12
 
Lajme Shqip Thursday, 22 September 2011 16:34

Prishtinë – Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Faith ka kërkuar nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve.

Piter Faith i ka dhënë përkrahje vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka qartësuar se deputet  e Kuvendit, anëtarët e ekzekutivit dhe Presidenti nuk kanë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.

Njeriu që udhëheq zyrën e cila mbikëqyr pavarësinë e Kosovës ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshi edhe këtë të fundit kanë qenë  hapa tejet pozitiv në forcimin e Kosovës si shtet.

“Nuk mendoj se duhet se kjo duhet të jetë për t’u shqetësuar ndopak. Mendoj të kundërtën. Mendoj se qytetarët e Kosovës së pari duhet të mirëpresin vendimin në kohë dhe të qartë të Gjykatës Kushtetuese. Unë e përgëzoj Gjykatën Kushtetuese për punën që ka bërë . Mendoj që Gjykata ka dal me një numër vendimesh të rëndësishme që kanë shërbyer për forcimin e shtetit. Edhe ky hap i  vendim i fundit është një  hap tjetër i një zhvillimi pozitiv”, ka thënë ai.

Kohë më parë Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e saj sipas kërkesës së Qeverisë mbi sqarimin e imunitetit të deputetëve, anëtarëve të ekzekutivit dhe Presidentit të vendit. Vendimi  i Gjykatës sqaron se askush nga tri nivelet e pushtetit nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 16:10

Prishtinë (PLOTËSUAR 18:25) – Portali LajmeShqip.comn ka raportuar dy ditë më parë për marrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sipas të cilit asnjë nga zyrtarët e lartë të shtetit nuk ka imunitet ndaj ndjekjeve penale dhe atyre që vijnë si rrjedhojë e shkeljes së ligjit.

Ndërsa, në vijim portali e boton të plotë kopjen e këtij vendimi. Shkarko kopjen këtu.

****************************

Prishtinë – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka dhënë dritën e gjelbër për arrestimin e zyrtarëve të lartë të shtetit, nëse ata kërkohen nga drejtësia dhe nëse kanë bërë shkelje ligjore. Gjykata ka vendosur se nuk ka imunitet për deputetët, presidentin dhe anëtarët e Qeverisë, kur ata janë ndesh me ligjin, apo kur dyshohen për vepra penale.

Në vijim, portali LajmeShqip.com e jep të plotë vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili është publikuar në faqen zyrtare të internetit.

Gjatë seancës së mbajtur më 20 shtator 2011, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi për Rastin KO 98/11, “Kërkesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me imunitetin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë të Republikës së Kosovës”.

Në këtë rast, Qeveria parashtroi kërkesën që përmbante tri çështje të veçanta që kishin të bënin me imunitetin e organeve të ndryshme shtetërore, kryesisht të deputetëve të Kuvendit, të Presidentit të Republikës, dhe të anëtarëve të Qeverisë. Qeveria konsideron se ekziston nevoja për interpretimin dhe sqarimin e pyetjeve lidhur me imunitetin, sepse kjo çështje ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që:

I. Kërkesa është e pranueshme;

II. Në përputhje me nenin 75 (1), nenin 89 dhe nenin 98 të Kushtetutës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Presidenti i Republikës dhe anëtarët e Qeverisë gëzojnë imunitet funksional për veprimet dhe vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre përkatëse. Prandaj, deputetët e Kuvendit, Presidenti i Republikës dhe anëtarët e Qeverisë lirohen nga përgjegjësia në procedura gjyqësore të çfarëdo natyre mbi pikëpamjet e shprehura, mënyrën e votimit apo vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Ky lloj i imunitetit ka kohëzgjatje të pakufizuar.

A. Lidhur me imunitetin e deputetëve të Kuvendit

III. Veprimi jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre:

1. Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.  Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë;

2. Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga paditë civile për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre;

3. Deputetët e Kuvendit nuk mund të shkarkohen përveç arsyeve të përcaktuara në nenin 70 të Kushtetutës.

IV. Arrestimi apo ndalimi tjetër i deputetit:

1. Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që është duke kryer detyrat e tij/saj, pra në mbledhje plenare të Kuvendit dhe/ose në mbledhje të komisioneve të tij, pas vendimit të Kuvendit.

2. Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që nuk është duke kryer detyrat e tij/saj, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit ose mbledhje të komisioneve të tij, edhe pa vendim të Kuvendit.

3. Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet nëse kapet në kryerje e sipër (in flagrante) të një vepre të rëndë penale, që është e dënueshme me pesë (5) ose më shumë vjet burgim, edhe pa vendim të Kuvendit.

4. Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet kur mandati i tij/saj mbaron për shkak të dënimit me një ose më shumë vjet burgim me një vendim gjyqësor të formës së prerë për shkak të kryerjes së veprës penale.

V. “Përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj” nënkupton punën gjatë mbledhjeve plenare të Kuvendit dhe mbledhjeve të komisioneve të tij.

VI. Çdo organ/institucion i ndjekjes penale që është duke kryer ndjekjen penale të personave të akuzuar për kryerje të veprave penale, siç përcaktohet në nenin 109 të Kushtetutës, dhe që vepron brenda juridiksionit të përcaktuar sipas ligjit në fuqi për Republikën e Kosovës ka të drejtë të kërkojë nga Kuvendi që t’ia heqë imunitetin një deputeti. Ky organ/institucion është i autorizuar ta arrestojë apo ndalojë deputetin edhe pa vendim të Kuvendit gjatë kohës që deputeti nuk është duke kryer detyrat e tij/saj, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit ose mbledhje të komisioneve të tij.

B. Lidhur me imunitetin e Presidentit të Republikës

VII. Kur vepron jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/saj përkatëse:

1. Presidenti nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/saj. Ndjekja penale mund të iniciohet dhe zhvillohet kundër Presidentit për një krim të rëndë.

2. Presidenti nuk gëzon imunitet nga paditë civile për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/saj.

3. Presidenti mund të shkarkohet vetëm në përputhje me nenin 91 të Kushtetutës.

4. Presidenti nuk mund të arrestohet apo ndalohet gjatë mandatit të tij/saj për shkak të natyrës së funksionit të Presidentit, pasi ai kërkohet të jetë përherë në dispozicion për t’i kryer ato.

C. Lidhur me imunitetin e anëtarëve të Qeverisë

VIII. Anëtarët e Qeverisë nuk gëzojnë mbrojtje të posaçme për veprimet dhe vendimet e tyre të ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.”

Teksti i plotë i Aktgjykimit do t’u komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën përkatëse. Ky Aktgjykim hyn në fuqi prej datës së publikimit zyrtar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 20:50

Prishtinë (PLOTËSUAR 12:51) – Ka përfunduar seanca e marrjes në pyetje të Nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj.

As avokati dhe as Limaj nuk janë prononcuar për mediat, pas seancës.

Seanca e marrjes në pyetje të Fatmir Limajt në prokurori pritet të vazhdojë më 10 dhe 12 tetor.

Vazhdimin e seancës për këto dy data e ka konfirmuar  avokati i Limajt.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, E Mërkurë 09:02) – Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti Fatmir Limaj, sapo hyri në Prokurori në ditën e dytë të marrjes në pyetje.

Ai dyshohet se është i është i përfshirë në dhënien e më shumë se 30 tenderëve në ndërtimin e rrugëve.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 16:42) – Marrja në pyetje e nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj pritet të vazhdojë edhe nesër, nga ora 09:00 e mëngjesit.

Sipas burimeve të afërta me mbrojtjen e Limajt, bëhet e ditur se nuk ka prova që ai ka kryer vepra penale dhe pritet që hetimet ndaj tij të pushojnë.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 16:31) – Fatmir Limaj sapo ka dalë nga Gjykata. Ai ka vazhduar i lirë në shtëpinë e tij.

