Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 14:48

Prishtinë – Ligji i amnistisë që u miratua kohë më parë në Kuvendin e Kosovës e që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Kështu, transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle, në një storje të transmetuar në emision “Europa Sot “, thekson se ligji i amnistisë kërcënon të vë në pikëpyetje të gjithë punën e EULEX’it në Kosovë.
Mediumi gjerman, rikujton se ligji fillimisht ishte menduar për Veriun e Kosovës, ku lulëzon kontrabanda dhe krimi i organizuar. Por, aty theksohet edhe dëshira e elitës kosovare të korruptuar dhe të zhytur në evazion fiskal, për ta amnistuar edhe vetën.
“Amnisti tingëllon bukur edhe në Parlamentin e Kosovës, të dominuar prej shqiptarëve. Deputetët kanë miratuar një ligj amnistie, i cili vlen jo vetëm për serbët në Veri, por edhe për aktet penale në mbarë Kosovën. Madje, një ligj edhe për vet deputetët. Elita e Kosovës është e zhytur në korrupsion në evazion fiskal dhe kriminalitet të organizuar. Por për të vendosur paqen e qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës, ishte në radhë të parë BE që ushtroi presion për këtë ligj” thuhet në storjen e DW.
Po ashtu, përmendet tregtia ilegale me produkte farmaceutike në Kosovë, që thuhet se është një ndër bizneset kriminale me qarkullimin më të lartë të parave.
“Por, tani mafia kosovare e shëndetësisë mund të shpresojë tek amnistia për falsifikuesit e dokumentave”
Ndërkaq, potencohet edhe rasti i ish – Sekretarit të Ministrisë Shëndetësisë Ilir Tolajt, që mund të përfitojë nga amnistia, sikurse edhe ai ish -Kryetarit të Ferizajt Bajrush Xhemajli, që kishte shkaktuar aksident duke lënë të vdekur një kosovar.
DW ka rikujtuar se tani ligji ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, por se ka pak shpresa të ndryshojë
“Por askush nuk beson se kjo instancë do ta rrëzojë atë, të gjithë janë pro Qeveria, Parlamenti dhe tek e fundit edhe Bashkimi Europian”.

 
Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 19:38

Bruksel-Një raport i publikuar sot nga Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga thotë se organizatat kriminale shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol kyç në tregtinë e drogës, kryesisht të heroinës në vendet anëtare të BE-së.

Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë ka një rol kyç në tranzitimin dhe magazinimin e  substancave të paligjshme të destinuara për shpërndarjen në vendet anëtare të BE-së, thekson raporti, duke shtuar se, Shqipëria është një vend tranzit në trafikimin e substancave të paligjshme në drejtim të vendeve të BE-së, ndërsa pavarësisht se vitet e fundit dërgesat nuk janë më të kontrolluara nga një organizate e vetme kriminale, por nga disa, ato shqiptare dhe  turke vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në importimin e heroinës në BE.

Mënyrat e trafikut të drogës, kanë ndryshuar vëren raporti. Trafiku detar, sidomos nëpërmjet kontenierëve është shumë i përdorur vitet e fundit. Barkat me vela apo skafet janë shembulli i transportit të drogës nga Shqipëria në Itali dhe madje edhe nga Turqia për në Spanjë. Veç kontinierëve, avionët, korrierët dhe shërbimet postare janë disa nga mënyrat e reja të tregut të drogës, duke bërë të mundshme kalimin  drogës nëpër pikat e tranzitit, që do të thotë vështirësi të shumta për kapjen e tyre.

Interneti është shfaqur si një ndërmjetës i rëndësishëm dhe po përdoret zakonisht për marketing në shitjen e drogës. Organizatat kriminale shqiptare theksohet se po shfrytëzojnë me shumë efikasitet komunikimin me Skype. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë të rëndësishëm të grupeve turke në tregtinë e heroinës. Shqiptarët me bazë në Shqipëri, Maqedonia dhe Kosova po e përdorin rajonin për ruajtjen dhe ripaketimin e dërgesave të heroinës. Këto grupe po kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut të heroinës në shumë prej vendeve evropiane, me veprimtari kriminale të identifikuara pothuajse në të gjitha shtetet e BE-së.

