Lajme Shqip Monday, 16 December 2013 17:07

Tetovë- Pesë veta janë plagosur nga të shtënat me armë nga tre persona të panjohur në lokalin “Lovec” në fshatin Zherovjan të Tetovës.

Incidenti ka ndodhur sot në orën 05.00 të mëngjesit, kur tre persona të panjohur me arme zjarri kanë hyrë në ambientet e restorantit dhe kanë shtënë në drejtim të personave dhe mysafirëve të pranishëm. Sulmuesit menjëherë janë arratisur në drejtim të panjohur. Në këtë incident me të shtëna janë plagosur pesë veta, që për shkak të plagëve të rënda janë dërguar në Qendrën e Emergjencës në Shkup.  

Ministria e Punëve të Brendshmë theksoi se ekipet e specializuara dhe hetuesit janë në vendin e ngjarjes dhe se po hetojnë motivet e këtij sulmi. Deri tani nuk jepen hollësi se cilat ishin shkaqet e këtij sulmi të armatosur. /INA/

 
Lajme Shqip Monday, 02 December 2013 15:21

Shkup- Gjuha shqipe edhe më tutje vazhdon të nënçmohet në Fondin Republikan të Shëndetësisë, thonë për “Lajm” burime partiake. Është interesant se informatat për këtë nënçmim të shqipes vijnë pikërisht nga anëtarë të BDI-së, që janë të revoltuar nga mënyra se si është rregulluar tani e drejta e drejtorit shqiptar të nënshkruhet në dokumentet zyrtare.

Ata kanë dërguar në adresën tonë kopje të një dokumenti që dëshmon se drejtori shqiptar i fondit Xhemali Mehazi, nuk ka fituar të drejtën e plotë të nënshkruhet në gjuhën shqipe, siç pretendoi para do kohe me deklaratat e veta në media.

Në këtë dokument vërehet se para se të shkruajë emrin në gjuhën shqipe, Mehazi është i detyruar të shkruajë emrin e tij në gjuhën maqedonase si ЏЕМАЛИ МЕХАЗИ.

“Ja se çfarë kuadro ka dërguar BDI në poste të larta. Kjo është turp. Ky rast tregon nënçmim klasik të gjuhës shqipe. Më mirë të ishte nënshkruar vetëm në gjuhën maqedonase, se sa shqipja të degradohet në këtë formë”, thotë një burim në BDI, që insiston të mbetet anonim.

“Lajm”të dielën nuk ka arritur të kontaktojë me përfaqësues të FSSH-së, për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këtë zgjidhje, që vlerësohet sërish si skandal.

Mehazi para një kohe u lavdërua se ka përfunduar “lufta” mes tij dhe drejtoreshës maqedonase Maja Parnaxhieva Zmejkova lidhur me të drejtë që të nënshkruhet shqip. Mirëpo me këtë rast ai nuk përmendi se para se të nënshkruhet shqip, duhet fillimisht të nënshkruhet në gjuhën maqedonase.

Ndërkaq një muaj më parë, drejtoresha Parnaxhieva Zmejkova, ia pat ndaluar plotësisht Mehazit që ta shkruajë emrin e tij me shkronja shqipe.

Në dokumentet që pat siguruar “Lajm”, drejtoresha Parnarxhieva Zmejkova pat kërcënuar të punësuarit në Fond me masa disiplinore, nëse në ndonjë dokument përdoret alfabeti latin.

Më datë një tetor të këtij viti drejtori Mehazi, me anë të një kërkese të bërë me shkrim ka kërkuar nga kolegët që përgatisin lëndë që duhet të nënshkruhen nga ai, t’ia shkruajnë emrin me shkronja latine.

Në të njëjtën datë i është përgjigjur drejtoresha Zmejkova, ku thotë se nuk do të ketë ndryshime në mënyrën e të shkruarit të korrespondencës në nivel të FSSH. “Gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik në përputhje me aktet ligjore të Republikës së Maqedonisë është mënyra zyrtare e korrespondencës me shkrim dhe për këtë arsye të gjitha aktet në FSSH do të përgatiten në mënyrën që janë përgatitur deri tani. Të dy nënshkrimet me kompetenca të barabarta në FSSH në vendin për nënshkrim të dokumenteve do të shkruhen në gjuhën maqedonase në alfabetin cirilik, njëjtë si në periudhën e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e drejtoreshës Zmejkova.

