Lajme Shqip Tuesday, 24 June 2014 11:30

I pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të degës së Shijakut, kryetari i PD-së Lulzim Basha, konsideron se me kryeministrin Rama nuk ka rilindur asgjë dhe sipas tij, shqiptarët po rikthejnë besimin tek Partia Demokratike. 

Sipas Bashës, një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria numëron vetëm dështime dhe zhgënjime. 

“Premtimet elektorale janë harruar ndërsa vendi është zhytur në varfëri dhe papunësi. Narkotrafikantët dhe personat me precedentë penal janë veshur me pushtet,ndërsa qindra të arsimuar dhe të trajnuar në shkollat dhe institucionet më të mira evropiane dhe amerikane janë hedhur në rrugë. Sot, fiks një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, shqiptarët po e shohin që asgjë nuk ka lindur, dhe nuk ka rilindur në këtë vend. Përkeqësim në ekonomi, mijëra vende punë të mbyllura, sipërmarrja në kufijtë e mbijetesës dhe të falimentimit, investimet e brendshme në nivelet më të uëlta ndonjëherë në Shqipëri, investime me fondet e huaja afër zeros. Statistikat e INSTAT-it flasin për një rritje dëshpëruese të papunësisë gjatë muajve të fundit. Bota e krimit, e spekulimit, e mashtrimit ka gjetur një strehë të ngrohtë, një strofull të rehatshme brenda kësaj qeverisjeje”, tha Basha. 

lulzim Basha deklaron se qytetarët kanë kthyer sytë nga PD-ja, e cila kuotohet si një parti me vlera fituese përballë kundërshtarit të saj.

“Përballë këtij realiteti dëshpërues dhe zhgënjyes nga kjo mazhorance, qytetarët kanë kthyer sytë nga PD-ja. Numri i lartë i anëtarësimeve të reja, veçanërisht i të rinjve, e dëshmon me mirë se çdo gjë, besimin që qytetarët kanë te Partia Demokratike.

Vijnë dhe bashkohen me ne sepse kanë besim tek Partia Demokratike, vijnë dhe bashkohen me ne sepse nuk shohin alternativë tjetër vlerash përveç PD-së, dhe këtë besim, nuk e ka vetëm rinia që ka vërshuar drejt PD-së. Kjo është shenjë e jashtëzakonshme e kuotimit të PD-së në bursën e besimit popullor, dhe sot ju them, se në bursën e besimit popullor plot një vit nga zgjedhjet e 23 qershorit, ne kuotohemi si një parti në moral dhe në vlera fituese përballë kundërshtarit tonë”, – theksoi Basha.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 22 June 2014 11:56

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë sot në Kuvendin Zgjedhor të degës së Lezhës dhe Mirditës, nga ku deklaroi se përballë votës së lirë që qëndron në themel të organizimit të PD-së, qëndron një vizion i vjetër i PS-së që e sheh pushtetin si sulltanat personal:

“Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, për fat të keq, nuk foli dhe nuk po flet dot një plejadë e re dhe një vizion i ri i së majtës shqiptare. Foli dhe po flet, kam bindjen se për herë të fundit, një vizion i vjetër dhe i vjetruar që e shikon pushtetin si sulltanat personal. Përballë këtij realiteti të hidhur, ne kemi e duhet të zhvillojmë më tej  alternativën tonë të lirisë dhe zhvillimit, duke u orientuar më mirë dhe më fuqishëm se deri tani drejt lirisë si promotor zhvillimi, drejt sipërmarrjes së lirë, të vogël, të mesme dhe të madhe, drejt Shqipërisë që punon, krijon dhe prodhon në bazë të kësaj aksiome që e kemi vendosur në radhët tona si kryesore dhe vendimtare; nismës së lirë dhe  konkurrencës së lirë”, tha Basha.

Ai deklaroi se zgjedhja e drejtuesve të partisë me votë është një vlerë e jashtëzakonshme, dhe apeloi për demokratet, që votën ta përdorin me zgjuarsi dhe me përgjegjësi për të zgjedhur më të mirët.

“Sfida dhe qëllimi kryesor i këtyre zgjedhjeve që po zhvillohen në të gjithë piramidën ka qenë dhe është të nxjerrim me votë ekipet e fitores. Kjo është një sfidë e përbashkët, një sfidë e gjithë anëtarëve nga i pari tek i fundit.  Jeni ju që vendosni, jeni ju që zgjidhni me votë të lirë!, deklaroi kryetari i PD-së.  