Krimi i organizuar shqiptar është i karakterizuar nga emigrimi ilegal, thotë raporti, trafikimi i qenieve njerëzore, vjedhjet dhe plaçkitjet, shpërndarjen e monedhave të falsifikuara si dhe në trafikimin e armëve. Brenda rajonit shqiptarët janë gjithnjë e më shumë të përfshirë në trafikun e heroinës, por edhe të drogave sintetike dhe kanabisit. Këto grupe bashkëpunojnë me organizata kriminale në vendet e burimit të drogave të paligjshme. Krimi i organizuar italian punon ngushte me shqiptarët dhe turqit për të siguruar heroinë, shumë e kërkuar kjo në Itali. Raporti bën thirrje për rritje të bashkëpunimit në nivel të BE-së, pasi masat kombëtare janë të pamjaftueshme, pa marrë parasysh se sa të fuqishme janë ata.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 January 2013 16:43

Athine – “Islam radikal Monitor në evropën Juglindore”, RIMSE, ka publikuar një raport mbi përhapjen e krimit të organizuar shqiptar në Greqi dhe rreziqet që sjell ai për sigurinë e brendshme. Raporti bazohet në të dhënat e policisë greke. “Krimi i organizuar shqiptar ka fituar terren të madh në Greqi, dhe për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në këtë vend, ka ndërtuar një “shoqëri paralele”- thuhet ne raport. (http://www.newsnow.gr/article/324136/analysi-RIMSE-pos-o-alvanikos-ypokosmos-stin-ellada-exelissetai-se-parakratiki-apeili.html)

Të dhenat e raportit
– Mafia shqiptare kontrollon rreth 80% të shpërndarjes me pakicë të heroinës në Greqi.
– Kontrollon 50% të tregut të hashashit me shumicë dhe pakicë.
– Kontrollon 90% të importit të armëve të paligjshme në vend (Kallashnikov, Makarov, granata)
– 50% e “trafikut njerëzor” dhe prostitucionit kontrollohet nga shqiptarët.
– Rreth 50% e plaçkitjeve të armatosura në shtëpi, dyqane e biznese kryhet nga shqiptarët.
– Rreth 30% e lojtarëve në kazinotë ilegale në Atikë “mbrohen” nga qarqet shqiptare.
– Një tendencë në rritje është përfshirja e shqiptarëve në falsifikime, që emigrantët e jashtëligjshëm të marrin dokumente ligjore nëpërmjet martesave false.
Miliardat që krijohen në vit nga këto aktivitete kriminale pastrohen me ndihmën e ndërmjetësvë apo bankierëve grekë, agjentëve të pasurive të patundshme, etj

“Kokat” e krimit të organizuar shqiptar
Raporti, zbardhur nga Baklanweb vëren se “kokat” e grupeve kriminale shqiptare, kryesisht nuk e kanë bazën në Greqi. Në këtë vend ndodhen vetëm të “besuarit” dhe “ushtarët”. Disa nga “kokat” që kontrollojnë bandat kriminale shqiptare janë
G. Laci,
familja Kelmendi,
familja Limani,
familja Alushi,
familja Luka,
familja Selimi,
familja Osmani,
familja Xhaka.

Të gjithë këta kanë veprimtari kriminale në vende të tilla si Greqia, më tej në Ballkan, Skandinavi, Gjermani, Zvicër, Belgjikë etj dhe kanë aftësinë për të mobilizuar qindra elementë shqiptarë në Greqi, për të siguruar fitime.
Sipas raportit, ka një klasë të rëndësishme njerëzish në

Greqi të cilët kanë një interes të drejtpërdrejtë në krimin e organizuar shqiptar dhe gjithashtu janë “tuba” për të mbledhur informacion ose për të ndërlidhur me shumëfarë rrjetesh sociale-politike në vend.

