Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 18:30

Prishtinë (PLOTESUAR)- Policia e Kosovës demanton lajmet e publikuara nga disa media për gjoja “shtetrrethimin” e Manastirit të Deçanit, duke publikuar edhe foto që nuk korrespondojnë me realitetin dhe aktivitetin e sotshëm në Deçan.

“Policia e Kosovës njofton se sot, duke filluar nga ora 11:00, nga qendra e qytetit të Deçanit në drejtim të Manastirit, është zhvilluar një aktivitet simbolik i paralajmëruar ditë më parë nga Këshilli organizativ në përbërje prej 10 anëtarëve.Këshilli organizativ ka shprehur pakënaqësi lidhur më vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për dhënien e pronave shoqërore Manastirit të Deçanit.Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 10 anëtarë të Këshillit organizativ.

Policia e Kosovës paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, me qëllim që ky aktivitet të kalojë i qetë dhe pa incidente.
10 anëtarët e Këshillit organizativ, pas përfundimit të këtij aktiviteti janë shpërndarë të qetë.

Disa media kanë publikuar edhe lajmin se në qytetin e Deçanit është regjistruar edhe një protestë, por në fakt në qytetin e Deçanit nuk është regjistruar asnjë protestë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

13:33 Manastiri i Deçanit “i rrethuar”
Deçan, 8 shkurt
– Mediet serbe njoftojnë se Manastiri i Deçanit, siç thonë ato, është nën “shtetrrethim”. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ata  të KFOR-it kanë bllokuar qasjen e demonstruesve, ekstremistë i quajnë mediet serbet’, të cilët kundërshtojnë vendimin që Manastirit t’i jepen në pronësi 23 hektarë tokë të pronës shoqërore të cilën ia kishte falur kësaj kishe regjimi i Millosheviqit në vitet e ’90 – të shekullit të shkuar.

Mediet serbe publikojnë edhe këtë foto të cilën thonë ta kenë marrë nga peshkopata e Rashkë Prizrenit. Ato shtojnë se për shkak të këtyre protestave argjipeshkvi Sava është detyruar t’i mbyllë portat e kishës  për mysafirët “për herë të parë pas 13 vjetëve.”

Kjo peshkopatë në njoftimin e vet ka shtuar se “demonstruesit kanë dashur të kapin në muret e Manastirit” mbishkrimet “Ky është manastiri ynë – larg duart nga toka jonë”, e shërbyes të Kishës kanë njoftuar organet ndërkombëtare në Kosovë për “pengimin që po u bëhet për të kryer shërbime fetare në Manastir”.(Koha Ditore/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 28 December 2012 18:14

Prishtine – Një trup gjykues i përzier i Dhomës së Posaçme i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, mori dy vendime për rastet që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore për përafërsisht njëzet e tre hektarë tokë, që ndodhen brenda dhe jashtë zonës së posaçme të Manastirit të Deçanit, ka njoftuar EULEX-i. Trupi gjykues i refuzoi si të pabazuara paditë e dy Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH) kundër Manastirit të Deçanit.

Këto raste kanë të bëjnë me kontrata për donacion ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Manastirit të Deçanit më 1997.

NSH Apiko dhe NSH Iliria, në dy procedura të ndara gjyqësore, i kanë kundërshtuar këto donacione dhe e kanë pretenduar pronësinë mbi këto prona. Duke u bazuar në vendimet e formës së prerë të Panelit Ankimor të Dhomës së Posaçme, Paneli i Pronës në vendimin e tij e pranoi që Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut, si përfaqësuese e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, ka bazë ligjore të jetë Paditës në emër të NSH-ve.

Më tutje në njoftim të EULEX-it theksohet se Paneli pranoi që marrëveshja e arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Manastirit ishte paraqitur në gjykatë në pajtueshmëri me rregullat e procedurës.

Kjo marrëveshje parasheh që UNMIK-u të heq dorë nga ankesat e NSH Apiko dhe NSH Iliria në lidhje me parcelat kadastrale në kuadër të zonës së posaçme të Manastirit të Deçanit, ndërsa Manastiri të heq dorë nga të drejtat mbi parcelat kadastrale jashtë zonës së posaçme në favor të NSH Iliria.

