Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 18:41

Ndonëse të gjitha klubet më të njohura evropiane janë ankuar në këtë sezon për cilësinë dhe gafat e gjyqtarëve në Ligën e Kampioneve, vetë UEFA mendon se paraqitja e tyre ka qenë e shkëlqyer. Këtë fakt e ka bërë të qartë Xhani Infantino, Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, i cili ka folur për ankesën e Malagas rreth golit në pozicion jashtë loje të pësuar përballë Borusia Dortmund në minutën e 93-të të ndeshjes.

“Nëse një skuadër mundet në minutën e 93-të, kuptohet qartësisht që ka pak zhgënjim dhe shpesh thuhen gjëra që nuk duhen thënë apo që në realitet nuk mendohen. Gjykimi ka qenë i shkëlqyer në Ligën e Kampioneve në këtë edicion”, ishin fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s për BBC.

Kjo deklaratë ka sjellë indinjatë te Malaga dhe jo vetëm. Duhet kujtuar se vetëm në dy fazat e fundit të eliminimit direkt ka pasur gabime të bujshme të gjyqtarëve si kartoni i kuq ndaj Nani në Mançester Junajtid-Real Madrid, goli në pozicion jashtë loje i Ibrahimoviç në PSZH-Barcelona dhe tre gabime teknike në të njëjtin aksion në këtë ndeshje nga gjyqtari Stark, dy golat në pozicion jashtë loje në Borusia Dortmund-Malaga, kartoni i verdhë për Jilmaz në vend të penalltisë në Real Madrid-Gallatasaraj apo një karton i verdhë që nuk ekzistonte i dhënë mbrëmë për Manxhukiç në Juventus-Bajern Mynih. Edhe në këtë rast të fundit, gjyqtari ka gabuar në mënyrë të pabesueshme dukë ndëshkuar lojtarin kroat për një faull që nuk ekzistonte, duke bërë që ai të humbasë ndeshjen e parë gjysmëfinale për skuadrën e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 13:47

Trajneri i Malagas, Manuel Pelegrini, ka lëshuar një sulm të ashpër në adresë të gjyqtarit Kreig Tomson dhe asistentëve të tij pas eliminimit të ekipit spanjoll nga Liga e Kampioneve. Malaga u eliminua nga një gol në pozicion të dukshëm jashtë loje në minutat shtesë të ndeshjes, ndonëse duhet theksuar se më parë rezultati 2-1 për spanjollët ishte shënuar në një tjetër gol të dukshëm në pozicion jashtë loje.

“Ata nuk na deshën në gjysmëfinale. Pasi rezultati shkoi 2-1 për ne, ndodhën shumë gabime në gjykimin e ndeshjes. Goli i tretë ishte një goditje e rëndë për ne. Kishte dy kartonë të kuq për t’u dhënë, pastaj ishte pozicioni jashtë loje që duhej marrë në konsideratë kur rezultati shkoi në 3-2. Në 10 minutat e fundit ne u penguam në mënyrë të dukshme nga gjyqtarët. Në kushte të tilla, gjithçka bëhet e vështirë”.

Sipas tij, fakti që Malaga është bërë shembull nga UEFA, që e ka sanksionuar me mospjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në vitin e ardhshëm për shkak të shkeljes së rregullave të Fair Play Financiar, shtynte drejtuesit e futbollit evropian që të pengonin progresin e këtij ekipi në fazën tjetër të turneut.

“Një ekip i sanksionuar nuk ka se si të marrë pjesë në finalen e turneut”, deklaroi trajneri i ekipit spanjoll. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 13:45

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, nuk ka ditur si të përshkruajë mirë kualifikimin dramatik të skuadrës së tij në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve përballë Malagas. Deri në minutën e 89-të, skuadra e tij po mundej 2-1 dhe ishte pranë lamtumirës nga turneu, ndërsa më pas, dy gola të Reus e Santana kanë përmbysur rezultatin duke kaluar ekipin në turin tjetër.