Çfarë është RIMSE?
“Islam radikal Monitor në Evropën Juglindore”, (RIMSE) ka filluar aktivitetin në shkurt të vitit 2011. Ai synon të vërë në dukje aktivitetet islamike (të dhunshme dhe jo të dhunshme) në rajonin e Evropës Juglindore. Vëmendje të veçantë iu kushton aktiviteteve islamikë që ndodhin në Greqi. RIMSE argumenton se kërcënimi që vjen në Perëndim në përgjithësi dhe për Evropën Juglindore në veçanti, nuk është nga Islami si besim, por nga Islamizmi si një politike dhe ideologji totalitare. (P.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 13 September 2012 09:06

Tiranë – Re të zeza në qiellin e Tiranes. Per me shume per politiken shqiptare dhe ne vecanti mazhorancen ne pushtet. Per here te pare Bashkimi Evropian dergon me mision ne Shqiperi shefin e Agjencise Kunder Krimit te Organizuar, nje institucion qe gjurmon kriminalitetin mafioz te lidhur me tentakulat e politikes. Fakti se Shqiperia po mbahet prej disa vitesh peng i politikes ne rrugen e anetaresimit, transakzionet miliarda euro qe behen nepermjet koncesioneve, shitjes, trafiqeve te panumerta te droges qe eshte kthyer si ne nje sherbim taksi, kane mjaftuar qe te zbarkoje kreu i SOCA.

Ndoshta nje prej shkaqeve te fuqishme mund te jete edhe shitja e Albpetrol, ku krimi nderkombetar mund te kete evaduar ne Tirane per te kryer operacionin e radhes ne shifren 1 miliarde euro. Dhe meqenese prapaskena eshte politike, per kete shkak Ian Milne po viziton edhe vendin tone, duke ndjekur gjurmet e ketij transaksioni mafioz. Nga burime te besueshme mesohet se METE eshte trembur dhe njekohesisht perfaqesuesit e saj Haxhinasto dhe Meta. E njejta gje per Berishen, qe dyzohet mes fakteve se kush qendron pas konsorciumeve, duke dhene sinjalet e anulimit te tenderit. Nese parate do qarkullonin, atehere kjo do ishte nje prove e forte ne duart e Brukselit, qe mund t’i conte pas hekurave politikanet e perzier shqiptare.

Takimi me Ina Ramen

Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, zhvilloi sot një takim me drejtorin për Evropën të SOCA (Agjencia kundër Krimit të Organizuar), Ian Milne, i cili zhvilloi një vizitë ne Tiranë. Gjatë takimit, Ina Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve si dhe rolin e prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve.

Një vëmendje e madhe gjatë takimit iu kushtua çështjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe bashkërendimit të punës në kuadër rajonal dhe më gjerë mes institucioneve që janë të angazhuar në luftën kundër këtyre fenomeneve.
Drejtori për Evropën i SACA, Milne, vlerësoi bashkëpunimin me Prokurorinë Shqiptare dhe theksoi se arritjet e deritanishme  shërbejnë në  rritjen e angazhimit të mëtejshëm në shkëmbimin e informacioneve dhe bashkërendimin më të gjerë në të ardhmen.

Takimi Noka-Milne

Takim Ian Milne ka pasur edhe me ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, i cili i shprehur z. Milne konsideratat më të larta për bashkëpunimin shumplanësh. “Ekspertiza dhe kontributi që Mbretëria e Bashkuar ka ofruar nëpërmjet misionit PAMECA 3, për fuqizimin dhe modernizimin e Policisë Shkencore dhe trajnimin profesional të ekspertëve respektivë, ka qenë shumë dobiprurëse për strukturat tona”, theksoi ministri i Brendshëm Noka, duke shtuar se “Shqipëria ka shënuar arritje shumë pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, sekuestrimit të aseteve të krimit, trafikut të qenieve njerëzore, apo në nxjerrjen e vendit tonë përfundimisht nga harta e vendeve tranzit të drogave të forta”.

