12
 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 09:10

Prishtinë – Presidentja Atifete Jahjaga pritet të përballet me Gjykatën Kushtetuese. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë paralajmëruar të enjten se në forumet partiake do të marrin vendimin se a duhet kërkuar Kushtetueses që t’i japë përgjigje dilemës nëse e ka shkelur apo jo presidentja aktin më të lartë juridik të vendit, me dekretin për ta emëruar Blerim Shalën si koordinator politik të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta ka raportuar një ditë më parë se shefja e shtetit është duke e shkelur Kushtetutën aktivisht, ngjashëm sikurse ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Një numër i madh juristësh kanë thënë se e bëjnë shkelëse të Kushtetutës veprimet e Shalës, ngaqë Jahjaga mbahet përgjegjëse për këto veprime.

Prej 22 nëntorit të vjetëm, kur është dekretuar, Shala ka vazhduar të jetë deputet dhe të marrë pagë nga Kuvendi, ka vazhduar të mbajë postin e nënkryetarit të AAK-së dhe të marrë pagë nga kjo parti, si dhe pas dekretimit ka nisur të realizojë të ardhura nga Qeveria, por edhe është vendosur me zyrë në ekzekutiv.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 December 2012 19:41

Prishtine – Presidentja Atifete Jahjaga duhet të japë dorëheqje si akt moral në mënyrë që t’i përmbahej marrëveshjes që e zgjodhi atë, vlerëson shoqëria civile. Ata thonë se në këtë rast po mungon presioni i shtuar ndërkombëtar dhe si fajtorë për këtë ngecje i shohin dy liderët politikë, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, raporton KTV.

Emri i saj doli nga zarfi dhe atë për ta udhëhequr vendin për një periudhë jo më të gjatë se njëvjeçare, sa për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik.

Presidentja Atifete Jahjaga është rehatuar në postin e të parës së shtetit, ajo nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje pavarësisht thirrjeve që vijnë nga vetë ata që e emëruan.

Por shoqëria civile mendon se zgjidhja e vetme do të jetë presioni i shtuar ndërkombëtar, derisa akuzojnë partitë politike për mungesë vullneti për t’iu përmbajtur marrëveshjes politike që zgjodhën Jahjagën si presidente.

Ardian Arifaj nga KIPRED-i ka thënë se asnjëra parti nuk ka treguar interes që marrëveshja të respektohet plotësisht.

Ndërkohë Avni Zogiani nga Çohu zvarritjen e procesit për përgatitjen e vendit për zgjedhjet e ardhshme e lidh me mungesën e presionit ndërkombëtar.

Driton Selmanaj nga KDI-ja thotë se partitë politike duhet të largohen nga barrikadimi i tyre në pozicione të ngurta.

Ai thotë se në Kosovë duhet të krijohet një standard, ku marrëveshjet politike respektohen, ndërsa fajin kryesor e hedh te Thaçi e Mustafa.

Atifete Jahjaga nga Policia e Kosovës u bë presidente e vendit në bazë të marrëveshjes së fillim vitit të 2011-ës të lidhur ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, e të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Cristofer Dell.

Marrëveshja më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi, me anë të cilës u krijuan dy komisione parlamentare ai për ndryshimin e kushtetutës dhe reformës zgjedhore, në mënyrë që vendi të shkonte në zgjedhje brenda 6 muajsh pas ndryshimeve.

Por Kushtetuesja vlerësoi se Jahjaga mund të vazhdojë të qëndrojë në postin e presidentes, pasi që ajo ishte zgjedhur me votat e deputetëve për një mandat 5-vjeçar.(KTV/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 November 2012 19:53

Prishtinë – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka shkruar një letër të hapur presidentes Atifete Jahjaga, për siç ka thënë “disa keqfunksionime shqetësuese të institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës”. Kurti iu ka referuar një deklarate, që sicc thuhet, presidentja Jahjaga e ka dhënë për agjencinë “KosovaPress”, ku sipas tij ka thënë se “Vetëvendosje ka bërë manipulim të masave, me rastin e aksioneve e protestave më 22 dhe 23 tetor”.