“Nuk di si ta shpjegoj këtë që ndodhi. Por edhe unë isha mes dëshmitarëve! Në fund të ndeshjes, të gjithë ishin pranë infarktit! Futbolli duhet të jetë i tillë, kjo është ana më pozitive e futbollit. Sigurisht, në anën tjetër më vjen keq për Malagan, pasi edhe ata dhanë gjithçka”, u shpreh trajneri i ekipit gjerman.

Por tekniku gjerman e pranoi se skuadra e tij ishte paraqitur shumë dobët në këtë sfidë të dyfishtë me spanjollët, ndërsa mendon se emocionet e të luajturit në këto nivele ka ndikuar mbi ekipin.

“Për herë të parë në këtë vit në treguam nervozizëm. Nuk ishim të frymëzuar dhe luajtëm pa shumë lëvizshmëri. Malaga u mbrojt mirë por në anën tjetër, ishte e lehtë të mbroheshe ndaj nesh. Me moralin që kemi shfaqur, e meritojmë kualifikimin. Malaga ishte një skuadër e mirë, por kur arritëm të kalonim topin përpara, gjithçka funksionoi”, u shpreh Klop pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 12:37

Humbja në minutat shtesë të ndeshjes përballë Borusia Dortmund me një gol të dukshëm në pozicion jashtë loje, ka sjellë reagime të ashpra nga ana e Malagas që nuk e ka pranuar lehtësisht këtë eliminim. I pari që ka folur rreth kësaj teme ishte presidenti i klubit, sheiku Al-Thani, i cili nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë një formë racizmi.

“Ky nuk është futboll por racizëm i mirëfilltë. Shpresoj që UEFA të nisë një hetim të mirëfilltë mbi mënyrën sesi një klub spanjoll u largua në këtë mënyrë e cila nuk përputhet me shpirtin sportiv. Faleminderit skuadrës, ju keni qenë kampionë në fushë. Më vjen keq që largohemi në këtë mënyrë, mes padrejtësisë dhe racizmit”, ishte komenti i tij në adresën zyrtare të Twitter.

Sipas mesfushorit Hoakin, një prej lojtarëve më të dalluar të këtij klubi, gjithçka mund të ketë qenë e paramenduar për të larguar Malagan nga turneu.

“Dyshojmë për Platini dhe të gjithë ata që qëndrojnë atje lart, pasi jemi Malaga dhe jo Real Madrid, është shumë më e lehtë ta bësh një gjë të tillë me ne. Kemi paguar për situatën dhe trajneri ka të drejtë kur thotë se një ekip që ka sanksione mbi kokë nuk mund të luajë në finalen e një turneu të tillë. I kemi parë pamjet e golave. Në nivele kaq të larta gjëra të tilla nuk mund të ndodhin, por ne jemi Malaga…”, ishte komenti i mesfushorit spanjoll pas eliminimit të skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 00:01

Borusia Dortmund është kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve falë suksesit 3-2 ndaj Malagas, por takimi do të mbahet mend për gafat e gjyqtarëve skocezë, me në krye Kreg Tomson, që praktikisht vendosën fatin e kësaj sfide në 10 minutat e fundit të saj. 

Në fakt ndeshja më shumë foli për ekipin mik, që pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë shpresonte që me një gol të krijonte probleme për gjermanët. Hoakin bën mrekullinë në minutën e 25-të, me një gjuajtje në hyrje të zonës. Por fatmirësisht për të mbyllur pjesën e parë në barazim mendon Levandovski me një gol të shkëlqyer pas pasimit me thembër të Reus.

Por Borusia ka vështirësi të dalë në lojën e saj dhe është Malaga që krijon dy herë radhazi mundësinë për të shënuar një tjetër gol, me Hoakin që në të dy rastet gabon në mënyrë të pabesueshme. Më pas është Kabajero që bëhet protagonist me pritjet e tij ndaj çdo gjuajtje të skuadrës gjermane, që duket se nuk ka forcën të kërkojë fitoren.

