Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 11:40

Xhudistja Majlinda Kelmendi i ka bërë një ultimatum të mirëfilltë Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që brenda 10 ditëve të plotësohen kërkesat e saj siç parashikon Ligji për Sportin, në të kundërt do të zgjedhë të përfaqësojë një shtet tjetër, pas ofertave të shumta që ka marrë gjatë kësaj periudhe.

Xhudistja 21 vjeçare shkëlqeu në Grand Prix të Dyseldorfit dy ditë më parë, duke marrë medaljen e artën në këtë aktivitet për peshën deri në 52 kilogram, ndërsa ka fituar elozhe edhe nga shtypi ndërkombëtar, ku përfshihet edhe kanali televiziv prestigjioz “Euronews”.

Por vlerësimet ndërkombëtare duket se janë më të mëdha se ato kombëtare, ku pavarësisht fjalëve të shumta, Kelmendi nuk ka marrë ende shpërblimet që i takojnë sipas ligjit për sukseset në arenën ndërkombëtare. Si rrjedhojë, ka ardhur edhe ultimatumi i sportistes, gjatë një intervistë të dhënë në “KTV”.

Sipas saj, janë tre shtete që e kërkojnë me ngulm prej kohësh dhe janë gati ta paguajnë që t’i përfaqësojë në të ardhmen. Nëse Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë indiferente ndaj ultimatumit të saj, xhudistja do të pranojë të përfaqësojë një shtet tjetër në aktivitetet ndërkombëtare.

Tani fjala i kalon shtetit kosovar e sidomos Ministrisë së Sporteve, e cila e ka kthyer Kelmendin në një simbol të sportit kosovar duke shfrytëzuar në maksimum imazhin e saj, por që me sa duket nuk po respekton detyrimet ndaj kësaj sportisteje elitare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 20:49

Majlinda Kelmendi e ka cilësuar një çështje tërësisht politike vendimin e dhënë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për pjesëmarrjen e saj në Lojërat Olimpike 2012. KON vendos që xhudistja kosovare të mos garonte nën flamurin e Kosovës dhe as si atlete e pavarur, por vetëm nën flamurin shqiptar.

“Ky nuk është lajm i mirë”, ka treguar ajo për BBC. “Unë kam lindur në Kosovë, jam bërë sportiste në Kosovë dhe kam patur mbështeten më të madhe në Kosovë. Kjo nuk është asgjë më shumë se politikë. Ka shumë shtete që nuk e mbështetin dhe nuk e duan Kosovën. Fatkeqësisht, Kosova është një shtet i vogël dhe ndoshta jo aq i fortë politikisht aktualisht, ndërsa nuk është i fuqishëm sa duhet për të influencuar disa gjëra”, tha ajo e zhgënjyer.

Kelmendi ka pasaportën shqiptare dhe Komitet Olimpik Ndërkombëtar ka menduar se ajo duhet të përfaqësojë Shqipërinë në Londër 2012, siç ka bërë edhe më përpara në disa gara zyrtare.

Sipas vetë xhudistes, ky vendim është një kompromis i mirë pasi ajo mund të garojë nën ngjyrat e flamurit kuqezi që përfaqëson gjithë shqiptarët në botë. Kosova kishte bërë kërkesë që Kelmendi të garonte nën ngjyrat e flamurit olimpik si atlete e pavarur, nga frika se mos ajo nuk do të lejohej të merrte pjesë në këtë aktivitet.

Një eksperiencë të tillë të hidhur e ka provuar trajneri i saj, Driton Kuka, i cili nuk mori pjesë në Barcelona 1992 pasi pak kohë para zhvillimit të kësaj Olimpiade, shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi.

“Në fund të fundit, jemi të gjithë shqiptarë. Është një gjë e mirë që të paktën mund të marr pjesë në gara për Shqipërinë. Jo si trajneri im, i cili ishte i pafat dhe nuk mundi të marrë pjesë në Olimpiadë”, tha ajo. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 13:50

Vendimi i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të mos lejuar pjesëmarrjen e xhudistes Majlinda Kelmendi si atlete përfaqësuese e Kosovës në Lojërat Olimpike Londër 2012, ka sjellë reagime mjaft të ashpra nga shteti i Kosovës.

Por presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, ka shpjeguar pse është marrë ky vendim për xhudisten kosovare që kërkonte të garonte për Kosovën ose për flamurin e KON.

“Ajo u kualifikua duke marrë pjesë në gara për Shqipërinë. Ajo ka marrë bursat olimpike nga Shqipëria. Ajo ka një pasaportë shqiptare ndaj Shqipëria është i vetmi shtet që mund të përfaqësojë në Lojërat Olimpike Londër 2012”, ishte komenti i Rozhe rreth kësaj çështje.