Basha theksoi se vota e lirë qëndron në themel të organizimit të PD-së dhe kjo është një vlerë që do të ruajë reputacionin e një partie të mirë:

“Kemi venë votën e lirë në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës në Partinë Demokratike . Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, është një vlerë që duhet të dimë ta përdorim me zgjuarsi dhe me përgjegjësi. Ne do të ruajmë e do të zhvillojmë me tej në publik reputacionin e një partie të  mirë, duke zgjedhur mirë”, tha Basha.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 June 2014 14:27

Në mbledhjen e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama vazhdon t’i përqaset  drejtësisë me presione politike, me shkopinj ndër rrota për të penguar me çfarë të jetë e mundur punën e organeve si Prokuroria e  Përgjithshme. Duke komentuar deklaratën e djeshme të kreut të qeverisë mbi hetimin e trafikut te drogës, Basha theksoi se, Rama po demonstron se drejtësia është një hakmarrje politike. 

“Në vend të reformave të vendosura nga BE, Edi Rama po i përqaset institucioneve të drejtësisë më kërkesa dhe urdhra politikë për të penguar punën e Prokurorisë. Të gjitha këto i bën me një propagandë të stilit të vjetër. Mbarë shqiptarët po shohin një hetim të pashembullt”, tha Basha.

Kreu i PD gjithashtu akuzoi qeverinë për injorimin e grevës së urisë dhe ish- të përndjekurve:  “Arroganca e paligjshme e  kësaj qeverie ka bërë që të çohen njerëz në vetëvrasje, të çohen në vetëflijim  ato  mijëra gra dhe burra që janë hequr paligjshmerisht nga puna. Unë i bëj thirrje qeverisë që të  vendosë dialogun me grevat dhe të përballet e të shpjegohet me ta”- deklaroi Basha.

Ai deklaroi se për sa i përket ekonomisë shqiptare ka lajme të këqija. Shifrat e muajit të kaluar pohojnë qartë dështimet e përditshme e të njëpasnjëshme të qeverisë Rama-Meta. 

 

 
Lajme Shqip Friday, 18 April 2014 13:02

Partia Demokratike depoziton për herë të dytë një kërkesë për të thirrur në komisionin e Sigurisë Ministren e Mbrojtes në lidhje me informacionin për implikimin e mundshëm të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha doli sot në një prononcim për shtyp nga selia blu për t’i kërkuar ministres Kodheli por edhe kryeministrit Edi Rama, përgjegjësinë politike për të bërë transparencë në lidhje me këtë çështje, ndërsa shtoi se inkurajon prokurorinë në hetimin e kësaj çështjeje.

Partia Demokratike depoziton për herë të dytë një kërkesë për të thirrur në komisionin e Sigurisë Ministren e Mbrojtes në lidhje me informacionin për implikimin e mundshëm të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha doli sot në një prononcim për shtyp nga selia blu për t’i kërkuar ministres Kodheli por edhe kryeministrit Edi Rama, përgjegjësinë politike për të bërë transparencë në lidhje me këtë çështje, ndërsa shtoi se inkurajon prokurorinë në hetimin e kësaj çështjeje.

“Sot PD depozitoi sërish kërkesën për ministrin e Mbrotjes të paraqitet në Komision e Sigurisë. PD mbështet Prokurorinë në hetimin e çështjes. Është proces që ecën paralel në mënyrë të pavfarur nga transparenca parlamentare. Nga kjo pikëpamje inkurajomë prokurorinë dhe theksojnë se kryeministri e Kodheli nuk mund t’i ikin transparendës parlamentare. Sapo kemi marrë info mbi përdorimin e mundshëm të Forcave të Armatosura për trafik droge i jemi drejtuar institucioneve. Qeveria ka refuzuar të përgjigjet. Dje mori një përgjigje. Deputeti i mazhorancës e bëri të qartë se ka informacion dhe opozita nuk tërhiqet nga kërkesa: Pse për 8 ditë kryeministri e ministrja kanë fshehur faktin se kanë informacion? “ tha Basha duke shtuar se “PD nuk bën prokurorin, por kërkon përgjegjësinë politike nga ministrja e Mbrotjes dhe kryeministri”./oranews/

 
Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 12:52

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka mbledhur sot përfaqësuesit e njësive vendore, për të diskutuar dhe vendosur rreth  qëndrimeve që mbajnë këta të fundit për reformën territoriale.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se, qeveria “Rama-Meta” është duke i dhënë rrugë reformës nëpërmjet njëanshmërisë në përcaktim e vendosje, pa marrë parasysh konsensusin që duhet të bëjë me opozitën.