“Shqetësues, në rastin e deklaratës suaj, nuk është qëndrimi personal i zonjës Jahjaga, por qëndrimi i Presidentes së Republikës së Kosovës. Sipas Nenit 83 të Kushtetutës së Kosovës, i cili trajton statusin e Presidentit citojmë: ‘Presidenti është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”’. Mjafton ta lexoni këtë Nen të Kushtetutës për të kuptuar se nuk ju përket juve të mbani anë politike, apo të ngrini akuza të pabaza mbi një forcë politike që është aktualisht e treta në vend, e që është votuar prej dhjetëra mijëra qytetarëve të Republikës”, thuhet ndër të tjera në letrën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ia ka kujtuar mënyrën se si është zgjedhur presidentja, në bazë të marrëveshjes tripartiake, duke theksuar se marrë parasysh këtë “nuk pritet që presidentja të përfaqësojë unitetin e popullit”.

Ai ka kritikuar edhe “mbështetjen, që Jahjaga e ka dhënë për policinë, por nuk e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve”.

“Këto qëndrime, Zonja Presidente, janë vërtet shqetësuese. Ju po silleni si një përfaqësuese e ekzekutivit policor, e jo si një përfaqësuese e unitetit kombëtar në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letër.

Kurti ka kërkuar edhe shpjegime për siç ka thënë “takimin me përfaqësues ilegalë të serbëve ne veriun e Kosovës”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 17:30

Prishtinë – Deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë pjesës së parë të punimeve të Kuvendit i kanë kërkuar presidentes Atifete Jahjaga sqarime dhe njëkohësisht dorëheqjen e saj, pas një interviste të këshilltarit të saj politik, Ramush Tahiri, ku ai kishte folur për disa takime që presidentja i mbanë me disa përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ditëve të fundit, këshilltari i presidentes Ramush Tahiri ka zbuluar disa detaje në lidhje me takimet e Jahjagës me përfaqësues të strukturave ilegale.

“Të gjithë ne pajtohemi që strukturat e Serbisë në Kosovë janë kriminale, të paligjshme dhe antikushtetuese. Ato duhet të ndiqen penalisht. Në Republikën e Kosovës është i paligjshëm çdo post publik antikushtetues. Tash presidentja i paska takuar këto struktura duke i konsideruar legjitime që i konsideron vetëm pushteti në Beograd”, tha Ymeri. Ai ka kërkuar fillimisht të dijë se me kënd është takuar Jahjaga dhe më pas ka kërkuar edhe dorëheqjen e saj.

“Është arsye e mjaftueshme që kjo presidente të thirret para përgjegjësisë dhe të japë dorëheqje”, theksoi Ymeri.

Vetë Tahiri në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka sqaruar se “si institucione, mbahen kontakte me njerëz të caktuar, me qytetarë të caktuar”, e jo me udhëheqës të strukturave në veri të Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 18:16

Prishtinë – Partitë opozitare dhe qeveria kanë punë më të rëndësishme se sa të humbin kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes Jahjaga, tha në një intervistë për Radio Kosovën eurodeputetja gjermane, Doris Pack. Kushtet për Serbinë sa i përket Kosovës nuk kanë ndryshuar dhe ajo duhet ti plotësojë ato nëse dëshiron të anëtarësohet në BE, tha Pack e cila ka shtuar se Gjermani ka interes të madh që çështja e veriut të zgjidhet sipas Planit të Ahtisaarit.

Radio Kosova: Zonja Pack, javën e kaluar kur u morëm vesh për terminin e intervistës, Ju u shprehet e revoltuar me veprimet e disa partive politike në Kosovë që po kërkojnë dorëheqjen e presidentes Jahjaga. Më thatë se Kosova nuk ka nevojë për një krizë të re institucionale!