Vendimi i KON për Majlinda Kelmendin është trajtuar edhe në mediat ndërkombëtare, ndërsa një shkrim rreth kësaj çështje ka përfunduar edhe në faqen e gazetës së njohur amerikane “Washington Post”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 21:07

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur të vazhdojë izolimin e sportit kosovar pasi i ka ndaluar xhudistes Majlinda Kelmendi të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Lojërat Olimpike Londër 2012.

Në vendimin e marrë sot nga Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni, atletja që ka plotësuar normën e pjesëmarrjes në garat që zhvillohen këtë verë, nuk lejohet as të marrë pjesë si atlete e pavarur dhe e vetmja mënyrë që i mbetet për të garuar në Londër 2012 është si përfaqësuese e Shqipërisë.

Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë Ministra e Sportit në Kosovë, nëpërmjet një deklarate për shtyp të Ministrit Memli Krasniqi, i cili ka dënuar ashpër këtë vendim absurd.

“Bordi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar sot në esencë bëri një shkelje të te drejtave të njeriut, duke mos e lejuar xhudisten tonë Majlinda Kelmendi që të përfaqësojë shtetin e vet në Lojërat Olimpike Londër 2012. Madje asaj nuk iu lejua as paraqitja si sportiste e pavarur, që ka qenë një dëshirë e dytë dhe kërkesë zyrtare e saj, nëse përfaqësimi si shtet nuk do të ishte i mundshëm. KON-i vendosi që forma e vetme e paraqitjes së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Londër 2012 të jetë si sportiste nga Shqipëria”.

“Me këtë akt, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po ua humb edhe më shumë shpresat dhjetëra mijëra sportistëve, talenteve nga Kosova se ëndrra e tyre për të qenë të suksesshëm, të barabartë me sportistë tjerë, duke përfaqësuar shtetin e vet një ditë do të realizohen”.

“Vendimi i KON-it është po ashtu një thyerje e parimeve olimpike dhe mbi të gjitha një konfirmim i padrejtësisë shumëvjeçare që po i bëhet Kosovës në sport. Është shumë dëshpëruese se si vlerat sportive, respekti dhe pasioni për gara, vazhdojnë të ndikohen nga politika në rastin e Kosovës.  Është një mesazh i keq që i jepet rreth dy milionë qytetarëve, gjithë atyre të rinjve dhe prindërve”, ishte belarat që bëri ministri Krasniqi pas vendimit të marrë nga KON. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 10:01

Majlinda Kelmendi ka siguruar zyrtarisht përfaqësimin në Lojërat Olimpike Londër 2012, sipas pikëve që ka mbledhur gjatë sezonit.

Në klasifikimin e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, sportistja nga Peja, figuron në vendin e 6-të në botë, me 820 pikë, duke siguruar automatikisht pjesëmarrjen në aktivitetin që zhvillohet këtë verë.

Por tani mbetet për t’u përcaktuar nën cilin flamur do të garojë xhudistja e talentuar në këtë aktivitet ku ajo mund të jetë edhe pretendente për medalje.

Me 23 maj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të shqyrtojë ndër të tjera edhe mundësinë apo jo të pjesëmarrjes së Kosovës në këto Lojëra Olimpike, pasi atletja kosovare pretendon me të drejtë të përfaqësojë vendin e saj. Përveç të tjerave, Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka njohur zyrtarisht Federatën Kosovare të Xhudos. Kjo do të thotë se Kelmendi do të ngrejë lart flamurin e Kosovës në të gjitha aktivitetet ku merr pjesë.

Por çështja e Lojërave Olimpikë është disi ndryshe, pasi në këtë rast kërkohet njohja edhe “politike” e shtetit të Kosovës. Si rrjedhojë, Kelmendi mund të jetë e detyruar që të marrë pjesë nën flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ose edhe mund të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitet.

Meqë ajo është mbajtëse e pasaportës shqiptare dhe është pretendente për medalje, Kelmendi mund të preferojë që në vend që të ngrejë lart flamurin e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në rast fitoreje, të zgjedh të ngrejë lart flamurin kuqezi.

Për t’u vlerësuar është fakti se Kelmendi ka refuzuar një ftesë të Azerbajxhanit që i ofronte një shumë relativisht të madhe parash nëse do të pranonte të përfaqësonte këtë shtet në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 13:26

Rrjeti televiziv “Euronews” ka publikuar dje një reportazh rreth sportit kosovar dhe ëndrrës së sportistëve të këtij vendi për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012. Reportazhi është bazuar te kërkesa që Parlamenti Evropian i ka bërë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të lejojë atletët kosovarë të marrin pjesë në aktivitetin që zhvillohet gjatë verës. 