Paneli i pronës e vërtetoi ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje dhe kështu i refuzoi ankesat e NSH-ve si të pabazuara. Në të dhënat kadastrale, tokat tashmë janë të regjistruara në emër të NSH-ve.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 01 September 2012 15:00

Deçan -Për herë të parë që pas luftës në Kosovë manastiri i Deçanit vizitohet nga një president nga Shqipëria. Presidenti Nishani dhe Igumeni Janjiç nga manastiri i Deçanit përcjellin mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi.

‘Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi për për ndërtimin e një shoqërie të re në paqe e harmoni për secilin është mesazhi më i mirë që mund të përcillet nga një institucion fetar’, u shpreh presidenti i Shqipërise Bujar Nishani gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit.

Në këtë kuadër ai përcolli mesazhin e paqes dhe vullnetit të mirë për ndërtimin e një shoqërie të re bazuar në vlerat e lirisë dhe mirëbesimit me njëri-tjetrin: “Sepse, besimi tek Zoti do të na e shtojë akoma më shumë dashurinë ndaj njeri-tjetrit, besimin tek paqja dhe tek njëri-tjetri dhe kontributin për të ardhmen. Qeniet njerëzore janë në Tokë për të menduar gjithmonë për të mirën e njeri-tjetri dhe për të ardhmen“ ,tha Nishani.

Igumeni i Manastirit te Deçanit, Sava Janjic, vizitën e presidentit të Shqipërisë e vlerësoi si nder të veçantë për këtë institucion, ndërsa tolerancën fetare si shembull për të gjithë Ballkanin: “Ndërsa, ky është një rast i mirë në të cilin do të dëshmojmë bashkarisht rëndësinë e bashkëpunimit mes nesh, veçanërisht të njerëzve të kulturave dhe beismeve të ndryshme në ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore, në të cilën secili do të mund të jetojë në paqe dhe bashkëpunim. Shpresoj se Manastiri i Deçanit do të japë një kontribut të vogël në ndërtimin e paqes së përgjithshme dhe bahkëpunimin e të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë“.

Vizita e Nishanit në këtë institucion fetar e zhvilluar në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, është e para e një presidenti nga Shqipëria si dhe pritja e parë e përbashkët e ndonjë figure politike nga përfaqësues të Manastirit të Deçanit dhe të komunës së Deçanit, që pas luftës në Kosovë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 18:50

Prishtinë –Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Liritë Fetare në botë për vitin 2011 ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë sa i përket respektimit të lirive fetare.

Kushtetuta dhe ligjet tjera mbrojnë lirinë fetare dhe në praktikë qeveria në përgjithësi ka respektuar liritë fetare thuhet në raport, duke potencuar se qeveria nuk ka shfaqur ndonjë tentativë drejt përmirësimit apo përkeqësimit të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtës së lirisë fetare.

Megjithatë, sipas raportit, liderët fetarë kanë theksuar se mungesa e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal ka shkaktuar një numër sfidash praktike. Edhe pse shumë grupe kanë gjetur metoda alternative, shumë nga ta kanë raportuar sfida në pronësimin dhe regjistrimin e pronave, makinave, hapjes së xhirollogarive bankare dhe pagesës së tatimeve dhe pagave të të punësuarve.

DASH thekson se ka pasur raporte për abuzime ose diskriminim të komunitetit si pasojë e lidhjeve, besimit apo praktikave fetare. Raporti përmend vandalizimin e varrezave hebrenje në muajin nëntor në Prishtinë nga persona të panjohur. Po ashtu përmend incidente si vjedhje dhe vandalizëm kundër objekteve të Kishës Ortodokse Serbe si dhe incidentet që i quan të izoluara ku individë kanë gjuajtur me gurë autobusët me serbë, të cilët i vizitonin objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe.

Raporti për Liritë Fetare në pjesën për Kosovën, përmend raportimin e komunitetit islamik për pengimin e studenteve që të bartin shami në shkollat publike. Bashkësia Islame e Kosovës dhe organizatat myslimane joqeveritare kanë thënë se nxënëset me shami janë penguar nga pjesëmarrja në shkollat publike.