Doris Pack: Po, unë jam e mendimit se Kosova tani ka probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur se sa të merret me presidenten Jahjaga. Presidentja Atifeta Jahjaga është duke bërë shumë mirë punën e saj dhe po përfaqëson për mrekulli vendin jashtë. Mendoj se opozita së bashku me qeverinë duhet të merren me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen përditë qytetarët e Kosovës dhe jo të harxhojnë kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes. Ajo duhet lënë rehat të kryejë detyrat e saj si presidente e vendit. Unë nuk jam juriste dhe nuk di nëse mbetja e saj në detyrë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, por ajo që unë mund të them është se: presidentja po përfaqëson për mrekulli vendin tuaj kudo në Evropë dhe botë dhe mendoj se të gjithë duhet të qëndrojnë prapa në mbështetjen e saj deri në përfundim të mandatit kur do të shpallen zgjedhjet e lira.

Radio Kosova: Me 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën zonja Pack?

Doris Pack: Kjo do të thotë se ju më në fund jeni plotësisht të pavarur ashtu siç keni dëshiruar. Bazë për pavarësinë e Kosovës ka qenë plani i Marti Ahtisaarit dhe kjo pavarësi është arritur pikërisht sipas atij plani. Mua më mbetet vetëm të uroj dhe dëshiroj që edhe çështja e veriut të Kosovës të marrë zgjidhje pikërisht ashtu siç është e parashikuar me planin e Ahtisaari.

Radio Kosova: Gjermani mbetet e përfshirë në mënyrë aktive në zgjedhjen e çështjes së veriut dhe kërkon që problemi të zgjidhet përmes dialogut nëse Kosova dhe Serbia dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian?

Doris Pack: Po, sigurisht Gjermani ka interes të madh që kjo çështje të zgjidhet. Por jo vetëm Gjermania, edhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë të interesuar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun dhe që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe që më në fund Serbia dhe Kosova të zhvillojnë marrëdhënie normale fqinjësore. Më duhet të them se është në interesin e të dyja shteteve dhe qytetarëve të Kosovës e Serbisë që marrëdhëniet mes dy vendeve të normalizohen.

Radio Kosova: Zonja Pack, qëndrimi i Gjermanisë më së miri u artikulua nga përfaqësuesi i partisë në pushtet CDU, zoti Andreas Schockenhoff, i cili Qeverisë serbe në Beograd i prezantoi shtatë kushte që duhet plotësuar për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Mes tyre është dhe kushti për nënshkrimin e një marrëveshje historike e cila obligon të dyja vendet të vendosin marrëdhënie të mira fqinjësore.

Doris Pack: Kjo nuk është e re. Dialogu që është zhvilluar, apo që pritet të vazhdojë mes Serbisë dhe Kosovës ka për qëllim vendosjen marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Serbisë dhe Kosovës dhe këtë e dëshirojmë të gjithë, jo vetëm zoti Schockenhoff.

Radio Kosova: Janë shtatë kushte zonja Pack që Serbia duhet të plotësoje, disa prej të cilave lidhen me Kosovën apo jo?

Doris Pack: Unë mund të ju them kaq: se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket kushteve të vendosur për Serbinë nga ana e Bashkimit Evropian, e kushtet janë: të vendosen marrëdhënie fqinjësore të ndërsjella midis Serbisë dhe Kosovës, që të dyja vendet të respektojnë njëra-tjetrën, të shpërbëhen strukturat paralele të Serbisë në veri, që Serbia ta njohë veriun si pjesë integrale të Kosovës dhe që në veri situata të normalizohet plotësisht, ndërsa zgjidhja e vetme dhe më e mirë për këtë është Plani i Ahtisaarit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 16:37

Prishtinë – Presidentja e Kosovës përsëriti sot qëndrimin se nuk do të japë dorëheqjen dhe se është përgjegjësi e liderëve të partive politike, që të gjejnë zgjidhje për marrëveshjen e tyre dhe se asaj nuk i lejohet të jap dorëheqje nga posti i saj si presidente.

:“Me dorëheqjen time nuk do t’i çoja proceset përpara dhe është në kundërshtim me marrëveshjen dhe me Kushtetutën. Do të krijoja krizë të re dhe të përsëritshme me atë që ishte më parë”

“Është çështje e partive politike apo subjekteve politike, nënshkruesve të marrëveshjes politike, që të gjejnë modalitetin, që të gjejnë unitetin në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.

“Dorëheqja nuk është e paraparë as me marrëveshjen politike, e as më amendamentet e propozuara kushtetuese. Nuk është e paraparë as me reformën kushtetuese dhe zgjedhore. Unë jam e përkushtuar të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Jahjaga. 

