Lajme Shqip Monday, 29 July 2013 10:50

Prishtinë – Ish-shefi i zyrës Ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd, Lulzim Peci është shqetësuar nga akuzat për spiunim që ia ka përsëritur ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Por, ish ambasadorit të Kosovës në Suedi nuk i ka lënë fare përshtypje paralajmërimi i Hoxhajt se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka nisur të hetojë veprimet e tij dhe të gjitha stafit të MPJ-së.
Në një intervistë për gazetën Tribuna, Peci i cili ka dhënë dorëheqje vetëm 48 orë pasi kishte marrë pozitën e shefit të zyrës në Beograd, ka akuzuar ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj se po gënjen vazhdimisht, po manipulon me informatat dhe raportimet që ai i ka bërë pas kthimit nga Beogradi. “Krejt çka vjen prej ministri Hoxhaj nuk më çuditë fare”, ka thënë Peci. 
Ai është akuzuar nga MPJ-ja se ka pasur takime të fshehta gjatë qëndrimit prej 48 orëve në Beograd si shef i zyrës ndërlidhëse të Kosovës. Akuzat e MPJ-së ishin bërë pak orë pasi që Peci ka kishte dhënë dorëheqje me arsyetimin se nuk mund të durojë kritikat që ia kishte bërë kryeministri Thaçi për shkak të deklaratave që Peci kishte bërë në Beograd.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 13:39

Prishtinë – Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme janë interesuar për detajet e dorëheqjes së Lulzim Pecit nga shërbimi diplomatik i Kosovës. Ambasadori Peci ka rrëfyer për 17 qershorin, ditën kur ai qëndroi në Beograd i emëruar si zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi. 

Ai ka deklaruar se me tu kthyer nga Beogradi është takuar me ministrin Hoxhaj të cilit i ka treguar për takimet e tij në Beograd. Në mbrëmje, Peci tha se ishte takuar rastësisht me kryeministrin Thaçi. Peci theksoi të jetë kritikuar ashpër nga Kryeministri për përdorimin e gjuhës serbe në Beograd dhe për deklaratën se “normalizimin i plotë i marrëdhënieve me Serbinë do të ndodh, pasi kjo e fundit ta njoh pavarësinë e Kosovës”. 
”Nuk kam zhvilluar asnjë takim me zyrtarë të shërbimit serb, siç është thënë në komunikatën e MPJ-së. Në çdo takim kam qenë i shoqëruar me pjesëtarin mbrojtjes së afërt të Policisë së Kosovës. Pas kthimit nga Beogradi, rastësisht jam takuar me një restorant me kryeministri Thaçi, i cili më kritikoi ashpër për gjuhën serbe që kam përdorur në Beograd dhe për deklaratën time, të cilën e kam dhënë në Klan Kosova ku unë shprehem se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës do të bëhet pasi që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës”, ka deklarua Peci, raporton RTK.
Pas kësaj, ambasadori Peci tha të ketë telefonuar presidenten Jahjaga, më pas përmes postës elektronike i ka ofruar dorëheqjen e tij. Dhe, krejt në fund dorëheqjen e ka bërë publike. 
Peci, ka lënë të kuptohet se ai është ndier i ofenduar nga kryeministri Thaçi, kur u pyet nga mediat pas mbledhjes së komisionit. Këtë përshtypje e pati edhe kreu i komisionit, Albin Kurti.
Ndryshe, Ambasadori Peci ka hedhur poshtë komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në të cilën thuhet se ai është takuar me zyrtarë të shërbimit serb. Peci ka bërë të ditur se ka pasur takime me zyrtarë të BE-së , dhe se ka qenë i shoqëruar nga pjesëtari i mbrojtjes së afërt i Republikës së Kosovës. 
Edhe për sa i takon performancës së tij si ambasador në Stokholm, Peci tha se asnjëherë nuk ka marr vërejtje apo propozim për shkarkim nga Ministria e Punëve të Jashtme.

 
Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 16:44

Prishtinë  – Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka paralajmëruar takim për ditën e hënë ku pritet të raportojë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, lidhur me “Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje”, dhe për dorëheqjen e Shefit të Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, Lulëzim Pecit.

Kjo sipas televizionit publik është konfirmuar edhe nga kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti, i cili sqaron se takimi pritet të mbahet në orën 12:00.

Sipas tij, në një mbledhje ka treguar gatishmëri të jetë i pranishëm edhe Lulëzim Peci, për të sqaruar situatën e krijuar, pas dorëheqjes së tij.

Po ashtu, Albin Kurti ka shtuar se janë bërë më shumë se katër muaj, që komisioni ka kërkuar takim edhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, por që asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Si Komision për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbështetur në fushëveprimtarinë tonë dhe Planin e Programin e Punës për vitin 2013, e patëm ftuar më 11 shkurt Kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në Komisionin tonë për dialogun politik me Serbinë në Bruksel, si kryenegociator që është. Ai jo vetëm që nuk erdhi por as që u përgjigj fare. Janë bërë më shumë se katër muaj nga kjo ftesë e jona”, thuhet në njoftimin e Kurtit.

 

 
Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 18:49

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka përkrahjen e dy të tretave të nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës që të anëtarësohet në këtë institucion. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci. Sa i përket rastit të fundit, Hoxhaj ka thënë se asnjë përfaqësues i Kosovës apo ambasador, nuk mund të paraqesë, siç tha ai “egon” e tyre por shtetin e Kosovës.
“Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep.
Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën.
Sidomos duhet veçuar edhe pretendimin e tij se ai ka pasur gjoja konflikt me kryeministrin, se kryeministri gjoja qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë – nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën.
Dialogu aktual ka të bëjë me fazën fillestare të krijimit të bazës se si do të normalizohen këto marrëdhënie”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq sa i përket komunikatës së lëshuar nga MPJ, e cila është vlerësuar nga opozita si cenim i integritetit të Lulzim Pecit, Hoxhaj ka thënë se sfera politike në Kosovë duhet të përqendrohet më shumë në interest jetike në vend, e jo në politikat e brendshme.

“Mendoj që të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës edhe këto të cilat formojnë koalicionin qeverisës, edhe ato të opozitës, duhet të interesohen për temat, që janë jetike të politikës së jashtme dhe jo për çështje të politikës së brendshme, realisht shpenzohet aq shumë zhurmë”, ka thënë ai.

“Çdokush që synon të thotë diçka për politikë të jashtme, duhet ta shtrojë pyetjen se si Kosova në këto 10 vjetëve të fundit është prapa vendeve të rajonit për 10 vjet me agjendën e tyre evropiane.

Kuptohet që shpjegimi racional është se ne e kemi shpallur pavarësinë para 5 vjetësh, por duhet të angazhohemi që agjendën tonë evropiane ta bëjmë agjendë të të gjithëve. Mandej, kemi vështirësi të mëdha në integrimin e Kosovës në sistem ndërkombëtar.

Edhe më tutje kemi sfida sa i përket forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe shumë elemente, të cilat janë të natyrës së politikës së Jashtme. Dhe, fakti që unë nuk dëgjoj sugjerime, propozime dhe këshilla për tema, të cilat e përbëjnë politikën e jashtme të një vendi, mendoj që deklaratat që janë bërë për një rast të caktuar, nuk do të meritonin shumë vëmendje”, ka thënë Hoxhaj.