Ndërkohë, portali e ka publikuar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e imunitetit. Për ta lexuar klikoni këtu.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 16:12) – Në Prokurorinë Speciale të Kosovës sapo ka hyrë Francesco Florit, gjyqtar i procedurës paraprake, i cili ka lëshuar vendimin për nisjen e hetimeve dhe bastisjen në Ministrisë e Transportit, kur ishte nën udhëheqjen e Fatmir Limajt.

Bëhet e ditur se derisa ai si gjyqtar i procedurës paraprake ka hyrë sot në Prokurorinë Speciale, gjasat janë të mëdha që Limaj të arrestohet, pasi kjo koincidon edhe me publikimin e vendimit për interpretimin e çështjes së imunitetit, nga Gjykata Kushtetuese, ku është konstatuar se deputetët nuk gëzojnë imunitet në këtë rast.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, 13:35) – Pas një pauze, deputeti Fatmir Limaj është kthyer në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të vazhduar me marrjen në pyetje.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, 12:40) – Pas më shumë se dy orë, Fatmir Limaj, nën përcjelljen e avokatit të tij ka dalur nga gjykata dhe është futur në veturë për t’u larguar për një pauzë të shkurtër. Paraqitja e Limajt do të bëhet pak më vonë, për të vazhduar me marrjen në pyetje. Limaj dukej paksa nervoz.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, E Martë 10:01) – Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti Fatmir Limaj, është paraqitur në këto momente Prokurorinë Speciale të Kosovës, i shoqëruar nga avokati Tahir Rrecaj.

Ai ka hyrë me veturë deri në hyrje të Prokurorisë.

Seanca pritet të zgjasë më shumë se një orë.

Portali do t’ju informojë në vazhdimësi me rrejdhat e këtij zhvillimi. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë – Ish-ministri i MTTP-së, Fatmir Limaj, do të dalë para gjykatës, të martën, për veprat që dyshohet se i ka bërë gjatë kohës sa ishte ministër. Limaj pritet që prej orës 10:00 të merret në pyetje nga prokurorë të EULEX-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për katër vepra penale.

Ai po hetohet për më shumë se një vit për krim të organizuar, marrje të ryshfetit, shpërlarje parash dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Limaj pritet të merret në pyetje një vit e gjysmë pasi ministria që ka drejtuar dhe pronat e tij ishin bastisur në një aksion që Limaj e kishte cilësuar si spektakël për ta eliminuar nga skena politike.

Ai pritet të gjykohet në këtë vjeshtë edhe për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës që besohet të jenë kryer në vitin 1999, në Kleçkë të Lipjanit, në një kamp të UÇK-së.

Derisa Nënkryetari i PDK-së merret në pyetje, të martën është afati i fundit ligjor kur Gjykata Kushtetuese do të duhej të jepte një interpretim për imunitetin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, nëse ata kanë imunitet nga arrestimet për krime siç janë ato të luftës.
Portali LajmeShqip.com do të ju informojë edhe të martën për procesin e marrjes në pyetje të ish-ministrit dhe deputetit Fatmir Limaj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 12:50

Prishtinë – Ndryshimet kushtetuese që janë në proces, do t’i japin të drejtë Gjykatës Kushtetuese ta shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Deri tash këtë kompetencë e ka pasur vetëm Kuvendi, siç ka pasur në kompetencë edhe zgjedhjen e presidentit, por ndryshimi i aktit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, këtë kompetencë do t’ia bartë Gjykatës Kushtetuese. Madje, edhe betimin Presidenti pritet ta bëjë në këtë Gjykatë.

Kjo parashihet në “Konkluzionet nga faza e parë e procesit të shqyrtimit dhe amandamentimit të Kushtetutës”, që e ka nxjerrë Komisioni parlamentar, i ngarkuar me këtë çështje.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar një kopje të konkluzioneve, ku janë të ngritura rreth 30 pyetje, të përcjella me konkluzione dhe alternativa të ndryshme të ndryshimeve që duhet bërë.