Për më tepër, në minutën e 83-të, Malaga gjen përsëri avantazhin me Eliseu, ndonëse duhet thënë se mesfushori ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje. Duket se Dortmundi është përfundimisht jashtë por ekipi gjerman nuk dorëzohet dhe barazon në minutën e 90-të me Reus. Malaga kthehet në mbrojtje pasi edhe barazimi e kalon në turin tjetër, por në mënyrë të pabesueshme është Santana që shënon golin e fitores në minutën e 91-të për vendasit, duke kaluar Borusian në gjysmëfinale pas një përmbysje të çmendur. Në fakt, goli duhej anuluar për pozicion të shumëfishtë jashtë loje të futbollistëve gjermanë, por gjyqtari Tomson dhe asistentët e tij e vlerësojnë si të rregullt, duke shuar ëndrrën e Malagas që i kishte shkuar shumë pranë mrekullisë.

Megjithatë, priten polemika të shumta pas kësaj ndeshje, pasi drejtuesit e Malagas kanë kërkuar shpjegime nga UEFA për këtë rast që e kanë cilësuar pa precedent dhe të qëllimshëm, pasi pozicioni jashtë loje në golin e fundit ishte shumë i dukshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 April 2013 19:12

Trajneri i Borusia Dortmund, Jugen Klop, mendon se nervozizmi i tepruar në ndeshjen e parë kundër Malagas bëri që sulmuesit e skuadrës së tij të humbnin raste të pabesueshme para portës kundërshtare. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së kthimit me skuadrën spanjolle, ai ka bërë të ditur se ekipi i tij do të mundohet të korrigjojë pikërisht këtë aspekt të lojës.

“Gabimi ynë i madh në ndeshjen e parë nuk është se humbëm raste, por si reaguam pas tyre. Shihej qartësisht se një situatë e tillë na irritoi dhe kjo nuk bën gjë tjetër veçse përforcon kundërshtarët. Duhet të bëjmë më mirë se aq nesër dhe jam i bindur se do ta bëjmë një gjë të tillë”, tha trajneri gjerman.

“Ka dy mënyra për t’u përballur me këtë situatë, duke ndjerë trysninë, ose duke ndjerë mundësinë që na vihet përpara. Ne gjithmonë shohim mundësitë që na shfaqen dhe kjo na ka shërbyer mirë deri tani. Gjithçka ka qenë pozitive, edhe ndeshja e parë. Nuk e kuptoj pse njerëzit prisnin që ne të fitonim lehtësisht ndaj Malagas. Ata janë një kundërshtar i fortë, por ne kemi shanse reale për të kaluar”, deklaroi trajneri i skuadrës që ka shkëlqyer në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 09:56

Mario Gëtze ka kërkuar falje dhe ka pranuar se është shumë i mërzitur për gabimet që ka bërë para portës në ndeshjen që Borusia Dortmund barazoi pa gola përballë Malagas në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. 20 vjeçari kishte tre raste të pastra për të dërguar topin në rrjetë por humbi duelin personal me portierin e spanjollëve, Uilli Kabajero.

“Mund të kisha ndihmuar skuadrën duke shënuar të paktën një gol. Më vjen keq që nuk isha në gjendje ta bëja një gjë të tillë. Por përsëri duhet të jemi të kënaqur me këtë rezultat dhe të mendojmë që kemi ndeshjen e kthimit për të shlyer gabimet”, tha ai.

Në mbrojtje të Gëtze ka dalë shoku i tij i skuadrës, Ilkai Gundogan, i cili mendon se paraqitja mund të cilësohej pozitive, pasi ishte ruajtur rrjeta e paprekur në transfertë, pavarësisht rasteve të shumta të humbura.

“Treguam një paraqitje të mirë për një ndeshje jashtë fushe dhe krijuam shumë raste. Mario kishte 3-4 mundësi dhe zakonisht ai dërgon të paktën një prej tyre në rrjetë. Nuk ishte e thënë të ndodhte këtë radhë, por është gjithashtu e rëndësishme që të ruhet rrjeta e paprekur”, theksoi mesfushori. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 23:10

Malaga dhe Borusia Dortmund kanë lënë të hapur diskutimin për kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pas ndeshjes së parë të përfunduar me rezultatin e bardhe 0-0. Në një ndeshje mjaft të luftuar, duket se emocionet kanë bërë punën e tyre, pasi skuadrat kanë prodhuar raste por nuk kanë arritur t’i konkretizojnë ato.