“Jemi mbledhur sot në emër të interesave të qytetarëve për të diskutuar dhe për të vendosur për qëndrimet tona ndaj 2 sfidave që ka hedhur qeveria “Rama-Meta”.  Së pari për ultimatumin për të bërë në mënyrë të njëanshme pa konsensusin e opozitës dhe pa konsultimin e të zgjedhurve vendorë të qytetarëve për reformën administrative-territoriale. Së dyti ndaj vendimit më të fundit të qeverisë për shpërndarjen e fondeve publike për qarqet dhe për njësitë vendore që është bërë e qartë në dokumentin e publikuar nga qeveria se propocioni në raport me njësitë ku qeverisin të majtët është një rekord më vete që nuk e gjejmë as në regjimet e apartetit ideologjik dhe racor. 92 për qind për të majtët dhe 8 për qind për të tjerët. Këto janë dy çështje madhore të aktualitetit por edhe të ardhmërisë. I lidh dhe i bën bashkë për të mos dhe i shkrin në një çështje të vetme mendësia antidemokratike e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij për decentralizimin dhe autonominë e pushtetit vendor. Ngutja e tyre për ta bërë fakt të kryer zgjidhje dhe vendime arbitrare duke anashkaluar apo dhunuar Kushtetutën, ligjet, standardet dhe praktikat e mirëqeverisjes”, – tha Basha.

Ndërkohë Basha vijoi më tej, duke e rritur dozën e shqetësimeve të tij në lidhje me ngarkesën presionuese, që sipas tyre është përdorur nga mazhoranca.

Kryetari i PD-së është shprehur i  irrituar nga ky përshpejtim i qeverisë për reformën, ndërsa vetë ai nuk ka arritur t’iu japë zgjidhje pyetjeve të tilla si: Ç`është kjo thirrje?  Ç`kuptim ka të na thonë po ju presim?  Pse duhet të na e thonë me këtë formë kërcënuese, kur me gojën e kryeministrit thanë se nuk japin konsensus? 

Këto nuk janë aspak pyetje retorike që Basha ka parashtruar përpara përfaqësuesve të njësive vendore, por janë thjeshtë ngërçe dhe moskoordinim i duhur mes palëve.

”Para disa javësh dhe me një intensitet të ditëve të fundit  po na kërcënojnë se nuk presin pa fund për reformën administrative-territoriale. Ç`është kjo thirrje?  Ç`kuptim ka të na thonë po ju presim?  Pse duhet të na thonë me këtë formë kërcënuese-ultimative kur me gojën e kryeministrit thanë se nuk japin konsesus pra duan ta bëjnë pa konsensus. A nuk e kuptojnë se vetëm një mendim poshtërues për pushtetin vendor, për qytetarët, për opozitën e vendit mund të përligj ftesa dhe thirrje të tilla për fasadë. Konsensus nuk ka po ejani bëjmë bashkë vitrinën e konsensusit.  Deri disa javësh propaganda e tyre ishte investuar fuqishëm, ishte ngulitur në opinionin publik mendimin se na kishin ofruar me bujari të gjitha dhe ishim ne që nuk pranonim. Pas shkëmbimit të letrave publike kryeministri u detyrua të dilte nga strofulla e ekuvokeve dhe trukeve dhe deklaronte se ai dhe mazhoranca nuk japin konsensusin me arsyetimin absurd se opozita e do konsensusin për të bllokuar reformën”, – tha Basha.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 13:33

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha do të hyjë në bisedime me Ramën me një paketë kërkesash, por edhe Kryeministri Rama nuk do të kufizohet vetëm me konsensusin për reformën territoriale. Sipas burimeve nga PS-ja, projektligjet që mazhoranca ka në dorë për miratim, do t’i nënshtrohen testit të konsensusit mes dy partive. Mësohet se, Basha ka kërkuar që takimi të ketë format në kuadrin e marrjes së statusit në mënyrë që të fitojë, jo vetëm garanci më të mëdha për realizmin e marrëveshjes që do të arrihet, por edhe të japë mesazhin te mbështetësit e vet se PD-ja është, siç shprehet ai, në “misionin e saj hyjnor”, për integrimin e vendit në BE. 