Komisioni është dakorduar të ndërhyjë nga neni i Kushtetutës që përcakton formën e zgjedhjes së presidentit, pastaj kualifikimet për zgjedhjen, statusin e kandidatëve, mandatin dhe betimin, imunitetin, shkarkimin, zëvendësimin, e deri te kompetencat që do t’i ketë i pari i shtetit. Për secilën nga këto nene janë dhënë deri në tri alternativa të mundshme, se si duhet bërë ndryshimi.

Në dokumentin përmbledhës të ndryshimeve kushtetuese, është i bashkëngjitur edhe një prezantim i shkurtër për ecurinë e fazës së parë të amandamentimit të Kushtetutës, i bërë nga deputeti Arsim Bajrami, që është kryetar i Komisionit. Në fazën e parë janë organizuar tri punëtori dhe disa takime të rregullta, gjatë së cilave Komisioni fillimisht ka arritur të identifikojë të gjitha dispozitat kushtetuese që do të jenë objekt i shqyrtimit dhe amandamentimit.

Më pas, me ndihmën e një grupi të gjerë të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe, veçanërisht, asistencës teknike dhe profesionale të ofruar nga  USAID, NDI dhe IFES, Komisioni ka hyrë në procesin e shqyrtimit të detajuar të dispozitave Kushtetuese që duhet ndryshuar. Njëkohësisht, Komisioni është angazhuar edhe në përcaktimin e konturave për Ligjin për Zgjedhjen e Presidentit, dhe identifikimin e çështjeve që do të rregullohen me të.

Gjatë këtij procesi, komisioni ka konsultuar mbi 40 kushtetuta të shteteve të ndryshme, me fokus te veçantë në kushtetutat e vendeve që zgjedhin drejtpërdrejt presidentin. Deputeti Bajrami ka thënë për këtë dokument se “përveç që ofron një pasqyrë të qëndrimeve të anëtarëve të Komisionit, shërben edhe si bazë për përafrimin e qëndrimeve në çështjet e hapura, duke mundësuar kështu kalimin në fazën e dytë të procesit, kur do të hartohen drafti i parë i amendamenteve Kushtetuese dhe Projektligji për Zgjedhjen e Presidentit”.

Në vijim mund të gjeni një përmbledhje të konkluzioneve dhe alternativave të identifikuara si rezultat i punës dy mujore të Komisionit. Edhe pse në shumë aspekte ekziston koncensus brenda Komisionit, janë disa çështje që kanë mbetur ende të hapura dhe me shumë alternativa. (LajmeShqip.com)


 
Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 02:58

Prishtinë – Deputeti Fatmir Limaj prej të hënës është i akuzuar për krime lufte në fshatin Kleçkë të Lipjanit.

Burime nga EULEX-i kanë thënë për Portalin LajmeShqip.com se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të rëndë kundër Limajt dhe bashkëluftetarëve të tij. Deputeti i Kuvendit të Kosovës akuzohet për pesë pika, ndër të cilat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, shqiptarë dhe serbë ushtarakë, policë dhe civilë.

Aktakuza është ngritur kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazfrekut, Shaban Shalës, Behlul Limajt, Arben Krasniqit dhe Besim Shnurdhaj.

Portali LajmeShqip.com publikon urdhërarrestin e mëhershëm ndaj Fatmir Limajt, kurse sot gjatë ditës do ta publikojë dosjen e plotë të rastit Kleçka. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 16:02

Prishtinë – Hashim Thaçi merr në dorë frerët e imunitetit. Pas kundërshtimeve të prera të kryetarit të Parlamentit të Kosovës për t’iu adresuar Kushtetueses nëse mund t’iu hiqet ose jo imuniteti deputetëve të Kosovës, Qeveria Thaçi është treguar e prerë: do ta kryej vetë këtë punë.

Çështja heqjes së imunitetit për deputetët qe janë nën hetime duket se do të ketë një zgjidhje.