Ndërkaq, më 8 tetor, drejtoresha Zmejkova ka dhënë urdhër që askush nuk guxon të përgatisë dokumente me alfabet latin, pasi do të sanksionohet me masa disiplinore.

Edhe përfaqësimi i shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në FSSH është në gjendje të mjerueshme.

Në njësitë rajonale të Fondit në Gostivar, Strugë, Kërçovë, Manastir e Shkup ka vetëm tre për qind shqiptar. Në viset e banuara me 20 për qind shqiptar s’ka asnjë kërkesë në gjuhën shqipe. Gjithçka bëhet në maqedonisht dhe në alfabetin cirilik. Ndërkaq prej shtatë udhëheqësve të sektorit vetëm njëri është shqiptar. Prej 30 udhëheqësve të njësive rajonale, vetëm tre janë shqiptar.

Ueb faqja e Fondit për Sigurime Shëndetësore është vetëm në gjuhën maqedonase.

 
Lajme Shqip Saturday, 09 November 2013 12:24

Shkup- Këshilltarët e komunës së Aerodromit në Shkup, kanë dhënë leje që të ndërtohet një kryq ortodoks i lartë 33 metra në udhëkryqin mes bulevardit “Serbia” dhe “Brigada e tretë maqedonase”. Vendimin e kanë votuar këshilltarët komunal të partisë maqedonase në pushtet, kurse ata të LSDM-së kanë votuar të përmbajtur, njofton “Zhurnal”.

Me këtë vendim, në fakt është lejuar ndërtimi dhe vendi ku do të ndërtohet, pasi kryqin do ta ndërtojë Kongresi Botëror Maqedonas (KBT) në krye me Todor Petrov, nëpërmjet donacioneve.

Ky kryq është paraparë të shihet nga më së paku tre komuna, si ajo e Gazi Babës, Aerodromit dhe e Kisella Vodës. Kryqi do të montohet brenda 2 muajve, do të jetë i lartë 33 metra, aq vite sa ka jetuar Jezu Krishti.

Ndryshe, komuna e Aerodromit i ka penguar qytetarët shqiptarë mysliman që jetojnë në këtë komunë që të ndërtojnë një xhami, edhe atë në fshatin Lisiçe që është pjesë e kësaj komune, me arsyetimin se ata janë më pak se 5 për qind e numrit të përgjithshëm të komunës. Kryetari i kësaj komune atë kohë patë deklaruar se kurr nuk do të lejojë të ndërtohet një xhami, pasi ky është vullneti dhe dëshira e qytetarëve të Aerodromit.

Kryqi në Aerodrom do të jetë kryqi i dytë i madh në Shkup pas atij që është vendosur në majën e kodrës Vodno në Shkup.

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 17:04

Shkup- Partitë parlamentare shqiptare kërkuan ndryshime urgjente kushtetuese dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni.
Kjo çështje u ngrit në kuadër të debatit për ndryshimet e propozuara kushtetuese nga ana e VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski, për definimin e martesës si bashkësi kryesisht midis një burri dhe një gruaje, duke kundërshtuar martesat e një gjinie.
Deputetët e PDSH-së kërkuan që në kuadër të këtij debati për ndryshime të Kushtetutës duhet të ngritet edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe zyrtarizimit të saj. Deputeti i kësaj partie, Orhan Ibrahimi kërkoi që nënkryetarja e Parlamentit të ketë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, pasi që asaj i pamundësohet kjo me kushtetutën dhe ligjin për institucionin legjislativ.
“Dy vite si nënkryetare nuk keni dalur të udhëhiqni seancat plenare të Parlamentit. Ju lutem dilni dhe uluni me dhunë, udhëhiqni mbledhjet dhe ne do t’ju përkrahim. Uzurponi pozicionin që keni dhe përdorni gjuhën shqipe”, kërkoi deputeti i PDSH-së. Një kërkesë për zyrtarizimin e shqipes si gjuhë të dytë zyrtare e bëri e deputeti i RDK-së, Naxhi Xhelili. Ai theksoi se duhet ndryshime kushtetuese për rregullimin e kësaj çështje. “Ne jemi për ndryshime kushtetuese dhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, dhe kjo të jetë gjuhë e dytë zyrtare”, deklaroi Xhelili.
Ndaj këtyre kërkesave ka reaguar deputeti i VMRO-DPMNE, Vlatko Gjorçev i cili replikoi se nuk janë korrekte deklaratat hiperbolizuese nga ana e partive shqiptare.
Suzana Saliu nga BDI-ja duke komentuar ndryshimet e propozuara kushtetuese theksoi se Maqedonia ka nevojë për kushtetutë të saktë dhe të qartë që do t’i largojë të gjitha dyshimet e interpretimit, veçanërisht, ekstremet të cilat shkaktojnë mosmarrëveshje ndëretnike.
Që të miratohen ndryshimet kushtetuese nevojitet shumica e dy të tretave të deputetëve nga numri i tërësishëm i deputetëve. /INA/

