Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 15:34

Preshevë –  Me rastin e shënimit të 14-vjetorit të daljes publike të UÇPMB-së, ish-drejtori politik i kësaj ushtrie, Jonuz Musliu, ka vlerësuar se synim i këtij formacioni ushtarak ishte çlirimi i Luginës së Preshevës dhe bashkimi i saj me Kosovën.Teksa ka përshkruar ditën e 26 janarit të vitit 2000 ai, në një bisedë për “Epokën e re”, ka bërë me dije se edhe pas 14 vjetëve në shpirtin dhe në zemrën e çdo shqiptari të Luginës së Preshevës është bashkimi me Kosovën, pasi kjo trevë me dhunë e pa dëshirën e popullatës ishte shkëputur nga trungu i saj.

“Qëllimi dhe synimi i UÇPMB-së ka qenë i cekur edhe në platformë. Ishte bashkimi me Kosovën, pasi Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë qenë tokë integrale e Kosovës dhe janë ndarë dhunshëm prej këtij vendi. Për këtë është organizuar lufta jonë çlirimtare. Ky synim vazhdon të ekzistojë ende në shpirtin dhe zemrat e popullit shqiptar. Kudo që jetojnë, të gjithë janë njëzëri të vijmë deri te bashkimi me Kosovën”, ka thënë Musliu.

Ai i ka ftuar të gjithë shqiptarët të angazhohen për këtë bashkim, duke shtuar se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm me punë. Sipas Musliut, rol të rëndësishëm në këtë drejtim mund të luajnë udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë së bashku me faktorin ndërkombëtar.

“Bashkimi arrihet me punë, unitet të të gjithë faktorëve shqiptarë, me mbështetje financiare dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. Tani është momenti kyç që edhe Shqipëria e Kosova ta ngrehin dorën lart dhe t’i tregojnë Serbisë se kjo pjesë është e shqiptarëve dhe nuk duhet të preket. Obligim moral dhe kombëtar kanë Hashim Thaçi dhe Edi Rama si dhe kushdo që vjen pas tyre”, është shprehur Musliu.

Musliu, i cili aktualisht është kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, e ka pranuar se fillimisht frymën e unitetit duhet ta tregojnë liderët e shqiptarëve në Luginë, pastaj pjesa tjetër e shqiptarëve. “Esenca është tek uniteti i të gjithëve. Ne duhet të bëhemi bashkë sikur ato thuprat e Skënderbeut. Pra, unitet kërkohet nga vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës, nga lidershipi ekzistues i shqiptarëve, pastaj unitet duhet të kërkohet nga Kosova dhe Shqipëria”, ka deklaruar Musliu.  

 
Lajme Shqip Sunday, 12 January 2014 15:40

Preshevë-  Ndërkohë krerët politikë të Komunës së Bujancit e e cilësojnë “hajgare” ndihmën e ofruar nga qeveritë e Ksovës dhe të Shqipërisë, gjinekologu Mithat Sahiti nga Presheva, thotë se ndihma që pritet të japë Fondi humanitar për Preshevën i dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, mund ta ndihmojë popullësinë shqiptare në jug të Serbisë. 

Vetëm në Preshevë janë 350-400 lindje që kryhen çdo vit. Por, shumica e fëmijëve shqiptarë vendin e lindjes e kanë në Vrajë, që është mbi 40 kilometra largësi.

“Është më mirë për pacientin të lindë sa më pranë. Sigurisht që do të jetë edhe më mirë nëse mjeku që e ka përcjellë shtatëzaninë tërë kohës do të jetë i pranishëm edhe në aktin e lindjes. Gratë shkojnë të lindin në Beograd e Vrajë, por është jetike komunikimi i pacientit me mjekun gjatë momentin të lindjes”, thotë Sahiti. 

Shqiptarët presin që një pjesë e ndihmave të shkojë për maternitetin, i cili është mbyllur 25 vjet më parë. Punimet janë kryer, por hapja nuk është bërë. 