Formati i integrimit, që kërkon PDja, nënkupton që Rama dhe Basha do t’i vënë vulën e konsensusit përmbajtjes së rezolutës së përbashkët që do të arrihet mes dy palëve në kuadër të Komitetit të Parlamentit Evropian të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Përgatitja e dokumentit të takimit po bëhet nga deputeti Taulant Balla i PS-së dhe Aldo Bumçi nga PD-ja. Përfaqësuesi i PD-së e ka ngritur stekën tek 8 kërkesat të cilat i hodhi edhe në tavolinën e Strasburgut. Para dhjetë ditësh PD-ja refuzoi të miratonte me konsensus rezolutën e Komitetit të Parlamentit Europian për Stabilizim Asociim BE-Shqipëri, të përgatitur nga bashkëkryetari Eduard Kukan, pikërisht sepse mazhoranca nuk miratoi pikat e  propozuara nga opozita. 

Negociatat 

Qeveria bashkë me konsensusin për reformën territoriale, ka shpallur tashmë tërheqjen nga ligji për Autoritetin e Medieve Audovizuale dhe ka shtyrë projektligjin për ndryshimet e statusit të nëpunësit. Deputetët e PD-së në Strasburg shprehën kundërshtim dhe bllokuan futjen e çështjes së reformës territoriale në axhendën e diskutimeve. Por, kjo reformë ka qenë objekt i dy letrave që Rama dhe Basha shkëmbyen me njëri tjetrin. Ndërkaq, burime pranë PS-së pohojnë se, gjatë ditës së djeshme ka pasur komunikime mes negociatorëve Balla dhe Bumçi. Burime pranë PS-së, pohojnë refuzimin e PS-së për pikën 1 të propozuar nga PD-ja në Strasburg, ku pretendohet për blerje votash në zgjedhjet e Korçës. PS-ja nuk ka pranuar të përfshihet në rezolutë kjo pikë me arsyetimin se rezultati nuk është prekur dhe vlerësimin e ka bërë tashmë KQZ-ja. 

Diskutimet më të mprehta janë për pikat 2 dhe 3, ku PD-ja kërkon, sipas saj, ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura, por edhe rikthimin në krye të tyre të drejtuesve të shkarkuar. PS-ja pranon në parim pikën 2 me një formulim të ri, pa përmendur emra konkretë. Sidomos për pikën 3, sipas burimeve, PS-ja është shprehur kategorikisht kundër. PS-ja nuk do të pranojë rikthimin e Zana Xhukës në krye të ILDKP-së. Kërkesa e opozitës për  plotësimin e vendeve në KQZ ka gjetur aprovim dhe ka gjasa të mos ndryshojë si formulim. Opozita ka gjetur konsensus te opozita edhe për miratimin e dekreteve për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë me një formulim tjetër. Mes negociatorëve nuk është gjetur konsensus për kërkesën e hetimit të “kopjimit të mundshëm” të të dhënave digjitale te Tatimet. Ndërkaq, PS-ja nuk e pranon pikën e propozuar për Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, sepse e quan të tejkaluar këtë çështje pasi për këtë ka vendosur Gjykata Kushtetuese dhe qeveria do të zbatojë vendimin e Kushtetueses që i heq disa kompetenca këtij inspektorati. 

Strasburgu

 Pas arritjes së marrëveshjes nga palët e deputetëve në Tiranë, bashkëkryetari Taulant Balla do të informojë për këtë eurodeputetin Kukan që kryeson Komitetin BE-Shqipëri. Teksti më pas iu dërgohet anëtarëve të tjerë të delegacionit të Parlamentit Europian dhe me miratimin e tyre, dokumenti i bëhet i ditur parlamentit që ta përfshijë në axhendë.

 Miratimi nga parlamenti Evropian, sipas shpjegimit të zotit Kukan, mund të bëhet me procedurën administrative të shpërndarjes së tekstit të shkruar. Miratimi i rezolutës me konsensusin e të dy partive do të jetë një plus përpara mbledhjes së Komisionit Evropian në qershor 2014, kur do të diskutohet Shqipëria për statusin e kandidatit për në BE.   