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 13:01

Shkup – Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, po bëhet gazi i botës. E kjo fatkeqësisht nuk është hera e parë, e me gjasë nuk do të jetë as e fundit!
Rasti i parë u shënua më 28.02.2006, atëherë ku z. Ahmeti pretendoi se Pentagoni ngriti flamurin amerikan për nder të tij.
Asokohe, “Dnevnik” fillonte artikullin me titull “Ahmeti e ka valëvitur flamurin në Pentagon”?, ndërsa artikulli fillonte me deklarimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që pretendonte se flamuri në Pentagon ishte ngritur për nder të kryetarit Ali Ahmeti.
Ndërsa hera e dytë, ndodhi pikërisht më 13.08.2013, kur BDI e lansoi lajmin e ngritjes së flamurit amerikan në Capitol Hill sërish për “nder” të Ali Ahmetit njofton Almakos.
Bashkimi Demokratik për Integrim plasoi në media lajmin se “Flamuri amerikan ngritët në Capitoll Hill për nder të Ahmetit”. Ishin siguruar fotografi nga ceremonia zyrtare e valimit të flamurit kombëtar amerikan mbi Capitoll Hill në Washington DC për nder të Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, që u bë më 13 gusht, me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Gafa e parë u demantua shpejt nga disa media që ironizuan me pyetjen se mos vallë Ali Ahmeti e ka marrë me vete flamurin. Madje, edhe vetë ambasada e SHBA-ve e kishte demantuar një lajm të tillë.
Mirëpo, kjo nuk mjaftoi që ta mbush me mend hierarkinë e BDI-së, ata vijuan me mashtrimin e radhës dhe keqpërdorimin e shtetit amerikan duke pretenduar se në Capitol Hill, Washington DC sërish u ngrit flamuri për nder të kryetarit Ahmeti.
Vlen të sqarojmë se në të dyja rastet flamuri amerikan vendoset për nder të çdo qytetari që mund të bëjë një pagesë modeste dhe se deri më tani, flamuri në këto vende është ngritur për nder të mbi 100.000 personave, e ndër të cilët është edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti. Pra, kushti i vetëm për këtë “nder” është të paguash.
Pas hulumtimit që Almakos i bëri këtij programi në faqet publike arritëm deri tek konstatimi se bëhet fjalë për një program publik ku kërkesë për ta ngritur flamurin mund të bëjë çdo qytetar amerikan, i cili kundrejt një shume të caktuar merr flamurin që është ngrit bashkë me certifikatën ku shënohet identiteti i personit në emër të të cilit është bërë kërkesa që të ngritet flamuri. Madje, ka ndodhur që vetëm brenda një dite të vetme të ngriten 300 flamuj përmes këtyre shërbimeve me pagesë.
E kontaktuar, ambasada e SHBA-së ka preferuar që mos të komentojë asgjë.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 12:15

Shkup – Sot bëhen dymbëdhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i ka dhënë fund konfliktit midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase.

Marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e të dërguarve nga Uashingtoni dhe Brukseli më 13 gusht të vitit 2001.

Ajo thuhet të ketë përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por zbatimi i saj në praktikë, megjithatë, vazhdon të përballet me sfida, raporton REL.

Komunitetit ndërkombëtar bën thirrje të vazhdueshme për zbatim.

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:46

Damask – Një tjetër shqiptarë nga Shkupi këtyre ditëve u vra në luftën mes forcave qeveritare dhe opozitës siriane në Siri. 

