Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 15:18

Kandidati për president i VMRO DPMNE-së, Gjorge Ivanov dhe Stevo Pendarovski i Lidhjes Social-Demokrate në opozitë, kalojnë në balotazh për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, më 27 prill, por me një diferencë prej më shumë se 100 mijë vota në favor të presidentit aktual Ivanov.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për kandidatin e VMRO-së, kanë votuar rreth 445 mijë votues, kundrejt 325 mijë votave të kandidatit opozitar, Stevo Pendarovski.

Iljaz Halimi, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare i opozitës ka marrë rreth 39 mijë vota kurse për kandidatin e katërt, Zoran Popovskin e Opsionit Qytetar të Maqedonisë janë përcaktuar rreth 30 mijë votues.

Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 48.28 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejt vote.

 
Lajme Shqip Sunday, 13 April 2014 11:07

Në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet presidenciale, të pestat me radhë që nga pavarësia e saj.

Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë 1.779.572 persona, si dhe mbi 8 mijë shtetas që përkohësisht jetojnë jashtë Maqedonisë.

Ata në zgjedhjet e sotme duhet të përcaktohen për ndonjërin nga katër kandidatët për kreun e shtetit; Gjorgje Ivanovin e VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovskin e Lidhjes Social-demokrate të opozitës, Iljaz Halimin e Partisë Demokratike Shqiptare të Opozitës apo Zoran Popovskin e Opsionit Qytetar të Maqedonisë.

Zgjedhjet bojkotohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë së deritashme për shkak të refuzimit të kërkesës së saj nga VMRO- DPMNE-ja, për një kandidat konsensual, të pranueshme nga dy komunitetet më të mëdha në vend.

Zgjedhjeve të sotme i paraprinë fushata elektorale dy javore e përcjellë me një retorikë të ashpër mes kandidatëve, të cilët, në fokus kishin çështjet euro-integruese, raportet ndëretnike, forcimin e institucionit të presidentit të shtetit, por edhe çështje ekonomike e premtime për mirëqenie më të mirë sociale, sfera këto që nuk kanë të bëjnë me kompetencat e kreut të shtetit.

Veç kësaj, fushata u përcoll edhe me akuza rreth listës zgjedhore dhe përfshirjes në të edhe të votuesve fiktiv, konkretisht të qindrave maqedonasve etnik nga Shqipëria, të cilët posedojnë shtetësi të Maqedonisë, por edhe adresa të banimit që është kushti elementar për realizimin e të drejtës së votës.

Megjithatë, nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, presin që procesi votues të kalojë në atmosferë demokratike, ndërsa sa i përket rezultatit zgjedhor, KSHZ-ja pret që presidenti të zgjidhet pas dy javësh në balotazhin që do të zhvillohet mes dy kandidatëve me më shumë vota në zgjedhjet e sotme.

 

“Nga këto zgjedhje ne presim që të kalojnë mirë, të jenë të rregullta dhe demokratike. Ne nuk presim që në votimin e sotëm të zgjidhet presidenti, meqë siç dihet për t’u zgjedhur duhet që njëri nga kandidatët të marrë mbi 50 për qind të votave nga trupi i përgjithshëm votues. Kështu që dy kandidatët që do të marrin më shumë vota, do të shkojnë në balotazhin që do të mbahet më 27 prill”, tha për Evropën e Lirë, nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor, Ministria e Punëve të Brendshme ka mobilizuar të gjithë efektivat për të parandaluar incidentetet, apo pengimin e procesin të votimit.

Zgjedhjet e sotme presidenciale monitorohen nga 8,324 vëzhgues të vendit dhe 326 ndërkombëtarë. Numrin më të madh të vëzhguesve vendorë e kanë organizatat joqeveritar “Sinergia“ me 4.970 vëzhgues, dhe “Most“ me 1.790.

Për herë të parë në këto zgjedhje është akredituar edhe një organizatë shqiptare, “Vepro“ me 1.500 vëzhgues. Nga organizatat e jashtme udhëheq OSBE-ODIHR me 41 vëzhgues.

“Me rëndësi është të theksohet se roli jonë këtu është që të vëzhgojmë procesin, të raportojmë dhe jo të përzihemi në zgjedhje. Neve nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve, por procesi i votimit, numërimi dhe shpallja e tyre“, deklaroi shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së“, Gert Hajnrih Arens.

Rezultatet e para të votimit të sotëm pritet të publikohen para mesnate, por si zakonisht atyre u paraprijnë rezultatet e partive politike. Ndryshe, së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 27 prill mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare./rel/