Propozimet e pd-së që marrin “Po” ose “Jo”  

Opozita shpreh keqardhje për skemën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë lidhur me këtë çështje… (Nuk pranohet nga PS) 2. I referohemi deklaratës në tetor 2013 për të ruajtur pavarësinë e institucioneve kryesore, të tilla si INSTAT, AMA-s, ILDKP-së etj; Dënon shkarkimin e paligjshëm të znj. Ines Nurja, drejtore e INSTAT-it, si dhe vë në dukje vendimin e gjykatës që anulon shkarkimin e saj dhe i kërkon qeverisë ta rivendosë atë në zyrë; (Nuk pranohet paragrafi i dytë për Ines Nurjen) 3. Opozita shpreh keqardhje për shkarkimin e paligjshëm të kreut të ILDKP-së. Bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm për përmirësimin e situatës në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. 

(Nuk pranohet nga PS) 4. Kërkojmë që të tërhiqet amendamenti i mbështetur nga maxhoranca për të shkarkuar këshillin e AMA-s dhe rithemelimin e saj, si dhe i bën thirrje maxhorancës të plotësojë vendet   lira në këshillin e AMA-s pa u vonuar. (Pranohet pjesërisht) 5. Opozita i bën thirrje mazhorancës për të plotësuar vendet e lira në KQZ në përputhje me ligjin, për të ruajtur dhe nxitur integritetin e saj për të funksionuar normalisht. (Pranohet nga PS) 6. Thirrje parlamentit për të zhbllokuar emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. (PS kërkon riformulim) 7. Opozita ndihet e alarmuar nga përdorimi i INUK-ut për të shkatërruar pronat e ligjshme të qytetarëve dhe të BEsë në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatës, dhe i bën thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë praktika të tilla dhe të sigurojë dëmshpërblimin e duhur për palët e dëmtuara. (Nuk pranohet nga PS) 8. Opozita shpreh keqardhje për incidentin në lidhje me shkeljen e paligjshme dhe kopjimin e dyshuar të të dhënave digjitale të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dhe bën thirrje për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje. 

 
Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 12:59

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili u ka dalë në krah dhe ka angazhuar deputetët e tij në krye të protestave e furgonëve, është pikërisht ai që në 7 dhjetor të vitit 2005 ka urdhëruar që furgonët taksi 8+1 në kthim të mos marrin pasagjerë.

 
Është ende e paqartë pse tashmë që PD-ja nuk është në pushtet Basha ka ndryshuar qëndrim dhe të kërkojë të shkelet ligji dhe urdhëresa e lëshuar prej vetë atij dhe furgonët të vijonë të marrë pasagjerë ku të munden duke sjellë një model të konkurrencës së pandershme.
 
“A1Report” ka siguruar udhëzimin që mban numrin 1382 ku ndryshon pikën 8 të Udhëzimit numër 370 të datës 28.01.2004 “Për modelet e licencave, lejeve, certifikatave dhe autorizimeve për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor” dhe pikërisht modelin 108 duke shënuar se “Autoveturat taksi të kthehen bosh në rrethin e origjinës. Në kthim, ato lejojnë të marrin udhëtarë vetëm brenda territorit të rrethit, targën e të cilit mbajnë”.
 
Në atë kohë Lulzim Basha, ministër I Transporteve ka kërkuar edhe hyrjen në fuqi menjëherë të udhëzimit.
 
Dhe është pikërisht ky udhëzim që Ministria e Transporteve i ka kërkuar policisë rrugore që të zbatojë dhe që ka sjellë irritimin e drejtuesve të furgonëve 8+1, edhe pse në licencat përkatëse e kanë firmosur se do e respektojnë. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 March 2014 13:01

Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka dalë  kundër kryetarit aktual të  PD-së , Lulzim Basha.

E ftuar në  emisionin “Channel One”, Topalli u shpreh: “Basha është  kryetari i ri i PD-së . Është  tjetër gjë  Partia Demokratike dhe tjetër gjë  është  kryetari”.

E pyetur se çmendim ka për kryetarin Basha, Topalli përsërit: “Për organizimin unë  dhashë opinionin tim personal për zotin Basha. Është  tjetër gjë  Partia Demokratike dhe tjetër gjë  është  kryetari. Berisha është  personaliteti që  rrëzoi diktaturën që  udhëhoqi proceset demokratike dhe ishte fryma e PD-së ”. Topalli lë të kuptohet se nuk e ka fort “qejf” kryetarin aktual dhe se do të preferonte që të ishte Berisha sërish në krye të PD-së. 