Bëhet fjalë për Nimetulla Imerin, 38 vjeç nga fshati Gërçec i Shkupit, i cili këtyre ditëve u vra si pjesëtar i forcave opozitare në përleshjet me ushtrinë e regjimit të Bashar al – Assad. Imeri është një nga studentët që ka kryer studimet në shtetet arabe dhe se njihej si një përkrahës i opozitës siriane për rrëzimin e regjimit të Asadit. Ai njihej si luftëtar i njohur me emrin “Ebu Zejdi”, raporton INA.
Para një jave në përleshjet në Siri u vra Sami Abdullahu nga Shkupi, ndërsa një muaj më parë Rasim Zeqiri nga Bellovishta e Gostivarit.

 
Lajme Shqip Thursday, 09 May 2013 14:16

Shkup – Kryetari i ri i komunës Qendër të Shkupit, Andrej Zhernovski paralajmëroi shpalljen e një referendumi për ate se a duhet të dislokohen përmendoret masive të vendosur në pjesën qendrore të Shkupit.

“Për të ardhmen e këtyre përmendoreve do të vendosin qytetarët në referendum. Duhet të shikohen të gjitha opsionet për të organizuar referendumin. Unë jam për këtë për të pasur referendum. Ky është opsioni më serioz dhe nëse qytetarët pajtohen me këtë, unë me kënaqësi do ta bëj”, theksoi Zhernovski, raporton ina.

Ndërkohë, lidhur me këtë propozim ka reaguar VMRO-DPMNE, e cila ka kundërshtuar idenë e referendumit dhe duke kërkuar që Zhernovski të nis punën dhe projektet në interes të qytetarëve. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 15:49

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi eshte pritur sot ne nje takim me homologun maqedonas Nikola Poposki. Gjate takimit te perbashket Bumci ka evidentuar se marrëdhëniet solide e dinamike, të miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok janë një bilanc i shkëlqyer në raportet mes dy vendeve.

“Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë janë faktor stabiliteti, konsolidimi dhe progresi për vendin. Zbatimi i plotë në frymë dhe në gërmë i Marrëveshjes së Ohrit është kyç për vendin dhe përparimin në procesin e integrimit europian”- tha Bumci.

Nga ana e tij, Ministri Poposki u shpreh se 20 vjetori i marrëdhënieve diplomatike shënon një kapitull të shkëlqyer në marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Ai evidentoi frymën shumë të mirë të bashkëpunimit për trajtimin e çështjeve dypalëshe dhe perspektivën e përbashkët të integrimit europian.

Duke u ndalur tek infrastruktura dhe lëvizja e lirë, Ministri Poposki vlerësoi projektet e përbashkëta ndërkufitare me Shqipërinë, dhe u angazhua për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare mes dy vendeve.

Të dy Ministrat ranë dakord për zhvillimin së shpejti të forumit të përbashkët të biznesit, dhe të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të trajtuar me përparësi fushat e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në kuadër të zhvillimeve në rajon, të dy Ministrat përshëndetën marrëveshjen mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ministri Bumçi theksoi se kjo marrëveshje ka hapur një perspektivë të re edhe për rajonin, atë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.

Ai vlerësoi qëndrimin e Maqedonisë ndaj Kosovës, dhe në veçanti për mbështetjen ndaj pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe me të drejta të plota të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, pasi kjo i shërben edhe perspektivës europiane dhe euratlantike të të gjithë rajonit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 11:51

SHKUP- Një incident i rëndë midis grupeve të rinjve maqedonas dhe shqiptare ka ndodhurnë afërsi të stacionit te autobusëve në Shkup.

Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar mbi incidentin, duke theksuar se ka identifikuar një pjesë të autorëve të rrahjes së dhunshme dhe se janë ndaluar disa persona.

MPB ka nënvizuar se po vazhdon kërkimet edhe për personat e tjerë që janë përfshirë në incident.

Në këtë incident masiv janë dëmtuar edhe dy autobusë në afërsi të pompës së benzinës “Makpetrol”, që gjendet në afërsi të stacionit.

Mësohet se në disa prej autobusëve ka pasur qytetarë maqedonas, të cilët kishin dalur sot në mënyrë të organizuar për pritjen e Johan Tarçullovskit, i liruar nga Tribunali i Hagës, pas vuajtjes së dënimit për krime lufte. (INA/LajmeShqip.com)