Në raport theksohen vendimet e Ministrisë së Arsimit, të Gjykatës Kushtetuese dhe së fundit të Kuvendit të Kosovës në lidhje me bartjen e shamisë në shkollimin parauniversitar. Ndërkaq, vë në pah shqetësimin e komunitetit protestant për pamundësinë që të ndërtojë një varrezë dhe një kishë në Deçan. Protestantët kanë vazhduar që të theksojnë diskriminimin institucional në nivel qendror dhe komunal. Ata janë ankuar se nuk po lejohen të krijojnë varrezë protestante, që ka rezultuar me varrimin e protestantëve në varrezat myslimane dhe klerikët myslimanë kanë kryer funeralin për ta.

Ata thonë se kjo është shkelje e të drejtave të tyre. Në raport është përmendur edhe miratimi i Ligjit për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe dhe debatin e shkaktuar për shkak të frikës se më këto ligje do të krijohej status special për objektet kulturore serbe.

Anëtarët e Ambasadës amerikane, thuhet në raport, kanë vazhduar që të takojnë liderët politikë dhe fetarë për të kërkuar dialog ndërfetar dhe për të inkurajuar zgjidhjen e shqetësimeve të komuniteteve fetare. Përfaqësues nga Ambasada amerikane po ashtu i janë bashkuar diskutimeve të qeverisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe  për të rifilluar punën e ngecur të Këshillit të Rindërtimit dhe Implementimit, që rindërton objektet fetare të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004.

SHBA, theksohet në raport,  ka vazhduar të mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e kontestit për një pronë ku përfshihet Manastiri i Deçanit dhe grupet lokale. Qeveria amerikane po ashtu ka themeluar një program për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që përfshin rindërtimin dhe mbrojtjen e kishave në vend. (REL)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 20:44

Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, gjatë qëndrimit në Prizren, të martën, ka vizituar bashkësitë më të mëdha fetare, ku gjatë bashkëbisedimit me liderët religjiozë ka bërë thirrje për tolerancë ndëretnike dhe ndërfetare, si çelës për arritjen e paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon dhe më gjerë.

I ulur këmbë kryq në mes të Xhamisë së Sinan Pashës, pranë udhëheqësve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, sekretari i organizatës më të madhe botërore ka theksuar se dëshiron që të shoh në vepër ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, e që sipas tij është parim i veprimit të OKB-së.”Njerëzit janë të lirë të besojnë siç kanë dëshirë. Vizita ime në Prizren është bërë me qëllim që të shoh ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike. Kosova është një shoqëri shumë etnike dhe shumë fetare dhe në kuadër të kësaj njerëzit duhet ta gjejnë harmoninë dhe gjuhën e përbashkët të komunikimit. OKB-ja gjithnjë angazhohet për avancimin e kësaj bashkëjetese”, ka thënë Ban Ki-moon.

Gjatë paraqitjes që ka bërë në xhaminë më të bukur të Prizrenit, Ban ka cilësuar se liderët fetarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të paqes dhe mirëkuptimit mes njerëzve pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë mes tyre.

Para se të jepte mesazhin e tij, Ban ka vizituar klerin katolik në Katedralen e Zonjës Ndihmëtare dhe atë ortodoks në Kishën e Shën Gjergjit. Vizita e shefit të OKB-së ka zgjatur rreth një orë. Gjatë kësaj kohe shiu ka rënë pandërprerë. Ai ka zbritur me helikopter në bazën e KFOR-it gjerman në Prizren, ku nën përcjellje të forcave të shumta të rendit është ndalur së pari në Kishën Katolike. Aty është pritur nga kancelari i Kishës Katolike, Don Shan Zefi. Ky i fundit i ka shprehur “mirëseardhje të madhe sa vet Kisha” e Zonjës Ndihmëtare. Kleriku katolik ka përkujtuar se vizita e Ban-it ka nderuar shqiptarët dhe gjithë etnitë tjera që jetojnë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -moon pasditen e së mërkurës përmes vijës ajrore,  ka ateruar në bazën e KFOR-it italian në Deçan, dhe më pas i përcjellë nën masa të rrepta sigurie, ka vizituar Manastirin e Deçanit ku u prit nga igumeni i Manastirit Ati Sava Janjiq. Kleriku serb  e njoftoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për historikun e Manastirit dhe për, siç u shpreh ai, mënyrën e mbrojtjes së tij ndër shekuj.Ndërkaq Ban Ki -moon duke bashkëbiseduar me atin Janjiq gjatë vizitës që i bënin Manastirit,  ka thënë se duke parë Manastirin e Deçanit tash e tutje pas vizitës që i bëra këtij monumenti të trashëgimisë kulturore i cili është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, do të ja di vlerën më shumë’.