Nga ana e tij z. Ian Milne, shprehu vlerësimet më të mirë për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë Brendshme dhe Policinë e Shtetit në veçanti. Në mbyllje të takimit, si ministri Noka ashtu edhe dy zyrtarët e lartë britanikë, shprehën bindjen e plotë se marrëdhëniet bilaterale do të vijojnë me më shumë intensitet, duke parë mundësinë që të shtrihet edhe në drejtime të reja, me interes të përbashkët.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 23 August 2012 17:53

Tirnë -Në Itali ka disa grupe kriminale shqiptare, të cilët veprojnë në të gjithë territorin e vendit, por kanë persona të caktuar, të cilët jetojnë në Shqipëri dhe japin urdhra prej andej. Zakonisht këta persona sigurojnë ngarkesat e drogës si dhe gratë për t’u shfrytëzuar me qëllim prostitucioni, si dhe të gjitha llojet e tjera të trafiqeve të paligjshme. “Në këtë përfundim ka dalë Drejtoria e Antimafias në Itali, e cila ka prezantuar vetëm pak ditë më para në Senatin Italian, raportin për aktivitetin kriminal në këtë shtet për 6-mujorin e dytë të vitit 2011. “Gazeta Shqiptare” ka arritur të sigurojë një kopje të raportit prej 356 faqesh, i cili u është prezantuar në ditët e fundit të korrikut anëtarëve të Sentatit. Në këtë raport, DIA (Drejtoria e Antimafias) i ka kushtuar një kapitull prej 10 faqesh, aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në Itali.

Raporti i Antimafias
Në mesin e grupeve kriminale me origjinë nga Ballkani, ato shqiptare prej kohësh janë shumë prezente, aq sa tashmë kanë fituar një nivel rrezikshmërie të mjaftueshëm për të zënë një vend në plan të parë në skanerin e kriminalitetit në vend. Të favorizuar sa nga afërsia gjeografike me vendin tonë, që shpeshherë përdoret si portë hyrëse drejt Bashkimit Europian, aq edhe nga bashkëpunimet dhe shkëmbimet me grupet kriminale vendase.

Emigracioni klandestin, skllavërimi, vjedhjet dhe krime të tjera kundër pronës e shfrytëzimi i prostitucionit vijojnë të mbeten mes krimeve më të shpeshta. Në këtë të fundit shpeshherë ka dhe bashkëpunim mes shqiptarëve dhe etnive të tjera, por edhe të italianëve (që mbajnë role vendimtare).

Droga
Sektori i lëndëve narkotike është në të vërtetë biznesi kryesor i kriminalitetit shqiptar. Mundësia e marrëdhënieve me bashkatdhetarë të tjerë në vende të tjera të botës, si dhe mundësia për të shfrytëzuar bazën logjistike në territorin e origjinës, u kanë dhënë mundësi shqiptarëve për të fituar një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës, aq sa bëhen ndërmjetës të privilegjuar të shoqatave italiane dhe të huaja.

Përsa i përket aspektit të bashkëpunimit, i rëndësishëm ka qenë hetimi i quajtur “Ispanico”, i drejtuar nga DDA e Napolit, i cili përfundoi më 11 mars 2011 me shkatërrimin e një grupi kriminal italo-shqiptar, i cili merrej me trafikimin ndërkombëtar të hashashit dhe ishte i lidhur me një grup kamorrist.

Në raste të tjera, shtetasit shqiptarë kanë marrë përsipër shpërndarjen, duke u lënë klaneve mafioze vendase detyrën e drejtimit të sasive të lëndës narkotike.
Hetimet e pandërprera, të mbështetura edhe nga iniciativat e ndërmarra në Europë dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet forcave policore të ndryshme, ka theksuar se edhe gjatë këtij 6-mujori ka pranim në territorin e vendit tonë të grupeve të mirëorganizuara, të përbëra nga bërthama, ku disa prej të cilave operojnë në Itali, por që janë të lidhura direkt me përfaqësuesit e stacionuar në Shqipëri, të cilët i kanë të përcaktuara mirë përgjegjësitë e tyre. Zakonisht këta të fundit sigurojnë ngarkesat e drogës si dhe gratë për t’u shfrytëzuar me qëllim prostitucioni, si dhe të gjitha llojet e tjera të trafiqeve të paligjshme. 