Riza Halimi, deputeti i vetëm në Kuvendin e Serbisë, thotë se shuma është simbolike, por angazhimi i parë konkret dhe rëndësia politike e këtij vendimi është e madhe, pasi është mbledhja e parë e dy qeverive dhe në të flitet për Preshevën. 

“Kjo besoj se do të rezultojë me zgjidhje dhe me ballafaqim konkret me shqetësimet që kanë qytetarët e Luginës. Jemi në pozitën më të vështirë”, deklaron Halimi. 

Nga ana tjetër, qytetarët thonë se ndihmat janë vërtetë të vogla. Vendimin e mirëpresin dhe thonë se sytë i kanë nga Kosova e Shqipëria. 

“Ndihma është shumë simbolike dhe apeloj tek dy qeveritë që të marrin shembull nga serbët e Serbisë dhe serbët e veriut, sepse për ata atje janë mbledhur miliarda”, thotë një qytetar. 

Megjithatë, ndryshimet janë të ngadalta dhe qeveria serbe do të duhej të ketë një fond zhvillimor. Por, deri atëherë shqiptarët në Serbi janë të lumtur që mbështetja morale ka kaluar në vendime konkrete.

 
Lajme Shqip Friday, 03 January 2014 15:44

Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës këtë muaj pritet të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët, e cila do të zhvillohet në qytetin e Prizrenit, ndërsa e veçanta e këtij takimi do të jetë formimi i një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.

“Me themelimin e këtij fondi duket se kryeministri shqiptar Rama do ta mbajë fjalën se nuk do t’i harrojë shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shkruajnë mediat e Kosovës. 

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e ka konfirmuar edhe i dyti i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai tha se mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet javën e dytë të janarit, por nuk përmendi asgjë rreth fondit për Preshevën. 

Krijimi i këtij fondi është mirëpritur nga liderët politikë në Luginë, për analistët kosovarë shihet si një “kundërpërgjigje” e fondit serb në Kosovë. 

Për kryetarin e Asamblesë Komunale të Bujanocit, Jonuz Musliu, i cili njëherësh është edhe lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik, krijimi i këtij fondi është i vonuar por i mirëseardhur. “Më mirë vonë se hiç”, deklaroi Musliu, sipas të cilit, “ky fond mos të jetë vetëm për një vit por të ketë jetëgjatësi”. 

Përderisa veriu i Kosovës, sipas tij, e ka një fond të tillë që e ndanë Serbia, pse mos ta kenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, që e ndanë qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. 

Sipas tij, deri më tani nuk kanë pasur asnjë lloj ndihme as nga Shqipëria e as nga Kosova. Ai ka thënë se ky fond duhet të legalizohet dhe të jetë i rregullt. 

Ndërkohë, sipas analistit Fadil Lepaja krijimi i këtij fondit do të dukej si një fond paralel, i ngjashëm me atë që Serbia tashmë e ka në Kosovë. 

Se çfarë synohet me këtë fond, dhe cilat do të jenë objektivat e tij, sipas tij, kjo nuk është e qartë ende, por përmendet ndihma për popullin e Luginës. 

“Unë mendoj se kjo megjithatë nuk do të jetë një “kundërpërgjigje” fondit serb në Kosovë, sepse ata nuk do e legjitimojnë asnjëherë këtë me norma ligjore ashtu si është vepruar në Kosovë. Pra, për mendimin tim krejt kjo paraqet një përpjekje për me e legjitimuar fondin serb në Kosovë, në njëfarë mënyre për të thënë se nuk është bërë asnjë lëshim parimor”, shprehet Lepaja. 

Sipas tij, Shqipëria duhet të bëjë presion politik bashkë me Kosovën, që të drejtat e shqiptarëve në Luginë të rriten, dhe që Serbia të krijojë një fond të veçantë për ata, e jo të krijojnë fonde me objektiva të paqarta dhe për marketing politik. 