Pasi u refuzua kërkesa e EULEX-it drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, qe ky i fundit të kërkoj interpretim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje, është Qeveria e Kosovës ajo që merr vendim për t’iu drejtuar  Kushtetueses.

Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë. Kryeministri Thaçi ka thënë se  ky vendim u morrë  në përputhje të plotë me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 12:16

Të mërkurën, në një konferencë për media në Prishtinë, ajo ka thënë se nëse do të ishte dyshuar për ndonjë krim serioz, hapi i parë do të ishte që vetë të kërkonte heqjen e imunitetit, ngase sipas saj, çfarëdo qëndrimi tjetër, do ta dëmtonte imazhin e Kuvendit dhe të qytetarëve.

Lunaçek ka pranuar se çështja e imunitetit javëve të fundit ka dalë përtej çështjeve ligjore dhe është politizuar, përderisa ka theksuar se në raste të tilla kur ka paqartësi, do duhej të hiqej imuniteti.

Sidoqoftë, ajo ka shprehur besimin se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti dhe se për këtë, sipas saj, ka indikacione që do të gjindet rrugëdalje shumë e shpejt.

Sa i përket ndërprerjes së bisedimeve Kosovë-Serbi, përkatësisht anulimit të raundit të gjashtë, Lunaçek ka thënë se edhe nga ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper ka marrë konfirmimin se Serbia është ajo që po refuzon ecjen përpara në këtë proces.

“Refuzimi i Serbisë për të ecur përpara tash kur janë arritur disa marrëveshje, rrezikojnë statusin e kandidatit të Serbisë. Besoj se me këtë mënyrë si po vazhdon të sillet Serbia do ta humbë edhe mbështetjen e vendeve që e mbështesin”, ka theksuar ajo.

Në këtë proces, sipas Lunaçek, Serbia është fajtore pikë së pari për shkak të mospranimit të vulave doganore të Kosovës, të cilat ajo ka thënë se do duhej të njiheshin qëmoti.

Ndërkohë, duke folur për progresin e arritur në Kosovë në drejtim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, eurodeputetja ka thënë se ka përmirësime të dukshme dhe në shtator misioni i Komisionit Evropian pritet të nxjerrë vlerësime të reja pozitive.

Lunaçek ka konfirmuar se do të vazhdojë ta përcjellë Kosovën si anëtare e Parlamentit Evropian dhe në vitet në vazhdim si dhe të ndihmojë në ecjen përpara drejt plotësimit të kritereve evropiane.

Në këtë drejtim, ajo ka shtuar se do të angazhohet që të flas edhe me vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që ta marrin një hap të tillë si dhe të punojë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 17:29

Prishtinë – EULEX-i është duke parë të gjitha mundësitë që t’i deimunizojë deputetët e Parlamentit të Kosovës, të cilët janë nën hetime.

Kështu kanë konfirmuar të hënën, në Prishtinë, zyrtarë të këtij misionit, duke përsëritur se kreu i Parlamentit të Kosovës e ka refuzuar kërkesën e EULEX-it për të nxjerrë rezolutën e cila do të kërkonte nga qeveria që të shtrojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e imunitetit për deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Në një deklaratë me shkrim të këtij misioni, thuhet se EULEX-i vazhdon të besojë se çështja e imunitetit të deputetëve ka nevojë të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është në dobi të të gjithëve dhe EULEX-i është duke diskutuar se si të vazhdohet përpara me këtë çështje, thanë zyrtarë të këtij misioni.

Kryetari i parlamentit, javën e kaluar tha se kërkesa e EULEX-it nuk është e bazuar në ligj, në Kushtetutë dhe as në rregulloren e punës së Parlamentit dhe se sipas tij, qeveria ka të drejtë të kërkojë opinion nga Gjykata Kushtetuese pa kërkuar mendimin e Parlamentit.

Por, kryeministri Thaçi e ka përjashtuar mundësinë që qeveria e tij të ndërmarrë një veprim të tillë, duke ju referuar edhe qëndrimeve të zyrtarëve të lartë amerikan të cilët i bënë thirrje kryetarit të Parlamentit që të çojë përpara këtë çështje.