Veçoritë
Mes grupeve të ndryshme të shtrira në të gjithë territorin e vendit, grupet shqiptare konkurrojnë me to, me aktivitetin ekzekutiv në fazën e fundit të trafikut, ku u duhet të vendosin drogën, të drejtojnë tregun dhe të futën në territorin e përzgj-edhur, duke shtrirë lidhjet me persona nga grupet kriminale vendase. 

Nga hetimet e kryera nga forcat e policisë është konfirmuar se aktiviteti kriminal i shqiptarëve është i ndarë në tre module:

– Grupe të mirëstrukturuara, të lidhura me persona nga Shqipëria, që arrijnë të krijojnë raporte me organizatat vendase të tipit mafioz.
– Klane të organizuara, me një numër të vogël personash, të lidhur mes tyre.
– Grupe personash, shpeshherë të përbëra nga persona të lidhur me organizatat kriminale, që në disa raste mblidhen në bandë për të kryer krime.

Profilet e fenomenit unifikues, megjithatë, përbëhen nga ndjenja e fortë e përkatësisë e deri në përdorimin e metodave të dhunshme, në respektim të vlerave të “besnikërisë” dhe “nderit”, në prirje për të bashkëpunuar me grupe të etnive të tjera, përfshi edhe ato vendase. Grupet mes kriminalitetit shqiptar dhe atij vendas, në shumicën e rasteve të tipit mafioz, vazhdojnë ende të regjistrohen në vend, të mbështetura nga bashkëpunimi ekonomik dhe të favorizuar nga mungesa e kundërshtive mes njëri-tjetrit, që rrjedhin nga dominimi i zonave të caktuara.

Nëpërmjet hetimeve të policisë përsa i përket shfrytëzimit të prostitucionit, është e mundur të konfirmohet forca e madhe e grupeve shqiptare dhe atyre rumune, në bashkëpunim edhe me grupet kriminale vendase. Viktimat janë të detyruara të zbatojnë urdhrat e shfrytëzuesve të tyre, duke siguruar në këtë mënyrë një kontroll të vazhdueshëm të tyre, e krahasuar ndryshe me një formë skllavërie. Krimet kundër pronës të kryera nga shqiptarët tregojnë tendencën e përhapjes së tyre në të gjithë territorin e vendit, ku veçohen vjedhjet dhe grabitjet.

Zonat
Në veri të Italisë prezenca e grupeve kriminale shqiptare, konfirmohet në Lombardia, Trentino Alto Adige dhe Emilia Romagna. Në zonën qendrore janë më së shumti në Marche dhe Umbria, ndërsa në jug në Puglia dhe Campania. Në Piemonte grupet shqiptare janë të pranishëm në tregtimin e lëndëve narkotike, e cila ju vjen nëpërmjet rrugëve të ndryshme të transportit. Heroina vjen direkt nga Shqipëria, ndërsa kokainë në shumicën e rasteve përshkruan rrugë që kalojnë nga Holanda.

LOMBARDIA
Në Lombardi, kriminaliteti shqiptar regjistron një mënyrë tjetër të krimit, në krahasim me të kaluarën. Nëse trendi do të konfirmohej edhe në të ardhmen, do të mundë të konfirmohej një integrim më i madh i komunitetit shqiptar në socio-ekonominë e zonës. Sidoqoftë, vijojnë të regjistrohen episode të mikro-kriminalitetit të shpërndara në qendrat kryesore, veprime këto të kryera nga persona të vetëm ose grupe të vogla që veprojnë në mënyrë të pavarur, ose në bashkëpunim me etni të tjera. Gjithashtu ka dhe episode që tregojnë interesin e përhershëm të shqiptarëve në trafikun e lëndëve narkotike, të organizuar bashkë me shtetas italianë dhe të etnive të tjera.

Një tjetër sektor me interes, i shtrirë në pjesën më të madhe të territorit të Lombardisë, është shfrytëzimi i prostitucionit, i cili vijon të jetë njësoj si vitet e shkuara, me një tendencë për të shkuar drejt autonomisë së drejtimit të të gjithë aktivitetit, pa përjashtuar as bashkëpunimet me grupe të etnive të tjera, kryesisht atyre rumune. Në këtë kontekst janë zbuluar veprime të dhunshme të disa grupeve kriminale shqiptare. Kundërshtitë që hasen, shpesh sjellin përplasje të dhunshme, kryesisht të lidhura më ruajtjen e ekskluzivitetit të zonave të shfrytëzimit të prostitutave.