Këto komente presidentja i bëri pas takimit që pati me homologun e saj nga Shqipëria, Bujar Nishani. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 27 August 2012 14:18

Prishtinë – “Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një intervistë për radion Evropa e Lirë.

Në këtë intervistë presidentja  Jahjaga flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e fillimit të dialogut politik.  Presidentja thotë se në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, zakonisht dialogohet për të gjitha çështjet që janë në interes të të dyja shteteve, duke e shprehur me nënshkrimin e marrëveshjeve bilateral ndërkombëtare.

“Me dialog politik nënkuptoj vullnetin dhe gatishmërinë e shprehur midis dy shteteve për të zgjidhur dhe për të arritur marrëveshje për cilëndo çështje”, thotë presidentja Jahjaga, duke hedhur poshte mundësinë që veriu i Kosovës të jetë pjesë e bisedave. “Republika e Kosovës, asnjëherë dhe me askend, nuk do të bisedojë për asnjë pjesë të territorit tonë, pra për sovranitetin tonë.

Do të ketë dialog të brendshëm me qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre legjitim, do të ketë dialog edhe me qytetarët serbë në të trija komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, siç ka edhe me qytetarët tjerë, në pjesët dhe komunat tjera, përfshirë edhe ato komuna që përbëhen nga shumica etnike serbe. Por, dialog të jashtëm, për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, as nuk ka dhe as nuk do të ketë”, është shprehur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 07:52

 

Presidenca e Republikës ka sfiduar subjektet politike që e vunë në majë të pushtetit Atifete Jahjagën, e të cilat tash kërkojnë nga ajo që pa përfunduar mandatin të lëshojë rrugë për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kreut të shtetit – deklarimet në media t’i adresojnë në rrugë zyrtare. Jahjaga vetë nuk do të marrë kurrfarë iniciative. Arbër Vllahiu, këshilltar dhe zëdhënës i presidentes, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së Jahjagës, si akt për t’u lëshuar rrugë zgjedhjeve presidenciale.

“Nuk ka nevojë që vullnetshëm të ‘lëshojë rrugë’ . Procedurat janë të qarta dhe duhet si në çdo rast tjetër të respektohet ligji dhe Kushtetuta”, i ka thënë “Kohës Ditore” Vllahiu. “Nuk mundet presidenti i një vendi të deklarohet se ai është i gatshëm të dorëhiqet dhe të lëshojë rrugë sa herë ndërron raporti i forcave në Kuvend apo sa herë bëhen marrëveshjet dhe koalicionet e reja ndërmjet partive dhe subjekteve politike”.

Pastaj ka sfiduar subjektet politike që synojnë ta vënë në jetë pikën e marrëveshjes që ia ndërpret mandatin Jahjagës.

 
Lajme Shqip Monday, 06 August 2012 19:09

Prishtinë – Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i bëjnë thirrje presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga të japë dorëheqje nga posti i saj në mënyrë që t’u hapë rrugën reformave  kushtetuese e zgjedhore në vend. Presidentja Jahjaga ishte zgjedhur në këtë post më 7 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së të lehtësuar nga ambasadori amerikan në largim, Cristofer Dell.

Ajo marrëveshje i përcaktonte Jahjagës një mandat të shkurtuar të postit të presidentes, përkatësisht deri në përfundimin e reformës kushtetuese, sipas të cilës, presidenti në të ardhmen zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vota e popullit.

Megjithatë, gjatë korrikut të sivjetmë, Gjykata Kushtetuese e konsideroi anti-kushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesë vjeçar.

Tani, rrugëdalja nga kjo gjendje, sipas deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për reformën kushtetuese, është që Jahjaga të japë dorëheqje.

“Presidentja vet e ka dhënë fjalën në fjalimin e saj inaugurues se në momentin kur të përgatiten ndryshimet kushtetuese ajo do të tërhiqet. Është evidente që një gjë e tillë nuk i ndalohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, prandaj ne presim nga ajo që të lëshojë rrugë dhe të njëjtën kohë të japë shembull edhe për liderët e tjerë që ta respektojnë marrëveshjen dhe të tregojnë që morali dhe politika të shkojnë bashkë dhe në anën tjetër të tregohet se kur jepet fjala publike ajo duhet të respektohet”, thotë Osmani.