“Banorët e Luginës janë qytetarë te Serbisë, dhe atje paguajnë tatim. Nga kjo del e drejta e tyre që shteti serb të ndajë fonde të veçanta për zhvillimin e tyre. Rrëshqitja në veprime të pamatura politike mund të jetë një përshtatje dhe një legjitimim i kërkesave serbe për ndërrim territoresh. Shpresoj që “të dy qeveritë” ta kenë menduar mirë terrenin në të cilin po hyjnë”, ka thënë Lepaja, shkruan ‘Zeri’.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 30 November 2013 23:50

Preshevë- Televizioni “A1 Report” publikoi ditën e sotme dokumentin zyrtar që tregon se ish-ambasadori i Shqipërisë nëBeograd, ka firmosur për heqjen e simboleve kombëtare nga tekstet në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Bëhet fjalë për një shkresë zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd që mban datën 3 prill 2011, e nënshkruar nga vetë ish-ambasadori shqiptar Shpëtim Çaushi.

Dokumenti u bë publik nga Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe Prof. Dr. Sulejman Abazi, të ftuar në “A1 Report” për të folur mbi protestat e ditëve të fundit në Luginë.

Mijëra shqiptarë dolën në protestë më 28 nëntor, duke kërkuar të respektohet e drejta e tyre për të përdorur simbolet kombëtare.

Shkresa i drejtohet Këshillit Nacional në Luginën e Preshevës, Milan Markovicit, ish ministër për të Drejtat e Pakicave në administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, si dhe shefit të atëhershëm të OSBE-së nëBeograd, Dimitrios Kyprios.

“Kemi nderin të ju lajmërojmë se organet kompetente shqiptare janë dakord me vërejtjet e shprehura se Abetarja dhe Fletorja e Punës do reprodukohen (modifikohen), duke mënjanuar simbolet nacionale-shtetërore”, thuhet në këtë document.

Gjatë bisedës në studio, Abazi tha se pikërisht ky vendim për të cilin ka dhënë pëlqimin edhe Tirana zyrtare përmes ambasadorit Çaushi, i jep mundësinë Beogradit të ndalojë hyrjen e teksteve shqipe në Luginë.

Në fillim të tetorit të këtij viti gjashtëmijë tekste shkollore në gjuhën shqip u bllokuan nga autoritetet serbe në fshatin Raincë të Preshevës, çka nxiti edhe reagimin e banorëve të Luginës.

Galip Beqiri i cili rezulton se ka qenë pikërisht ai që ka pranuar këtë vendim të qeverisë së Serbisë, e pranoi ekzistencën e dokumentit, por duke thënë se bëhet fjalë për modifikim të simboleve kombëtare dhe jo heqjen e tyre.

Në tetor të vitit 2011, mediat në Luginën e Preshevës raportuan lajmin se ambasadori i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd, Shpëtim Çaushi, kishte dhënë pëlqimin që Abetarja dhe fletorja punuese të modifikoheshin, duke larguar simbolet kombëtare çka ngjalli protesta nga shqiptarët në Luginë.

 

VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=3mBGOG4ADrw

 
Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 16:02

Prishtinë- Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë Zoran Stankoviq ka thënë se organet shtetëore në përputhje me ligjin, do të marrë vendim përfundimtar për vizitën e minitrave kosovar në Serbinë jugore.

“Çdo kush ka të drejtë të kërkoj dhe vizitoj secilën pjesë të shtetit tonë” ka thënë Stankoviq, duke komentuar kërkesën e ministrave Kosovar që gjatë këtij muaji të vizitojnë Luginën e Preshevës.

Sipas tij, ekzistojnë organe shtetërore të caktuara të cilët vendosin dhe do të marrin vendimin përfundimtar rreth kësaj vizite.

“Nëse kërkesa e politikanëve Kosovar bëhet në organet kompetente të organeve shtetërore, atherë ata do të marrin vendim në përputhje me ligjin dhe do ta informojnë publikun” ka thënë Stankoviq.

Kërkesa ka bërë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ai i financave Besim Beqaj si dhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani. /presheva/