja 48 orëshe i është caktuar edhe të arrestuarit të djeshëm dhe nesër do dërgohet në gjykatë. (LajmeShqip.com)

****************************

Beograd- oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë arrestuar Mark Koshnjeti në Merdare, “bazuar në një arrest për krime lufte”.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se shqiptari kosovar “dyshohet për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë”, raportojnë mediat serbe.

“Ky arrestim nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike. Bëhet fjalë për krime lufte kundër popullsisë civile. Nëse ai është fajtor, do të tregojë proçesi i mëtejshëm”, transmetojnë mediat serbe deklaratën e Daçiqit.

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekariq, ka thënë se Koshnjeti, “si pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime ndaj civilëve serbë në fshatin Kraimirovc, më 1998”. (LajmeShqip.com)