Emri i parë i përmendur në këtë reportazh është ai i xhudistes së njohur Majlinda Kelmendi, e cila është ndër atletet më të njohura në botë për këtë sport, falë medaljeve të panumërta që ka fituar në arenën ndërkombëtare.

“E di që kur unë ndjehem mirë, jam në gjendje të mund çdo konkurrent në kategorinë time”, ka treguar vetë Kelmendi në këtë reportazh. Meqë ajo është e vetmja atlete kosovare që plotëson normën olimpike duke qenë mes 5 më të mirave në botë, kuptohet që dëshiron të marrë pjesë dhe të synojë medalje në Londër 2012.

Mundësitë e saj për momentin janë dy, të konkurrojë nën flamurin ndërkombëtar të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar si atlete e pavarur, ose të garojë me flamurin e Shqipërisë, pasi ka edhe pasaportën shqiptare.

“Kam patur shumë oferta, mes të cilëve një shumë të mirë nga Azerbajxhani. Do të kishin qenë shumë para. Por unë vendosa të qëndroj në Kosovë, të përfaqësoj Kosovën. Ndoshta jam e vetmja atlete që arrin zyrtarisht normën olimpike, që më mundëson të marr pjesë”, ka treguar xhudistja kosovare.

Ajo nuk është e vetmja që mund të kërkoje rezultate në Londër 2012 nëse Kosova merr pjesë. Urata dhe Lumturie Rama janë dy qitëset që plotësojnë normat olimpike por meqë Federata e Qitjes Sportive të Kosovës nuk njihe nga ajo ndërkombëtare, detyrohen që rezultatet e tyre t’i njohin vetëm në sferën kombëtare. Kosova ka bërë tri herë kërkesë për aderim por pa sukses.

“Çdo sportist ëndërron të marrë rezultate të mira dhe të marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Ky është motivimi”, tregon Urata, specialiste në qitjen 10 metra me pushkë me ajër.

“Sipas informatave që kemi ne, duket shumë e pamundur që të jemi në gjendje të shkojmë në Londër 2012. Por ne nuk do të heqim dorë. Ndoshta mund të marrim pjesë në 2016. Ëndrra jonë është të shkojmë dhe të përfaqësojmë Kosovën, vendin tonë”, thotë Lumturie, specialiste e qitjes 10 metra me pistoletë me ajër.

Problemet e tjera në Kosovë janë infrastrukturore dhe ekonomike, por sidomos politike. Vetëm 3 federata njihen në arenën ndërkombëtare, ajo e ping-pong, peshëngritjes dhe e gjuajtjes me hark. Po Kosovës i nevojitet njohja nga të paktën 5 Federata Ndërkombëtare në mënyrë që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Kjo e bën gjithçka më të vështirë, edhe për shkak të situatës politike.

“Është shumë e vështirë të marrësh viza për të udhëtuar në disa vende. Janë disa shtete që i kuptojnë atletët tanë, por janë disa të tjera që na e vështirësojnë jetën kur aplikojmë për viza”, tregon zv/presidenti i Federatës Kosovare të Atletikës, Driton Haliti.

Kosova ka pësuar një eksod të madh sportistësh gjatë viteve të fundit dhe kjo ka vështirësuar më shumë situatën e sportit në këtë vend, pasi ata kanë zgjedhur të përfaqësojnë shtete të tjera.

Fatkeqësisht, dokumentari i “Euronews” ka pranuar se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk duket se do të miratojë pranimin e Kosovës në Lojërat Olimpike. “Kjo ka shumë pak mundësi që të ndodhë në një të ardhme të afërt”, është sinjali që ka ardhur nga zyrat e IOC, ku si duket do të mbahet embargo që pengon ëndrrën olimpike të Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 10:17

Pas medaljeve të arta në Romë dhe Minsk, xhudistja e njohur kosovare, mori medaljen e tretë të artë me radhë, në garat për Kupën e Botës, Kategoria A, në Abu Dabi, duke dëshmuar edhe një herë se e meriton epitetin e më të mirës.

Kelmendi e mposhti kinezen He Hongmei, duke mbledhur 200 pikë të reja, me të cilat e përforcoi edhe më shumë pozitën e tetë në renditjen olimpike. Paraprakisht, në rrugë drejt finales, ajo mposhti koreanen Ok Kjung Kim, gjermanen Marin Kraeh dhe mongolezen, Bundma Munkhbatar.

Kjo fitore ia përforcon gjasat kampiones kosovare në xhudo, për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Londra 2012. (LajmeShqip.com)