“Unë paraprakisht tek institucionet e  Kosovës përcolla mesazhin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, e cila është  njëra ndër kërkesat tona”, i ka thënë ai atit Janjiq në brendinë e Manastirit. Ndërkaq pas takimit me dyer të mbyllura me klerikët e manastirit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së nuk ka pranuar të flasë për media. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 07:00

Deçan – Personeli i Manastirit të Deçanit ditën e enjte ka pranuar Republikën e Kosovës duke aplikuar për dokumente të shtetësisë së Kosovës.

Pesë nga lista prej 14 zyrtarëve të Manastirit të Deçanit e drejtuar në Zyrën e Regjistrimit Civil, mesditën e së enjtes kanë hapur dyert e Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil në Deçan dhe kanë aplikuar për dokumente të Republikës së Kosovës.

Listës nga ta i ka paraprirë ati Sava Dragutin Janjiq i përcjellë nga Dejan Sirko, Jezeklij Stakiq, Slobodan Milinkoviq, dhe Sasha Timshiq. Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, i cili duke iu uruar mirëseardhje, i ftoi ata që të ndihen të lirë në komunën dhe shtetin e tyre.

Ati Sava Dragutin Janjiç nuk ka pranuar të flasë për median dhe sipas burimeve tona,  ata kishin kërkuar që regjistrimi i tyre të bëhej pa prezencën e mediave. (K.N)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 17:30

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç do të vizitojë Manastirin e Deçanit, në Kosovë, për festën e Krishtlindjeve që festohet në datat 6-7 janar, bëjnë të ditur burimet serbe.

Sipas tyre, presidenti Tadiç me ftesë të Peshkopit të Rashkës-Prizrenit, Teodosije do të marrë pjesë në liturgjinë e krishtlindjeve më 7 janar.

Autoritetet kosovare konfirmojnë se ka një kërkesë për vizitë. “Ka një kërkesë të tillë, dhe unë besoj që kërkesa është mbi bazën e vizitës religjioze në Manastirin e Deçanit dhe besoj që këtu do të kemi qasje pozitive për një trajtim të tillë”, tha sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke iu përgjigjur interesimit të medias pas mbledhjes së qeverisë.

Ai bëri të ditur se, kërkesa për lejimin e vizitës ka mbërritur në qeverinë e Kosovës, pasi ka kaluar procedurat përmes Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë.

 
Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 14:42

 Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç do të vizitojë Manastirin e Deçanit, në Kosovë, për festën e Krishtlindjeve që festohet në këtë vend në datat 6-7 janar, bëjnë të ditur burimet serbe.

Sipas tyre, Presidenti Tadiç me ftesë të Peshkopit të Rashkës-Prizrenit Teodosije do të marrë pjesë në liturgjinë e krishtlindjeve më 7 janar.

Autoritetet kosovare konfirmojnë se ka një kërkesë për vizitë.

“Ka një kërkesë të tillë, dhe unë besoj që kërkesa është mbi bazën e vizitës religjioze në Manastirin e Deçanit dhe besoj që këtu do të kemi qasje pozitive për një trajtim të tillë”, tha sot zv/kryeministri Hajredin Kuçi, duke iu përgjigjur interesimit të medias pas mbledhjes së qeverisë.

Ai bëri të ditur se, kërkesa për lejimin e vizitës ka mbërritur në qeverinë e Kosovës, pasi ka kaluar procedurat përmes Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë.