Lajme Shqip Thursday, 10 April 2014 14:29

Janë plantacione të pafundme marijuane, që janë kthyer të mbulojnë qindra hektarë të fshatrave shqiptare, serave në qiell të hapur, apo të përgatitura me stil madhështor, përmes kritereve absolutisht ultramodernë, siç ndodhte në vitet ’90. Janë bashkëpunimet dhe aleancat me pjesë të konsiderueshme të sektorëve të rëndësishëm të klaneve greke, që garantojnë asistencë logjistike, siç kanë bërë në të kaluarën përsa i takon kontrabandës. Pa harruar edhe sistemet e reja të transportit për të mos rënë në “syrin” e kontrolleve: nga të ashtuquajturat “silura” detare deri tek lojërat e tjera të “prestigjit”. E gjithë kjo është me pak fjalë rikthimi në romanin e vjetër kriminal mes Puljes dhe Shqipërisë. Ja skenari që po përvijëzohet vetëm disa dhjetra kilometra nga Salento. Një farë mozaiku, “tullat” e të cilit po kthehen rrezikshëm në vendin e tyre, përmes levave që sigurojnë një ingranazh të eksperimentuar më parë në vitet e nxehta të emigracionit klandestin. Një situatë delikate që po plotësohet sërish, sipas një regjie të saktë që të mos i lënë asgjë improvizimit. Me të gjithë këtë mori klanesh që kanë pushtuar Adriatikun, tashmë po merret “Guardia di Finanza”, teksa ka nisur monitorimin e fenomenit përmes një aktiviteti konstant kontrolli, por edhe me hetime aspak të thjeshta, në bashkëpunim me forcat shqiptare të rendit. “Riformatimi” i bandave të trafikantëve, investimet në drogë dhe në fluksin e klandestinëve, përmes një xhiroje të pafundme parash që “ushqejnë” shtimin e operacioneve kriminale, rrezikojnë të transformojnë edhe një herë Adriatikun në atë shirit transportues të punëve të pista dhe Puljan në “Kolumbinë e Evropës”, përderisa është një etapë e detyruar gjeografike e veprimeve të orkestruara nga kriminaliteti ndërkombëtar. E të thuash që pas sekuestrimit të plot 7 tonëve marijuanë gjatë gjithë 2013-s, vetëm në tre muajt e parë të 2014 ka pasur sekuestrim të 4 tonëve nga ana e autoriteteve italiane.

Po si funksionon ky trafik bimësh narkotike?

Bëhet fjalë për një xhiro marramendëse fitimprurëse. Sipas asaj që ka dalë nga hetimet, trafikantët për të “përgatitur” një tonelatë mall paguajnë rreth 150 mijë euro mes shpërblimeve për fshatarët që rrisin bimën dhe kostove të transportit, por përfitimi neto për të gjithë këtë është 10 milionë. Projektorët e hetuesve italianë janë të drejtuar nga Shqipëria, nga ku dalin të dhënat aspak siguruese: riorganizimi i “flotës” është në zhvillim e sipër. Klanet po realizojnë gomone të mëdha oqeanike, por sidomos edhe barka të vogla, ose thjesht po planifikojnë përdorimin e “skuterëve” të ujit për organizimin e stafetave të vërteta të drogës në det. Një strategji ndryshe nga e kaluara, kur përdoreshin mjete të vjetra të detit. “Kontrollet janë konstantë dhe bashkëpunimi i nisur me policinë shqiptare pas një marrëveshjeje ndërkombëtare bilaterale, po jep rezultate të shkëlqyera”, thotë komandanti i “Guardia di Finanzas” së Puljas, Mauricio Muskara. Rindërtimi i flotës së trafikantëve është rrjedhojë logjike e “bum”-it të kultivimit të kanabisit që po bëhet në disa zona të fshatrave shqiptarë, fenomen i dokumentuar edhe nga hetimet e bëra veçanërisht në plantacionet e zonës së Lazaratit, që tashmë e quajnë “fshati i marijuanës”. Rreth 4000 banorë të atij fshati mbahen praktikisht vetëm me këtë punë nga mëngjesi deri në darkë, për 3 mijë lekë (të reja) në ditë. Çdo kile shitet me 300 euro dhe përfundon në kampionët e drejtuar nga brigjet e detit.

Por shpesh ngarkesa sistemohet edhe mbi gomarë që e dinë rrugën dhe që të vetëm arrijnë në Greqi. Një mënyrë kjo, për të shmangur arrestimet. Destinacioni përfundimtar, gjithsesi, në më të shumtën e rasteve është Italia, Perëndimi më i afërt, dera për tregun e madh evropian. Nëpërmjet një zbulimi ajror të operacioneve aeronavale është dokumentuar se në Shqipëri ekziston prania e të paktën 300 plantacioneve që arrijnë në një mijë ton marihuanë të gatshme për të pushtuar Evropën. Pjesa më e madhe e territorit shqiptar (12.5 për qind në vetëm dy muaj) është kaluar nëpër një sitë duke u kapur rreth 680 GB imazhe me rezolucion të lartë deri në pesë centimetra mbi tokë. Këto imazhe janë krahasuar me matjet satelitore dhe me mbështetjen e ekspertët e Universitetit të Napolit rezultojnë se në Lazarat rreth 319 hektarë të tokës janë kultivuar me kanabis, që përfshijnë rreth 90% e totalit. Ky “boom” i ri i narkotrafikut ka përfunduar edhe nën analizën e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe figuron në një dosier të “International narcotics control strategy report”, që gjithsesi nënvizon sesi niveli i kujdesit e vigjilencës së forcave të rendit në Shqipëri është shtuar ndjeshëm: në 2012-n janë kapur 2.1 tonë marijuanë, me një shtim sekuestrimesh prej 175 për qind.

Përkundër kësaj, megjithatë, prodhimi është shtuar me 40%, kërkesa është e vazhdueshme dhe çmimet po vijnë duke u ulur. Përmes kontrolleve ajrore është dokumentuar prania në Shqipëri e të paktën 300 plantacioneve, ose gati 1000 tonë marijuanë e gatshme për të pushtuar Evropën. Vlera në treg do të ishte te rreth 4.5 miliardë euro. Ky është skenari i ri raporton Corriere della Sera, si një kthim në romanin e vjetër të krimit mes Pulias dhe Shqipërisë. Një situatë delikate, sipas një drejtimi të mirëorganizuar që nuk lë asgjë në dorë të fatit. Megjithatë, Guardia di Finanza, i cili është monitorimin e fenomenit nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm, në bashkëpunim me forcat e rendit në Shqipëri, thotë se këto janë skenare të reja që po mbizotërojnë Adriatikun.

Helikopterë dhe anije patrullimi të Departamentit të Operimit ajror dhe detar po hetojnë çdo centimetër të bregdetit të Pulias. Por jo vetëm. Sepse në këtë hetim të ri në trafikun e mijëvjeçarit të ri, gjithashtu luajnë një rol vendimtar, hetimet kanë filluar po ashtu në anën tjetër të Adriatikut dhe atë Jonian në Greqi. Skenari është ultra modern, citon artikulli, duke shtuar se ka bashkëpunim dhe aleanca mes sektorëve të rëndësishëm të klanit grek, të cilët ofrojnë ndihmë logjistike siç kanë bërë në të kaluarën në lidhje me kontrabandën. Ka edhe sisteme të reja transporti për t’ju shmangur kontrolleve si kanoe të mbushur me marijuanë dhe pastaj të përmbysura dhe të mbyllura, të transformuar në “silure” të mësuara për ngarkesa të vogla. Ka edhe ski jet (motorë uji), të përdorur që të udhëtojnë me anije në det të hapur si depo lundruese. Gjithashtu, barka të vogla që transportohen në bregdet, pas një udhëtimi brenda kamionëve për të anashkaluar rregullat e rrepta që zbatohen tashmë në bregdetin shqiptar në kanalin e Otrantos. “Një lumë me drogë për qëllim të trondisë Evropën” , përfundon artikulli i botuar nga Corriere della Sera.

Skenari

Prodhimi Pjesa më e madhe e marijuanës që pushton tregun italian dhe atë europian vjen nga Shqipëria. Guardia di financa, falë bashkëpunimit me forcat policore shqiptare, ka evidentuar prezencën e rreth 300 plantacioneve, të mbjellë me bimë narkotike. Qendra e prodhimit është Lazarati, rreth 230 kilometra larg Tiranës dhe në një distancë shumë të vogël nga kufiri grek. Është zbuluar se 319 hektarë tokë janë kultivuar me kanabis. Instrumentat Guarda di financa dhe forcat policore shqiptare kanë marrë imazhe me rezolucion të lartë, falë dhe bashkëpunimit me Universitetin e Napolit. Rruga e biznesit Sipas llogaritjeve të guarda di Financa, trafikantët, nga prodhuesit deri te kostet e transportit, shpenzojnë rreth 150 milionë euro, të cilat konvertohen në dhjetra milionë euro. Transporti Përveç gomoneve oqeanike, kur shkalla e transportit arrin në dy ton marijuana, trafikantët kanë arritur një tjetër strategji nëpërmjet ski jet dhe kanoeve të përmbysura./shekulli/