Nëse Jahjaga nuk ofron dorëheqjen, kurse partitë e koalicionit qeverisës nuk e zbatojnë marrëveshjen, atëherë LDK-ja, si kundërpërgjigje, nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe as reformën zgjedhore, thotë deputetja Osmani.

“Ne natyrisht që nuk kemi arsye t’i votojmë amendamentet kushtetuese sepse ato amendamente kanë të bëjnë me zgjerimin, fuqizimin e kompetencave të presidentit dhe ato janë paraparë vetëm për një president të zgjedhur drejtpërdrejtë. Pra, LDK-ja nuk ka interes që t’i fuqizojë kompetencat e presidentes aktuale, mirëpo mendon që është në interes të vendit që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejta për president nga ana e popullit”, thekson Osmani.

Qëndrimet e LDK-së i sheh si jo parimore shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Ai thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kundërshtohen dhe e fton LDK-në që të mos e bllokojë procesin e reformave, por t’i votojë ndryshimet në momentin kur ato do të dalin për miratim para Parlamentit.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai vendim është obligativ për të gjitha institucionet dhe për gjithë spektrin politik në Kosovë. Mendoj që bojkoti, bllokimi, është mentalitet i të kaluarës. Kemi një proces të cilit jemi duke i kontribuar që të thellohen reformat demokratike dhe jo që ato të bllokohen. Prandaj ne jemi shkëputur njëherë e përgjithmonë nga mentaliteti i bllokimit”, thotë Grabovci. 

Ndërkaq thirrjet e LDK-së për dorëheqjen e Jahjagës, Grabovci i sheh në suaza të kërkesave normale të një subjekti politik. Por, megjithatë konsideron se Kosovës në këtë fazë i duhen më shumë reformat sesa zgjedhjet e shpejta presidenciale apo qendrore. “Çdo subjekt ka të drejtën e vet të apelojë për dorëheqje nga presidentja. Mirëpo, varet tash se sa ka të drejtë ligjore e kushtetuese. Ne e kemi Kushtetutën që na obligon të gjithëve që ta respektojmë dhe mbi interesat partiake, individuale e grupore janë interesat nacionale”, thekson Grabovci.

Marrëveshja Thaçi – Mustafa – Pacolli e cila më pas u përkrah edhe nga Kuvendi me anë të një rezolute të miratuar në prill të vitit 2011, mes tjerash parashihte ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, si dhe zgjedhjet presidenciale diku në fund të vitit 2012 dhe zgjedhje parlamentare në fund të vitit 2013.

Tani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit me marrëveshje politike nuk mund të shkurtohet mandati i institucioneve, është pak e pritshme që të ketë zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq qëndrimi i LDK-së, mund të ndikojë që edhe reformat zgjedhore e kushtetuese të mos kalojnë deri në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të re politike, por e cila, mbase do të respektonte fillimisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 27 July 2012 19:10

Prishtinë – Presidentja Atifete Jahjaga do të largohet menjëherë pas fuqizimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat parashikojnë zgjedhjen e presidentit të vendit drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve, ka thënë burime të gazetës “Tribuna Shqiptare”.

Theksohet se Jahjagës do t’i ofrohej një post ministror si ‘kompensim’ për lëshimin e postit presidencial. Analisti Shkelzen Maliqi mendon se nuk mund të parashikohet nëse do të ndodhë diçka e tillë.

Megjithatë, sipas tij, ka mundësi që të ndodhë për shkak se presidentja nuk mund të jetë në gjendje të përballojë presionin e madh nga të gjitha anët për t’u larguar dhe për ta respektuar marrëveshjen ndërmjet liderëve dhe Rezolutën e Kuvendit.

Ndërsa, analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se presidentja është vendosur nga ambasada amerikane, prandaj ajo mund të hiqet vetëm atëherë kur amerikanët binden se duhet hequr. (LajmeShqip.com)

12