Triveneto
Triveneto përfaqëson, nga pikëpamja territoriale, një derë të hapur në Evropën lindore, domethënë ajo zonë e kontinentit në të cilën janë hasur ndryshimet më të dukshme politike e sociale, disa prej të cilave kanë shkaktuar devijime kriminele, duke dhënë impakt edhe në Evropën Perëndimore, sidomos sa u përket trafikimeve të jashtëligjshme të mallrave dhe të njerëzve. Krimet e bëra nga grupet kriminale shqiptare në këto zona janë kontrabandizmi, emigracioni i jashtëligjshëm dhe trafikim droge.

Ligruia
Në Liguria hasen komunitete të huaja përbërësit e të cilëve shfaqen në mënyrë jo homogjene. Domethënë, nëse nga njëra anë ka prirje për t’u integruar në fushën social-ekonomike, nga ana tjetër ka shumë persona që përfshihen në fushën e krimit. Midis tyre shqiptarët dallohen për krime kundrejt trashëgimisë, për shfrytëzimin e prostitucionit dhe për abuzime me lëndët narkotike. Në lidhje me këtë bëhen të ditura edhe operacionet policore më të përhapura sidomos lidhur me drogën. Për shkak të ndalesave në port Liguria shërben si qendër për sistemin e importit të drogës (sidomos në Amerikën e Jugut dhe në Spanjë). Kjo lloj situate konfirmohet nga sekuestrimi i sasive të mëdha të lëndëve narkotike gjatë viteve. Janë hasur edhe ndryshime në strukturat e organizatave kriminele çdo ditë e më shumë për shkak të përbërjes së tyre nga italianë dhe të huaj.

Toskana dhe Emilia Romagna
Në Toskana dhe Emilia Romagna organizatat kriminele shqiptare kanë gisht në të gjitha llojet e aktiviteteve të jashtëligjshme. Grupe kriminele shqiptare kanë shfaqur tendencën për t’u përfshirë në organizata mafioze duke bërë aleancë me shoqata kriminele vendase, por edhe të etnive të tjera. Këto marrëveshje bëjnë të mundur realizimin e aktiviteteve të jashtëligjshme si trafiku i drogës, prostitucioni, emigrimi klandestin dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Po ashtu janë hasur edhe grupe të vogla kriminele shqiptare të pa përfshira në organizata të mirëfillta, të cilat janë bërë përgjegjëse për grabitje të pasurive apo të njerëzve. 

Italia Qendrore
Përhapja e fenomenit kriminal shqiptar (në raport shënohet ‘schipetara’) në të tjera zona qendrore Marche, Umbria, Lazio e Abruzzo të territorit kombëtar, edhe pse e kundërshtuar gjerësisht nga pjesa info-operative, vazhdon ashtu siç është verifikuar përmes një sërë aktivitetesh gjyqësore. 

Campania
Në Campania analiza e rezultateve të aktiviteteve investiguese paraqet një pamje të sektorëve dhe të zonave më të ndikuara nga sulmet kriminale, dhe evidenton rolet e metodat në bashkëpunimin midis kriminelëve shqiptarë dhe atyre kamorristë. Edhe në këtë rast sektorët e interesave të jashtëligjshme janë kryesisht të lidhur me trafikun e drogës, i bërë kryesisht në konkurrencë me subjekte që u referohen klaneve kasertane me shfrytëzimin e prostitucionit dhe grabitjes së pasurisë.

Puglia
Puglia ka qenë historikisht vendi i përzgjedhur i kriminelëve me kombësi shqiptare. Ngjarjet e fundit konfirmojnë se në këtë zonë gjeografike mbizotëron qëndrimi i shqiptarëve në sajë të lidhjeve që janë krijuar gjatë viteve. Brigjet salentine dhe porti i Brindisit vazhdojnë të jenë pikë hyrjeje për lëndët narkotike dhe për armë me prejardhje nga Shqipëria.