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 12:16

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se janë qytetarët ata që vendosin për fatin e njerëzve në politikë, e jo dikush tjetër.

Këto komente, Krasniqi i bëri pas kthimit nga vizita në Bruksel, si përgjigje ndaj kritikave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili kishte thënë se, me këto sjellje, Krasniqi po e rrezikon pozitën e tij.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, nuk i ndryshon qëndrimet e tij lidhur me rezolutën e Eulex-it përf heqjen e imunitetit të deputetëve.

Pas kthimit nga Brukseli, ku qëndroi për të shpjeguar opinionin e zyrës ligjore të Kuvendit, Krasniqi tha se përgjigja që ka marrë në Bruksel lidhet me atë se respektimi i rendit dhe ligjit është prioritar në shtetet demokratike. Ai tha se nuk e ka ndërmend të ndryshojë asgjë në përgjigjen që ai ka bërë gati t’ia dërgojë EULEX-it, lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve.

Ndërkaq duke komentuar kritikat e ambasadorit amerikan, Kris Dell se ai nuk është më i përshtatshëm të ushtrojë postin që mban, Krasniqi tha se në shoqëritë dhe shtetet demokratike, qytetarët vendosin për fatin e njerëzve në politikë, e jo dikush tjetër.

Kryetari Kuvendit, Jakup Krasniqi ishte ftuar në Bruksel, pikërisht për kërkesën që EULEX ka bërë lidhur me Rezolutën për heqjen e imunitetit të deputetëve.

**********************************************************************

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është përgjigjur deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili ka thënë se Jakup Krasniqi, me sjelljet e tij, po e rrezikon pozitën.

Kryeparlamentari Krasniqi, ka thënë se janë qytetarët ata të cilët vendosin për fatin e politikanëve.

Këto komente, Jakup Krasniqi, i ka bërë pas vizitës së tij në Bruksel, ku ishte ftuar pikërisht për kërkesën që EULEX e ka bërë, lidhur me Rezolutën për heqjen e imunitetit të deputetëve.

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 18:52

Prishtinë – Raportet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian janë të shkëlqyeshme dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, duke mos pranuar të komentojë letërkëmbimin mes shefit të EULEX-it dhe Kryekuvendarit, Krasniqi, lidhur me heqjen e imunitetit për deputetët nën hetime dhe reagimin  e ambasadorit amerikan Kristofer Dell.

Kryeministri, Hashim Thaçi tha sot se qeveria nuk ka dërguar apo pranuar letra për sa i takon çështjes së imunitetit të deputetëve nën hetime, prandaj nuk ka pranuar as të komentoj për letërkëmbimin mes shefit të EULEX-it, Ksavier De Marnac dhe kryekuvendarit Jakup Krasniqi, sikundër nuk ka pranuar të komentoj as deklarimet e ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristorfer Dell, për këtë rast. Por, kryeministri Thaçi ka tërhequr vërejtjen për ruajtjen e raporteve me SHBA-të dhe BE-në, të cilat i ka vlerësuar të shkëlqyeshme.

Reagimet u bënë pasi krye-kuvendari Jakup Krasniqi nuk ka pranuar kërkesën e shefit të EULEX-it, Ksavier De Marnac, që Kuvendi të miratoj një rezolutë për heqjen e imunitetit për deputetët që janë nën hetime.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Del, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, tha se “me këtë qëndrim, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës, në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij” .

Në konferencën për shtyp, kryeministri Thaçi foli edhe për rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në prag të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për marrëveshjet Kosovë -Serbi. Thaçi tha se është një keqkuptim se me Serbinë nuk është arritur marrëveshje apo kompromis. Ai bëri të ditur edhe takimin e zhvilluar me Veteranët e UÇK-së që po bëjnë grevë para ndërtesës së Qeverisë, dhe tha se shumë shpejt ligji për vlerat e luftës së UÇK-së, do të procedohet në Kuvend.

12