Në fakt ka qenë Borusia që është treguar më superiore në lojën e saj, pavarësisht faktit se takimi zhvillohej në Spanjë. Gëtze ka dy herë mundësinë të kalojë në avantazh skuadrën e tij, por gabon para portës duke gjuajtur në të dy rastet në trupin e portierit. Më pas, Malaga rimerr veten dhe bazon gjithçka te loja në ajër, por si Baptista, ashtu edhe Tulalan nuk arrijnë të dërgojë topin në rrjete me gjuajtjet me kokë.

Fillimi i pjesës së dytë dhuron përsëri dy raste të pabesueshme për Gëtze e Levandovski, por po aq të pabesueshme janë gjuajtjet e lojtarëve të Borusias të cilët duket sikur kanë harruar si shënohet, duke gabuar përballë Kabajero.

Zgjimi i Malagas vjen në fundin e takimit, ku Isko ka mundësinë të shënojë golin e fitores, por Vaidenfeler shpëton portën me atë që do të jetë pritja e tij e vetme e rrezikshme gjatë të gjithë mbrëmjes.

Përfundon 0-0 dhe gjithçka shtyhet për ndeshjen e kthimit në fushën e skuadrës gjermane, me Klop që shpreson që brenda 6 ditëve të ardhshme, t’u ketë mësuar përsëri lojtarëve të tij si të shtyjnë topin në rrjetë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 13:15

Manuel Palagrini ka shprehur gjithë entuziazmin e tij mbi faktin se Malaga ka kaluar çdo parashikim me paraqitjet që ka dhuruar në Ligën e Kampioneve në këtë sezon si dhe po pret me padurim përballjen çerekfinale kundër Borusia Dortmund.

“Askush nuk mendonte se ne kishim një shans për të mbërritur këtu por lojtarët janë përgjigjur shumë mirë në fushën e lojës. Ne eliminuam Porton dhe kjo përfaqësonte një arritje jashtëzakonisht të madhe për skuadrën tonë. Të gjitha meritat i kemi fituar me atë që kemi dhënë në fushën e lojës”, tha trajneri i Malagas.

“Jam i lumtur që do të luajmë me Dortmund, një skuadër shumë krijuese në futbollin e tyre. Tifozët do të shohin një ndeshje të madhe pasi të dy ekipet duan të kenë mbajtjen e topit dhe janë shumë të forta. Ne do të mundohemi të minimizojmë forcën e tyre ndërsa do të përpiqemi të tregojmë aftësitë tona. Mos harrojmë se ata kanë një skuadër të madhe me 5 futbollistë titullarë në kombëtaren gjermane”.

“Nuk i dihet kurrë se si është rezultati në një ndeshje futbolli, nuk mund ta dimë se çfarë do të ndodhë. Ajo që unë di është rëndësia e një rezultati pozitiv para ndeshjes së kthimit”, deklaroi trajneri i Malagas. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 March 2013 14:41

Mikael Zork, drejtor sportiv i Borusia Dortmund: “Është një short i pranueshëm. Sigurisht që është më i favorshëm sesa të ndeshesh me Barcelonën, Real Madrid apo Bajern Mynih”.

Nuri Shahin, mesfushori i Borusia Dortmund: “Ne shqetësoheshim se mos na binte Porto por ata u eliminuan nga Malaga. E njoh këtë skuadër nga eksperienca ime te Real Madrid. Ata luajtën shumë mirë kundër nesh kur unë isha në Spanjë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Malagan”.

Jurgen Klop, trajneri i Borusia Dortmund: “Borusia dhe Malaga janë dy skuadrat që kanë çuditur me paraqitjet e tyre në Ligën e Kampioneve në këtë sezon. Ndaj një gjë do të jetë e sigurt: do të ketë një skuadër surprizë në gjysmëfinalen e turneut. Mënyra se si eliminuan Porton, tregon se ata kanë shumë cilësi në skuadrën e tyre”. (LajmeShqip.com)