Italia e Jugut
Sa u përket zonave të tjera të jugut të Italisë konfirmohet fakti që grupet kriminale të huaja preferojnë të veprojnë në zona ku presioni i mafias lokale është më i vogël, duke iu përkushtuar tregut të drogës në veçanti dhe duke ua lënë grupeve kriminale vendase organizimin e trafikimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 14:17

Romë – Në një aksion spektakular të policisë italiane, janë vënë nën pranga katër shqiptarë, të cilëve iu është sekuestruar edhe një sasi heroine prej 140 kilogramësh, ka raportuar sot gazeta italiane La Reppublica.

Kapja e kësaj bande shqiptarësh ka ndodhur në dy aksione të ndryshme, të zhvilluara në Verona dhe Padova, kurse ky është konsideruar operacioni më i suksesshëm i policisë italiane në vitet e fundit.

Shqiptarët e arrestuar janë, Durim Vishkurti, 31 vjeç, rezident në Verona dhe Sokol Çota, 35 vjeç, të dy të menaxhuar nga Ermal Dordi, 25 vjeç.

Në muajt e fundit policia ka arrestuar katër shqiptarë të tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë, të cilëve u janë konfiskuar në dy faza, njëherë 20 dhe herën tjetër 10 kg heroinë. Droga, që vinte nga Pakistani dhe Afganistani hynte në Itali nëpërmjet rrjeteve ballkanike, transmetojnë mediat italiane.

 
Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 18:54

Tiranë – “Shqipëria është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive ligjzbatuese”, u shpreh Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në sesionin e Samitit, të 4-t Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm, në Seul të Koresë së Jugut, zhvilluar pak ditë më parë.

Kryeprokurorja Rama, në referatin që mbajti në këtë Samit, trajtoi si temë kryesore çështjen e sekuestrimit dhe administrimit të aseteve të krimit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe problemet e shfaqura me imunitet si pengesë për hetimin.

“Tranzicioni i Shqipërisë për në demokraci nuk ka qenë i lehtë. Nga rrënojat e një regjimi që pak i respektonte të drejtat e njeriut dhe ku ligjet aplikoheshin në mënyrë selektive sipas tekave politike, institucione të reja u deshën të krijoheshin, të cilat duhet t’i përgjigjeshin aspiratave demokratike të vendit. Dy dekadat e fundit kanë qenë një periudhë e transformimeve të mëdha, sfidave dhe sukseseve për shërbimin e prokurorisë shqiptare. Sot unë jam më e ndërgjegjshme se kurrë se disa nga këto suksese u bënë të mundura nga mbështetja dhe bashkëpunimi që kemi marrë nga kolegët dhe institucionet partnere”, u shpreh kryeprokurorja Rama

Rama shpjegoi se vendndodhja e Shqipërisë në Evropën Juglindore, si një urë mes lindjes dhe perëndimit e ka bërë atë një vend tranziti për organizatat kriminale që përdorën konfliktet dhe paqëndrueshmërinë politike në rajon gjatë viteve 1990 për të instaluar kanalet e trafikimit të narkotikëve dhe të qenieve njerëzore, nga Azia qendrore drejt vendeve te zhvilluara te Evropës Perëndimore.

Ajo theksoi se, “sot ne jemi krenarë që nëpërmjet punës sonë intensive dhe profesionale gjatë viteve të fundit, mundësitë për këto organizata kriminale po zvogëlohen, ndërsa vendi është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive të zbatimit të ligjit”.

Sidoqoftë, vijoi ajo, “lufta jonë kundër organizatave kriminale, lokale apo ndërkombëtare, është e lidhur ngushtë me luftën  kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”.

Duke folur për tranzicionin e gjatë drejt demokracisë, Kryeprokurorja Rama u shpreh dhe për sfidat e institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat duhet të kuptojnë ende potencialin e tyre të plotë.

Duke folur për sfidat e punës së institucionit të akuzës, ajo u shpreh se “prioriteti im ditor është të forcoj përpjekjet tona kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm si një detyrë për të përmbushur mandatin tonë kushtetues, por edhe si një përpjekje, për rivendosjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”.