Topalli tha gjithashtu se protesta e 20 shkurtit nuk ishte e PD-së , por e qytetarë ve sepse PD-ja i organizoi ndryshe protestat.  Më  tej ish-kryeparlamentarja tha se nuk do ta pranonte kurrë një  koalicion me LSI-në, edhe në  qoftë  se kjo e fundit do të  shkëputej nga koalicioni aktual./shekulli/

 
Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 16:35

Kreu i opozitës Lulzim Bashakërkoi sot anulimin e pasojave të aktit normativ dhe kthimin pa kushte të të largurave nga administrata. Sipas kryetarit të PD-së, botimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëfletoren zyrtare është detyrim ligjor dhe nuk nënkupton shprehje e vullnetit të mirë nga ana e qeverisë.

“Botimi në fletoren zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një akt rutinë, një detyrim. Mosbotimi është shkelje dhe evullnetit të mbrapshtë mbi Kushtetutën dhe ligjin. Dhe botimi nuk nënkupton shprehje e vullnetit të mirë. Ajo që kërkojmë sot dhe do ta kërkojmë me forcë në aurën e kuvendit dhe në të gjitha foltoret dhe sheshet e Shqipërisë në protestë, është anulimi i pasojave që ka krijuar zbatimi i aktit normativ antikushtetues , kthimin në punë pa kushte i të gjithë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që janë hequr arbitrarisht me aktin antikushtetues, kthimin pa kushte të ligjshmërisë të sjelljes së qeverisë ndaj administratës publike” tha Basha gjatë mbledhjes së grupit të PD-së.

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 February 2014 12:28

Demokratët paralajmërojnë rishikimin e marrëdhënieve me Parlamentin. Qëndrimi u theksua dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të selisë blu, nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha. Në diskutimin me dyer të mbyllura, Basha ka ritheksuar rishikimin e qëndrimit në Kuvend. Ai ka pohuar më tej se do të vijojnë protestat në gjithë vendin si dhe do të mbështetet protesta e nisur tashmë për rreth 20 ditësh nga shoferët e furgonave 8+1. Më herët Basha u ka bërë thirrje publikisht deputetëve PD-së të dalin në terren të informojnë elektoratin për vendimet si dhe për vazhdën e protestave që opozita do të ndërmarrë në varësi të keqqeverisjes.

 “Me ngjarjet e fundit në Kuvend, ku ligji dhe Kushtetuta u ekzekutuan përsëri me urdhrin politik të Ramës dhe Metës, ne do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të misionit tonë për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë. Ne nuk do të pranojmë t’i japim legjitimitet Parlamentit të një shumice që ka zgjedhur të bëhet gijotina e ligjit dhe Kushtetutës. Kjo, le të jetë java e intensifikimit të kontakteve të secilit prej jush me zgjedhësit tanë, me qytetarët anembanë vendit për të informuar mbi rrezikun vdekjeprurës   për shtetin, demokracinë dhe liritë, të veprimeve të fundit të shumicës Rama-Meta dhe për të marrë mendimet e tyre në funksion të vendimeve tona”, – tha ai. Kryetari i PD-së deklaroi se protestat e reja varen nga keqqeverisja.

 “Populli sovran do të marrë në dorë fatin e tij, gabohen rendë ata që mendojnë se me dinjitetin e qytetarëve mund të luhet. Shqipëria në protestë është puna jonë si opozitë. Do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të mbrojtjes së ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë”,- u shpreh Basha. Kryetari i opozitës akuzoi qeverinë për krijimin e monopoleve, rritjen e pasigurisë, kontrabandës dhe korrupsionit në vend. “Monopole kontrabandë e korrupsion evident.

 E njëjta gjë po ndodh në fushën e rendit, vrasjet dhe pasiguria vetëm rriten. Trafiku i drogës ka kapur nivelin e maunes. Në protestë bashkohet mbrojtja e demokracisë dhe mbrojtja e bukës së gojës”,- theksoi lideri i opozitës. Më pas, me propozim të ish-kryeministrit Berisha, grupi parlamentar i PD-së mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave në Ukrainë. “Të mbajmë një minutë heshtje për demokratët e Ukrainës, të cilët u flijuan për liritë, vokacionin perëndimor të kombit dhe dheut të tyre,”- u shpreh Berisha.