Më tej, znj. Rama trajtoi dhe çështjen e ligjit antimafia, për sekuestrimin dhe konfiskimin jashtë procesit penal të pasurive që burojnë nga krimi organizuar, si një koncept i ri në legjislacionin shqiptar sepse e kthen barrën e provës tek personi, pasuria e të cilit dyshohet se buron nga veprimtaria kriminale. “Qëllimi i këtij ligji, u shpreh ajo, është parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit, Kryeprokurorja Rama, theksoi se kemi krijuar me partnerët tanë shtatë njësi të përbashkëta hetimore kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, në zonat më të mëdha administrative të vendit.

“Megjithëse ka vend për përmirësim të mëtejshëm, rezultatet që kemi marrë nga këto njësi të përbashkëta hetimore kanë qenë befasuese, në veçanti lidhur me rastet komplekse të korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës, kontrabandës së naftës dhe hetimeve mbi krimin elektronik”, tha Kryeprokurorja Rama.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në krye të një delegacioni të Prokurorisë Shqiptare, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve dhe në Samitin e 4-t Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm, aktivitete të cilat zhvilluan punimet e tyre respektivisht nga datat 27-29 qershor dhe 30-1 korrik 2011, në Seul të Koresë së Jugut.

Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Prokurorisë shqiptare, që është e para në evenimente të këtij formati, u bë me ftesë të veçantë për kryeprokuroren, Ina Rama nga Komisioni Organizator i Samitit Botëror. Samiti i 4-t Botëror i Prokurorëve të Përgjithshëm, gjatë ditëve të zhvillimit të tij, trajtoi çështje të ndryshme që ngrihen sot përpara drejtësisë botërore veçanërisht ato që lidhen me krimin e organizuar e trafiqet e qënieve njerëzore.

Në të morën pjesë delegacione nga vende te ndryshme nga e gjithë bota të cilët, drejtoheshin nga prokurorët e përgjithshëm, Ministrat e Drejtësisë apo Drejtorët e Shërbimit të prokurorisë së këtyre vendeve.

Gjatë ditëve të zhvillimit të Samitit, Kryeprokurorja Ina Rama pati takime të shkurtra dhe kontakte me përfaqësues e titullarë institucionesh të vendeve të ndryshme, të cilët treguan interes për punën e Prokurorisë shqiptare dhe u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve mes tyre.

 

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 10:10

Sipas Prokurorisë së Kremonës, shqiptarët dhe ciganët ishin dy prej bandave që manipulonin rezultatet e ndeshjeve në futbollin italian. Ndikimi i tyre në skandalin e basteve që tronditi sërish sportin më popullor përtej Adriatikut, është një pistë e rëndësishme e hetimeve.
Dikur objektivi i bastexhinjve italianë ishte të përfitonin shifra të larta, duke luajtur me ndeshjet e manipuluara të vendeve të tjera. Tashmë vëmendja është përqendruar në sfidat brenda gadishullit të Apenineve.
Sipas gazetës “La Stampa”, protagonistë të mafies sportive janë shqiptarët, të cilët etiketohen si ata që mbajnë të drejtën e autorit (copyright) për paracaktimin e rezultateve. Skema nuk ndryshon: rezultate të sigurta, shifra të mëdha parash të hedhura në agjencitë e basteve dhe fitime të garantuara.

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 11:42

Prishtinë – Në organizim të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë dhe Fakultetit për Sigurim, më 27 dhe 28 maj në Manastir do të mbahet Konferenca shkencore mbi sigurinë në Ballkan.

Janë ftuar përfaqësues të qeverive dhe profesorë universitarë nga Serbia, Kroacia, Rumania dhe Republika Sërpska, ndërsa nuk është ftuar asnjë përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova.

Në takimin i cili do të  mbahet jashtë vëmendjes së mediave, do të diskutohet për krimin e organizuar, korrupsioni por edhe “kriminaliteti dhe mafia shqiptare”. Përfaqësues shqiptarë në qeveri theksojnë se nuk kanë njohuri për një konferencë të tillë, por do të njihen me përmbajtjen e saj, pasi bëhet fjalë për një takim ndërkombëtar.